Friday, May 21, 2010

Zëri i Shqipërisë dhe shqiptarët e Rumanisë

Kolonia shqiptare e Rumanisë ka bërë sakrifica të hatashme me penën, me fjalën dhe me kuletën. Ajo ka bërë sakrifica të shenjta edhe për kulturën e gjuhës shqipe.

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

Revista Albanica përmes shkrimeve kushtuar Kosovës dhe dritës shqiptare të Bukureshtit është duke dhënë kontribut konkret për lobimin e Kosovës në botë, sidomos në këtë vend gjurmash të moçme shqiptare, ngase “rumunët dhe shqiptarët janë vëllezër gjaku” theksonte C. Predescu, profesor universitar dhe drejtor i revistës Glasul Albaniei (Zëri i Shqipërisë), që delte në Bukuresht më 1910. C. Predescu theksonte asokohe se fjala është për lidhje farefisnore, për “degë të të njëjtit trung”, për “një simpati permanente dhe kontinuitive”, si dhe për “afrimin e tyre në gjuhë dhe zakone, siç ka deklaruar shpeshherë filologu erudit Bogdan Petriceicu Hasdeu, se Shqiptarët janë Prindërit e Rumunëve (Albanezii suntPărinţii Românilor).
Nuk e dimë në e ka shfletuar edhe Nikolla Jorga këtë revistë që ia prezantojmë për herë të parë opinionit shqiptar, por e dimë se 18 vjet më vonë (1938), dijetari i famshëm dhe zbuluesi i Formulës së Pagëzimit, N. Iorga, do të theksojë në ligjërate mbajtur në Hanul Manuc, se „Shqiptarët janë kushërinjtë tanë të gjakut” (Albanezii sunt verii noştri de sânge), gjë e cila konfirmon deklaratën e Mbretit Carol I të Rumanisë, se “Po qe se Rumunët do t’i kishin Shqiptarët, do ta zotëronin Ballkanin.” (1900), ndërsa B. P. Hashdeu do të shtojë një vit më vonë, në kuadrin e një konference të Akademisë Rumune se “Shqiptarët, pra, nuk janë fis me ne rumunët, por janë vëllezërit tanë të të njëjtit gjak” (Albanesii, dară, nu sunt rude cu noi Românii, ci ne sunt fraţi de aceleaşi sânge dacic).


Zëri i Shqipërisë (Bukuresht,Tetor, 1910)

Në kuadrin e artikullit bazë, “Motivet e botimit të kësaj reviste”, C. Predescu shkruan në gjuhën rumune se “Kolonia e këtushme shqiptare ka kontribuar me të madhe, në mënyrë indirekte, për përmbysjen e ishregjimit të kujtimit të trishtë”. Fjalën e ka për Perandorinë Osmane dhe periudhën e zezë që e pat përjetuar jo vetëm kombi shqiptar, por edhe popujt e tjerë të Ballkanit. “Kolonia ka bërë sakrifica të hatashme me penën, me fjalën dhe me kuletën. Ajo ka bërë sakrifica të shenjta edhe për kulturën e gjuhës shqipe.”
Në vazhdim, drejtori i revistës Glasul Albaniei, shpreh keqardhje se kultura dhe gjuha shqipe po gulçohen me përbuzje dhe indiferencë edhe në regjimin e ri, duke shtuar se “të gjitha kolonitë shqiptare, më të vogla apo më pak komode, në vendet e tjera kanë revista që i mbrojnë energjikisht interesat nacionale, jo vetëm në ambiente lokale, por edhe në Atdhe. Në të vërtetë, kolonia shqiptare e Rumanisë ishte aktive, sidomos në kohën e Naços, derisa shoqëritë shqiptare Drita, Dituria dhe Shpresa u shkrinë në gjirin e Shoqërisë Shqiptare Bashkimi (1906), por nga ajo kohë e deri më 1910 kur nisi të dalë Glasul Albaniei (Zëri i shqipërisë) ndjehej një mungesë botimesh, mungesë e cila do të shembet nga viti 1912, kur filloi të dalë Atdheu (1912), Flamuri i Shqipërisë dhe Tribuna Albano-Romana (1916), Shqipëri e Re (1919), Zëri Shqiptar (1926), Kosova (1932) etj.

Në të vërtetë, në këtë kohë, militonin më shumë rumunët dhe arumunët për shqiptarët, se sa shqiptarët për shqiptarët, ngase ishte kohë trazirash, kur Perandoria Osmane mënjanë, dhe kolonializmi serb në anën tjetër, i kishin intensifikuar zullumet në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Një vit para se të dalë Zëri i Shqipërisë, filloi të dalë në Bukuresht Viaţa Albano-Română (Jeta Rumuno-Shqiptare), edhe kjo e drejtuar nga një kuadër universitar arumun (Dr. Shunda). C. Predescu parashtron pyetjen në kuadrin e artikullit bazë: “Si është e mundur që vetëm Kolonia shqiptare e Rumanisë të heshtë, pa kurrfarë murmuritjesh dhe pa kurrfarë motivesh të bekuara, në një spektakël të këtillë kaq të rëndë dhe kaq të dhimbshëm! Sot, kur kombi shqiptar tërhiqet në një krizë politike dhe sociale më të theksuar se kurrë, do të ishte e palejueshme që kjo Koloni, si bija më e madhe (e diasporës shqiptare), të mund të shikojë, pa emocione të natyrshme, pa dhembje shpirtërore, pa shkëndija eksklamative, tabllonë e përgjakshme dhe ngushllimin e madh të Atdheut Mëmë!” Çdo viktimë në jetë, vazhdon më tej autori, ka të drejtën natyrore për të respektuar dhe njohur të drejtën poezitive: për të gjëmuar, për të bërtitur, për të dhënë kushtrimin, dhe kjo, që të kërcejë (ngritet) bota e mirë, sentimentale dhe e ndërgjegjshme, në mbrojtjen e saj. Madje edhe Evangjelia na mëson duke thënë: “Kërkoni dhe do të gjeni, lypni dhe do të ju jepet!”


Shqiptarët janë bij shqipesh që e mbajnë fjalën e dhënë dhe besën e Zotit

Rumania ka qenë gjithmonë (sidomos para blasfemisë komuniste), një vend tejet i lirë dhe tejet mikpritës, madje tejet tolerant ndaj komuniteteve tjera, duke i admiruar dhe konsideruar shqiptarët si bij shqipesh që e mbajnë fjalën e dhënë dhe besën e Zotit.
Shqiptarët, shkruan C. Predescu, kanë të drejtën legjitime të gëzojnë këto liri nga ana e rumunëve, si pasojë e disa arsyeve të fuqishme, të njohura dhe të stabilizuara:

*Primo, ngase përjetë, në Rumani kjo Koloni ka qenë një element i mbajtjes së rendit, siç është dhe vazhdon të jetë edhe në ardhmëri; dhe përgjatë rrjedhës së të gjitha shekujve të rëndë, shqiptari ka qenë vëlla vuajtjesh të pashkëputura me rumunin, në të gjitha nevojat, gjë e paparë nga ana e kolonive tjera.

*Secundo, ngase ajo nuk ka patur dhe nuk ka në shpirtin e saj, asnjë grimë mendimi dinak kundër askujt, as si komb, as si territor, as këtu dhe as në Atdhe, por vetëm, pastër e thjeshtë, mbrojtjen, me logjikë, të të drejtave të vetaab-antiquo nacionale, të garantuara me kushtetutë, sa këtu, po aq edhe atje, të drejta të cilat në mënyrë të natyrshme u takojnë krejt popujve të Bogdan Petriceicu Hasdeubotës.

Bogdan Petriceicu Hasdeu

*Tertio, ngase shqiptarët dhe rumunët janë vëllezër gjaku, degë të të njëjtit trung, siç dëshmohet plotësisht nga gjithë ato data historike, nga simpatia permanente ndërmjet tyre, si dhe nga afërsia e tyre në gjuhë dhe zakone, siç ka deklaruar në rradhë të panumërta filologu erudit Bogdan Petriceicu Hasdeu, se Shqiptarët janë Prindërit e Rumunëve. Përveç kësaj, kushdo që ka kryer dy klasë gjimnazi, mund ta mbajë mend se historia siç është formuar në Romë. Proca, rex, Albanorum, duos filios habuit, Numitorem et Amulium etj.

*Quarto, ngase në Ballkan, gjithmonë, në rrjedhë të shekujve cfilitës, ka ekzistuar një harmoni vëllazërore e patundur ndërmjet shqiptarëve dhe rumunëve, si dhe një sinqeritet dhe devotshmëri ndaj mbajtjes së rendit dhe sigurisë, mbarëvajtja dhe integriteti imperial, aq shumë dhe aq shpesh i vënë në rrezik nga armiqët shekullorë e të përbashkët.

*Quinto, ngase shkollat rumune të krijuara nga Perandoria nën regjimin e vjetër, që nuk mund të duronin dritën e kombeve tjera bashkëjetuese, nuk mund të zënin fill veçse nëpërmjet intervenimit dhe protekcionit të popullit shqiptar.

*Sexto, ngase, madje edhe në ushtrimin e të drejtave elektorale nën regjimin e ri, në përbërjen e Parlamentit aktual Osman, arumunët kanë manifestuar konkretisht dashurinë e sinqertë ndaj popullit shqiptar në Ballkan.

*Septimo, ngase kjo koloni e një gjaku të përbashkët, na ka dhënë aq burra të njohur, të cilët nuk e kanë braktisur atdheun në kohëra të vështira, por kanë bashkëpunuar me gjithë shpresën dhe mirëbesimin, si për shpartallimin e sundimeve të huaja, poashtu edhe për udhëzimin e rumanizmit drejt lirisë, progresit dhe qytetërimit. Ndër ta, faktorë të mëdhenj e të panumërt nacionalistë, të vendosur në histori dhe të njohur nga bota librore, na pëlqen dhe e ndjejmë veten të detyruar të përmendim edhe dijetarin shqiptar Ilarion, Episkopin e Arxheshit dhe banor i Mitropolisë së Ungro-Vllahisë, shpirt frymëzues dhe dirigjues i nacionalistit të madh Tudor Vladimirescu, dhe të cilin diplomati i famshëm francez, Talleyrand-Perigord e ka titulluar „Një Bibliotekë komplete”.

*Octavo, ngase, sa këtu në Mbretërinë rumune, po aq edhe tejmatanë, në Perandorinë Osmane, Shqiptarët dhe Rumunët do të kenë, si në të shkuarën, po atë fat të përbashkët për ardhmëri, ngase që të dy kanë, fatalisht, në mënyrë të natyrshme dhe permanente, të njëjtit armiq të brendshëm e të jashtëm, kështuqë konsolidimi i dhe çimentimi i këtyre dy elementeve etnike dhe ndihmesa e tyre e ndërsjellë, është një nevojë e domosdoshme për konsolidimin e ardhmërisë kombëtare të të dy popujve, sidomos për palën më pak të numërt, siç kanë deklaruar shpeshherë burra kompetentë e me dije të thella, si nacionalistë të mëdhenj dhe burra të shquar të shtetit: Dumitru Bratianu, Ioan Ghica, Costache Roseti, Alexandru Lahovari etj., si dhe inspektori i shquar shkollar, Lazër Duma e tjerë.
Në bazë të këtyre konsideratave të gjera e të thella, ne, një grup rumunësh filoshqiptarë, kemi vendosur t’i japim dritë kësaj reviste periodike. Përmbajtja e numrit të parë është një vajtim natyror, i drejtë dhe objektiv, i njërës nga bijat më të mëdha të Atdheut Mëmë, kundër padrejtësive të pamotivuara, që i përjeton kombi shqiptar nga ana e kamarilës aktuale të perandorisë osmane, e mallkuar nga popujt e Ballkanit, nga bota e qytetëruar dhe nga gazetaria serioze e Evropës. Këtë ndërmarrje e konsiderojmë si një detyrim të shenjtë nga ana e rumunëve, horizonti vizuel i të cilëve nuk ndalet vetëm në interesat e imta iluzore të çastit, por e përqafon tërë ardhmërinë kombëtare të tyre.”

Shqiptarët kanë derdhur lumenj gjaku, jo vetëm për vete por edhe për të tjerët

Artikulli bazë i C. Predeskut del në emër të Drejtorisë, ndërsa në vazhdim botohet një Protest drejtuar kabineteve evropiane nga ana e një grupi filoshqiptarësh rumunë, kundër masakrave të zhvilluara nga ana e Qeverisë Osmane në Shqipëri.
Autorët shprehin keqardhje për mjerimin social në të cilin e ka katandisur Qeveria osmane, veprime barbare të konsideruara nga ana e nënshkruesve të protestit si “ një vetëvrasje e pastër qeveritare”.

Bëhet fjalë për “trupat imperiale” që depërtonin papritmas në Shqipëri, duke zhdukur fshatra, duke hyrë nëpër familje, duke rrahur dhe ndëshkuar botën, duke masakruar pleq, gra dhe fëmijë të pafajshëm, duke mbyllur shkolla dhe klube të hapura nga sistemi konstitucional me lejen e autoriteteve, duke shpërndarë komunitete fetare, duke përdhunuar dhe vjedhur shtëpitë e mbyllra, pronarët e të cilave kishin vajtur me javë për tregti në Azi, Regjypt, Itali, Rumani e vende tjera.
Dihet se armatat osmane e konsideronin si stimulim plaçkitjen, hajdutllëkun dhe kurvërinë.

“Bekuar qofshin Qielli e Zoti i qytetërimit të kenë mëshirë dhe ta mbrojnë Kombin Krenar Shqiptar dhe të shtrenjtin Atdhe!” (Bukuresht, 2 maj 1919, Komiteti rumun Filoshqiptar)



Fragment nga shtypi shqiptar i Rumanisë

Për hirë të hapsirës tipografike, dhamë vetëm një pjesë të këtij protesti tejet interesant, botuar në 4 faqe (6-9). Pason një poezi satirike prej 4 faqesh me titullin Jashtë halldupit nga Evropa (Afara aldupul din Europa), duke përshkruar metodat perfide osmane për diskriminimin kombëtar të popullit shqiptar, duke patur për autor një grup autorësh: Pando Dibranin, Mark Shkodranin, Ilir Kosovarin, Miho Selenikasin, Filip Llapin, Gaspër Mirditasin, Nuçi Beratin, Ndrek Toskën, Pjetër Gegën etj.
Në vazhdim jepet një fragment nga një dorëshkrim i vjetër, “Histori e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Princ i Shqipërisë”, që ka për autor Sardarul I. Bilciulescu. Pason artikulli “Kremtimi i Shoqërisë Bshkimi” (5 Shtator 1910), me “zbavitje të bukura, dolli të përzemërta, muzikë, valle të ndryshme kombëtare shqiptare dhe rumune, barcoleta dhe një gëzim tejet shpirtëror”. Glasul Albaniei (Zëri i Shqipërisë) prej 16 faqesh, format libri, botuar në Bukuresht (në Tipografinë Vocea Poporului, Bulevardi Elisabeta nr. 30), mbaron me artikullin e Todi Prishtinës:
Publicistika e papërtypur, me rekomandime ndaj skribomanëve që s’e njohin karakterin dhe mentalitetin shqiptar, të kenë kujdes, të meditojnë më thellë, duke e mbajtur ndërgjegjen e pastër, për të mos e falsifikuar të vërtetën, ngase “Shqiptari nuk është i egër por i shoqërueshëm. Shtëpia e tij është gjithmonë mikpritëse. Madje edhe për armikun e tij. Ai nuk është barbar por altruist, derisa e gjithë e shkuara e tij dëshmon se ka derdhur lumenj gjaku, jo vetëm për lirinë e tij, por edhe për atë të popujve tjerë të Ballkanit.”

Burimi: http://www.zemrashqiptare.net/article/Speciale/14860/

No comments: