Tuesday, January 19, 2010

Motrat, miket dhe rivalet më të mëdha

Të gjithë ato vajza që e kanë një motër, e dinë se çdo të thotë një marrëdhënie mes motrave. Bëhet fjalë për një nga marrëdhëniet më të ndërlikuara njerëzore.

Është e diel dhe unë zgjohem nga tingulli i çuçuritjeve të dy vajzave të mia. Ato ndodhen në korridor dhe befas hynë në dhomë, më hidhen në shtrat, në kërkim të përkëdheljeve. Unë i rrok në krahë dhe ndihem e lumtur nga ky moment idili familjar. Përpiqem të shijoj sa më shumë nga kjo atmosferë, sepse e di që nuk ka për të zgjatur shumë. Me të menduar këtë, sakaq dy vajzat e mia shndërrohen në “armike” të vërteta. Nisin zënkat, kapjet për flokësh, për të zënë një vend më të mirë pranë meje. Njëra është xheloze që tjetra ka më shumë hapësirë tek unë, ndërsa tjetra bërtet se e motra erdhi më pas, ndaj vendi i parë në krahët e mi i takonte asaj. Ky është vetëm fillimi i një skene që mund të arrijë kulmin me ulërima e ndonjë dackë, por që sërish ka aftësinë e shndërrimit në një peizazh të paqtë. Pas disa çastesh, vajzat janë ulur të dyja në divan, pranë njëra-tjetrës dhe kanë rinisur bisedën intime e me zë të ulët. Pas sherrit të mëparshëm duken sërish të pandashme dhe të lumtura në shoqërinë e shoqja- shoqes.

Kush mund ta merrte me mend që një herë janë miket më të mira në botë e herën tjetër shndërrohen në armike të betuara e rivale? Në fakt janë histori motrash. Të gjithë ato vajza që e kanë një motër, e dinë se çdo të thotë një marrëdhënie mes motrave. Bëhet fjalë për një nga marrëdhëniet më të ndërlikuara njerëzore. Për të shkruar librin tim, kam folur me dhjetëra çifte motrash dhe në fund kam dalë në një përfundim: motrat janë një bekim i përzierë.

Një motër është aty për të të dashur në mënyrë unike, për të të ndihur në momentet e tua më të vështira e më të rënda, por nga ana tjetër, është edhe personi që, duke qenë më pranë teje, të shkakton edhe “dëmin” më të madh.

Një motër mund të të “grabisë”, duke filluar që nga rrobat e deri tek i dashuri. Në një moment është e gatshme që të sakrifikojë jetën për ty, në një moment tjetër të të nxjerrë sytë dhe të sheh me zili. Një grua më ka thënë: Askush nuk mund të të lëndojë më shumë se sa një motër. Me një mashkull ke gjithmonë opsionin e ndarjes, por këtë nuk mund ta bësh me një motër. Nga ana tjetër e di se, nëse do të kisha vrarë një njeri, ime motër do të më ndihmonte që ta varrosja, pra do të bënte edhe aktin më ekstrem për mua”. Rivaliteti mes motrave është i vjetër sa edhe njerëzimi, që në periudhën e familjeve të mëdha me shumë fëmijë, ndryshe nga familjet e sotme, që përbëhen zakonisht nga një ose dy fëmijë.

Është një marrëdhënie që nuk kushtëzohet nga gjeografia apo lloji i shoqërisë, pra nëse jeton në Amerikë, në Afrikë, apo në Kinë. Nëse ke një motër, atëherë ke pranë një njeri të gatshëm për të të dashur në pafundësi, apo për t’u shndërruar në rivalen tënde më të egër. Vetëm një motër e di saktësisht se si mund të të lëndojë dhe vetëm një motër do ta bënte një gjë të tillë.

Përse?
Sepse kur ke një motër, ke pranë dikë që vetiu ka potencialin që të të bëjë të ndihesh më pak e dashur, më pak e bukur dhe më pak popullore. Motrat, pavarësisht nga përpjekjet që mund të bëjnë prindërit për t’i rritur, apo edukuar me dashuri për njëra- tjetrën, e dinë se gjithsesi janë në një konkurrencë me njëra-tjetrën. Sipas psikologëve, motrat më të mëdha kanë një sens përgjegjësie më të madhe ndaj atyre më të vogla dhe kanë më shumë besim në dashurinë e prindërve për to. Por konkurrenca mes motrave vazhdon deri në njëfarë moshe. Fillimisht ato mund të konkurrojnë për njëra-tjetrën. Më pas konkurrojnë me fëmijët e tyre se kush i ka më të bukur, më të shkolluar, më me fat.

Por vjen një moshë, kur ato tashmë janë plakur dhe fëmijët janë rritur, që miqësia e tyre më në fund mund të zhvillohet e qetë dhe pa ulje e ngritje të mëdha. Pikërisht në moshën mbi 50 vjeç ose edhe më të madhe, ato janë të qeta me njëra-tjetrën, pa barrën e konkurrencës e më në fund të gatshme për t’iu gjendur shoqja-shoqes në çdo situatë. Një motër, ashtu sikundër edhe prindërit dhe fëmijët, je e detyruar në të mirë, ose në të keq që ta kesh përjetë. Një shoqe mund ta ndash e ta harrosh, por kurrsesi një motër. Ajo është e lidhur me ty deri në vdekje. Nuk mund t’i ikësh kurrë motrës siç mund ta bësh me një shoqe, apo kolege. Ajo të ndjek në çdo hap. Ajo është gjithmonë aty.

Që të marrësh një përshtypje të vërtetë për një vajzë. Nuk mund ta bësh pa pyetur më parë edhe se çfarë mendon e motra. Këto janë disa nga arsyet se përse marrëdhënia mes motrave është kaq interesante. Si të gjitha marrëdhëniet njerëzore nuk është kurrë as tërësisht e bardhë dhe as tërësisht e zezë, por karakterizohet nga nuanca ndjesish, përjetimesh, sjelljesh e qëndrimesh. Bashkëjetesa me to nis me luftën për kukullën e preferuar apo për djaloshin simpatik, por me kalimin e kohës motra mund të shndërrohet në supin e vetëm mbi të cilin mund të mbështetesh, të qash dhe të gjesh ngushëllim. Marrëdhënia mes motrave nis për të zgjatur të gjithë jetën. Edhe nëse për ndonjë arsye shumë të rëndë qëllon që motrat të mos i flasin më njëra-tjetrës, ose të jetojnë shumë larg, ato mbeten thellë në mendjen dhe psikikën e njëra-tjetrës.

Të jesh motër është fat dhe si në çdo marrëdhënie njerëzore duhet që të dish si të sillesh dhe si të humbasësh.


GazetaShqip

"Informim dhe qytetari. Ndryshe jemi të mbaruar!"

Një qytetar e ka thuajse detyrim të informohet. Sa më shumë qytetarë të informuar aq më pak militantë kokëboshë. Militanti nuk ka mendim të vetin, as logjikë të vetën, ai thotë atë që flet lideri politik në TV. Lideri mund të çmendet, çmendet dhe militanti. Lideri mund të pjerdh nga mendja, atë bën dhe militanti.


Kurse qytetari është ndryshe. Ai nuk ka nevojë ti thotë lideri politik, se si janë gjërat. Ai ka kokën e vet dhe arrin ta kuptojë vetë si janë gjërat. Për këtë duhet informacioni.


Nuk i falet sot p.sh, asnjë qytetari shqiptar që gjatë këtyre dy javëve që u përmbyt Shkodra dhe Lezha të mos ketë mësuar ende shkakun e përmbytjes. Një fqinji im, nga këta më militantët partiakë, më thotë sot që edhe në USA bëhen përmbytje dhe askush nuk akuzohet.


Ju përgjigja: "Këtu në Shqipëri askush nuk pyet pse ra shi dhe dëborë, more i gjorë! Këtu bëhet fjalë përse u grumbullua ujë i tepërt dhe përse nuk u hapën portat e shkarkimit, gjë që nëse nuk e di, u bë për arsye interesi për të mbushur xhepat me valutën që do fitohej prej korrentit.
Edhe njëherë, një lutje bashkë - lexuesve të kësaj rubrike: Informim dhe qytetari. Ndryshe jeni të mbaruar!


Shqipëria ka nevojë për sy të hapur. Shume njerëz nuk e kuptojnë por kjo është luftë për liri. Për liri sepse një individ apo një grusht individësh duan të marrin gjithçka nën kontroll, gjithashtu edhe pronat private. Luftë për mbijetesë. Sa më shpejt, aq më pak viktima.

Ruben tek reagimet, Shekulli

Gënjeshtarët

Të gjithë njerëzit gënjejnë. Mund të bëhet fjalë që prej gënjeshtrave të vogla mbi p.sh. një shfajsim për një ardhje me vonesë e deri tek gënjeshtra të mëdha mbi p.sh. pasjen e një jetë të dyfishtë apo kryerje tradhtie. Por njeriu gënjen edhe kur e mban të fshehtë diçka e nuk e thotë.

Sipas disa studimeve njeriu gënjen nga çdo katër deri në çdo tetë minuta. Rreth 5 përqind e popullsisë janë gënjeshtarë të sprovuar: çfarë do të thotë se nuk mund ta kuptosh nëse ata gënjejnë apo jo. Kurse gënjeshtrat e 95 përqindshit që mbetet mund t´i zbulosh kur ke njohuritë përkatëse.

Zotësia për të zbuluar gënjeshtrën qëndron në aftësinë për të lexuar të ashtuquajturën gjuhë trupore.
Bo Sjöberg, psikolog dhe përgjegjës i institutit suedez NLP që mëson njerëzit për të lexuar gjuhën e trupit dhe zbuluar gënjeshtrat, thotë se një gënjeshtar është i mëdyshëm. Ajo që ai thotë me gojë nuk përputhet me atë që ai shpreh me trupin e tij.

P.sh. gjestet nuk përputhen me tempon e zërit ose fjalët nuk përputhen me zërin që nxjerr. Edhe shikimi mund ta tradhtojë gënjeshtarin. Nëse shikimi i dikujt është i ngurtë dhe i ngulitur ai mund të jetë duke gënjyer. Përveç të tjerash, një gënjeshtar ngul këmbë në atë që thotë. Zakonisht me gënjeshtër kuptohet ajo që njeriu me vetëdije e fsheh apo e shtrembëron për të bërë dikë të humbasë fillin.
Më së shumti hasen tre grupe të mëdha gënjeshtarësh:
Grupi i atyre që të gënjyerin e kanë për dëfrim,
të atyre që gënjejnë për të shmangur një konflikt
dhe grupi i atyre që duan të fshehin diçka për të cilën u vjen turp ose prej të cilës nuk ndjehen mirë
.

Ata që gënjejnë për tu dëfryer shtyhen nga e njëjta gjë që shtyn dikë që ka qejf të hidhet me parashutë. Gënjeshtra kthehet në një mënyrë për të sfiduar fatin dhe krijuar pak variacion në jetë. Gënjeshtra që të gjithë njerëzit i thonë janë p.sh. rasti si ai kur njeriu thotë se gjella është bërë shumë e mirë ndonëse mendon se nuk hahej dot. Apo kur i bën qejfin dikujt duke i thënë p.sh. shoqes se fustani i ri i shkon shumë bukur kur ndërkohë mendon se ajo ngjan sikur ka veshur një thes.
Në këto raste bëhet fjalë për tregim respekti ndaj tjetrit, për t´iu shmangur diçkaje apo për gënjeshtra të nevojshme. Ka edhe njerëz që përpiqen ta zbukurojnë të vërtetën dhe që besojnë me të vërtetë mbi atë që thonë. Këta quhen mytomanë.

Ata nuk e përjetojnë si gënjeshtër atë që thonë. Prandaj është e vështirë ta quash mytomanin me plot gojë gënjeshtar . Njerëzit mund të kenë plot shkaqe për të gënjyer. Bo Sjöberg thotë se Bill Clinton gënjeu mbi Monica Lewisky-n përpara popullit të tij pasi i vinte turp. Shikohej qartë shprehja e fytyrës së tij që herë tregonte inat e herë keqardhje. ----> http://www.youtube.com/watch?v=KiIP_KDQmXs

Klinton duke gënjyer. Pamja e tij tregon herë inat e herë keqardhje.

# Sjöberg thotë se atyre që kanë poste të larta u duhet gjithnjë të ballafaqohen me fakte kundërshtuese prandaj duhet të mësojnë të gënjejnë në mënyrë më të përsosur duke thënë gjysëm të vërteta dhe fjalë të dykuptimta. Kështu mund të kuptoni që dikush gënjen: Atij i del një zë jo i zakonshëm, bën shumë pak gjeste, shikimin e ka të ngujuar ndryshe nga zakonisht.
# Nuk di si të vazhdojë më tutje, përsërit fjalët e thëna, merr frymë thellë pa pasur arsye përse. Flet shumë shpejt ose shumë ngadalë.
# Shikimin e ka të ngurtësuar, ngulit shikimin në sytë e tu.
# Thotë gjëra të gabuara, ndryshon përnjëherë temë.
# Brenda një të njëzete të sekondës shfaq një ndjenjë tjetër nga ajo që ai do që ti të shohësh.

Përgatiti Alvin Ekmekçiu - Mbështetur në materialin e gazetës suedeze StockholmNews

Ka disa gënjeshtra vërtetë mallëngjyese që ia vlen ti besosh. (Stop .Injorancës)

Monday, January 18, 2010

Ndaj sot energji pozitive.

18 janar, mëngjes !

Duam ndryshim, duam të ecim përpara. Kuptojmë që kemi çdo mundësi për t'ia dalë. Ankohemi për padrejtësitë që na ndrydhin e na ligështojnë. Kërkojmë më tepër, besojmë se meritojmë sigurisht më tepër, por sa tepër dhurojmë...?

Pyetjet që çdokush mund t'ia drejtojë vetes sot :

- Kujt i the sot të parit mirëmëngjes ?
- Kush ta vodhi sot buzëqeshjen e parë ?
- Kë falenderove sot për respektin që çdo ditë të dhuron ?
- Cilin është i pari që do të ndihmoni sot ?
- Kujt do t'ia adresoni komplimentin e parë ?
- Kujt do ti kërkoni falje ?
- Kujt do ti jepni sot më tepër kurajo ?
- Cilin mik do kujtoni të parin ?


Nëse një prej pyetjeve të mësipërme ju ka zgjuar, që pikërisht sot të përmbushni një prej energjive pozitive, bota do të ketë një mirësi më shumë, një të keqe më pak.

Mirëmengjes të dashur bashkudhëtarë dhe faleminderit për buzëqeshjet që nxisni apo dhuroni. Faleminderit për kohën që kaloni bashkë me ne si edhe për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm. Jeni të mrekullueshëm dhe ju kërkoj ndjesë nëse padashje mund t'iu kem shqetësuar.

Ju uroj forcë dhe mbarësi në këtë fillim jave.

Sapo iu përgjigja pyetjeve të mësipërme, po ti ...?

Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Sunday, January 17, 2010

Ku ishte Zoti, kur u zhbë Port-au-Prince ?

1. (Leibnitz-i dhe “Zoti ka krijuar botën më të mirë të mundshme”)


Qëllimi i gjithë idealizmit ka qenë që njeriun në idetë e tij të pajtohet me fatin aktual. Njeriu duhet t`i përmbahet Dhiatës dhe do të shpërblehet nga një princip i lartë, nga Zoti.

Por, aktualiteti gjithnjë ka qenë instabil, i mbarsur me rreziqe, dhe bota gjithnjë e pa baraspeshë. Nuk ka një filozof tjetër që e ka formuluar aq mirë këtë disharmoni të amshueshme, si Leibnitz-i. Në Theodizee-në e tij (1710) ai thotë se Zoti ka krijuar botën me të bukur të mundshme, sepse gjithë pjesët e Kosmosit: Natyra, Shpirti dhe Trupi i njeriut janë të lidhura pandashëm në `harmoninë e parastabilizuar`. Në këtë botë mrekullie, gjithnjë sipas Leibnitz-it, të krijuar nga një vullnet i përkryer hyjnor, që shëmbëllen Zotin në botën tonë shpirtërore, nuk ka asnjë veprim të mirë që shkon pa u shpërblyer, dhe rrjedhimisht, asnjë veprim të keq që nuk do të gjykohet. Por, gjithçka ndodh në shërbim të së mirës dhe të të mirëve, të cilët në këtë botë nuk jepen pas kënaqësive të liga, por janë rob të së mirës.

Por, në gjithë këtë harmoni të parastabilizuar, e ku asgjë nuk ndodh pa dëshirën dhe vullnetin e Zotit, shtrohet pyetja: si erdhi e u përhap e keqja në këtë botë??

Zotit falë i qofshim, ... por e vërteta është krejt ndryshe. Me apo pa Zotin, kjo botë është një varr që evoluon. Nulli sua forma manebat (asgjë s`mbetet si është!!). Një botë e të sëmurëve, e kancerit, e armëve, e varfërisë, pushtimeve, shkretëtirave, urrejtjes, luftërave. Në rrugët e Kalkutës ka panumër njerëz që s`kanë emra, sepse s`kanë pasur njeri që t`i pagëzojë. Çdoku pra, sikleti i jetës e zhvesh njeriun nga copëza të identitetit të tij të natyrshëm, nga materia dhe nga shpirti. Është botë e rrezikut.


2. (Tërmeti i Lisbonës)



Pikërisht më 1. nëntor 1755 ndodh tërmeti i Lisbonës. Kjo katastrofë natyrore është cesura më e thellë e deriatëhershme në botën shpirtërore dhe kujtimet e Europës. Nga tërmeti vdesin mëse 30.000 njerëz. Dhe një nga qytetet më fisnike të Europës, me një ndër portet tregtare më të mëdha të saj shndërrohet në një varr të pamatë. Ishte vdekja e asaj botës që predikonte Leibnitz-i, vdekja e optimizmit.

Voltaire shkruan një “Poème sur le désastre de Lisbonne” duke bërë nga tmerri dhe llahtari i Lisbonës një kryevepër evropiane që do të mohonte Theodizee-në e Leibnitz-it, me gjithë atë optimizëm gati arrogant të iluminizmit të atij shekulli. Lisbona e shndërruar në hi dhe vdekje po bëhej përnjëherë mësimi më i madh i gjithë iluminizmit, se kjo botë s`ishte gjë tjetër veçse një krijim që bashkëjetonte me katastrofat, rreziqet dhe pasigurinë, të cilat s`kishin asnjë rrënjë në mëkatet e njeriut, por në gjeologjinë e dheut.

Katastrofat natyrore në historinë njerëzore kanë sjellë shumë vuajtje. Dridhet toka në mes të natës së qetë, shpërthen llava dhe varros qytete që i zë në gjumë (Pompejin) apo vërshon beftë një tsunami dhe merr jetën e mëse 200 mijë njerëzve (Azi juglindore).

Shkatërrimet që mbesin prapa këtyre katastrofave shkaktojnë shokim të përbotshëm. Njeriu ndjehet i vetmuar, i vogël, i pakuptim. Kështu edhe më 1755 në Lisbonë, ku përnjëherë u humb besimi në botën, në Zotin, në natyrën e qëndrueshme dhe besnike. Në këso situatash tragjike më së vështiri e kanë teologët: çfarë është ai Zot që i dënon kështu të mirët e të këqijtë bashkë? A duron drejtësia hyjnore që të vdesin mijëra fëmijë, gra e burra të pafajshëm, për pak çaste?

I pari ishte Kant-i që nisi të kërkonte arsyet te natyra.


3. (Auschwitz-i)


“Është barbare të shkruash poezi pas Auschwitz-it”, kështu ka thënë Adorno.

Për ata që kanë parasysh Auschwitz-in dhe Prekazin, jeta merr një ngjyrim gri, neutralizohet, vihet në dyshim. Ose, së paku, raporti i saj me Zotin. Çfarë kuptimi ka hierarkia hyjnore, kur mbi këtë kokërr gjaku, urrejtje, shkretëtirash e vetmie, të mbështjellë me smog, e të humbur nëpër pafundësi, këtu pra, në tavolinën tonë sferike, ku ne si ujqit i hidhemi njëri tjetrit gjithë jargë e uri, vrasja është bërë industri??

Çfarë kuptimi ka Zoti, harmonia kozmike, në një mishtore të tillë kanibalësh?

Pas Auschwitz-it bota ka humbur edhe atë pak normalitet që ka menduar se e ka, ndërsa pas Kosovës dhe Bosnjës ajo është amorale. Thelbi i botëkuptimit gjenocidist është sistemi vetanak i vlerave dhe hapësirës, dhe në atë sistem `tjetri` nuk ka vend. E drejta për të zhbërë është licencë satanike. Dhe në një botë si kjo, ku shkatërrimi ka metodë dhe shndërrohet në sistem vlerash, s`ka vend për arsyen, njeriun universalist, paqen.

Jo gjeologjia, jo natyra, por kultura, gjenealogjia e moralit këtu është rrafshi ku identifikohet shkatërrimi. Mobilizimi i resurseve njerëzore (të paimagjinueshme!!) për të zhbërë jetë dhe kulturë.

Çfarë është ai Zot, që lejon që në shuplakë të tij të tymojnë dhomat e gazit, makineria e vdekjes?


4. (Haiti)


Janë qindra mijëra njerëz që kanë vdekur ngase nuk ka funksionuar harmonia kozmike. Nëse ndodh kjo, a ndodh me lejen e Zotit? Nëse ndodh me lejen e Zotit, si mund të lejojë Ai një masakër të tillë? Nëse ndodh që ka një vullnet të lig në Gjithësi, atëherë ka dualizëm. Zoti nuk është vetëm.

E di, fanatikët (ata që për njerëzimin kanë të fiksuar një dhe të vetmin agor!!) do të vrapojnë të arsyetojnë të kundërtën: se Zoti kundërvepron. Se kur bota ngarkohet nga e keqja Ai reagon në mënyrën e Tij. Por, çfarë faji kanë ata të gjorë varfanjakë, në një shtet që edhe ashtu ishte shumë jostabil dhe keq. Nëse kjo tragjedi e kësaj mase të pafuqishme njerëzore është refleksioni i dënimit hyjnor, atëherë pronari i Universit është tepër koprrac.

Në Haiti, me gjithë ato kufoma të pavarrosura, është përmbysur një copë Gjithësie. Një pjesë e dhimbshme, fragment i përtejmë dhe i harruar i Pafundësisë. Për materien do të jetë vetëm një zhvendosje, për shpirtin një urnë e madhe që do na mbajë të gjithëve ngujuar, për së gjalli... me gjithë përhumbjen, pasigurinë dhe vetminë tonë të pafund.

Para Haitit mbetet hije çdo tragjedi biblike.

Dhe këtë tragjedi e kanë paraparë gjeologët, sepse tërmete përafërsisht të tilla e kanë goditur këtë ishull edhe më parë, por shkenca për këtë tërmet ka pasë parashikuar se do të jetë apokaliptik, dhe ashtu u bë, fatkeqësisht.

Edha ashtu ky shtet ka qenë i dështuar, për fatin e keq të banorëve të atyshëm. Lufta qytetare e ka dërrmuar. Varfëria dhe mjerimi i kanë shtyrë njerëzit të kryengritjen vazhdimisht, ndërsa klane mafioze kanë tregtuar me resurset e këtij vendi.

Gati të gjitha malet janë prerë dhe shitur, çdo shi (i rrallë) që bie gërryen deri në shkëmbinj masën e dheut mbi to dhe e çon në det, erozioni pastaj kryen punën e mbetur. Ngaqë s`ka më male, s`ka më gjelbërim. Një vend ekologjikisht i shkatërruar, shpirtërisht i kapitur, i zhytur në korrupsion gjer në mosshpresim, e për të cilin dimë shumë pak.

Pikërisht në Haiti, skllavët kanë qenë ata që kanë zhbërë vetë skllavërinë. Aty ka ndodhur një revolucion, i ngjashëm me atë të Spartakut, ku skllevërit kryengritjen dhe luftojnë për të drejtat e tyre. Ata kanë fituar mbi njërën nga armatat më të forta të Napoleonit. Por, siç ndodh jo rrallë në shoqëri të ngjashme, ata nuk kanë arritur të ndërtojnë një shtet të qëndrueshëm. Deri tani as nëntëmijë helmetat blu nuk kanë bërë shumë punë. Më keq: struktura të tëra të trupave të Kombeve të Bashkuara janë korruptuar dhe s`kanë asnjë motiv për atë vend.

Haiti ka kohë që ka nisë të vdesë. Tash veç u zu për së gjalli nga dheu dhe hiri dhe tmerri.

Tema, Nga Arsim Rexhepi