“Të gjithë arbëreshët janë heronj. Ata që thonë të kundërtën nuk e njohin historinë”.
Xhuzepe Garibaldi (1807-1882)
Shqiptarët
me pjesëmarrjen e tyre aktive e dhanë një kontribut të madh në lëvizjet
kombëtare në Europën e shek.XIX-të ,pjesëmarrje e cila mund të quhet
edhe fenomen historik i kohës i një rëndësije të veçantë që e rradhit
atë në popujt më heroikë.
Të kthehemi tek Revolucioni i Greqisë
-1821 , pastaj në luftën për pavarësinë e Rumanisë , formësimin e
Serbisë dhe të Malit të Zi. Por sot e kemi fjalën për një çlirim dhe
bashkimin tjetër të madh – të Italisë.
Pas Skënderbeut ,shek
XV-të shqiptarët gjetën strehim në tokat e Italisë. Ata u shpërndanë nga
Abruzio e deri në Siçili. Aty u gjenden edhe të parët, pasardhësit e
Ilirëve.
Shqiptarët me Lëvizjen e Garibaldit të vitit 1860 e çuan Italinë në bashkimin dhe pavarësimin e saj.
Atdheu i dytë i arbëreshëve në vitet 1844 dhe 1848 u ballafaqua me
kryengritjet e mëdha, në të cilat shqiptarët ishin pjesë e rëndësishme e
betejave të përgjakshme dhe si të tillë edhe u burgosën edhe u
persekutuan, u pushkatuan dhe u varën me thirrjen në gojë : “
Rroftë liria, rroftë Italia”.
Tirania
e Burbonëve i nxiti në luftë kundër tyre eshe arbëreshët si Paskuale
Bafa dhe Xhuzepe Albanezi, te cilët u ndodhën edhe në qeverinë e
shpallur të Republikës së Napolit -1799.
*
Gjatë luftës për mbrojtjen e Republikës së Romës, Garibaldit i shkoi
mendja tek Anita, që e kishte lënë në Nicë. Mori penën dhe i shkroi këto
rreshta:
“
Anita ime e dashur… Ne luftojmë mbi Xhanikolo. Ky
popull është i denjë për të kaluarën e tij të madhe. Këtu njeriu di të
jetojë, di të vdesë, këtu njerëzit vriten me thirrjen “Rroftë
Republika”. Vetëm një orë nga jeta jonë në Romë vlen sa një shekull. E
lumtura nëna ime që më lindi në një epokë kaq të bukur për Italinë!…”
E
shoqja, që ishte grua guximtare, e gjeti rrugën për të hyrë në qytetin e
rrethuar. Dy ditë më vonë, mbi Xhanikolo u duk një grua që u ndal dhe
po fliste me ushtarët. Njeri prej tyre i tregoi se ku ndodhej Garibaldi.
Ky në këtë çast, ktheu kokën dhe, si në një ëndërr gëzimi u turr drejt
së shoqes së adhuruar dhe e shtrëngoi në gjoks. Pastaj e mori për dore
dhe u kthye nga shokët;
- Ja Anita ime, këtej e tutje do të kemi një ushtar më shumë. ( nga Arbëreshët dhe Bashkimi i Italisë) *
“Në vitin 1859 nisi lufta e dytë për çlirimin dhe bashkimin e Italisë.
Kësaj
here doli në skenën e historisë Xhuzepe Garibaldi, udhëheqësi legjendar
i luftërave për liri të popujve të robëruar. Ai erdhi në Itali pas një
përvoje të pasur luftarake dhe u vu në shërbim të shtetit të Piemontit
për të përgatitur fushatën kundër pushtuesve austriakë. Garibaldi, i
kthyer tanimë në një figurë simbol, do të ngjallte shpresat e italianëve
për çlirim e bashkim dhe qindra patriotë do të viheshin nën urdhrat e
tij. Heroi legjendar zuri të përgatitej për luftën e madhe që e priste.
Sipas strategjisë së tij, kjo do të ishte një luftë globale, që do të
përfshinte gjithë Italinë e copëzuar. Për këtë, ai filloi të përgatitet
duke ideuar një fushatë ushtarake, që do të niste me zbarkimin e një
ekspedite në brigjet e Sicilisë. Në projektimin dhe realizimin e kësaj
ndërmarrjeje të madhe historike do të luanin një rol të rëndësishëm
revolucionari italian, Roselino Pilo dhe ai arbëresh, Françesko Krispi.”
(Arjan Th. Kallço)
Në kronikën e kohës është regjistruar dhe një fakt tjetër kuptimplotë:
vajza
arbëreshe nga Piana, Xhovana Peta, do të shkonte në Palermo me flamurin
italian fshehur në gji dhe do ta valëviste pas fitores së kryengritjes
në qiellin e lirë të kryeqendrës së Sicilisë.
Siç dihet, me
betejën e Kasertos, më 2 tetor 1860 mori fund fushata e lavdishme e
Garibaldit, që hodhi themelet e pavarësisë dhe bashkimit të Italisë.
S’ka dyshim se bilanci i kontributit arbëresh në këtë ngjarje të madhe
historike për fatin e Italisë është i padiskutueshëm dhe i admirueshëm.
Këta pasardhës të Skënderbeut, jo vetëm nderuan emrin e tij dhe të
atdheut të origjinës, por treguan me prova dashurinë dhe besnikërinë e
tyre proverbiale ndaj popullit dhe tokës mikpritëse. “Gjatë
Risorxhimentos, – shkruan historiani Cezaro Lambrozo, – arbëreshët e
Italisë dhanë luftëtarë trima, derdhën gjak, bënë sakrifica të
panumërta, manifestuan virtyte të larta, u treguan qytetarë të denjë të
atdheut të tyre të dytë”.
**Mungesa e delegacionit të Serbisë më
rastin e festimeve për 150 vjetorin e Bashkimit të Italisë, sigurisht që
nuk do të vihet re nga vetë italianët. Nga ana tjetër, prania e dy
delegacioneve me zyrtarë të lartë nga Kosova dhe Shqipëria do të shihet
si dicka e natyrshme jo vetëm se tani shqiptarët kanë dy shtete por
sepse i natyrshëm ka qenë edhe kontributi i shqiptarëve ndër vite për
Bashkimin e Italisë.**
(Kontributi i shqiptarëve në bashkimin e Italisë ,Ilirian Dahri2011 )
Vetë Heroi i dy botëve e kujton këtë fakt në kujtimet e tij: “
Nga asnjë vend tjetër i botës nuk mund t’ia dilnim me sukses në marshimin tonë, përvecse nga Hora e Shqiptarëve”. Pra që në fillimet e tij Xhuzepe Garibaldi u mbështet tek arbëreshët të cilët më pas do ti cilësonte trima.
Xhuzepe
Garibaldi u lind në Nicë më 4 korrik 1807, vdiq në ishullin Caprera më 2
qershor 1882, revolucionar dhe luftëtar për lirinë dhe bashkimin e
Italisë.
** *Pas rënies së Republikës së Romës, Garibaldi me
vullnetarët e tij filluan tërheqjen e tyre heroike. Ai me këtë rast iu
tha ushtarëve:
- Luftëtarë, ja çfarë ju afroj atyre që duan të më
ndjekin pas: uri, të ftohtë, mungesë strehe, mungesë municioni, por
gjithnjë syhapur në beteja dhe pa gjumë, marshime të gjata dhe përleshje
me bajoneta. Tani kush e do atdhenë le të më ndjekë pas. Kësaj
thirrjeje iu drejtuan katër mijë vullnetarë, që ndoqën pas heroin e
tyre. ***