Sunday, January 17, 2010

Arrestohet “Mesia i rremë”. Kishte 30 gra e 30 fëmijë

Izrael, mesia i rremë akuzohet për keqtrajtime dhe incest.

Policia izraelite ka arrestuar një 60-vjeçar hebre që vetëkonsiderohej “I mençur”, pas akuzave se ai kishte ngritur një harem të vërtetë me 30 gra dhe 60 fëmijë. Dyshohet se ai ka kryer akte incesti dhe abuzime seksuale ndaj tyre.

I arrestuari quhet Goel Ratzon dhe është cilësuar nga media hebraike si Josef Fritzl i Izraelit. Ai thuhet se i mbante gratë dhe fëmijët si skllevër në një apartament të ndyrë në rrethinat e Tel Avivit. Ratzon ka qenë i ndaluar që nga e enjtja. Hetimet ndaj rastit të tij kanë nisur që nga vera e kaluar, pasi një grua dëshmoi se ndaj saj ishin kryer abuzime. Sipas akuzës dhe fakteve të mbledhura më pas, i dyshuari i mbante gratë e tij nën kontroll me një dorë të hekurt, përfshi këtu edhe gjërat e tyre të çmuara, apo paratë. Ai kishte shkruar një libër me rregulla për to, në mënyrë që t’i mbante në kushtet e skllavërisë. Ishte ai që vendoste se çfarë duhej dhe çfarë nuk duhej të bënin ato, të përcaktonte lëvizjet e tyre dhe të vendoste sanksione e dënime të ndryshme ndaj tyre, përfshi edhe përdorimin e dhunës nëse ato nuk do t’u bindeshin urdhrave të tij.

Mes akuzave të tjera që janë ngritur ndaj Ratzon, është edhe ajo e sjelljes në jetë të fëmijëve nga marrëdhënia seksuale me disa prej vajzave të tij. Disa nga gratë që u vetidentifikuan si bashkëshortet e Ratzonit janë shfaqur në një dokumentar në televizion i transmetuar në Izrael vitin e kaluar. Ato janë filmuar duke e ushqyer burrin e tyre dhe duke i krehur flokët.

Njëra prej tyre u shpreh e bindur se ai ishte Mesia, për të cilin flisnin të gjithë. “Ai është këtu mes nesh, por ende nuk e ka shpallur këtë botërisht. Ditën që kjo do të ndodhë, toka do të tronditet e tëra dhe bota do të ndryshojë”, ka deklaruar njëra nga gratë në dokumentar. Ndërsa, sipas avokatit të të akuzuarit, klienti i tij nuk është faktor për asnjë shkelje, sepse gratë e kanë bërë gjithçka me vullnet të plotë.


Shqip

No comments: