Monday, May 24, 2010

Kur jeta krijohet në laborator

Zululand

Po ndiqja këto ditë reagimet e Vatikanit lidhur me arritjen më të fundit të shkencës, atë të krijimit të qelizës artificiale. Ishin të kujdesshme, të matura, e disi të shastisura. Dhe me të drejtë, pasi shkencëtari Craig Venter hedh dyshime të rënda mbi besimin teist, se jeta është shpikje e Zotit.

Jetën pra nuk e krijon Zoti, na thotë biologu amerikan me këtë zbulim; ose të paktën, jo vetëm Zoti. Jetën mund ta krijojë dhe njeriu.


Çfarë ka ndodhur në të vërtetë (dhe këtu po i lë mënjanë spekulimet e një agnostiku si puna ime mbi shastisjen e teistëve)?

Është shumë e thjeshtë ajo që ka ndodhur (të kuptohemi, duket kështu aposteriori): Gjenoma e një organizmi njëqelizor shkarkohet nga gjenet “e parëndësishme” dhe kështu përftohet një qelizë që mezi mbahet gjallë prej gjenesh që kryejnë funksionet esenciale e jetësore; pastaj mbi të (në të) futen gjene të marra nga qeliza të tjera dhe në këtë mënyrë mund të krijohen organizma artificialë me tipare e karakteristika që nuk ekzistojnë në natyrë. Shkurt, krijohet një jetë tjetër, e cila, në ndryshim nga organizmat e gjallë që lindin dhe ekzistojnë në mënyrë natyrore, nuk ka prindër, nuk ka paraardhës etj. Ua shpif kjo gjë? Hm, në fakt, thelbi i çështjes nuk qëndron këtu. Qëndron gjetkë, dhe është një medalje me dy anë.

Së pari, kjo shpikje, si çdo shpikje tjetër, bart dhe rreziqe të shumta. Çfarë p.sh.?
Po ja, bakteret e prodhuara me kaq lehtësi mund të jenë patogjene, d.m.th. baktere që prodhojnë sëmundje të ndryshme. Dhe kjo mund të bëhet pa të keq nga një adoleshent, që ka një laptop në dorë, ashtu siç mund të bëhet edhe me qëllim të keq nga individë, grupe e shtete terroriste. Sigurisht, për çdo patogjen gjendet një vaksinë, por deri sa të gjendet vaksina rreziku është rrezik.

Nga ana tjetër – kjo është më e rëndësishme – shpikja e jetës sintetike mund të përdoret në dobi të njerëzimit nëpërmjet aplikimesh të pafundme.

Shkencëtarët besojnë, se falë kësaj shpikjeje mund të prodhohen baktere, të cilat nga ana e vet mund të prodhojë biokarburante, e kështu nuk do jemi më të terrorizuar prej faktit që rezervat e karburanteve fosile janë të fundme; mund të prodhohen baktere për të asgjësuar plehrat e mbeturinat; ose për të asgjësuar dyoksidin e karbonit, që shkakton ndryshimet klimaterike; ose për të luftuar sëmundjet e ndryshme deri tani të pashërueshme etj., etj.

Siç shihet, është fjala për një zbulim shkencor të jashtëzakonshëm.

Dhe të vjen keq që masmedia shqiptare nuk u mor fare me këtë gjë. Mbrëmjen e asaj dite, kur bota mori vesh se ishte shpikur qeliza sintetike, gazetat e televizionet tona folën për orë të tëra lidhur me menynë e një restoranti francez me emrin “Krokodil”. Kush po darkonte atje? Craig Venter me skuadrën e tij të Maryland-it? Jo, ishin do personazhe të Zululand-it tonë.


Mustafa Nano, Shqip

No comments: