Monday, May 24, 2010

"Mësues-nxënës, çfarë po i ndodh marrëdhënies?

Në fillim të këtij viti akademik mësimor, në të gjitha shkollat u punua një material që u kujtonte mësuesve, (duke i tërhequr vërejtje), se nuk ishin ata që mund ti mbetnin në klasë nxënësit. Për këtë u mor shembulli i një mësuesi që kishte ngelur një nxënës në lëndën e Gjuhës Shqipe, kur e kishte kaluar në atë të Anglishtes.


Për të gjithë mësuesit ky nuk ishte argument, por të gjithë kuptuan se kërkohej medoemos që për asnjë lloj arsyeje, nxënësit të mos mbeteshin në klasë. Kjo nuk justifikohet as me atë që quhet Taksonomia e Blumit. Përcaktimet e objektivave specifike tek Blumi janë të sakta dhe koncize dhe nuk thuhet gjëkundi, që lejohet një nxënës të kalojë kot.


Si mësues, konstatoj se nga nxënësit ka gjithmonë e më shpesh situata mjaft provokuese ndaj mësuesve. Megjithatë, mësuesit nuk i lodh ky fakt, (sepse ne e dimë se mosha në rritje ka problemet e veta), por i demotivon fakti, se fëmijët kanë shenja që nuk duan të mirëkuptohen me ta.


Ky lloj shkollimi me në qendër "të drejtat e nxënësit", mund të jetë gjithçka, por jo i dobishëm. Po e çorodit nxënësin duke e shtyrë në sjellje flagrante dhe të papëlqyeshme në shkollë dhe duke shkaktuar një mediokritet masiv në përgatitje.


Mos vallë kjo gjendje është mbjellë enkas? Me qëllimin e vetëm, që vetëm fëmijët e pushtetarëve të shkollohen dhe të pajisen me dije të qëndrueshme, që në të ardhmen ta sundojnë administrimin dhe drejtimin e këtij vendi?


Si mund ti japim përgjigje ndryshe këtij synimi për degradim të arsimit publik?

Përse nuk lejohet rregulli dhe disiplina në shkollat publike, kur gjetiu ato janë baza e arsimimit të shëndoshë?

Ky abuzim ndaj mësuesit dhe shkollimit është fatal.
Ndoshta ka ardhur koha, që edhe ministria dhe shteti të kuptojë, se mbreti dhe perëndia e shkollimit dhe kurrikulave, është vetëm mësuesi. Ai është graviteti i gjithçkaje që ka lidhje me arsimin dhe arsimimin.


Nuk fajësoj prindërit, por dëshiroj që ata ti "shtrëngojnë" edhe më shumë fëmijët e tyre për bindje ndaj mësuesve. Përpara se të jetë vonë. "Sita" ,për të nxjerrë flori nga brezat e një kombi, është vetëm mësuesi.


Ai nuk ka qenë as historikisht dhe as praktikisht armiku i nxënësve. Nuk mohoj se ka edhe mësues të papërgjegjshëm, por pohoj se fëmija,që gëzon "të drejta të plota" (!!) sot përballë mësuesit, nesër do të jetë një bosh.

Pyetja ime është e thjeshtë: a do ta përmbushë ky brez misionin e tij për të cilin edhe po shkollohet?



Letër e nënshkruar Qemal Guri, mësues Shëngjin, Shekulli

No comments: