Mbyllet pa rezultat hetimi në lidhje me “Shtëpinë e Verdhë” në Mat.
Për vite të tëra kanë qarkulluar histori lidhur me serbë të rrëmbyer dhe të vrarë për organet e tyre në muajt që pasuan luftën në Kosovë. Sipas disa burimeve (pranë secilit nga investigimet), tre hetime paralele të kryera nga hetuesit nga Serbia, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës, nuk arritën të gjenin prova që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kishte trafikuar organet e personave të ndaluar.
Siç pretendohet, dhjetëra serbë të marrë robër ishin çuar në një shtëpi në qytetin e Shqipërisë së mesme, Burrel, mes qershorit 1999 dhe majit 2000, ku në mënyrë sistematike u ishin marrë organet, të cilat ishin shitur. Këto pretendime janë të prezantuara në autobiografinë e ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte, e botuar në 2008-n. Por pamundësia për të gjetur burimet origjinale dhe ndonjë provë të re që prej vitit 2004, mund të thonë se kjo histori nuk ishte e mbështetur në fakte. Raporti i Këshillit të Europës, që pritet të botohet muajin e ardhshëm nga hetuesi Dick Marty, pritet të përqendrohet në kërkesat politike për qeveritë e përfshira, sesa në zbulimin e fakteve të reja.
Pengesat
"Është fakt që nuk ka asnjë provë për këtë çështje", thotë Matti Raatikainen, kreu i Zyrës për Krime Lufte të Misionit Europian në Kosovë për Sundim të Ligjit (Eulex). "Asnjë trup, asnjë dëshmitar. Të gjitha njoftimet dhe vëmendja e medias për këtë çështje nuk na kanë ndihmuar. Në fakt ato nuk i kanë ndihmuar askujt". Problemi kryesor, tha ai, ishte që skandali i krijuar nga pretendimet kishte larguar vëmendjen nga puna që po bëhej për të gjetur eshtrat e 1861 personave që ende konsiderohen si të zhdukur nga lufta dhe ndëshkimi i vrasësve të tyre në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri. Në vitin 2009, një hetim special i BBC-së gjeti prova në qytetin verior të Shqipërisë, Kukës, për ekzistencën e kampeve të UÇK-së ku mbaheshin të burgosur. Në fillim të majit, EULEX bëri edhe arrestimin e parë në lidhje me këtë çështje. Hollësi kanë dalë gjithashtu edhe se shqiptarë të dyshuar nuk kanë qenë besnikë ndaj UÇK-së, janë marrë në pyetje në një hotel në Durrës dhe më pas janë transferuar në Kukës. Zbulimet konstante në shtypin serb, se fakte të reja apo dëshmitarë të rinj kanë dalë lidhur me çështjen e pretenduar për trafikim organesh, kanë rezultuar false, ose kanë qenë të pabaza. Pas luftës në Kosovë, gazetari amerikan, Michael Montgomery, kishte hasur ushtarë të UÇK-së që kishin transportuar të burgosur serbë dhe shqiptarë, të vdekur dhe të gjallë, përtej kufirit nga Kosova për në Shqipëri. Tre nga shtatë burimet e tij u referoheshin mundësisë për trafikim organesh dhe kanë identifikuar "Shtëpinë e Verdhë" pranë Burrelit. Por gazetari Montgomery nuk ka qenë i sigurt dhe e ka dorëzuar një përmbledhje të hulumtimit të tij te Zyra e Personave të Zhdukur dhe Provave Mjekoligjore në Misionin e OKB-së në Kosovë.
Varret masive
Duke marrë parasysh mungesën e fakteve, ekspertët sugjerojnë se Shqipëria do të kishte ndihmuar për ta hedhur poshtë këtë histori të dëmshme, sikur të kishte qenë më e hapur. Raportuesi special i OKB-së, Philip Alston, tha në shkurt se "përpjekjet për të hetuar nuk kishin gjetur bashkëpunimin e duhur nga ana e qeverisë shqiptare". Ai i bëri thirrje Shqipërisë "që të prezantonte një propozim për hetim të pavarur dhe të bashkëpunonte me të vërtetë". Fundi i "përrallës" për trafikim organesh, siç e quan një hetues i EULEX-it, do t'i lërë prokurorët për krime lufte me shumë punë nëpër duar. Në maj u zbulua një varrezë masive në jug të Serbisë, në qytetin Rashkë, ku u gjetën trupat e rreth 250 personave që besohet se janë të shqiptarëve të vrarë nga trupat serbe në Kosovë dhe që janë varrosur përsëri në fillim të qershorit 1999.
Dheu i kuq që ishte ngjitur me eshtrat, sipas disa dëshmitarëve okularë, sugjeronte se trupat ishin varrosur fillimisht në Drenicë në Kosovë dhe më pas ishin zhvendosur në Serbi për të zhdukur provat. Prokurorët besojnë se ushtria serbe ishte përgjegjëse.
Marrë me shkurtime nga BBC
Titujt janë të redaksisë G. Shqip
No comments:
Post a Comment