Tuesday, January 12, 2010

Edukimi i njeriut, i vështirë por i domosdoshëm…

Në shoqërinë shqiptare janë shtuar shqetësimet sociale, ankesat individuale, zërat e njerëzve, të grupeve sociale dhe institucioneve të edukimit. Sidomos të alarmuar janë ata, që janë rritur në sistem tjetër social, që janë edukuar me parime ideologjike të jetës super-sociale dhe edukatës kolektiviste, kur përballen me dukuritë dhe problemet e komplikuara edukative me të cilat po përballet shoqëria dhe qytetërimi ynë, i konceptuar dhe të ndërtuar përfundimisht mbi parime të qytetërimit liberal.


Mua më ndodh shpesh, që njerëz që lexojnë artikujt e mi me temë sociale, apo që shikojnë emisionet me tematikë edukative në televizion, më takojnë, më shkruajnë, me telefonojnë të shqetësuar për interpretimet që kam bërë për shoqërinë moderne dhe dukuritë komplekse të qytetërimit liberal shqiptar. Shqetësimi që ndihet, më shumë është e lidhur me disa pyetje që bëjnë shumica e tyre:

A është qytetërimi ynë më shkatërrues se më parë, a është bërë njeriu një qënie fare e shthurur, pa norma dhe rregulla sociale ? Ç’duhet të bëjmë me ta ?

Natyrisht nuk është e lehtë t’u japësh përgjigje të prera njerëzve për këtë situatë sociale kaotike, në të cilën ndodhet jo vetëm shoqëria jonë, por përgjithësisht shoqëria moderne universalisht. Gjithë problemi është si mund të sigurojmë ndërtimin e një qytetërimi, në të cilin të bashkëjetojë harmonikisht njeriu i lirë dhe shoqëria e tij, si mund të kombonojnë objektivat e tyre, si mund të “disiplinohet” sjellja e njeriut në kushtet e shoqërisë së lirë, pa detyrime dhe “penalitete shtetërore”, si mund të edukojmë njeriun përmes vënies në funksion edukativ të makinerisë gjigante dhe moderne të edukimit qytetar, në mënyrë që zgjerimi i autonomisë personale të mos pengojë detyrën e koordinimit social të njeriut me shoqërinë tonë ?
Në c’ mënyrë duhet vepruar për edukimin e njeriut, në kushtet kur nga ana tjetër në këto dy dekada të demokracisë, ka rënë shumë “mendjemadhësia e makinës sonë të edukimit të dikurshëm” ? Kush e zëvendëson atë në shoqërinë tonë, dhe si mund të realizohet procesi i edukimit qytetar ?

Nuk ka dyshim që në shoqërinë tonë janë dobësuar lidhjet e njeriut me institucionet e edukimit, por edhe këto të fundit duke ndjerë pafuqinë e tyre, kanë filluar të zbehin punën, madje të braktisin detyrimin e tyre social-edukativ. Nuk është në situatë të mirë edukative familja, shkolla, shoqëria civile. “Mikropushteti edukativ” i tyre ka humbur pjesë të ndjeshme të autoritetit, madje ky “pushtet” ka rënë moralisht. Impakti pozitiv i tyre është në erozion të thellë. Edukimi është kthyer në një proces më shumë spontan e kaotik, pa rregulla, objektiva dhe synime sociale. Lidhjet e njeriut me kulturën qytetare si fondament i formimit liberal, janë dobësuar. Është zgjeruar, madje liberalizuar deri në ekstrem “sistemi i lirive”, por ndërkaq shoqëria jonë duket sikur nuk ka më “sistem” pengesash sociale dhe “penalitete edukative” të vogla, si ndjenja që formohen me fëmijët në familje, me nxënësit në shkollë, me ushtarët në ushtri, me pacientët në spital, më qytetarët në komunitet, me fqinjët në pallat, etj. Një proces ky shumë i domosdoshëm për t’u rindërtuar në shoqërinë tonë, për të formuar njerëz përmes edukimit kulturor dhe qytetar. Institucionet e edukimit social kanë filluar të ndihen keq, dhe përballë vështirësive, anarkisë dhe kaosit edukativ liberal, ato të duken sikur janë në gjendje nogdauni, të kapitulluara, të paafta për të “rimarrë territorin” e duhur të ekskluzivitetit të ndikimit të domosdoshëm edukativ.
Nuk është demokracia e gjerë dhe liberalizmi social, shkak për të justifikuar këtë anomali edukative që ka shoqëria shqiptare sot. E keqja duhet gjetur atje ku ajo qëndron. Prandaj në vend që të gjejmë rrugë të shkurtra të qëndrimit konservator edukativ, më mirë është të kërkojmë dhe të gjejmë të vërtetën e kësaj situate sociale. Sipas meje, në se ka ndonjë defekt që në pamje të parë duket sikur është pasojë e liberalizimit të jetës në shoqërinë shqiptare, ajo nuk është prania e “lirisë së tepërt” shoqërore, por mungesa e eficencës së pushteteve të vogla të institucioneve të edukimit, të atyre që kanë forcë të vendosin “pushtetin e normës sociale” të qytetërimit tonë, që janë kode të domosdoshme të bashkëjetesës sociale të pranuara të sjelljes së individit në familje, në shkollë, në jetën komunitare, në spital, në ushtri, në komunitet e kudo ku ka jetë sociale.

Ky është një shqetësim i madh për shoqërinë tonë. Sepse po krijohet nja aliazh i keq social, që vjen si rezultat i shpërpjesëtimeve strukturore të roleve tradicionale të pushtetit edukativ, midis zgjerimit të lirisë personale, zmadhimit të hapësirës së autonomisë individuale nga njëra anë, dhe kufizimin e natyrshëm të “fuqisë penale” të shtetit kur është fjala jo për krime, por për çështjet e sjelljes së vogël anti-edukative të njeriut. Kjo ka bërë që të duken shfaqje të anarkisë së sjelljes sociale, si rezultat i neglizhimit të padrejtë, të pamerituar, jo qytetar të rolit dhe forcës së institucioneve të sigurisë morale dhe të edukimit. Jeta sociale e shoqërisë sonë po dëmtohet nga që ajo nuk ka dhe nuk mund të ketë kuptim, pa praninë e “normave sociale” të caktuara konsensualisht për sjelljen njerëzore individuale.
Padyshim ka një rregull universal të funksionimit të shoqërisë së lirisë, sipas të cilit sa më shumë të dobësohet pushteti dhe kontrolli i shtetit mbi individin e lirë, aq më shumë duhet të forcohet dhe kompensohet pushteti natyral i edukimit, të shoqërisë civile dhe institucioneve sociale, aq më shumë duhet të rritet fuqia ndikuese e “mikropushtetit edukativ” të tyre, pa të cilën liria mund të degjenerojë në anarki. Pushteti i shoqërisë civile dhe institucioneve sociale, nuk është frenues dhe penalizues, por është siç thotë Mishel Fuko, obsional dhe efektiv.

Padyshim një shoqëri sado e lirë që të jetë ka nevojë që të ketë në funksion dhe në eficencë të plotë “makinerinë e edukimit” qytetar, që është ajo tërësi e institucioneve që shoqëria jonë praktikisht dhe fizikisht i ka, por efektiviteti i tyre është zbehur keq. Kjo do të thotë se në kushtet e lirisë, ato që kanë më shumë përgjegjësi të veçantë edukative në shoqërinë shqiptare, më shumë se në kohën e “rolit edukativ” të shtetit totalitar, sepse ato janë dhe mbeten institucionet e vetme themelore të edukimit dhe disiplinimit qytetar të njeriut të lirë, modern, duke filluar nga familja, shkolla, ushtria, komuniteti pse jo në një masë indirekte edhe shteti. Sepse shteti nuk mund të jetë indiferent përballë përgjegjësisë që ai ka për të vlerësuar, ndihmuar dhe përmirësuar cilësinë e funksionimit të këtyre institucioneve.
Nuk është mirë për nivelin e qytetërimit tonë që të bëjmë gabime fatale, duke menduar se liria qytetare ka si ekuivalent të saj ekzistencial, jo vetëm largimin e pushtetit të shtetit por edhe braktisjen e institucioneve të edukimit. Kjo ka bërë që të jemi në një situatë sociale shqetësuese, jo të mire dhe aspak dinjitoze për standardet e qytetërimit tonë.
Duhet të merremi të gjithë, gjithnjë e më shumë me problemet e thella që po ndeshim përditë, që kanë të bëjnë me mosfunksionimin si duhet të mekanizmave të makinës sociale të edukimit që kemi në dispozicion, duke filluar nga familja, shkolla, spitalet, ushtria, komuniteti dhe institucione të tjera ku rrjedh e përbashkët jeta publike e njeriut. Të jetosh në liri, do të thotë të njohësh dhe zbatosh “normat sociale”, kulturën e jetesës së përbashkët, të lirë por të qytetëruar, e cila nuk i jepet njeriut si “paketë edukative” dhuratë nga shteti, por është një art i vështirë që mësohet pikërisht në këto institucione edukative, që i kemi në shoqërinë tonë, të cilat jo vetëm nuk duhet t’i braktisim, por t’i perfeksionojmë më tej. Nuk ka shoqëri të lirë pa praninë konsensuale dhe qytetare të disa “limiteve të sjelljes sociale”, në të cilat duhet të rrjedhë jeta jonë e përbashkët. Po kush i vë këto limite në shoqërinë tonë ? Shteti vendos ligje dhe ka detyrë të kërkojë zbatimin e tyre, kundrejt penaliteteve për shkelësit e tyre, të cilat janë gjithnjë përgjegjësi individuale. Por nuk është fjala këtu, është fjala për disa limite të tjera që janë me natyrë sociale dhe edukative, që duhet të bëhen organike për të gjithë ne si qytetarë, të paktën për të ndërtuar “bazën dhe themelin” e qytetërimit në nivel mesatar.

Ne jemi të shqetësuar sepse në shoqërinë shqiptare jo vetëm po shtohen ata që shkelin ligjet e shtetit dhe që janë dënuar penalisht (të cilët janë shtuar shumë), por sidomos për ata që kanë difekte të rënda të shfaqura në mungesën e dinjitetit qytetar, në mungesa të normave të sjelljes, deformime dhe shformime të personalitetit social, që nuk njohin dhe nuk zbatojnë “rregullat e lojës” qytetare, të lirisë, të qytetërimit, të bashkëjetesës komunitare. Pasoja e njohura këto, të lidhura me difektet e dobësisë së shoqërisë civile dhe ineficiencës së institucioneve të edukimit në Shqipëri. Në radhë të parë të familjes dhe shkollës, ku merren bazat e edukimit qytetar, ku mësohen rregullat e lojës së të jetesës në shoqërinë e lirë. Më së pari, sipas mendimit tim përgjegjësi të veçantë ka shkolla si institucion i kulturës, disiplinës dhe edukimit qytetar, në të cilën të rinjtë në moshën e formimit të personalitetit mësojnë bazat e kulturës së qytetërimit liberal, bazat e sjelljes komunitare, të respektimit të dinjitetit personal të “vetes” dhe të “tjetrit”, që janë kusht ekzistencial i domosdoshëm për të hyrë në “shoqërinë e lirisë”, me dinjitet personal të formuar dhe aftësi të integruara të komportimit social. Ne duhet të pranojmë, që në se shkolla jonë ka arritje të mira në formimin intelektual të të rinjve, dhe kjo nuk duhet mohuar. Por në të njëjtën kohë, duket ka shkolla ka probleme serioze në punën e dobët edukative që bëhet dhe që ka pasoja në formimin e gjymtuar qytetar të të rinjve. Difektet e saj, bashkë me neglizhimet e njohura të një pjese të konsiderueshme të familjeve shqiptare, kanë krijuar këtë situatë që përjetojmë në vendin tonë.
Nuk e kanë gabim sociologët që thonë se …kultura e fituar përmes arsimit është prona dhe investimi më i rëndësishëm i njeriut, sepse ajo i jep qasje qytetare në të gjithë sferat e tjera të jetës. Në kontekst, filozofi i shquar Ernest Gëllner, si mjeshtër i anatomisë dhe rolit modern të institucioneve edukative, mendon se “Identiteti i tij më i fshehtë (i njeriut-shënimi im) nuk është i përcaktuar nga bilanci i tij bankar, as nga farefisi dhe as nga statusi i tij, por nga kultura e tij shkollore”. (E. Gëllner, “Konditat e lirisë” f. 179)

Si përfundim, duke dashur që të kthej një përgjigje për miqtë e mi që më kanë bërë pyetje, më duhet të them sinqerisht i bindur, se nuk ka faj shoqëria liberale për situatën tonë social-edukative, sepse këto mungesa të evidentuara janë pasoja të punës dhe dobësive të “makinerisë edukative”, nga e cila po krijohen njerëz, shtresa dhe grupe sociale që jetojnë në periferi të shoqërisë, që shfaqen të vetmuar, asocialë, patologjikë, brutalë, kriminelë, vrasës, paranojakë, të droguar, bastardë me familjen dhe prindërit, të dhunshëm deri në sadizëm me gratë dhe fëmijët, anarkistë, që nuk njohin dhe nuk respektojnë rregullat e bashkëjetesës sociale të shoqërisë tonë, të cilët padyshim që janë shqetësim i madh social, por që nuk vijnë nga liberalizimi i jetës shoqërore, por nga mangësitë e procesit të deformuar të edukimit qytetar, dhe që mund të zgjidhen po përmes intensifikimit dhe modernizimit të punës dhe vënies në punë me kapacitet të plotë të “makinerisë edukative” të shoqërisë tonë.

Në kjo “makineri” nuk punon si duhet ose punon me difekte, atëherë doemos që liria do të degjenerojë në anarki sociale, që shoqërisë tonë di t’i shtohen njerëzit anormalë, të cilët në se shtohen me këto ritme, atëherë me siguri që do të përbëjnë rrezik për mbrojtjen sociale të shoqërisë tonë. Ndaj duhet të merremi me edukimin e vetes dhe të shoqërisë tone, duke “rindezur” dhe vënë në eficencë sociale të gjithë institucionet e edukimit, për të punuar duke shmangur dy të këqija të mëdha të kohës sonë: edukimin primitiv, të lodhur të institucioneve që imitojnë “mendjemadhësinë edukative” kolektiviste të komunizmit dhe neglizhencën e spontanitetit të “vetedukimit liberal”.

Na duhet edukim që njëherësh formon njeriun në vetvete si qytetar dhe që nga ana tjetër e mëson atë të veprojë sinkron me bashkësinë. Ky është qytetërimi liberal që duhet të synojmë…

Gëzim Tushi, T. Observer

Të qënit tiranas !

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt: të qenët tiranas do të thotë që jo vetëm të sheshës pordhë, por edhe të t'i blejnë me qejf ato. Të buzëqeshin gocat konviktore nëpër party dhe të gjujnë çunat e gjatë, me fakultete dhe me komplekse nga rrethet. Të qenët tiranas të vesh me një shtëllungë "coolness"-i kudo që shkon, që ndryshe do të të duhej punë ta kishe fituar. Të qenët tiranas, (ose të prezantuarit si tironc, se ndryshe s'quhet) të lejon që të flasësh me njerëz që ndryshe do të të klasifikonin një klasë më poshtë në shoqëri dhe që do të të flisnin me pikatore.




Të qenët tiranas të jep një status të cilin e duan shumë veta me ose pa pahir, prandaj pas çdo prezantimi me shqiptarë, linja e prejardhjes tënde do të ndahet më katërsh e pastaj më tetsh derisa bashkëfolësi të gjejë ose një cen në biografi ose të bindet se "pedigria" jote është më e pastër se e tija.

Të qenët tiranas do të thotë të mos jesh nga Kamza, Vora, Bathorja, Alliasi, Qyteti studenti, Kombinati dhe disa herë edhe Ali Demi. Duhet të kesh lindur në Tiranë, mundësisht nga prindër që edhe ata kanë lindur në Tiranë. Duhet të mos flasësh për kushërinjtë nga Petrela, Peza, Fieri, Bilishti, Tropoja, Puka, Fushë-Kruja, Lushnja, ose Peqini. Lejohet përmendja e farefisit nga Elbasani, Dibra, Korça, Shkodra, Vlora, (hajt mo) edhe Durrësi. Përmendja e Beratit, Përmetit, Sarandës, Lezhës, Çamërisë dhe Krujës kanë efekt neutral. Nëse nuk kam përmendur krahina të tjera këtu, do të thotë se ato nuk egzistojnë në hartën gjeografike të prejardhjes së tiranasve.


Të qenët tiranas do të thotë të dish të orientohesh qoftë me Vorrin e Bomit, qoftë me vilën e Havarrve, qoftë me Kristalin. Të qenët tiranas do të thotë që e di që Sqepi ka qenë aty ku u bë Rogneri më pas dhe pastaj lëvizi mbrapa Arteve. Të qenët tiranas do të thotë ta kesh njohur Parkun Rinia para se të ndërtohej e të shkatërrohej Santa Luçia për t'i lenë vendin Tajvanit. Të qenët tiranas do të thotë të dish të gjitha rrugicat në pëllëmbë të dorës dhe të mos humbësh kur dikush të thotë "Shifna ke Hoxha Tahsini ose ke Shkolla Kuqe".

Të qenët tiranas do të thotë të dish kur ta shkëmbesh"a"-në me "o" (i.e. "Asmon"), të hash "ë"-të atje ku duhet, si edhe të kuptosh ndryshimin ndërmjet "ç'kemi" dhe "ç'kina". Të qenët tiranas do të thotë që fjalët "lal" "rrusho" "çun flori" "llakum" "katnar" të të rrëshqasin nga goja pa u përtypur. Të qenët tiranas do të thotë që gjyshen ta kesh thirrur "ije" e gjyshin "tate".




Të qenët tiranas do të thotë ta dish pse Blloku e ka atë emër, dhe faktin që xhiroja ka dalë nga moda andej nga 1990. Të qenët tiranas do të thotë ta kërcesh Napolonin duke i ardhur rrotull partnerit, dhe jo dorë për dore me të dhe valltarët e tjerë. Të qenët tiranas do të thotë t'i dish komplet fjalët e "lake bubulakes" dhe jo t'ia bësh "nër, nër nër" nëpër dhëmbë kur këngëtari shqyen bulçitë. Të qenit tiranas do të thotë të hedhësh lekë me shumicë, vetëm atëhere kur kërcen nusja me dhëndrrin, jo kur kërcejnë plakat e lagjes.

Mund të kesh lindur tiranas, mund të bëhesh tiranas, mund të jesh tiranas aktualisht, mund të jesh tiranas me korrespondence. Nuk mund të jesh tiranas kur përpiqesh më shumë se ç'duhet, kur mohon rrënjët e tua ose kur mërzitesh me të tjerët. Tiransit e vërtetë janë të njohur për mosqejfprishje, pilaf, raki, valle e këngë. Ata ofrojnë miqësi shpejt dhe e respektojnë mikun, ata shtrojnë "bukë e kryp e zemër" dhe i duan fëmijët e tyre në çdo aspekt, pa i rënduar me ambicje elbasanllie, fiksime korçare, xhentil-llëk shkodran, ndërgjegjësim lab, zjarr tropojan ose mprehtësi dibrane. Ata i mësojnë djemtë të kenë zanat e të bëhen burra të mirë, të dashur me fëmijët e gratë e tyre, ata i mësojnë vajzat të jenë të urta e t'ia dinë shtëpisë pa u bërë rrogoza për burrat e tyre, gjithashtu t'i duan fëmijët, vjehrrit e vjehrrat kunetërit, kushërinjtë e komshinjtë që u hyjnë e dalin.




Të qenët tiranas do të thotë të jesh qytetar i ndërgjegjshëm e i respektueshëm i këtij qyteti, që i do rrugicat e veta dhe pastërtinë e qytetit të tij, që nuk e vret trunin për gjë n'bot përveç mbarëvajtjes së familjes së vet dhe qejfit pas punës së lodhshme por të ndershme që kryen. Të tjerat ua le politikanëve dhe njerëzve që dinë të bëjnë para me "tiransllëkun" e tyre.


Bletë, peshkupauje

Monday, January 11, 2010

Çiftet pas 6-vjetësh...

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, që njerëzit pasi kalojnë shumë kohë bashkë, miqësohen e njihen me të metat e virtytet e tyre dhe njëkohësisht shkelin mbi atë respektin, përkujdesjen dhe etikën ndaj njëri-tjetrit. Bazuar në këtë logjikë kaq natyrale, që ndodh me të gjithë, më poshtë janë improvizuar disa situata në periudha të ndryshme kohore, mes partnerëve. Thjesht pak humor.


1. TE DUA


Javën e 6-të: Të dua më shumë se jetën time.

Muajin i 6-të: Nuk ka asnjë tjetër veç teje.

Vitin i 6-të: Nëse nuk do të doja, nuk do duroja xhelozinë tënde.



2. TE ARDHURIT NE SHTEPI

Javën e 6-të: E dashur erdha unë.

Muajin e 6-të: Hë, ça bëre ?

Vitin e 6-të: Akoma s'qenka bërë dreka gati ?



3. TROKET DERA

Javën e 6-të: Mos u mundo, e hap unë derën.

Muajin e 6-të: Ta hap unë derën?

Vitin e 6-të: Do e hapësh apo jo atë dreq dere


4. TELEFONI

Javën e 6-të: Zemër po të bie telefoni.

Muajin e 6-të: E çdo që të merr në këtë orë ?

Vitin e 6-të: Vëre me "vivavoçe" ta dëgjoj edhe unë.


5. FEMIJET

Javën e 6-të: Dua 5 fëmijë ?

Muajin e 6-të: Mos nuk bën fëmijë ti ?

Vitin e 6-të: I paske ngjarë komplet rracës së mamit tat.


6. PLANE PER PUSHIMET

Javën e 6-të: Këtë verë do të të çoj në Venecia.

Muajin e 6-të: Ishte bërë një hotel i paparë në Golem.

Vitin e 6-të: Eshtë shumë vapë, rrimë në shtëpi rehat fare.



7. DHURATAT

Javën e 6-të: Shpresoj të të pëlqejë kjo unazë.

Muajin e 6-të: Mora nje kornizë, a kemi ndonjë fotografi që ta varim në mur ?

Vitin e 6-të: Blej ndonjë gjë për vete me këto lekët...



8. SHKOJME NE KINEMA

Javën e 6-të: Cili film të pëlqen?

Muajin e 6-të: A shkojmë në kinema ?

Vitin e 6-të: Shko në kinema, mua më pëlqeu shumë !



9. PAKUJDESITE

Javën e 6-të: Mos u merzit shpirt se nuk ngel njollë.

Muajin e 6-të: Kujdes pra!

Vitin e 6-të: Sa e pakujdesshme qe je s'e kuptoj.



10. MENDIME TE NDRYSHME

Javën e 6-të: Ke një farë të drejte, pavarësisht se unë nuk mendoj kështu.

Muajin e 6-të: E ke gabim.

Vitin e 6-të: Ç'ia ke fut kot!



11. GATIMI

Javën e 6-të: Më pëlqen shumë të më gatuash.

Muajin e 6-të: S'paskam oreks, dalim hamë jashtë më mirë.

Vitin e 6-të: Prapë makarona paske bërë...na plase mo!



12. PIJET

Javën e 6-të: Çfarë dëshiron të pish shpirt ?

Muajin e 6-të: Sot nuk ke pirë kafe besoj.

Vitin e 6-te: Ka më bombla e gazit ? Bëje pra atë turken.



13. RROBAT DHE PAZARI

Javën e 6-të: Të shkoka shumë ky fustan.

Muajin e 6-të: A bleve fustan tjetër?

Vitin e 6-të: Sa lekë bëri ky fustan? Plot e ke dollapin, ku do i çosh më ?



14. ME FAL !

Javën e 6-të: S'ke pse kërkon të falur.

Muajin e 6-të: Të paktë kërko falje.

Vitin e 6-të: I ke apo jo sytë në ballë...



Forumivirtual, redaktoi Stop Injorancës

Mirdita, një shtegtim speleologjik

Për ata të cilët vlerësojnë natyrën, rrethi i Mirditës përbën një nga tërheqjet më të mëdha. Kohët e fundit ajo u vu në fokus të një shtegtimi turistik nga Forumi i Zhvillimit të Zonave Malore në Mirditë me mbështetjen e MADA-s, duke shërbyer si një lëndë edhe për studiuesit për të eksploruar më tej rreth kësaj pasurie historike që Shqipëria e ka tejet të veçantë dhe intriguese.

"Disa vite më pare, nëse e artikuloje turizmin speleologjik, do të të merrej si një kumt utopik, por që tash pas disa eksperiencash dhe guidash me shtegtarë vendas apo të huaj, po tregon se Mirdita është një vend ndjellës për resursin e vet turistik". Këtë e pohon studiuesi vendas, Ndue Dedaj.

Parandjenja e studiuesve prej herët në kohë dhe këtyre të kohëve tona, ka dalë më së miri pikërisht kur vizitorë të huaj apo vendas kanë parë me sytë e tyre këtë aspekt interesant të kësaj treve të veçantë në Veriun e Shqipërisë.

Shpella e Valit


Shqipëria është një vend unikal përsa i përket pasurisë speleologjike, kësaj jete të pasur "të nëndheshme", që e çojnë hipotezën deri në deduktimin e guximshëm shkencor se në viset shqiptare mund të jetë ndezur zjarri i parë në Evropë; ose që Shqipëria të ketë qenë ndër vendet e para në kontinent ku është ndezur zjarr.

Sa të rëndësishme janë shpellat në lëmin e studimeve historike?

Më tepër në lëmin e antropologjisë. Studiuesit thonë se shpellat dhe speleologjia janë burimi kryesor për zbulimet antropologjike. Njeriu jetonte në shpella dhe aty e ngjizi jetën, ndaj dhe studimet antropologjike nuk mund të nisen tjetër veçse nga studimi i qytetërimit të shpellave, thonë studiuesit, dhe në Mirditë gjendet burim i pashtershëm.

Mirdita, mal e shpellë !...

Por si asnjë krahinë tjetër në Shqipëri, Mirdita përmendet për shpellat e shumta unikale, si në Orosh (Shpella e Akullit me mbi 10 metra dëborë e brezuar), Shpella e Frashnit, Shpella e Stërçokëve - nga 15 deri në 150 metra thellësi), në Fan (Shpella e Batos ilir në Batra (Xhuxhë), me shkallë zbritëse, që thuhet se del në breg të Drinit, Shpella e Cicokëve nën Gurin e Nuses, që thuhet se del në Arrën të Kukësit, 4-5 km e gjatë, ku sipas një dëshmie gojore njerëzit kanë ecur me ditë për të dalë në anën tjetër, Shpella e Hoxhollit në Shëngjin, si dhe Shpella e Konajt, Shpella në Blinishtit etj., Guri i Kishës në Malaj në krye të fshatit, që kishte një si zgavër-shpellë ku mund të shtroheshin dy sofra burrash, dmth 24 vetë, nga ku kundrohej gjithë fshati), Shpella e Bozhiqit, Shpella e Fatmirave ose e Borës në Kurbnesh, për të ardhë tek ajo që e quajmë kurora speleologjike e rajonit të Mirditës; kompleksi i Shpellave të Valit në zonën e Kthellës. Përkufi me Shpellat e Valit është dhe Shpella e Nezirit që i përket Matit.

Studiuesi Ndue Dedaj thotë se interesant është dhe emri i kësaj shpelle "shtëpi", fjala vali (luginë) në trup të emërtimit, që e kemi në formë të përngjitur në emërtime të tjera si Valmir, Valmor, Valbonë etj. Studiuesit e përshkruajnë kështu këtë kompleks speleologjik: Në anën lindore të Mirditës, në një nga lartësitë e Perlatit/Bruçit gjendën tri shpella të njohura si Shpellat e Valit: Shpella e Këputës ose Valit (153 metra e gjatë), Shpella e Pëllumbave dhe Shpella e Blazit (me gjatësi 54 metra). Në shpellat e mësipërme janë gjetur gjurmë banimi që nga epoka e neolitit e deri në Mesjetë. Në gojëdhëna qyteza e Bruçit, ku përfshihen këto shpella, njihet me emrin "Qyteza e Skënderbeut". Mbase tri shpellat, për vetë pozitën e tyre të favorshme u përdorën dhe si vende për strehim (vendbanim i fortifikuar i përkohshëm) në kohë sulmesh armike.

Por Mirdita ka ruajtur dhe një nga kryemrekullitë arkitektonike në fshatin Domgjon rrëzë malit të Munellës të njohur si Gurra e Domgjonit, që përfshihet në një ansambël historiko-turistik me qytezën mesjetare. Uji që vjen nga thellësitë e nëntokës poshtë malit të Munellës ka qenë një begati që hershëm për banorët e këtyre anëve dhe sot e asaj dite përdoret për të pirë, për ujitje, por dhe për një minihidrocentral privat! Nuk është e vështirë të kuptohet se ndërtime të tilla lidhen me aftësitë e banorëve të lashtë (pirustët) në punimet me miniera. Ujësjellësi dhe kështjella janë përshkruar fillimisht nga arkeologu Bep Jubani, më pas skicuar dhe studiuar nga Apollon Baçe e Lazër Papajani dhe një studim i kohëve të fundit të studiuesit vendas Nikoll Loka.

Studime të hershme dhe të mëvona.

Sipas studiuesit Gjon Marku, studimet për shpellat nisin që prej mesit të shekullit XIX, me Hahn, Hekuard, Galandi, Durham, Nopça, Baldaçi, De Grand, Margraf, Kasanin, Ivanovna, Desniskaja etj., por që më pas vijojnë e marrin një vrull të fuqishëm në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar kur gjeologu i shquar profesor Anatoli Agustjeviç Zvjeruga, me origjinë izraelite i njohur si njëri ndër inxhinierët më të njohur të Uraleve e një nga më të njohurit në Bashkimin Sovjetik dhe inxhinierja e re Sonja Nikollajevna bëjnë objekt të studimit të tyre "Shpellën e Merkurthit", dhe atë të Valit. Nuk mund të lëmë pa përmendur atë të 11 qershorit të vitit 1963 kur në Mërkurth mbërrin një grup speleologësh bullgarë të cilët zbresin në thellësitë e shpellës së Mërkurthit dhe atë të Valit.

Zbulime tepër të rëndësishme të futura dhe në enciklopeditë evropiane bëri prof. dr. Peter Beroni - Sofie Bullgari, në fushën e biospeleologjisë, ai në këtë shpellë zbulon specien Albanotrechus Beroni. Ky zbulim shumë i rrallë është publikuar në buletinet më prestigjioze të Evropës. Ky dokument përbën një trashëgimi kulturore me vlerë dhe veçanërisht të çmueshme për Mirditën dhe Shqipërinë. Incizimet rupestre dëshmojnë për fillesat e artit të trashëguara nga një kulture primitive në këto treva në Blinisht të Mirditës. Ato janë dokumente të lidhura me zhvillimin e praktikave religjioze të njerëzve parahistorikë, të cilat përbëjnë një trashëgimi kulturore të prekshme. Natyrisht, këtu nuk mund të lëmë pa përmendur speleologun dhe paleontologun e njohur prof. dr. Anton Fistani, rektorin e Universitetit të Gjuhëve të Huaja në Nju Jork, i cili tronditi rrethet shkencore shqiptare me studimet e tij në shpellën e Gajtanit. Ky personalitet i shkencës shqiptare sjell dëshmitë e munguara edhe për shpellën e Blinishtit. Përsa i përket Blinishtit, ai dëshmon se në një shkëmb në Blinisht të Mirditës ka disa "vizatime" dhe ku rezulton se shkëmbi në fjalë i mbuluar me lëmyshk e likene kishte disa incizime të moçme rupestre. Tema e incizimeve mbizotëron me tri figurat antropomorfe dhe të atyre gjeometrike me shenjën e kryqit dhe trekëndëshit apo majës së heshtës. Tipologjikisht forma e vizatimeve në Blinisht ngjason mjaft me incizimet paleolitike të Aurignacenit të hershëm francez, të zbuluara në L'ile-de-France, J.L.Baudet (1950). Sipas një vlerësimi krejt paraprak, incizimet e Blinishtit i përkasin fazës fundore të paleolitit të sipërm dhe fillesave të mezolitit të hershëm.

E gjitha kjo është një pjesëz e vogël e shkëputur nga "ajsbergu speleologjik" që disponon Mirdita dhe që kohët e fundit u vu në fokus të një shtegtimi turistik nga Forumi i Zhvillimit të Zonave Malore në Mirditë me mbështetjen e MADA-s, duke shërbyer si një lëndë edhe për studiuesit për të eksploruar më tej rreth kësaj pasurie historike që Shqipëria e ka tejet të veçantë dhe intriguese.

Shekulli

GOBI ! Mistere lashtësie në shkretëtirë

Shkretëtira e Gobit është hapësira e dytë më e thatë e planetit, pas Saharasë. Shkretëtira më e madhe aziatike shtrihet mes territoreve të Kinës dhe Mongolisë, duke zënë një hapësirë të madhe sa Evropa Perëndimore.



Një det i vërtetë rëre... Mëkat që legjendat shumë të lashta dhe zbulimet e fosileve na rrëfejnë një histori të ndryshme nga ajo që shfaqet në udhëzuesit e arkeologjisë. Po, sepse në të vërtetë, mijëra e mijëra vjet më parë, Gobi ishte një det, madje një oqean i brendshëm më i madh se Mesdheu. Mes viteve 1920 dhe 1930, dolën në dritë, prej paleontologëve amerikanë disa eshtra të kafshëve mastodontike si dhe disa vezë fosile, por zbulimi më sensacional ishte me siguri ai i arkeologut rus, Pyotr Kuzmich Koslov. Gjatë disa gërmimeve arkeologjikë në qytetin Khara Khoto, profesori gjeti një varr shumë të lashtë ndoshta 18 mijë vjeçar. Mbi mure ishin të skalitur çifti i sovranëve të varrosur si dhe një simbol shumë interesant i formuar nga një rreth i ndarë në katër pjesë dhe me germën greke M, ose Mu. Ky qytet, sipas kolonelit britanik James Churchward, ishte në realitet mitiku Uighur, një koloni shumë e rëndësishme e kontinentit të zhdukur të Mu-ve.

Ky kontinent shumë i madh përfshinte shumë prej ishujve të sotëm të Oqeanit Paqësor, mes të cilëve ishujt Fixhi, Marianë, Ponape, Tonga, Karolinë deri tek ishulli i Pashkëve, siç dëshmojnë rrënojat e ndryshme megalitike që janë gjendur në thuajse të gjithë ishujt e Paqësorit. Këto rrënoja kanë mes tyre ngjashmëri mbresëlënëse; kjo të bën të mendosh se një herë e një kohë ato ishin pjesë e një toka të madhe unike, tashmë të zhdukur, dhe se ato që mbeten sot nuk janë gjë tjetër veçse majat më të larta të maleve që u përmbytën nga uji. Përveç legjendave, edhe rrëfimet e kinezëve tregojnë për një epokë shumë të largët në të cilën në këtë zonë, aty ku sot është shkretëtira, shtrihej Deti i Gobit në të cilin ndodhej një ishull i banuar “nga njerëz të bardhë, me flokë të verdhë dhe sy të kaltër”.

http://stopinjorances.blogspot.com/2009/10/aleksandri-i-madh-gjuha-burashaski-dhe.html



Edhe më i habitshëm është fakti që sipas këtyre rrëfenjave, ky popull antik erdhi nga qielli, zbriti nga i madhi “Yll i Bardhë”, emri që indianët dhe tibetianët e lashtë i vinin planetit Venus, dhe u kishin sjellë banorëve të vendit dije shumë të mëdha, dhe përpara këtyre banorëve të Mu. Në këtë ishull që ndodhej në Detin e Gobit, populli i lashtë i yjeve u vendos dhe ngriti një fortesë si dhe një qytet që lidheshin me tokën kontinentale përmes galerive nënujore. Mund të tingëllojë si fantashkencë, po të mos ishte për disa harta qiellore që janë gjetur në shpellat e Bohistanit, në të cilat shfaqet qielli i afro 13 mijë viteve më parë, bashkë me disa linja misterioze që lidhnin Tokën me planetin Venus. Në të vërtetë, koloneli anglez kish të drejtë, poshtë shtresës së qytetit ë zbuluar nga eksploruesi rus, ekzistonte një tjetër edhe më antik: bëhej fjalë për qytetin e Uighur, që sipas Churchward ishte i lashtë të paktën 15-19 mijë vjet! Dhe këtu gjendej ndoshta kryeqyteti i mbretërisë fantastike të priftit Gianni në vitin 200.


Nga galeritë që dilnin prej ishullit dhe shkonin në tokën kontinentale janë gjetur hyrje të ndryshme, ashtu si ka ndodhur në të gjithë botën, të zbuluara nga speleologë; megjithatë, ato janë eksploruar vetëm pjesërisht për shkak të shembjeve që kanë penguar kërkimet. Në disa prej këtyre galerive janë zbuluar objekte qeramike dhe qelqi, ku secila përmbanin nga një pikë mërkur. Disa objekte të ngjashme janë gjetur edhe në varret e zbuluar në Uzbekistan. Sipas shkrimeve të lashtë indianë, ky metal i lëngët shërbente si ndezës për mitiket Vimana, makinat e lashta fluturuese që përshkruhen në tekstet e Ramayanas së Mahabharatas dhe që mendohet se edhe sot e kësaj dite ndodhen në shpellat e mbretërisë së nëndheshme të Aghartit. Në fakt këtu, po ky tekst i lashtë indian thotë:
“... me zhurmën e madhe të zbritjes nga lartësi shumë të mëdha... u shfaq karroca e Bijve të Zjarrit... të Zotërinjve që erdhën nga Ylli i Shndritshëm. Ajo u ndal mbi Ishullin e bardhë të Detit të Gobit...”
Në vitin 1978, gjatë gërmimeve arkeologjikë në zonën e shkretëtirës kineze të Takla Makan, pikërisht në zonën e Uighurit, u nxorën në dritë mijëra mumie të ruajtura në mënyrë të përsosur falë klimës së thatë të shkretëtirës që u ka lejuar kufomave një mumifikim natyror. Ato janë afro 4 mijë vjeçare, por ajo që e bën trazues gjetjen e këtyre trupave, janë tiparet fizike. Në fakt, të gjithë mumiet kishin tipare perëndimore: lëkurë e bardhë dhe flokë biondë, ose të kuq! Gjatësia e tyre varion nga 1.70 në 1.80 metra dhe disa kanë mjekër.

Në momentin kur u gjetën, mumiet ishin të veshura me veshje të mëndafshta, çizme ose këpucë në këmbë dhe me gërsheta të ngjashëm me ato që mbanin dikur popujt keltë. Sipas arkeologëve, këto popullsi kishin emigruar nga Evropa apo nga zonat e Kaukazit, kishin udhëtuar përmes Azisë drejt Lindjes dhe ishin vendosur në shkretëtirën e Gobit. Mëkat që shkrimet e lashtë tibetianë dhe indianë rrëfejnë të kundërtën; rrëfejnë për popuj të zhvilluar që kishin ardhur, sipas rrëfenjave, nga yjet dhe u vendosën në këtë ishull që ndodhej aty ku në kohëra të largëta kish pasur një det të madh.



Një zbulim tjetër i jashtëzakonshëm mumiesh që ndodhi në vitin 2005 në Xiaohe, në pjesën perëndimore të liqenit Lop Nor, zbuloi ekzistencën e një kodrine me kolona të çuditshme sipër varreve. Nga 300 të varrosurit, kufomat e më shumë se 100 prej tyre ishin në kushte të përsosura: hapja e arkivoleve që kishin formën shumë të çuditshme të varkës nga ana e shkencëtarëve të Akademisë Kineze të Shkencave Sociale, zbuloi trupa burrash, fëmijësh dhe grash të ruajtura përsosmërish, madje edhe më mirë se sa mumiet egjiptiane: tiparet perëndimorë dhe mollëzat tipike të racës kaukaziane, bashkë me flokët e verdhë nuk ishin më trazues se sa fakti që lëkura e të gjithë mumieve ishte e mbuluar me një cipë ngjyrë e çelët e ngjashme me lëngun qumështor, ndoshta me qëllimin për ta ruajtur nga kalbëzimi (por pema e gomës, prej nga merret lëngu qumështor e ka origjinën në Amerikën e Jugut dhe nuk kuptohet se si mund të jetë përdorur nga popujt e Gobit, veç nëse klima ka qenë e njëjtë ose nëse ka pasur shkëmbime tregtare).

Analiza me karbon 14 tregoi se mumiet i përkasin vitit 1800 para Krishtit. Në fakt, deri disa shekuj më parë, siç tregojnë edhe fotografitë e satelitit Landsat, ekzistonin xhepa uji dhe lumenj, një ekosistem i lagësht i pasur me faunë edhe gjigande, që rritej falë rezervave të bollshme hidrike e që sot janë të nëndheshme apo që janë tharë.

E gjithë kjo tokë magjike, por edhe mistike është e mbushur me rrëfenja e legjenda, si ajo e gjeneralit legjendar Ban Chao që “mund të ecte në qiell dhe të lëshonte rrufe të gjelbra” dhe që është varrosur “pranë Njeriut të Nefritit” në shkretëtirën Takla Makan, një prej shkretëtirave më misterioze dhe të mbushura me legjenda, ku banorët thoshin se aty zbrisnin “demonët e qiejve”. Ky popull antik mendohet të ketë udhëtuar më pas dhe të ketë udhëzuar pjesën tjetër të botës, duke ngritur fshatra e qytete në Evropë dhe në të gjithë botën. Pra, nuk kishte arsye të vendoseshin mu në mes të një shkretëtire ndër më jomikpritëset e planetit; gjetja e galerive dhe rrënojave të qyteteve shumë të lashtë i jep të drejtë hipotezës që këtu, në një kohë të largët, klima dhe territori ishin tërësisht të ndryshme nga sa duken sot.

Për të mos folur pastaj, siç konfirmojnë dokumentet antikë, por edhe dëshmia e rrëfenjave tibetiane, të dijeve të lartësuara të sjella me vete tek popujt e kontinenteve sot të zhdukur të Mu dhe Atlantidës, që më pas këta të fundit ua kanë përcjellë etnive të tjera të botës. Mendoni për zbulimin e përpunimit të metaleve, apo dijet për teknologji të panjohura si rrota dhe karroja. Vetëm kjo mund të shpjegojë ngjashmërinë e monumenteve, të gjuhëve dhe të vendeve mes popujve të ndryshëm të Tokës. Prejardhja e kësaj race misterioze, që sipas shkrimeve të lashtë vinte nga planeti Venus, na kujtojnë dijet e Majave që sollën dije dhe njohuri të përfaqësuara në Kafkën e Kristaltë që u gjet në Belizë në vitin 1927 nga Anne Mitchell-Hedges.

Apo mbretin legjendar Inkas Viracoccha, i cili edhe ai kujtohej prej Inkasve si Perëndia me lëkurë të bardhë dhe me mjekër të kuqe, i skalitur në mitiken Portë e Diellit në brigjet e liqenit Titikaka në Bolivi. Imazhe të perëndive të bardhë me mjekër dhe flokë ngjyrë të hapur mund të gjenden edhe në Ishullin e Pashkëve. Pikërisht këtu, në vitin 1774, një natyralist me emrin Georg Foister e përshkroi si një tokë djerrë, pa vegjetim dhe e shkatërruar prej shpërthimeve vullkanikë. Në këtë ishull, studiuesi bëri takimin me popullsinë indigjene dhe u habit kur gjeti se disa prej tyre ishin me lëkurë të bardhë dhe flokë të kuq. Natyrisht që këta ishin pasardhës të atij populli antik të evoluar, imazhet e të cilit gjenden në shkëmbinjtë e ishullit dhe që mijëra vite më parë solli dije dhe njohuri në popujt e tokave polineziane.

Edhe këtu gjenden galeri misterioze gjigande nëntokësore që përfundojnë në det; ndoshta në lashtësi këta tunele përdoreshin për të shkuar nga njëra anë e ishullit në tjetrën, apo ndoshta për të udhëtuar nga një anë e planetit në tjetrën. Në fakt është i habitshëm fakti që janë gjetur pllaka druri me hieroglifë të ngjashëm me atë të Amerikës parakolombiane, apo shkrime të ngjashëm me ata të Luginës së Indos apo ato kelte.

Galeri të ngjashme gjenden edhe në Amerikën e Jugut, dhe që në fakt lidhen pikërisht me Ishullin e Pashkëve, por jo vetëm: ekzistojnë rrjete galerish në Peru që mendohet se lidhin Limën me Cuzcon deri sa mbërrijnë në Bolivi dhe ndoshta deri në Titicaca. Mendohet që këtu janë të fshehur thesaret e Inkasve, të cilët u masakruan nga konkuistadorët spanjollë. Galeri të tilla ka gjithashtu edhe në Hauai dhe në të gjithë Oqeaninë dhe këtu ato vazhdojnë deri në thellësi të Oqeanit. Të tjera gjenden në Kaliforni, në Kentaki (shpellat e famshme të mamuthëve që thuhet se janë një prej hyrjeve për në Agharti). Për këto flasin edhe Apashët: sipas legjendave, këto galeri shkojnë deri në Tiahuanaco dhe gjithmonë sipas rrëfimeve, thuhet se janë gërmuar nga qenie të ardhura prej qiellit, përmes dritave që thyenin shkëmbinjtë. Edhe në Evropë ekzistojnë rrjete tunelesh nëntokësore, disa prej të cilëve janë zbuluar dhe eksploruar vetëm për disa kilometra, si ai që lidh gadishullin Iberik me Marokun në Afrikë.

Kur u dëgjua të flitet për herë të shpella dhe galeri nëntokësore, mendohej se gjithçka ishte punë legjendash; më pas u mësua për zbulimet e kryer nga eksploratorët e parë, mes të cilëve Osendovski, i cili pasi kish pasur një takim me një Lamë në Tibet, pohoi se kishte parë një prej hyrjeve të këtyre galerive kolosale, ndërkohë që të tjera zbuloheshin pak nga pak kudo në botë nga eksploratorë të ndryshëm. Vetëm në vitet shtatëdhjetë, me eksploratorin e madh italian Peter Kolosimo u fillua të hyhej më në thellësi; dhe pas shumë zbulimeve nga ana e speleologëve dhe arkeologëve u mor konfirmimi se tashmë nuk bëhej më fjalë vetëm për legjenda. Pas nxjerrjes së mumieve të bardha nga Takla Makan, edhe legjenda e perëndive të bardha mori konfirmim, aq më tepër që, sipas shkrimeve antikë, ishin pikërisht këta që kishin mundur të gërmonin galeri të tilla kaq të mëdha.

Bëhej fjalë për eksplorues, më saktë rusë, të cilët arritën të pikasin të ashtuquajturin “pusin e fundit”, që ishte pjesë e një rrjeti shpellash të ndodhura në Azerbajxhan që tërhoqi vëmendjen e tyre. Prej kohësh, nga këto shpella dilnin ulërima, zhurma të mbytura e zëra të çuditshme. Pasi hynë në brendësi të tyre, eksploratorët vërejtën një dritë të çuditshme ngjyrë të gjelbër si dhe që këto tunele të çonin në drejtim të Kaukazit. Nga pikturat dhe skalitjet e gjetura aty poshtë menduan se bëhej fjalë për shpella prehistorike, por pasi i analizuan, befasia ishte më e madhe: bëhej fjalë për të tilla, edhe më antike. Rrëfimet e eksploratorëve të vjetër aventurierë pohojnë që disa prej njerëzve që kishin hyrë në galeritë e Mbretërisë së Aghartit kishin parë këtë dritë të gjelbër dhe nuk ishin kthyer kurrë më.

Kohë më pas u zbulua se ky rrjet tunelesh mbërrinte në sheshe të vegjël prej ku niseshin deri kur lidheshin me galeri nëntokësorë të shkretëtirës së Gobit; të njëjtat që një kohë lidhnin tokën me ishullin e Detit të Gobit! Dhe ndoshta këtu lidheshin me ishujt e paqësorit. Kur vëren gjithë këtë, nuk mund të mos mendosh se duhet të ketë qenë një punë ciklopike, e kryer nga një popull shumë i zhvilluar. Sipas shkencëtarëve, ky sistem galerish duhej të mbërrinte pikërisht në Kinë dhe në Tibet, tamam ashtu si pohonte edhe osendovski: në fakt, nga ajo që thonë murgjit tibetianë pikërisht këtu duhet të gjendet kryeqyteti i Aghartit, dhe që të gjithë tunelet të lidhin me pallatin e Dalai Lamës në Lhasa.

Fatkeqësisht, pavarësisht gjetjes së këtyre shpellave dhe galerive në të gjithë botën asnjëherë askush nuk ka arritur të vazhdojë për shkak të shembjeve të mëdha që kanë penguar hyrjen në to, dhe e gjitha për shkak të dimensioneve të tyre gjigande; herë të tjera janë penguar qëllimisht hyrjet nga njerëz që njohin vendndodhjen, apo thuhet se në raste të tjerë vetë banorët e nëndheshëm mund të kenë maskuar hyrjet. Dhe fatkeqësisht, deri sot askush nuk ka mundur ti shohë.

E gjithë kjo na bën të kuptojmë se sot njohim shumë pak territoret e Azisë dhe legjendat që flasin për popullsi të zhvilluara me lëkurë të bardhë si dhe galeri shumë të mëdha, të gjata me mijëra kilometra. Një lloj metropolitani botëror që përfaqëson ndoshta vetë ekzistencën e Mbretërisë së Aghartit dhe në sipërfaqe atë të legjendares Mu.

Metropol

Sunday, January 10, 2010

Feja dhe Kastioti. Sa fetar ishte Skënderbeu?

Mendoj se abuzohet sot me shpalljen e Gjergj Kastriotit si "kristian". Tre pikat që përdoren janë:
1) tendencioziteti kristianizues i Barletit,
2) titulli "Atlet i Krishtit" me të cilin e kanë quajtur dy papë të asaj kohe, Piu II dhe Nikolla V,
3) "realiteti i Arbërisë mesjetare", pra ideja pseudoromantike se detyrimisht arbërit ishin kristianë se s'ka mundësi të ishin pa fe apo paganë... (se si krijohet ky pohimi i fundit është metërmend interesante dhe nga ana psikologjike).




1.Për sa i përket pikës së parë, dëshira e madhe e Barletit dhe e priftërinjve venedikas e evropianë që të justifikonin luftën tonë kombëtare kundër turqve si një luftë fetare midis "kristianësh" e "myslimanësh", nuk ka asnjë bazë reale, përveç trimave me rasa që iu pëlqente t'i bënin qejfin vetes se "kristianizmi" po mundte "myslimanizmin". Por lufta ishte fundekrye luftë racore/kombëtare. Çdo gjë tjetër është ëndërr me sy hapur dhe shtrembërim e falsifikim o nga dëshira e mirë, o nga bindje të gabuara, o nga direktivat e regjimit, o nga ndonjë problem tjetër identiteti që i shtynte të interpretonin gjithçka me anë të fesë, qoftë kjo kristiane, a myslimane. Dukuria nuk është aspak e panjohur në histori (aq më tepër në mesjetë kur shënohet kulmi i fanatizmit), sepse historikisht psh arabët dhe Aleksandrin e kanë kaluar si mysliman(!), dhe një sërë figurash evropiane si Beethoveni, Shtrausi, etj. janë konsideruar për kohë të gjatë si fetarë(!) nga pedantët ndërkohë që nuk kanë qenë të tillë... por kjo nuk shihej si problematike, sepse s'prishte punë se përkulej pak e vërteta, vetë Bibla e lejon këtë në gojën e Palit apo jo...

Nëse Gjergji do të ish kristian atëherë lindin natyrshëm këto pyetje që për nga natyra sheh se janë retorike:
- Sa kisha e manastire ndërtoi “Skënderbe kristiani”?
- Në sa kisha tregohet "të shkojë të falet" “Skënderbe kristiani”, qoftë të jenë përmendur këto dhe nga Barleti...
- Çfarë ndihme i dha fesë kristiane në Arbëri “Skënderbe kristiani”, dhe cilat ishin veprimet që ndërmori për aspekte të ndryshme të fesë së kistiane?


2.Për sa i përket pikës së dytë, titullit "Atlet i Krishtit"; Ky është një keqinterpretim i rëndomtë. Ky titull ishte titull politik dhe jo fetar.
Ky titull nuk tregon asgjë për përkatësinë fetare të mbajtësit, por thjesht i jepej atij që në një mënyrë apo në një tjetër po shërbente si pengesë ndaj hordhive osmano-myslimane që kërkonin rrugën drejt Evropës. Që titulli është politik është e ditur, apo dhe e argumentueshme, pasi papati në atë kohë ishte vetë zot e vetë shkop në Evropë, vendimet e papatit nuk kishin dhe aq të bënin me fenë e subjekteve sesa me politikën e teokracive katolike të Evropës, dhe si një nga pengesat ndaj sistemit politiko-shoqëroro-ekonomik të myslimanizmit që kërcënonte me dinamikën e vet tash në dyert e kontinentit, Gjergji me luftën e tij, ndonëse për arsye krejt të tjera, kontribuon fuqishëm në mosprekjen e Evropës nga këto hordhi, ndaj dhe e meriton fare bukur një mirënjohje nga pushtetarët kontinentalë, por çështja është se këto tituj janë retorikë teokratike, dhe asnjëherë s'kanë të bëjnë me fenë e atij që i jepej, nuk na thonë asgjë për fenë e tij... Nuk mund të pritej nga teokracitë mesjetare të jepnin tituj profanë, tituj jofetarë... sepse nuk kishin tituj jofetarë, kur vetë regjimi i tyre ishte teokraci...

"Konjukturat" e kohës ishin që pavarësisht arsyes se për çfarë luftonte Skënderbeu, që nga momenti që ai përbënte amortizim të nevojshëm që një nga pasojat e tij ishte dhe favorizim për qeveritë e fortndritura teokratike dhe status kuonë e tyre në Evropë, atëherë mirë do të ishte që oborret e të dhjamosurve ta nderonin atë si kristian, duke u përkëdhelur ndoshta dhe me idenë sesa burra ishin kristianët... Aq më tepër Barleti (një prift që duhej ta lartësonte figurën e Skënderbeut në sytë e murgjve që do lexonin librin e tij, sepse vetëm murgjit dinin shkrim e këndim atëbotë) i cili dihej se ç'do shkruante, duke pasqyruar gjithë idetë e veta dhe frymëzimin e lashtësisë klasike në gojët e personazheve.


3.Ndërsa për sa i përket pikës së tretë, "realiteti mesjetar" i Arbërit keqinterpretohet duke marrë për bazë numrin e kishave apo shpërndarjen e këtyre, diçka që është kthyer në dogmë dhe deklarohet Arbëria si vend 100% kristian.
Por në atë "realitetin e mesjetës" për të cilin flitet, gjysma e Arbërisë referohet si mospjesëmarrëse në judeokristianizëm. Judeoislamizmi nuk kish ardhur ende. Atëherë përfundimi i vetëm logjik mbetet praktikimi i paganizmit, vegime të të cilit shohim të shpërndara hollësisht në veprën e Barletit, i cili duke qenë se nuk ka ndonjë detyrim ideologjik për përmendjen e këtyre hollësive të përshkruara gjallërisht, mbetet t'i ketë shtuar këto si dëshmi aktuale që i ka vënë re vetë i parë në betejat e mëvonshme të tij në Arbëri ku ka marrë pjesë, si psh. ajo e Shkodrës. Pra pa vetëdije është duke shënuar praktika të gjalla pagane të asaj kohe.

Është një nga pikat kyçe të të mosqenit kristian të Gjergjit dhe madje dhe të ushtrive tona shtetërore fakti se nuk do të gjejmë asnjë simbol fetar në luftën e arbërve për mbrojtje kundër Turqisë. Ushtritë e tjera si ajo hungare, rumune apo turke përkundrazi e përdornin kudo haptas simbolin e fesë së tyre. Atëherë si është e mundur që lufta jonë të paskësh qenë fetare e ndërkaq ne të mos kishim asnjë simbol identifikimi si "kristianë", madje përkundrazi kishim një mori simbolesh pagane në gjithë armatimet dhe heraldikën, duke nisur me prijësit e duke mbaruar me këmbësorët e thjeshtë?

~
Pra, vlen të theksohet se kur je kalorës, feudal, princ, apo mbret kristian, gjëja e parë që ndodh është reformimi i tërë heraldikës së fisnikut në mënyrë që të paraqesë doemos ideologjinë të cilën ky fisnik e ka fort për zemër. Që nga momenti që Gjergji (e cilido arbër tjetër) tregon një farë antipatie të çuditshme kundrejt "simbolit kristian" përderisa nuk e përdor ASKUND... ne mund të rrimë e të bëjmë petulla tërë ditën me dëshira... dhe hamendje për kristianizmin e tij, por këto mbeten haptas në fushën e spekulimeve të cilat për fatin e keq të mbështetësve të tyre nuk kanë as ndonjë argument largësisht të qëndrueshëm veç dëshirës së këtyre dhe pseudoromantizmit.

Dimë se Gjergji në të ri, për pragmatizëm, i ka ndërruar fetë sipas klimës, po ashtu si dhe i ati i vet, Gjoni.

Nqs. Gjergji do të ish vërtet "ushtar i kryqit" atëherë ku janë këto kryqe nëpër flamujt dhe stemat e tij apo qoftë dhe të familjes nëse kalojmë dhe tek Gjoni?! Si ka mundësi që kjo familje me një "ushtar të Krishtit" në gji të mos kishte ASNJË stemë fetare a kishtare, në kontrast të plotë me ata që metërmend ishin fetarë si puna e Huniadit apo e Vladit që ojniseshin kudo nga kryqi?!

Pra këtu kemi një kristian që nuk bën asgjë në lidhje me kristianizmin, por madje dhe i hakërrehet priftërinjve në korrespondencat e tij, një kristian që lufton Venedikun, mashën e Vatikanit, dhe që luftohet nga Venediku... Një kristian që as sipas vetë Barletit nuk bind, sepse në çdo fjalim të tij nuk thotë as "zoti", por "perënditë"... Një kristian që përdor simbole pagane si koka e dhisë me brirë në përkrenare, Ledën në vula, shqiponjën dykrenare në flamur, yllin e stërlashtë gjashtëcepësh të diellit si emblemë, etj., etj., dhe askund asnjë shenjë kryqi apo gjysmëhëne... Një kristian që mburret me Aleksandrin dhe Pirron nëpër korrespondencë, ndërkohë që ka plot shembuj të tjerë të ndritur për të adhuruar e marrë si model por që çuditërisht i shpërfill krejt, si p.sh. rëndom Konstandinin me të cilin për kontrast rropateshin të identifikoheshin tërë fisnikët e Evropës së asaj kohe...



Në krahasim, është shumë e lehtë të provohet kristianizmi i Huniadit, madje dhe i Vladit, megjithëse ky ka marrë dhe mallkim nga kisha, e Kastriotit nuk i provohet dot, madje mund të hidhet krejt pa frikë tashmë teza se trimi ka qenë pagan, ultranacionalist, pragmatist dhe moskokëçarës ndaj fesë.


mesdimri

"Hik" dhe "Fet", tek lamat e Indisë.

Është interesante se si mund të ndeshen terma të shqipes së vjetër në përdorim tek lamat që kryejnë shërbesat në Indi dhe në Tibet. Në fakt budizmi na mëson metodën për të shqipëtuar pranë një njeriu që vdes dy fjalët e lidhura me fatin: “Hik” që ka po atë kuptim si në shqipen: “nisu”, dhe: “Fet” që do të thotë si në shqipen: “shpejt”.


Këto thirrje janë britma rituale, që lamat shërbesëtar i thonë pranë atij që po vdes, me qëllim që të shkëputet shpirti i tij dhe të dalë nga trupi nëpërmjet një hapjeje, që rrokjet magjike shkaktojnë në maje të kresë.



Vetëm lama që nga një mjeshtër kompetent ka marrë pushtetin për të shqipëtuar Hik me intonacionin dhe forcën psikike të kërkuar, është në gjendje të veprojë me sukses. Kur ai bën shërbesën pranë një kufome ai shton Fet pas hik , por ai duhet të ketë kujdes për të artikulluar këtë fet kur thjesht ushtrohet per te praktikuar ritin. Nderthurja e këtyre dy tingujve sjell pa mëdyshje shkëputjen e shpirtit nga trupi dhe si rrjedhim lama që do ti shqipëtonte me saktësi do te vdiste në vend. Por ky rrezik nuk ekziston, kur ai bën shërbesën sepse atëherë ai vepron me prokurë ne vendin e të vdekurit, duke i huajtur zërin e vet, në mënyre që efekti i rrokjeve magjike ndihet nga i vdekuri dhe jo nga lama. Pasi pushteti psikik për të nxjerrë shpirtin jashtë mbështjellës së vet trupore u jepet atyre nga një mjeshtër kompetentë, u mbetet dishepujve që shqiptojnë tingullin hik me tonin korrekt. Pranohet se është arritur ky qëllim, kur një fije kashte e vënë mbi krye qëndron aty drejt pa rënë për aq kohë sa dëshirojnë ata. Në fakt shqiptimi korrekt i hik shkakton një hapje të vogël në majë të kresë dhe fija futet aty. Kur është fjala për një të vdekur, hapja është shumë më e madhe. Arrin deri sa të futet gishti i vogël. Kjo “nxjerrje” e shpitit pra bëhet nga britma rituale hik që pasohet nga fet. Para se të veprojë lama duhet të mbledhë thellë veten, të njëjtësohet me atë që do të nxjerrë frymën dhe të bëjë përpjekjen që duhej të bënte ky i fundit për të shkaktuar ngjitjen e shpirtit në majën e kafkës, me një forcë të tillë që të shkaktohet e çara e nevojshme, që të hapet kalimi.



Të iniciuarit e aftë për të vepruar për vete, që të arrihet kjo ngjitje e shpirtit në majë të kresë, kur e ndjejnë se u ka ardhur fundi, e shqiptojnë vet hik dhe fet që i lirojnë. Me këtë mënyrë ata edhe mund të vrasin veten, thuhet se disa e bëjnë vërtet.

Marrë nga libri "Enigma", i autorit Robert D’Angely.

Burimi : http://eltonvarfishqip.blogspot.com/2010/01/nje-ngjashmeri-e-habitshme.html

Sekreti i vijave të dorës, çfarë po na thotë pëllëmba ?

Secili prej nesh e ka në dorën e tij fatin e vet, por pakkush e di se çfarë është shkruar për në dhe jetën tonë në pëllëmbën e dorës. Një udhërrëfyes praktik i ekspertëve të kësaj fushe na tregon më poshtë se si t’i lexojmë vijat e dorës.


-Duar me shumë pak vija?

Flasin më shumë për një shpirt fizik, praktik dhe të organizuar, ju që e keni këtë veçori ju pëlqen ushqimi i mirë dhe kënaqësitë seksuale. Kur në dorën tuaj gjenden vija të holla dhe të bukura, tregon se jeni të mençur dhe krijues. Nuk jeni shumë të aftë të ruani sekrete dhe reagoni menjëherë ndaj zhgënjimeve.

-Gjithsesi, shumë vija të bukura tregojnë nervozizëm dhe energji të shpërndarë.
Vija të thella, të gjera dhe të gdhendura mirë? Tregojnë se keni ndjenja të forta dhe e keni të qartë se çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo. Jeni të duruar dhe të përpiktë. Nuk ëndërroni si nëpër libra dhe dini të përballeni me situatat. Ju prisni që të dashurit dhe familjarët tuaj të jenë të përsosur. E keni mjaft të vështirë t’i pranoni dështimet apo të metat e të tjerëve.
-Vijat në dorën tuaj kanë formën e zinxhirit, të pendëve, ose janë të thyera?
Kjo tregon se keni vullnet të dobët, trishtoheni shpejt, jeni paranojak dhe prireni të tërhiqeni nga bota fizike. Nuk ju pëlqen të mbeteni vetëm. Jeni i brishtë, në njëfarë mënyre si kukullat kineze. E keni të vështirë të hyni në bisedë me çdokënd ose ta kërkoni atë që ju intereson në mënyrë agresive ose të vendosur. Duart e gjata e të holla kanë më shumë vija se ato të vogla dhe katrore. Tri vijat kryesore të dorës quhen: Vija e Jetës, Vija e Kokës dhe Vija e Zemrës.



VIJA E JETËS
Vija e jetës nuk tregon sa gjatë do të jetoni, por tregon për entuziazmin dhe vullnetin për ta shijuar jetën, si dhe për përpjekjet për të arritur ato që doni. Nëse vija e jetës është e qartë dhe e thellë, pa shkëputje, tregon se do të keni një jetë të shëndetshme dhe të mirë. Gjithashtu tregon se jeni plot energji të pashtershme, që përqafoni çdo sfidë dhe mundësi që ju paraqitet. Duke qenë se jeni shumë i/e dashur dhe e shprehni këtë, ju pëlqen gjithçka. Dalloheni për kurajën, energjinë dhe dëshirën për të jetuar. Ndërprerje ose humbje të vijës së jetës gjatë rrugës, tregon se jeni tip që shqetësoheni shumë dhe i lejoni të tjerët të ndërhyjnë në jetën tuaj. Jeni shumë xheloz, posesiv dhe shumë emotiv. Lidhjet tuaja janë të destinuara të jenë plot dramë dhe ndryshime emocionale. Asgjë s’është e lehtë për ju. Kur vija e jetës merr një kthesë të gjerë në dorë, tregon se jeni njeri shpirtgjerë, pozitiv dhe shumë bujar (ndonëse pak dramatik). Krijoni lidhje të mira me fëmijët dhe ju pëlqen të ndihmoni njerëzit që kanë nevojë. Për ju, të luash rolin e viktimës nuk është zgjidhja e duhur. Ju pëlqen kur ju dëgjojnë, kur ju respektojnë, kur ju duan dhe kur ju shohin si një person të fortë dhe të besueshëm. Jeni bujar me kohën dhe paratë tuaja. I gëzoni çdo ditë dhe doni të zbuloni horizonte pafund e të përqafoni ide te reja. Nëse vija e jetës suaj fillon mjaft poshtë gishtit tregues kjo tregon se keni nevojë për njohuri. Jeni individualist dhe nuk duroni dot që dikush t’ju thotë çfarë apo si ta kryeni diçka. Keni shpirt luftarak dhe jeni energjik. E megjithatë nuk ju mungojnë problemet me disiplinën dhe përqendrimin. Ju pëlqejnë lëvdatat dhe është pothuajse e pamundur që t’i pranoni gabimet tuaja. Kur vija e jetës mbaron pranë gishtit të madh, do të thotë se rrallëherë ngrini zërin dhe jeni pak i ndrojtur. Ndiheni më rehat kur qëndroni në një qoshe, sesa kur jeni në qendër të vëmendjes. Ju pëlqen t’i ndihmoni të tjerët dhe t’ju përgjigjeni nevojave të tyre. Zakonisht mendoni më shumë për ta sesa për veten tuaj. Ndonëse ju mungon vullneti për ta ngritur zërin për veten tuaj, e bëni shpesh këtë për të tjerët. Duke qenë se keni më shumë aftësi mendore sesa fizike, nuk jeni shumë energjikë dhe kërkoni shumë pushim kur jeni sëmurë.

VIJA E KOKËS
Ndonëse aftësitë tuaja nuk dalin shumë në pah, aftësitë tuaja mendore dhe dëshira juaj për dije shfaqet më së miri në vijën e kokës. Ajo fillon në pjesën e gishtit të madh, në zonën poshtë gishtit tregues dhe vijës së jetës dhe kalon nëpër dorë drejt gishtit të vogël. Zakonisht, një vijë koke e shkurtër që nuk kalon përmes dorës, tregon një njeri jo largpamës, të cilit i mungon perceptimi i gjërave të reja. Jeni të fiksuar pas rregullit, jeni shumë të kujdesshëm dhe mendoni vetëm për vete. Çështjet e pushtetit dhe të kontrollit luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tuaj. E merrni lehtë pushtetin dhe ndiheni mirë në rolin e vendimmarrësit. Sa më e gjatë të jetë vija e kokës, aq më i madh është qëllimi i perceptimeve tuaja dhe këmbëngulja për të mësuar. Keni respekt për njohuritë, barazinë dhe të drejtat e njeriut. Si kokëfortë që jeni, nuk lodheni kurrë duke mësuar gjëra të reja. Ju pëlqen shoqëria dhe ndoshta keni dhe shumë miq. E mbivlerësoni veten. Vullneti juaj për të mësuar dhe shkathtësia e të menduarit ju çon larg. Të shkruarit, mësimdhënia, marrëdhëniet publike ose fjalimet mund të jenë profesione të mira për ju. Kur vija e kokës është e zbehtë ose e thyer, ose ngjan me një zinxhir, do të thotë se nuk jeni tip i organizuar, keni mendime të shpërndara dhe e keni të vështirë të përqendroheni. Ju mungon organizimi dhe këmbëngulja për t’i parë projektet deri në realizimin e plotë të tyre. E megjithatë i mirëprisni idetë e reja. Këmbëngulni t’i kryeni gjërat sipas mendjes suaj. Zakonisht veçoheni nga miqtë ose kolegët tuaj. Sa më e thellë të jetë vija e kokës, aq më shumë e shfrytëzoni mençurinë dhe aftësitë tuaja. Jeni optimist dhe idealist. Gjithmonë mendoni se gjërat do të kenë rezultat pozitiv. Nëse vija juaj e kokës kalon poshtë pëllëmbës së dorës, do të thotë se bazoheni mbi fakte dhe jeni shumë i logjikshëm. Parapëlqeni të flisni vetëm me ata që i njihni mirë. Në përgjithësi u qëndroni besnik vendimeve tuaja, pavarësisht nga ajo që mendojnë të tjerët. Jeni praktik dhe i kujdesshëm. Motoja juaj është “Për një mendje të shëndoshë”. Jeni serioz, ndonjëherë pesimist dhe mund të bëheni shumë kritik ndaj ideve abstrakte ose revolucionare. Kur vija juaj e kokës merr një kthesë drejt gishtit të vogël, tregon se ju e përdorni mençurinë tuaj për të fituar para. Rrallë ndodh të thoni diçka dhe më pas të pendoheni. Për ju koha është shumë e shenjtë. U përkisni atyre njerëzve që u pëlqen të veprojnë, teksa të tjerët ëndërrojnë. Kjo sjellje ju ndihmon në çdo fushë. Kur vija e kokës merr kthesë drejt kyçit të dorës, tregon se ju keni mjaft imagjinatë. Nuk keni interes për gjërat e përditshme. Mendja juaj duket se është gjithnjë e zënë me diçka tjetër. Mos i lini fantazitë tuaja t’ju përfshijnë të tërin. Një vijë koke që kthehet e tëra drejt kyçit të dorës. Në një kthesë të fortë, është shenjë arratie dhe ose depresioni. Jeni simpatik dhe i besueshëm, por shumë dyshues ndaj historive fatkeqe. Gënjeheni lehtë. Egoja juaj nuk është e fortë, madje shpesh i ndihmoni të tjerët edhe mbi kurrizin tuaj. Tregoni kujdes të veçantë në vendimet financiare dhe ato personale. Jeni shumë idealist. Të jetoni në botën fizike dhe të përballeni me realitetet të ashpra, është mjaft e vështirë për ju. Kur vija e kokës dhe ajo e jetës bashkohen pranë gishtit të madh, tregon se jeni njeri i kujdesshëm, i matur dhe i përqendruar. Burimi kryesor i sigurisë suaj është të jeni i lumtur dhe i plotësuar në punën tuaj. Jeni praktik dhe i parashikueshëm. Dhuntia juaj më e madhe është struktura dhe qëndrueshmëria që i siguron familjes dhe kolegëve tuaj. Kur vija e kokës përfundon në formë piruni, që njihet ndryshe si “piruni i shkrimtarit”, tregon se keni dhunti, jeni kureshtarë dhe krijues. Sa më i gjerë të jetë piruni, aq më i përshtatshëm dhe krijues jeni. Madje keni aftësi të sillni shkëndija zgjidhjeje edhe në situatat më të ndera.

VIJA E ZEMRËS
Vija e zemrës është barometri juaj emocional dhe tregon dashurinë jo vetëm për të dashurit tuaj, por edhe për njerëzit e tjerë. Ajo fillon në zonën poshtë gishtit të vogël dhe lëviz drejt pjesës së sipërme të dorës, duke përfunduar poshtë bazës së gishtit tregues, të mesit ose të gishtit të unazës. Nëse vija juaj e zemrës është shumë e thellë, tregon se ju vazhdimisht luani rolin e paqeruajtësit. Edhe pse nuk keni ndonjë talent të veçantë, ju pëlqejnë arti dhe format e tij. I kushtoni shumë rëndësi shtëpisë dhe familjes. Pavarësisht nëse eksperiencat me familjarët tuaj kanë qenë të mira ose jo, jeni shumë të lidhur me ta. Gjithçka që thuhet e merrni si personale dhe shumë mendime ndaj jush i interpretoni si sulme dhe kritika. Dëshira juaj është që të gjithë të mirëkuptohen. Një vijë e zemrës e dobët dhe e zbehtë, do të thotë se ju kërkoni vëmendje të veçantë dhe ju pëlqen t´ju llastojnë. Ju drejtoheni nga zemra dhe jo nga mendimet tuaja. Të gjitha idetë dhe mendimet tuaja kanë ngjyra ndjenjash dhe lidhjesh emocionale. Nuk ju pëlqen të jeni vetëm dhe jepni më të mirën tuaj kur jeni në shoqëri. Doni që të gjitha lidhjet tuaja të shkojnë mirë, gjatë gjithë kohës së zgjatjes së tyre. Nuk e pranoni zemërimin ose zënkat. Një hapësirë e gjerë midis vijës së zemrës dhe asaj të kokës, tregon se jeni i pavarur dhe veproni me kokën tuaj. E doni jetën, por jeni disi agresivë, madje merrni dhe iniciativa që shumë të tjerë nuk do të guxonin t´i merrnin. Nuk ju pëlqejnë njerëzit dembelë, të dobët dhe ata që të ngjiten e s´të shqiten. Sa më e gjerë të jetë kjo hapësirë, aq më e madhe është nevoja juaj për liri dhe individualitet. Vija e zemrës quhet e gjatë kur ajo përfundon poshtë gishtit tregues. Të gjithë ju që keni këtë veçori jeni romantikë. Ju jeni njerëz që i mbroni, i mbështesni dhe që u përkushtoheni miqve dhe të dashurve tuaj. Nuk ju pëlqen vetmia. Ju i kushtoni shumë kohë ndjekjes dhe ruajtjes së miqësive të ndryshme. Keni prirje të idealizoni çdo lidhje dashurie dhe zakonisht mendoni se partneri/ja juaj është më i/e mirë nga të gjithë. Një vijë e shkurtër zemre mbërrin deri në mes të dorës. Kjo do të thotë se askush më shumë se ju, nuk i merr seriozisht dashurinë, seksin dhe lidhjet e dashurisë. Jeni plot pasion, jeni lozonjarë, të ndjeshëm por edhe me logjikë. Nuk jeni nga ata që dashuroni verbërisht. Megjithatë kur bini në dashuri, synimi juaj është të bashkoheni përjetësisht me të dashurin tuaj. Kur vija juaj e zemrës është në formën e një zinxhiri ose e shkëputur, tregon se jeni tip i paqëndrueshëm ose të prirë për të patur dashuri të ndryshme. Shumë nga lidhjet tuaja dallohen për ndryshimet e tyre emocionale. Ju pëlqen më shumë të keni histori kalimtare, sesa bashkime të vërteta. Kur vija e zemrës kalon drejt, si një vizore nëpër dorë në vend që të marrë ndonjë kthesë të vogël, tregon se nuk ju intereson aspak ajo që mendojnë të tjerët për ju. Romanca për ju kalon në vend të dytë, pasi në çdo lidhje bëni pyetjen: “Çfarë fitoj unë nga kjo?”. Për ju dashuria është si një marrëveshje e duhur biznesi. Jeni shumë sipërfaqësorë dhe i ëmbël në çështjet e dashurisë. Nëse vijën e zemrës dhe të kokës i ndan një hapësirë e gjerë, do të thotë se ju keni një dëshirë të jashtëzakonshme për të qenë i pavarur; e keni mjaft të vështirë të përkushtoheni emocionalisht. Jeni shumë individualistë, kështu nuk duroni dot që të tjerët t´ju drejtojnë. Jeni shumë i shoqërueshëm, ju pëlqen të njiheni me njerëz të rinj dhe shpreheni shumë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kur vija e zemrës dhe ajo e kokës bashkohen në një të vetme, që quhet vija e Simianit, do të thotë se e keni të vështirë të merrni vendime. Jeni shumë të vëmendshëm dhe keni shumë interesa, ndaj shpesh nisni të kryeni shumë gjëra njëherësh, por nuk çoni në fund asnjë prej tyre. Gjithashtu, ndodh që të premtoni më shumë nga ç’keni mundësi të bëni. Shqetësoheni menjëherë dhe jeni shumë të ndjeshëm ndaj atyre që i shihni si armiq. Zakonisht, kaloni menjëherë në mbrojtje kur mendoni se dikush kërkon t’ju sfidojë. Kërkoni t’ju mbajnë gjithnjë me të mira. Nuk i refuzoni këshillat e miqve, të të dashurit dhe të familjarëve, që vlejnë për t’jua ngritur moralin.

G. Albania



Si mundet që një gazetë prestigjoze të publikojë artikuj kaq qesharakë, që në vend të informojë, deformon dhe mbjell akoma më shumë nga ajo injoranca që në fakt, i duhet ta luftonte.

Nëse fati është vërtetë i shkruar mbi duart tona, nënkupton faktin e thjeshtë se fatin e ndërtojmë me duart tona, punën tonë. Stop Injorancës

Saturday, January 9, 2010

Filmat shqip pas ‘90-ës, mediokër !

Me pak përjashtime, kinematografia post-komuniste në Shqipëri është mediokre. Këtë e thotë një prej kineastëve më të njohur shqiptarë, regjisori Saimir Kumbaro. Së fundmi ka qenë anëtar jurie i festivalit ndërkombëtar të filmit në Kosovë, ku pa se ku qëndron kinematografia shqiptare, krahasuar me atë të rajonit.



Në një intervistë, Kumbaro jep mendimin e tij se ku çalojnë filmat shqiptarë, ku ka gabuar Qendra Kombëtare Kinematografike në politikat që ka ndjekur dhe çfarë duhet bërë. Cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë kryetari dhe anëtarët e bordit të ri të QKK-së. Vetëm pak kohë më parë ju ishit anëtar i jurisë së “PRI-FILM FEST” në Kosovë, si qëndronte filmi shqiptar në këtë përballje të kinemasë ballkanike?
Në Prishtinë u organizua festivali i parë ndërkombëtar i filmit “PRI-FILM FEST”. Në të morën pjesë rreth 30 filma nga shumë vende të botës. Gjatë festivalit u ballafaqua filmi ballkanas. Mund të them se filmat e prodhuar nga Kroacia, Maqedonia dhe Bosnja qëndronin më lart se filmat shqiptarë. Juria e festivalit nderoi me çmimin special të jurisë filmin e regjisorit Gjergj Xhuvani. Filmi më i mirë ishte ai boshnjak dhe me radhë filmi maqedonas, kroat dhe afganistanas. Filmi i Xhuvanit “Lindje-Perëndim –Lindje” la pas filmin gjerman, anglez, malazez.

Ku mendoni se çalon kinematografia shqiptare?

Pikat e dobëta sipas meje janë: producenti dhe skenari. Gjithashtu mirë do qe që (duke ju referuar Ligjit për kinematografinë) që nga kontingjenti i të rinjve të përzgjidheshin elementë që kanë vërtetuar se kanë talent dhe janë të aftë të prodhojnë një film. Në vitin 1996 me dëshirën e mirë që produkti kinematografik do rriste cilësinë dhe sasinë, u krijua Qendra Kombëtare Kinematografike. Duke mos e pasur fort në konsideratë artin e shtatë, Qeveria me propozimin e ministrit të Kulturës vunë në krye të saj aktorë, apo ekonomistë me njohuri dhe vizion të limituar për të ardhmen e kinematografisë. Faktet flasin vetë. Kanë kaluar afro 13 vjet dhe po të shohim cilësinë e filmit shqiptar të prodhuar pas vitit 1996 niveli artistik lë për të dëshiruar. Veçoj këtu regjisorin Gj. Xhuvani, i cili ka prodhuar një apo dy filma cilësorë. Të tjerët futen në kategorinë e mediokritetit.

Ku mendoni se ka gabuar QKK, në politikat që ka ndjekur?

Mendoj se gjithçka çalon në përcaktimin e anëtarëve të KMP dhe emërimin e një kryetari të QKK. Ndërsa bordi (këshilli i miratimit të projekteve) ka në përbërjen e tij një grup prej 7 anëtarësh, të cilët miratojnë projektet dhe më pas marrin vulën e kryetarit të QKK për të hyrë në prodhim. Një KMP ku shumica janë aktorë pa njohuri përkatëse për filmin dhe nuk kanë aftësinë të shohin filmin e ardhshëm që në skenar (Vepra letrare). Dihet që një skenar i mirë premton për film të mire dhe një i dobët, sado i aftë të jetë regjisori nuk mund ta kalojë mesataren e një filmi. Mendoj se ata që qenë në bordin e shkuar nuk i plotësonin kushtet dhe nuk i kanë njohuritë e duhura që të jenë në gjendje të analizojnë një skenar filmi. Kjo gjë ka bërë që në prodhim të hyjnë filma që me zor i afrohen prodhimeve të realizuara në periudhën komuniste.

Po sa i përket mbështetjes financiare, a ka qenë QKK, një menaxhere e mirë fondesh?

Një politikë e gabuar po ndiqet nga Kryetari i QKK zoti Xhevdet Feri, i cili fut në prodhim regjisorë të huaj, të cilët marrin shuma të konsiderueshme nga fondi i QKK-së për të prodhuar një film që në fund të fundit cilësohet si një vepër e regjisorit. Askush nuk mund të thotë se prodhimi shqiptaro-serb “Muaji i mjaltit” është film shqiptar. “Muaji i mjaltit” është “një film nga Goran Paskaleviç”. Po kështu, rasti i fundit është ai ku një regjisor i panjohur gjerman, që ka xhiruar vetëm dokumentarë merr një buxhet prej gati 290.000 euro për 16 ditë xhirim në Tropojë. QKK nuk kishte pse tregohej kaq bujare. Të xhirosh në Tropojë 16 ditë me një grup prej 30-40 vetësh nuk ka pse të trajtohej me një buxhet të tillë. Një film me metrazh të shkurtër nuk kushton më shumë se 30.000-50.000 euro. Çuditërisht regjisorit gjerman i jepet një buxhet, i cili nuk e justifikon QKK. Ndërkohë regjisorë si Anagnosti, Çashku, Mitro, Muçaj, Kapexhiu, Mysliu dhe Prifti presin radhën me shpresë se politika e QKK-së do ndryshojë dhe do t’i afrojë kineastët e vjetër që gëzojnë shëndet. Kurosava ka xhiruar edhe kur ishte 90 vjeç. Arti nuk njeh moshë. Franca, vendi ku lindi kinemaja ka krijuar një fond të veçantë për vendet frankofone me qëllimin e mirë të mbështesë regjisorët e huaj dhe ky fond nuk i kalon të 100-130 mijë euro.

Megjithatë nuk mungojnë politikat për të mbështetur kineastët e rinj...
QKK financon studentët e Akademisë së Arteve, dega regjisurë filmi. Kjo praktikë bie ndesh me ligjin, i cili thotë se QKK duhet të mbështesë kineastët e rinj. Një student është në rrugë drejt të bërit kineast. Kur të diplomohet dhe të tregojë se i ka aftësitë si regjisor, atëherë QKK duhet t’i mbështesë nëse KMP u miraton projektet. Një tjetër e metë e politikës së QKK është e drejta e licencimit. Edhe pse shteti ka krijuar Drejtorinë e Licencimit, QKK gëzon të drejtën të licencojë cilindo që kërkon të bëhet producent. Mjafton të kesh dëshirë, të paguash në arkën e QKK, 4000 lekë dhe menjëherë fiton të drejtën e aplikimit për të kërkuar para. Praktika ka treguar se producentët që nuk janë në gjendje të bëjnë montazh financiar, pra të gjejnë para, nuk ka pse ta fitojnë të drejtën e punëmarrjes. Në rast se vazhdohet me të njëjtën politikë kulturore në kinematografi si dhe miratimin nga kryetari i ri i QKK-së i një bordi të manipulueshëm dhe jo profesional, veprat e reja do jenë nën nivelin mesatar.


Atëherë, si mund të funksiononte më mirë QKK?
Që QKK të menaxhohet me kualitet profesional do t’i sugjeroja Ministrit të Kulturës të bazohet në Ligjin e kinematografisë për emërimin e kryetarit te ri të saj. Ai duhet të përzgjedhë mes kandidaturave ata më profesionalët, duke u bazuar në platformat personale që duhet t’i paraqesin komunitetit të kineastëve dhe personalisht specialistëve në MTKRS. Ministri (sipas ligjit) të propozojë në qeveri për kryetar të QKK një kineast që e njeh menaxhimin e filmit, ka kulturë profesionale, dhe vë në jetë politika në zhvillim të kinematografisë. Ka ardhur koha që në krye të QKK-së të mos emërohen njerëz që prej vitesh kanë hyrë në protokoll, por drejtues që i shërbejnë komunitetit të kineastëve. Shpresojme që z. Ministër, edhe pse pak e njeh kinematografinë, të marrë në konsideratë propozimet e kineastëve me përvojë. Si përfaqësues i “Euroimage”, ministri të marrë mendimin e kineastëve që e njohin mirë kinematografinë, si në planin teorik, ashtu dhe profesional praktik. Z. ministër të bëjë përpjekje që buxheti i QKK të rritet deri në 2 milion euro. Vetëm kështu, kinematografia shqiptare do ta luajë drejt rolin e saj si ambasadore nëpër botë.

Nuk kemi nivel për “Oscar”

“Filmat shqiptarë të prodhuar në vitin 2008-2009 nuk i plotësonin kushtet për të marrë pjesë në garën për “Oscar” në Los Anxhelos”. Kështu shprehet regjisori Saimir Kumbaro, i cili në janar të këtij viti shfaqi filmin e tij “Ne dhe Lenini”. Kumbaro thotë se është i ndërgjegjshëm për nivelin e filmit të tij dhe as që u mundua t’i futej procedurave për këtë garë. Për këtë edicion, kinematografia shqiptare shkon në garën e çmimeve “Oscar” me filmin “Gjallë” të Artan Minarollit.





Na ishte një herë Kinostudio

Sipas regjisorit Kumbaro, “AlbaFilmi” ky ish-institucion gjigant me statusin e servisit për kineastët ndërroi destinacion, duke u shndërruar në servise dhe lavazhe makinash. Një pjesë e territorit iu dha mediave televizive duke i nxjerrë përfundimisht jashtë loje kineastët... “Kinostudio pa laborator, pa atelie, pa salla montazhi e dublazhi, pa auditorium për miksazhin, sot është në pikë të hallit dhe askush nuk e di pse mbahet dhe menaxhohet ende nga shteti. Ministria e Kulturës, nga e cila varet ish-Kinostudio nuk ka asnjë plan perspektiv për të ndryshuar diçka dhe për ta rikthyer këtë institucion në një gjendje që t’u shërbejë kineastëve”, thotë Saimir Kumbaro. Sipas tij, në rast se shteti do financonte me një buxhet prej gati 1 milion eurosh, gjithçka do të rikthehej si më parë. Me këtë buxhet do bliheshin kamera, teknikë, pajisje ndriçimi, karela, dhe i gjithë ky arsenal do vihej në shërbim me pagesë për kineastët.

“Nuk do kish arsye qe regjisorët e producentët të merrnin me qira nga Bullgaria, Maqedonia, Italia pajisje duke bërë kështu që një pjesë e buxhetit të shkojë jashtë. Me një vullnet të mirë dhe me dëshirën për të ringjallur filmin shqiptar do bëhej e mundur që kinematografia të shpëtohej dhe dhjetëra të rinj që studiojnë në shkollat vendase të realizonin ëndrrat e tyre”.

Alma Mile, G Panorama

Ç'na mëson Frojdi për seksualitetin ?

1-Seksi fillon tek infanti. Ky ishte zbulimi më revolucionar i Frojdit. Në vitin 1900, për shumë njerëz, kjo ide ishte neveritëse. Sot, nga shumica e njerëzve, kjo pranohet si një realitet.


2-Teoria e libidos. Kjo teori bëri që të ndryshojnë pikëpamjet e vjetra mbi instinktin seksual. Instinkti seksual përpara Frojdit, konsiderohej si instinkt i shumëzimit.




Frojdi shpjegoi se ka shumë aspekte të sjelljes fëminore, që e kanë burimin në ndijimet e këndshme seksuale, dhe që nuk kanë të bëjnë fare me shumëzimin. Kështu, thithja e gishtit dhe të dalurit jashtë të fëmijës (defekimi), që sipas tij janë sjellje të qarta seksuale, nuk kanë asnjë lidhje me shumëzimin.


Ky konkluzion pati rëndësi shumë të madhe. Ai e zgjeroi kuptimin e seksualitetit tej konceptit vetëm për shumëzim. Njerëzit, ndryshe nga kafshët, bëjnë seks për tre arsye: a-për shumëzim, b-për kënaqësi dhe c- për krijimin dhe forcimin e lidhjeve midis tyre.


Fëmija, në "fazën seksuale orale", është tërësisht i varur nga nëna prej kënaqësisë që ai provon në gojën e tij, kur thith gjirin e nënës. Këtë kënaqësi, ai e ndjen në një moment të rëndësishëm biologjik, në momentin e rritjes së tij më të shpejtë, kur psikologjia e tij varet nga nevoja për t'u ushqyer. Kur nuk e plotëson këtë kërkesë, ai bëhet kërkues dhe agresiv.


Faza seksuale orale pasohet nga "faza seksuale anale". Gjatë kësaj faze fëmija mëson për herë të parë si të përdorë oturakun, ose tualetin, pra, të kontrollojë funksionet e tij trupore. Kjo fazë fillon afërsisht në moshën tetëmbëdhjetë muajshe.


Mësimi i tualetit, ndërthuret me kënaqësinë anale, që vjen nga mbajtja dhe nxjerrja e masës fekale. Psikologjia e fëmijës në këtë moshë dominohet nga agresioni, smira, kokëfortësia dhe hakmarrja. Ai largohet nga dashuria për të prekur e për t'u lyer me materiet fekale (coprophilia). Tani ai kërkon pastërtinë, i pakënaqur nga pisllëku.


Faza tjetër seksuale, fillon në moshën trevjeçare. Ajo karakterizohet nga masturbacioni infantil, nga kurioziteti seksual, nga sjelljet ambicioze me shpirt gare, dhe mbi të gjitha, nga "kompleksi i Edipit". Këto vite janë quajtur "faza fallike" e zhvillimit të fëmijës. (fallike vjen nga Phallus, që do të thotë penis).


Nga mosha gjashtë vjeç, ka një periudhë "latente", seksualisht të qetë, në të cilën kurioziteti i mëparshëm fëminor për çështjet e seksit, zëvendësohet nga kurioziteti për të gjithë ambientin e tij rrethues. Ai ndjek shkollën dhe shumë nga energjitë e tij shkojnë për të mësuar.


Afërsisht, në moshën dymbëdhjetë vjeç, me hyrjen në pubertet, fillon një ringjallje e interesave të tij seksuale. Në këtë kohë është duke u pjekur sistemi i tij i riprodhimit. Në këtë periudhë të stuhishme, faktori qendror psikologjik i fëmijës është pasiguria. Shkaku i kësaj pasigurie është fakti që një trup plotësisht i pjekur fizikisht, duhet të udhëhiqet nga një mendje pa eksperiencë.





Pjekja (maturimi), ose e ashtuquajtura "faza gjenitale", karakterizohet kryesisht nga njohja e vetes, siguria dhe kapaciteti për dashuri prej të pjekuri. Kjo mënyrë sjelljeje bëhet e mundur ngaqë ai, në këtë moment, ka larguar atë që deri tani ishte kryesore, shqetësimin për veten. Të gjitha fazat e kënaqësisë seksuale pregjenitale, përqendrohen kryesisht tek vetja, janë ego- centriste.


Ato janë narcistike, sepse i riu në këtë moshë është i shqetësuar për rritjen e tij, për ambientin e tij fizik dhe mendor. Vetëm kur ka arritur rritjen dhe është bërë i aftë për veten e tij, ai bëhet i zoti ta kthejë dashurinë nga vetja tek një tjetër.


Këto mësime kanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe duhet të njihen mirë nga ata që kanë marrë përsipër mirërritjen, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve, gjatë gjithë periudhave të zhvillimit të tyre.


Pa dyshim, Frojdi ishte një shkrimtar krijues, po aq sa dhe shkencëtar. Megjithatë, ai nuk fitoi "Çmimin Nobel" për shkrimet. Nuk e fitoi "Çmimin Nobel" as për shkencën. Komitetet, sa ishte gjallë (ky çmim u jepet të gjallëve), kurrë nuk menduan se ai e meritonte atë çmim, ndonëse influenca e tij në botë është shumë tronditëse (për mirë, apo për keq).


Në kohën viktoriane, kur jetoi Frojdi, të flitje për seksin ishte turp. Mendimi se incesti (kompleksi Edipit) është pjesë mendjes së infantit inocent, nuk mund të pranohej. Ideja që hodhi Frojdi, se jeta seksuale e dominon sjelljen tonë, mund ta çonte gjithkënd në disiluzion.


Kush përpara Frojdit do të kish pohuar hapur, se buzët janë ndërtuar për lojë seksuale?

I porsalinduri thith çdo gjë. Ai thith një biberon gome dhe jargëzohet mbi një kukull të pistë, ashtu siç do të bëjë njëzetë vjet më vonë, me një të dashur. Ishte Frojdi që tha, se çdo nënë e dado e di këtë fakt.


Ai mbante mend dadon e tij. Ndonëse, tanimë e vdekur, ai e ndjeu atë, e nxori nga skutat e errëta të mendjes së tij dhe e solli në pjesën e ndritur të saj. Mendja e Frojdit, tmerrësisht unike, shkoi akoma më larg. Ai gjeti simbole seksuale në gjërat e thjeshta, në aktin e ushqyerjes, në kopshtari, në procesin e gatimit.


Pa dyshim, këto simbole seksuale janë kudo, madje edhe në çdo kishë, por ishte zor të thuhej kjo e vërtetë në kohën viktoriane. Atë e tha vetëm Frojdi. Ndërsa sot, ky mendim shkon hapur, ose i maskuar rrugëve, kudo në botë.


Atë e gjen në grupet dhe klubet e të rinjve dhe të moshuarve. E gjen tek shkrimtarët, në novelat dhe filmat e tyre. E gjen në traktatet e filozofeve, të priftërinjve, bile edhe në shkrimet e ndonjë pape.



Frojdi dëshiroi ta ndajë meritën për pikëpamjen e tij më të shquar, edipizmin, me Sofokliun; grekun, që ishte i pari frojdian i botës. Vjena moderne takoi Athinën antike. Frojdi besonte se Sofokliu e nxori "Edipin Mbret" nga thellësia e tij.


Ai besonte se sa më i madh të jetë një dramaturg, aq më shumë nga jeta e tij personale fut brenda dramës. Natyrisht, këtë e bën jo dukshëm, e bën fshehurazi. Dramaturgu, vigjilon si të gjithë në sipërfaqe, jo tek ajo që është groposur thellë. Janë personazhet e dramës së tij, që bëjnë shkrirjen e mendjeve të tyre me mendjen e shkrimtarit.

Sot, më shumë se çdo gjë, psikiatrit nuhatin seksin tek të sëmurët e tyre. Ka shumë seks në çdo skenë. Cila pjesë do të qëndronte në skenë pa seksin? Njerëzit e të gjitha kohërave kanë pretenduar ta gëzojnë seksin dhe, sigurisht, kanë luftuar për këtë.


Janë pikërisht këto kontribute të Frojdit, që e vunë seksualitetin në qendër të veprimtarisë së lartë nervore. Në sajë të këtyre punimeve, njerëzit, sot, kudo, e shqiptojnë fjalën "penis", një lloj sikur të thonë "hunda" .

Shekulli