Tuesday, May 11, 2010

Më 10 maj, protesta ‘Për drejtësi’ në Shkup

Nën moton “Për drejtësi”, më 10 maj në Shkup pritet të mbahet një protestë mbarë popullore, nën organizim të Këshillit të Organizatave Shqiptare.


Koordinatori i këtij Këshillit Ibrahim Koça, deklaroi se gjendja e rënduar politike në Maqedoni, si rezultat i vendimeve gjyqësore dhe vendimeve qeveritare që reflektojnë padrejtësi dhe diskriminim të hapur shtetëror ndaj një pjesë të popullatës, është shkak për marrjen e një iniciative të tillë. Ky këshill, ngërthen më vete, mbi 40 organizata nga mbarë vendi.
“Këshilli i organizatave shqiptare vendosi që të organizoj një protestë gjithë popullore në Shkup me datën 10 maj, nën moton ‘Për drejtësi'.
Qëllimi i organizimit të protestës është që të kërkohet:

- Ndërprerja e menjëhershme e proceseve të montuara gjyqësore dhe lirimi i personave të dënuar në procese të tilla si në rastet e Sopotit, Brodecit dhe Rastet e Hagës.
- Ndërprerja e menjëhershme e politikave diskriminuese në baza etnike dhe fetare, në ekonomi, arsim dhe kulturë siç bëhet me projektin Shkupi 2014, me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, me ndarjen e buxhetit si dhe me përdorimin e simboleve kombëtare”, deklaroi Ibrahim Koça, koordinator i Këshillit Organizativ.

Këshilli i Organizatave Shqiptare fton të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre, që t’iu bashkëngjiten në këtë protestë më 10 maj. Nga këshilli njoftojnë se nuk kanë realizuar takime me subjektet politike, por shprehen të hapur për bisedime.
“Jo, ne deri tani nuk kemi realizuar takime me subjektet politike, por ky Këshill është i hapur për çdo organizatë, çdo asociacion qytetar që e ndjen veten pjesë të këtij qëllimi”. Nga partia politike shqiptare në pushtet, BDI-ja pranon se situata është rezultat i moszgjidhjes së emrit, si dhe politika nacionaliste do të marrë fund shpejt pasi nuk ka përkrahjen e ndërkombëtarëve”, theksoi Koça.

Qëndrimi i BDI-së erdhi në formë të shkruar: “Ajo që ka rëndësi është se kjo politikë nacionaliste nuk ka asnjë mbështetje nga BE e SHBA dhe se jetëgjatësia e saj është megjithatë e shkurtër dhe BDI-ja do ta përballojë. Dhe nuk ka dilemë se politika e tillë do të përfundoj në çastin kur do të zgjidhet emri, ndërsa presioni për ta zgjidhur atë është shumë i madh dhe kjo duket se do të ndodh më së voni deri në fund të vitit”.

Ndërkohë organizatorët e protestës nuk deshën të publikojnë detaje rreth përmbajtjes dhe formës së protestës, por deklaruan se në prag të 10 majit do të mbajnë edhe një takim me gazetarët, ku do të shpalosin hapat e protestës në fjalë.

Alsat

Për më tepër informacion, kjo është faqja e organizuesve të protestës. (S.I) http://www.facebook.com/group.php?gid=117047901655466&ref=search&sid=1547282996.1789850617..1

No comments: