Monday, May 24, 2010

Koshtunica i armatosur në Kosovë Bajrami: EULEX s’e ndali

PRISHTINE-Vojislav Kostunica, të dielën, hyri i armatosur dhe qëndroi në Kosovë dhe askush nga policia nuk e ka ndalur.

Kështu njofton sot e përditshmja kosovare, Express sipas të cilës, Ministri Bajram Rexhepi ka qënë i njoftuar për këtë dhe i ka kërkuar nga EULEX’i t‘i ndalë personat e armatosur, gjë që sic pohon e përditshmja, nuk ndodhi.

“I përcjellë me truproja të armatosura, ish-Kryeministri serb, Vojislav Kostunica ka qëndruar të dielën në pjesën veriore të Kosovës pa leje të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare”, citon sot Express.

I njëjti burim bëri me dije se Koshtunica ka qëndruar në Zveçan dhe lokalitete të tjera në Veri për të kërkuar votën e serbëve për njerëzit e partisë së tij që garojnë në zgjedhjet për Komunën e Mitrovicës që janë paralajmëruar të mbahen këtë të diel.

“Koshtunica dhe eskorta e tij me njerëz të armatosur ka hyrë dhe ka dalë nëpër kufirin verior të Kosovës, në asnjë rast nuk është penguar nga Policia e EULEX’it dhe Policia e Kosovës, që në këtë pjesë të vendit përbëhet gati tërësisht nga pjesëtarë serbë”, njofton e përditshmja.

Kostunica ka zgjedhur Zveçanin për të mbajtur mbledhjen e Këshillit drejtues të partisë, për të shpalosur një program ekonomik si dhe për të kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Serbi.

Fotoja e mësipërme e ish kryeministrit Kushtunica është bërë në Kosovë 1998


Ai ka përsëritur qëndrimin e tij rreth statusit të Kosovës dhe ka theksuar se se po të ishte në pushtet, kurrë nuk do të pranonte vendosjen e EULEX’it në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite, politikani radikal serb ka qenë i shoqëruar nga ish-Ministri për Kosovën, Slobodan Samardzic dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike të Serbisë, që ndodhet në opozitë që nga zgjedhjet e vitit 2008.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se institucionet e Kosovës kanë kërkuar nga Misioni i BE’së që eskortat e armatosura të ndalen dhe të identifikohen, por kjo nuk është bërë.

“EULEX’i nuk është i gatshëm të bëjë një pengesë të tillë sikurse e bëjnë në pjesët e tjera kufitare”, ka thënë ai.

“Kemi kërkuar që sidomos eskortat e armatosura që bartin liderët polikë të ndalen, të identifikohen, të identifikohet armatimi dhe ky është ai minimumi që kërkojmë nga EULEX’i. Mirëpo, as këtë nuk e kanë bërë”, ka thënë Rexhepi, në një prononcim për RTK’në, të dielën në mbrëmje.

Por, Rexhepi tha se nuk ka kërkuar që të përdoret dhuna ose presioni, sepse kjo do të shkonte në llogari të politikës serbe.

Ndërkohë, zëdhënësja e Misionit të BE’së, Karin Limdal, ka konfirmuar për Express kërkesën e institucioneve të Kosovës për EULEX-in.

“Drejtori i Policisë së Kosovë e ka kontaktuar zëvendësshefin e komponentit të Policisë së EULEX’it, por kjo është bërë pasi Koshtunica ka hyrë në Kosovë”, ka thënë ajo.

Limdal nuk ka pranuar të komentojë se përse nuk është indërhyrë pas hyrjes së Koshtunicës në Kosovë.

Sot pjesëtarë të Misioni i BE-së janë të vendosur në dy pikat kufitare në Veri, pikërisht aty ku ka kaluar eskorta e Kostunices.
Për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë ekziston një marrëveshje që ato të realizohen duke kërkuar leje, e cila përcillet në Qeveri përmes Zyrës së Përfaqësuesit të BE’së në Beograd dhe Zyrës së Pieter Feithit në Prishtinë.

Zgjedhjet serbe në Kosovë?
Ndërkohë mediat kosovare cilësojnë se paralajmërimi i institucioneve të Serbisë për organizim të zgjedhjeve lokale në pjesën veriore të Mitrovicës konsiderohet një provokim i ri ndaj Kosovës dhe manipulim me pjesëtarë të pakicës serbe, por nuk pritet të pengohet mbajtja e tyre.
Zëdhënësja e EULEX’it, Kristiina Herodes ka deklaruar se Misioni i BE’së nuk i pranon të ashtuquajturat struktura paralele dhe për këtë arsye nuk i njeh zgjedhjet serbe dhe as rezultatin e tyre.
Ndërkaq, zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Russel Geekie ka deklaruar se për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Mitrovicë, UNMIK-u është njoftuar përmes medieve, por nuk ka marrë asnjë informatë zyrtare për këtë.

Ndërkohë është paralajmëruar se këtë të diel do të votohet edhe në Komunën e Novo Bërdos.

BalkanWeb

No comments: