Monday, May 31, 2010

Përse sulmohet ambasadori Jonh L. Withers II?

Së pari gjej rastin të përshëndes honorable Withers, që për herë të parë mbas rreth 20 vjetësh të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me SHBA-në, bën realitet dëshirën dhe thirrjet e shumë intelektualëve shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut drejtuar diplomatëve dhe administratës amerikane, që shqiptarëve, si populli më proamerikan i botës, u duhet thënë e vërteta në sy.

Që Amerika është engjëlli mbrojtës i kombit tonë mbi tokë, këtë nuk besoj se ka shqiptar që e vë në dyshim, por për një shtet të konsoliduar e serioz siç është shteti amerikan nuk mund të mos ekzistojë që përfaqësuesit diplomatikë apo shtetërorë të mos përçojnë politikën amerikane në mënyrë të saktë, të qartë dhe të plotë në misionet e tyre të përhershme apo të përkohshme.

Të aludosh, e jo më të thuash se ambasadori amerikan bën politikë personale, është më shumë se marrëzi, pasi politika e jashtme amerikane është aq mirë e studiuar, sa ka ndryshime fare të vogla nga njëra administratë te tjetra.

Mjafton të kujtojmë nismën e administratës së Presidentit Bush për ta anëtarësuar Shqipërinë në NATO dhe konkretizimin e kësaj nisme nga administrata e Presidentit Obama apo vazhdimin e politikave të administratës së Presidentit Klinton nga Presidenti Bush për sa i përket çështjes sonë kombëtare, Kosovës.

Me këtë dua të them se klasa politike shqiptare, qeveria e Shqipërisë, gjithë opinionbërësit e paguar e gjysmë të lirë, në vend që të marrin seriozisht sugjerimet dhe kritikat e miqve amerikanë dhe të gjejnë mënyrat më efikase për të reaguar e ndryshuar gjërat, po mbajnë qëndrime që na dërgojnë, me siguri, atje ku jemi nisur 20 vjet më parë.
Të ngrihen komisione hetimore për çdo gjë. Komisione verifikimi të pasurisë apo diçka e tillë, jo për ambasadorin amerikan, por edhe për një amerikan të thjeshtë, nuk janë gjëra të çuditshme, por vërtet qesharake kur çdo qytetar amerikan, para çdo 15 prilli, të çdo viti, është i detyruar të shkojë e të rakordojë taksat.

Çfarë e ka penguar dhe i pengon qeveritë shqiptare për 20 vjet që të ndërtojnë sistemin e taksave të mbështetur mbi numrin social apo të pasurisë, quaje si të duash, siç e ka Perëndimi, përveç dëshirës për të mbajtur policinë politike e kësi komisionesh fantazma, ku në krye të tij emëruan dhe e lanë për 12 vjet gjykatësen që kishte dhënë vendimin e varjes në vitin 1988 të poetit Havzi Nela, pasi Fehmi Avdiu nuk ka qenë vetëm.

Si mund të konceptohet e pranohet nga amerikanët që gjykatësin kushtetues ta zgjedhë celula e partisë e mbledhur në bodrum, mbas mesnate, kur në anën tjetër, politika shqiptare përbetohet për përmbushjen e detyrimeve për të ngritur një sistem gjyqësor të pavarur?!

Në anën tjetër, mund ta them me bindje të plotë, se sa më shumë e sa më hapur, t’u flasë shqiptarëve ambasadori amerikan, aq më shumë lartësohet figura e tij dhe e Amerikës në sytë e zemrat e shqiptarëve.


Ajet Delaj, G. Shqip

No comments: