Tuesday, May 11, 2010

Masakër në Elbasan, 19 vjeçari vret gjimnazisten në klasë, pastaj veten

Një ngjarje shokuese ka ndodhur sot paradite në qytetin e Elbasanit, kur dy të rinj mbeten të vrarë. Një 19 vjeçar ka hyrë në shkollën e mesme "Mahir Domi" dhe ka qëlluar për vdekje një nxënëse të vitit të katërt. Më pas është larguar me shpejtësi dhe i ndjekur nga forcat e policisë ai i ka drejtuar armën vetes, duke mbetur i vdekur në vend.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 09:15 në pushimin mes orëve të mësimit, në korridorin e shkollës.
Endri Llambraj nga qyteti i Vlorës, 19 vjeç ka hyrë me pistoletë në brez në ambientet e shkollës së mesme "Mahir Domi" të qytetit të Elbasanit dhe ka vrarë nxënësen Gerta Baja, 19 vjeç.

Ai e ka thirrur vajzën në korridor për t'u sqaruar dhe pas një bisede pak minuteshe e ka qëlluar me pistoletë në kokë. Më pas djali ka ikur me vrap në drejtim të daljes së qytetit dhe ka arritur të shkojë deri tek unaza e qytetit, pranë shinave të trenit ku është rrethuar nga policia e cila po e ndiqte.

Ai ka qëlluar një herë në drejtim të policisë, por plumbat nuk i kanë kapur efektivat, dhe më pas ka vrarë veten.

Nga të dhënat e para mësohet se mes dy të rinjve ka pasur një lidhje, por më pas janë ndarë. Kjo me sa duket ka ngjallur edhe irritimin e djalit nga Vlora i cili ka udhëtuar me armë në brez drejt Elbasanit për të ekzekutuar ish-të dashurën.

Shekulli

No comments: