Thursday, May 13, 2010

Rama: Nëse vazhdon shurdhëria, pas 14 majit përshkallëzojmë qëndrimin

“Kjo qeveri, mishërim i një të keqeje që ne do ta përballim duke rezistuar”

Heshtja e qeverisë ndaj grevës së urisë së organizuar nga opozita me në krye Partinë Socialiste, ka shërbyer si katalizator drejt përshkallëzimit të situatës politike.

Të paktën po t’i referohemi fjalës së djeshme para protestuesve të kryetarit të selisë rozë, Edi Rama, bëhet e qartë se 14 maji i protestës së madhe është përvijuar si një kufi që çon drejt një faze të re të Mosbindjes Civile.

Me një gjuhë të ashpër dhe të rënduar në akuza ndaj qeverisë dhe një numri intelektualësh që kanë firmosur një letër kundër grevës së urisë, Rama nuk ka munguar që të shpalosë publikisht paralajmërimin e degradimit të krizës. “Kush kujton se mund të na trembë dhe zmbrapsë është vetëm një i trembur që është ajo që i mbetet çdo të tremburi kur i shterojnë argumentet. Çdo ditë këtu dhe më shumë se asnjëherë më 14 maj, dy javë nga greva e urisë.

Nëse do të jenë dy javë shurdhëri, atëherë do të jetë dita e një përshkallëzimi të ri.
Të premten do t’u kujtojmë se vetëm mbi trupat tanë mund të kalojnë nëse nuk do të marrin parasysh kërkesat...”, është shprehur Edi Rama. Zbërthimi praktik i këtij paralajmërimi cilësisht të ri është ende herët për t’u bërë, edhe pse parimisht gjuha e fortë e kreut socialist priret t’i përmbahet gandizmit pacifist të shpallur që në krye të herës. Thënë ndryshe është e paqartë se cilat janë ato veprime të mëtejshme të opozitës që do të justifikonin këtë betim solemn dhe publik të drejtuesit të protestës. Këmbëngulja dhe qëndresa është një armë, e cila po shpaloset përditë në atë që mund të konsiderohet si lëvizja vendimtare e Partisë Socialiste. “Kjo qeveri është mishërim i një të keqeje që ne do ta përballim duke rezistuar, rezistuar, rezistuar”, ka shtuar Edi Rama në ditën e 11-të të grevës së urisë.

Rezistencë, e cila përmes fjalës së fortë po e zgjeron shumë përfytyrimin e këtij akti që në kontekstin e situatës po komplikohet në interpretimin korrekt. Të sintonizuar me këto deklarime verbale, kanë qenë edhe oratorët e tjerë të protestës, të cilët po i përcjellin opinionit dështimin e negociatave informale të ndërtuar mbi komunikimin politik mediatik dhe jashtëmediatik. Ka spikatur në akuzat e forta që vijnë shumë afër kërcënimit, Spartak Ngjela, i cili në përputhje me profilin e ndërtuar në këtë protestë ka vijuar të nyjëtojë si element të krizës vetëm një person, Kryeministrin Sali Berisha. “Le të qeshë edhe ca ky, se do ta shikojë sesi do përfundojë”, është shprehur ndër të tjera ai. Por protesta e rrugës ka sjellë një përgjigje edhe për ata që po vetëpërcaktohen si kornizë e politikës.

Kështu interes publik përbën sidomos replika e Edi Ramës ndaj 126 intelektualëve dhe artistëve, firmëtarë të letrës antigrevë, adresuar në media edhe në formën e një “kordoni sanitar” ndaj lëvizjeve të fundit të opozitës. “Unë sfidoj çdonjërin nga ata që sfidojnë kurajën intelektuale të kësaj greve. Të më thonë se kush i shërben sot Shqipërisë, kjo grevë me kërkesat e saj apo ata që i kundërvihen asaj në emër të një pale... Nuk do të lejojmë që këtu të vijë tirania e shoqatave që mbledhin firma, e firmave që kthehen në dëshmi të rreme”, ka deklaruar Rama.
Në terma më të përgjithshëm, reagimet e fundit që kanë përfshirë edhe emra jashtë politikës aktive janë shenjë e një polarizimi të shtrirë tashmë përtej politikës.

Interpretimi i fakteve të fundit, parë sipas optikës së opozitës, ofrojnë një tablo të çarjes që të paktën sipas asaj që thuhet, është e madhe dhe që duket se fjalën e ka çuar tej normave demokratike.


G. Shqip

No comments: