Monday, May 31, 2010

EULEX lejon zgjedhjet serbe në veri

Në një shkresë të brendshme u kërkohet që të mos ndërhyjnë.

Misioni i Bashkimit Europian në Kosovë (EULEX) do të “mbyllë njërin sy” të dielën në Mitrovicën e Veriut dhe dy komunat e tjera të Zubin Potokut dhe Leposaviçit dhe nuk do të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale për llogari të Serbisë.

Kështu mësohet nga një shkresë e krerëve të EULEX të shpërndara në zyrat e saj në veri. Pjesa veriore e Kosovës, për çështjen e rendit publik dhe gjyqësorin nuk administrohet nga institucionet e Republikës së Kosovës, por nga misioni i BE-së. Përmes një njoftimi të brendshëm të EULEX-it, të cilin ka arritur ta sigurojë “Radio Dukagjini”, ky mision ka këshilluar pjesëtarët e vet që të dielën, më 30 maj, t’i shmangen Mitrovicës. Zëdhënësja e Misionit të BE-së, Karin Limdal, nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë, me arsyetimin se nuk mund të komentohen çështjet e brendshme, por ajo ka thënë se “nuk parashikohen probleme gjatë fundjavës në Mitrovicë”. Një e diel me plot ngjarje në Mitrovicë. Zgjedhjet serbe, protesta e Veteranëve të Luftës bashkë me Vetëvendosjen, si dhe ndeshja e fundit e Superligës ndërmjet Trepçës dhe Besës, ku përcaktohet titulli i kampionit. Nisur nga të gjitha këto zhvillime, përmes një letre të brendshme këshilluese, Misioni i BE-së ka sugjeruar pjesëtarët e këtij misioni që t’i shmangen Mitrovicës.

“Në bazë të të gjitha këtyre informatave, të gjithë pjesëtarët e Misionit të EULEX-it këshillohen që t’i shmangen Mitrovicës, të dielën më 30 maj, dhe të gjitha vizitat në zonat me siguri të mesme në veri duhet të jenë strikte, dhe duhet të kryhen vetëm në raste të veçanta”, thuhet mes të tjerash në letrën këshilluese të EULEX-it. Karin Limdal, zëdhënëse e këtij misioni nuk e ka konfirmuar lëshimin e një letre të tillë, duke arsyetuar se nuk mund të komentohen çështjet e brendshme. Ajo i ka thënë Radio Dukagjinit se “nuk parashihen probleme gjatë fundjavës në Mitrovicë”. “Normalisht unë nuk mund të komentoj çështje të brendshme të sigurisë apo edhe paralajmërimet, por në përgjithësi mund të them se pjesëtarët e misionit të EULEX-it për zhvillime që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë gjithnjë janë të njoftuar, gjithsesi do duhet të jemi të njoftuar derisa pjesëtarë të EULEX-it operojnë në territorin e Kosovës. Misioni ynë nuk parasheh probleme të mundshme gjatë fundjavës në qytetin e Mitrovicës”, ka thënë Limdal. Në letrën që ka arritur ta sigurojë “Radio Dukagjini” thuhet po ashtu se “Rojat e urës” janë të njoftuara me të gjitha zhvillimet që do të ndodhin të dielën në qytetin e Mitrovicës.


Tadiç

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar se askush nuk ka të drejtë që qytetarëve të Serbisë t’u ndalojë hyrjen në Kosovë, pavarësisht profesionit me të cilin merren. Ai këtë vlerësim të tij e dha në një konferencë me gazetarë lidhur me ndalesën e EULEX-it për ndalimin e vizitave të paparalajmëruara të politikanëve serbë në Kosovë, duke shtuar se autoritetet e Beogradit do të bisedojnë për këtë çështje me misionin e EULEX-it dhe organizatat e tjera ndërkombëtare në Kosovë. EULEX-i ka publikuar vendimin që të mos lejojnë hyrje të paparalajmëruara të politikanëve serbë në Kosovë, duke përfshirë edhe veriun e vendit, kur serbët janë shumicë. “Serbia është ballafaquar me sfida reale në Kosovë e Metohi, por ne do të vazhdojmë luftën tonë me të gjitha mjetet legale në institucionet ndërkombëtare dhe nuk do të heqim dorë për asnjë çmim”, tha Tadiç.

Ditëve të fundit i vetmi politikan serb që ka kërkuar leje nga organet e Kosovës ka qenë pikërisht kryebashkiaku i Beogradit, i cili është anëtar i partisë së Tadiçit, kështu që duket sikur këto komente të Tadiçit janë marketing politik.


G. Shqip

No comments: