Saturday, January 9, 2010

Filmat shqip pas ‘90-ës, mediokër !

Me pak përjashtime, kinematografia post-komuniste në Shqipëri është mediokre. Këtë e thotë një prej kineastëve më të njohur shqiptarë, regjisori Saimir Kumbaro. Së fundmi ka qenë anëtar jurie i festivalit ndërkombëtar të filmit në Kosovë, ku pa se ku qëndron kinematografia shqiptare, krahasuar me atë të rajonit.



Në një intervistë, Kumbaro jep mendimin e tij se ku çalojnë filmat shqiptarë, ku ka gabuar Qendra Kombëtare Kinematografike në politikat që ka ndjekur dhe çfarë duhet bërë. Cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë kryetari dhe anëtarët e bordit të ri të QKK-së. Vetëm pak kohë më parë ju ishit anëtar i jurisë së “PRI-FILM FEST” në Kosovë, si qëndronte filmi shqiptar në këtë përballje të kinemasë ballkanike?
Në Prishtinë u organizua festivali i parë ndërkombëtar i filmit “PRI-FILM FEST”. Në të morën pjesë rreth 30 filma nga shumë vende të botës. Gjatë festivalit u ballafaqua filmi ballkanas. Mund të them se filmat e prodhuar nga Kroacia, Maqedonia dhe Bosnja qëndronin më lart se filmat shqiptarë. Juria e festivalit nderoi me çmimin special të jurisë filmin e regjisorit Gjergj Xhuvani. Filmi më i mirë ishte ai boshnjak dhe me radhë filmi maqedonas, kroat dhe afganistanas. Filmi i Xhuvanit “Lindje-Perëndim –Lindje” la pas filmin gjerman, anglez, malazez.

Ku mendoni se çalon kinematografia shqiptare?

Pikat e dobëta sipas meje janë: producenti dhe skenari. Gjithashtu mirë do qe që (duke ju referuar Ligjit për kinematografinë) që nga kontingjenti i të rinjve të përzgjidheshin elementë që kanë vërtetuar se kanë talent dhe janë të aftë të prodhojnë një film. Në vitin 1996 me dëshirën e mirë që produkti kinematografik do rriste cilësinë dhe sasinë, u krijua Qendra Kombëtare Kinematografike. Duke mos e pasur fort në konsideratë artin e shtatë, Qeveria me propozimin e ministrit të Kulturës vunë në krye të saj aktorë, apo ekonomistë me njohuri dhe vizion të limituar për të ardhmen e kinematografisë. Faktet flasin vetë. Kanë kaluar afro 13 vjet dhe po të shohim cilësinë e filmit shqiptar të prodhuar pas vitit 1996 niveli artistik lë për të dëshiruar. Veçoj këtu regjisorin Gj. Xhuvani, i cili ka prodhuar një apo dy filma cilësorë. Të tjerët futen në kategorinë e mediokritetit.

Ku mendoni se ka gabuar QKK, në politikat që ka ndjekur?

Mendoj se gjithçka çalon në përcaktimin e anëtarëve të KMP dhe emërimin e një kryetari të QKK. Ndërsa bordi (këshilli i miratimit të projekteve) ka në përbërjen e tij një grup prej 7 anëtarësh, të cilët miratojnë projektet dhe më pas marrin vulën e kryetarit të QKK për të hyrë në prodhim. Një KMP ku shumica janë aktorë pa njohuri përkatëse për filmin dhe nuk kanë aftësinë të shohin filmin e ardhshëm që në skenar (Vepra letrare). Dihet që një skenar i mirë premton për film të mire dhe një i dobët, sado i aftë të jetë regjisori nuk mund ta kalojë mesataren e një filmi. Mendoj se ata që qenë në bordin e shkuar nuk i plotësonin kushtet dhe nuk i kanë njohuritë e duhura që të jenë në gjendje të analizojnë një skenar filmi. Kjo gjë ka bërë që në prodhim të hyjnë filma që me zor i afrohen prodhimeve të realizuara në periudhën komuniste.

Po sa i përket mbështetjes financiare, a ka qenë QKK, një menaxhere e mirë fondesh?

Një politikë e gabuar po ndiqet nga Kryetari i QKK zoti Xhevdet Feri, i cili fut në prodhim regjisorë të huaj, të cilët marrin shuma të konsiderueshme nga fondi i QKK-së për të prodhuar një film që në fund të fundit cilësohet si një vepër e regjisorit. Askush nuk mund të thotë se prodhimi shqiptaro-serb “Muaji i mjaltit” është film shqiptar. “Muaji i mjaltit” është “një film nga Goran Paskaleviç”. Po kështu, rasti i fundit është ai ku një regjisor i panjohur gjerman, që ka xhiruar vetëm dokumentarë merr një buxhet prej gati 290.000 euro për 16 ditë xhirim në Tropojë. QKK nuk kishte pse tregohej kaq bujare. Të xhirosh në Tropojë 16 ditë me një grup prej 30-40 vetësh nuk ka pse të trajtohej me një buxhet të tillë. Një film me metrazh të shkurtër nuk kushton më shumë se 30.000-50.000 euro. Çuditërisht regjisorit gjerman i jepet një buxhet, i cili nuk e justifikon QKK. Ndërkohë regjisorë si Anagnosti, Çashku, Mitro, Muçaj, Kapexhiu, Mysliu dhe Prifti presin radhën me shpresë se politika e QKK-së do ndryshojë dhe do t’i afrojë kineastët e vjetër që gëzojnë shëndet. Kurosava ka xhiruar edhe kur ishte 90 vjeç. Arti nuk njeh moshë. Franca, vendi ku lindi kinemaja ka krijuar një fond të veçantë për vendet frankofone me qëllimin e mirë të mbështesë regjisorët e huaj dhe ky fond nuk i kalon të 100-130 mijë euro.

Megjithatë nuk mungojnë politikat për të mbështetur kineastët e rinj...
QKK financon studentët e Akademisë së Arteve, dega regjisurë filmi. Kjo praktikë bie ndesh me ligjin, i cili thotë se QKK duhet të mbështesë kineastët e rinj. Një student është në rrugë drejt të bërit kineast. Kur të diplomohet dhe të tregojë se i ka aftësitë si regjisor, atëherë QKK duhet t’i mbështesë nëse KMP u miraton projektet. Një tjetër e metë e politikës së QKK është e drejta e licencimit. Edhe pse shteti ka krijuar Drejtorinë e Licencimit, QKK gëzon të drejtën të licencojë cilindo që kërkon të bëhet producent. Mjafton të kesh dëshirë, të paguash në arkën e QKK, 4000 lekë dhe menjëherë fiton të drejtën e aplikimit për të kërkuar para. Praktika ka treguar se producentët që nuk janë në gjendje të bëjnë montazh financiar, pra të gjejnë para, nuk ka pse ta fitojnë të drejtën e punëmarrjes. Në rast se vazhdohet me të njëjtën politikë kulturore në kinematografi si dhe miratimin nga kryetari i ri i QKK-së i një bordi të manipulueshëm dhe jo profesional, veprat e reja do jenë nën nivelin mesatar.


Atëherë, si mund të funksiononte më mirë QKK?
Që QKK të menaxhohet me kualitet profesional do t’i sugjeroja Ministrit të Kulturës të bazohet në Ligjin e kinematografisë për emërimin e kryetarit te ri të saj. Ai duhet të përzgjedhë mes kandidaturave ata më profesionalët, duke u bazuar në platformat personale që duhet t’i paraqesin komunitetit të kineastëve dhe personalisht specialistëve në MTKRS. Ministri (sipas ligjit) të propozojë në qeveri për kryetar të QKK një kineast që e njeh menaxhimin e filmit, ka kulturë profesionale, dhe vë në jetë politika në zhvillim të kinematografisë. Ka ardhur koha që në krye të QKK-së të mos emërohen njerëz që prej vitesh kanë hyrë në protokoll, por drejtues që i shërbejnë komunitetit të kineastëve. Shpresojme që z. Ministër, edhe pse pak e njeh kinematografinë, të marrë në konsideratë propozimet e kineastëve me përvojë. Si përfaqësues i “Euroimage”, ministri të marrë mendimin e kineastëve që e njohin mirë kinematografinë, si në planin teorik, ashtu dhe profesional praktik. Z. ministër të bëjë përpjekje që buxheti i QKK të rritet deri në 2 milion euro. Vetëm kështu, kinematografia shqiptare do ta luajë drejt rolin e saj si ambasadore nëpër botë.

Nuk kemi nivel për “Oscar”

“Filmat shqiptarë të prodhuar në vitin 2008-2009 nuk i plotësonin kushtet për të marrë pjesë në garën për “Oscar” në Los Anxhelos”. Kështu shprehet regjisori Saimir Kumbaro, i cili në janar të këtij viti shfaqi filmin e tij “Ne dhe Lenini”. Kumbaro thotë se është i ndërgjegjshëm për nivelin e filmit të tij dhe as që u mundua t’i futej procedurave për këtë garë. Për këtë edicion, kinematografia shqiptare shkon në garën e çmimeve “Oscar” me filmin “Gjallë” të Artan Minarollit.





Na ishte një herë Kinostudio

Sipas regjisorit Kumbaro, “AlbaFilmi” ky ish-institucion gjigant me statusin e servisit për kineastët ndërroi destinacion, duke u shndërruar në servise dhe lavazhe makinash. Një pjesë e territorit iu dha mediave televizive duke i nxjerrë përfundimisht jashtë loje kineastët... “Kinostudio pa laborator, pa atelie, pa salla montazhi e dublazhi, pa auditorium për miksazhin, sot është në pikë të hallit dhe askush nuk e di pse mbahet dhe menaxhohet ende nga shteti. Ministria e Kulturës, nga e cila varet ish-Kinostudio nuk ka asnjë plan perspektiv për të ndryshuar diçka dhe për ta rikthyer këtë institucion në një gjendje që t’u shërbejë kineastëve”, thotë Saimir Kumbaro. Sipas tij, në rast se shteti do financonte me një buxhet prej gati 1 milion eurosh, gjithçka do të rikthehej si më parë. Me këtë buxhet do bliheshin kamera, teknikë, pajisje ndriçimi, karela, dhe i gjithë ky arsenal do vihej në shërbim me pagesë për kineastët.

“Nuk do kish arsye qe regjisorët e producentët të merrnin me qira nga Bullgaria, Maqedonia, Italia pajisje duke bërë kështu që një pjesë e buxhetit të shkojë jashtë. Me një vullnet të mirë dhe me dëshirën për të ringjallur filmin shqiptar do bëhej e mundur që kinematografia të shpëtohej dhe dhjetëra të rinj që studiojnë në shkollat vendase të realizonin ëndrrat e tyre”.

Alma Mile, G Panorama

No comments: