Ka kohë që në Shqipëri qarkullon lajmi mbi një ndeshje miqësore midis Gramozit të Ersekës dhe Realit të Madridit, e cila do të luhet në Tiranë. Këtë udhëtim egzotik të “galaktikëve madrilenë” do ta financojë kompania shqiptare “Taçi Oil International”.
Në fakt, jo vetëm udhëtimin. Kjo kompani ka rënë dakord të paguajë dhe një shumë të mirë parash, të cilat do të shkojnë në arkën e klubit të famshëm madrilèn. Është pikërisht kjo shumë, që e ka kandisur Florentino Perez-in të sjellë yjet e shumëkërkuar të futbollit botëror për të luajtur me çunat diletantë të Ersekës. Dhe kjo kuptohet. Ajo që s’para kuptohet ka të bëjë me kompaninë shqiptare. Pse vallë kjo e fundit është e gatshme të harxhojë një dorë të mirë parásh për një veprimtari thjesht sportive? Dikush mund të thotë se kemi të bëjmë me një operacion inteligjent marketingu. Ou? Po si kështu? A mos vallë për këtë ndeshje do të flasë shtypi e media botërore? Do t’i bëjë jehonë CNN-i, BBC-ja, Al Jazeera, etj, etj? Jo, as që bëhet fjalë. Ja, u bë ndeshja me Milanin, dhe i vetmi stacion televiziv që foli ishte stacioni homonimik “Milan Channel”. Afërmendsh, dhe televizionet e gazetat shqiptare. Quhet ky marketing?
Por edhe sikur të fliste gjithë bota mbi faktin, që ndeshja midis skuadrës së madhe të Realit e skuadrës së përunjur të Gramozit financohet nga “Taçi Oil International”, prapëseprapë nuk do të besohej se kompania shqiptare, bash për shkak të këtij “operacioni të suksesshëm marketingu”, do të hynte në mënyrë prepotente në tregun rajonal, kontinental e botëror të naftës, ku lojtarët e fortë imponohen ose me faktin që janë fare pranë burimeve (kompanitë arabe, fjala vjen), ose me emrin e me traditën (sidozot kompanitë amerikane), ose me forcën e regjimeve politike në mbështetje të tyre (kuptohet, kompanitë ruse).
“Mor po çfarë të duhet ty me marketingun e kompanisë në fjalë?
Është punë e Taçit se ku i çon paratë e veta” – mund të thotë ndokush. Përgjigja ime është e thjeshtë. Afërmendsh, mua nuk më duhet gjë me paratë e Taçit. As me strategjinë e tij të marketingut. Personalisht nuk e di se si Taçi është bërë biznesmen. Dhe as që dua ta di, pasi nuk kam ndonjë kureshtje kushedi se çfarë për të njohur gjëra nga bota e rrëmujshme dhe e mistershme e sipërmarrjes shqiptare. E vërteta është se kam hasur ditë për ditë një reagim e pakënaqësi të madhe (besoj, se të gjithë jemi dëshmitarë të këtij reagimi), por nuk kam patur ndërmend të bëhem interpret i këtij zemërimi popullor. Do më pëlqlente ta shihja të artikuluar në mass-media këtë zemërim (mass-media prandaj egziston), por vetë nuk e kam parë të udhës t’i jap zë në public këtij vox populi të dëgjuar në rrugë, në shtëpi, në supermarket-e, në kafene, etj. Nuk kam dashur pikërisht për ato arsye që thashë pak më sipër: punët e paratë e Taçit janë punët e paratë e Taçit.
Më nxjerr pak nga binarët ideja që dikush çon dëm disa milionë euro në një vend si Shqipëria, ku me kaq para mund të riparosh e ndërtosh të gjitha shkollat e vendit, por në fund fare prapëseprapë them, që paratë e Taçit janë paratë e Taçit.
Mirëpo, dy ditë më parë, kur pashë një manager-e të kompanisë “Taçi…”, që premtoi se paratë e fituara nga shitja e biletave të ndeshjes, do të shkojnë në ndihmë të dëmtuarve nga përmbytja në veri të Shqipërisë, thashë me vete: në këtë rast nuk kemi të bëjmë as me operacione marketingu, as me gjeste bamirësie. Ky është një protagonizëm që nuk shkon me asnjë logjikë biznesi, është një tentativë e re komiko-tragjike për të ri-vefa-izuar kapitalizmin shqiptar, është një përpjekje për të rikrijuar modelin e sipërmarrësit, i cili në të njëjtën kohë bën një numur gjërash: ka normë të jashtëzakonshme fitimi (ndryshe, pse do t’i flakte tak-fak disa milionë euro), është aktor i ditëpërditshëm në skenën publike shqiptare, hedh copëra lëmoshash për njerëz në nevojë, e më në fund, është dhe klient i pushtetit politik. Fakti i fundit njihet botërisht, por edhe sikur të ish një marrëdhënie klientelare e konsumuar skutave e cepave, ajo do të dilte në shesh në rrethanat, kur kryeministri pret e përcjell skuadrat e mëdha të futbollit, që ftohen në Tiranë me paratë e Taçit. Kryeministri ynë me siguri ish përgatitur të bënte të njëjtën gjë edhe me Ronaldon, Kakanë e të tjerët, të cilët do t’i priste në zyrën e vet e prej të cilëve do t’i dhurohej bluza me numrin 1, por përmbytja në veri ia prishi planet. Për fatin e keq të kryeministrit tonë qokaxhi, ky show i përgatitur deri në detaje nuk do të luhet (megjithëse ca miq të mij donin të vinin bast me mua, që Berisha do ta bëjë se s’bën orgjinë e planifikuar në zyrën e kryeministrisë).
Të përmbledhura, problemet që prezanton kjo lloj sipërmarrjeje, janë dy: i pari është guximi për të dalë në publik e për të na thënë të gjithëve, se “unë fitoj tmerrësisht shumë, aq shumë se s’e kam për gjë fare të flak disa milionë euro për një spektakël futbollistik që zgjat veç një orë e dyzetpesë minuta”. Lind pyetja: Ç’janë këta biznesmenë, të cilëve u lipsen veç tre-katër vjet për t’u bërë aq të pasur, sa mund të pretendojnë blerjen e klubeve sportive me nam ndërkombëtar?
Si shpjegohet pra ky krijim pasurie fët e fët? Kanë shpikur ndonjë kompani të çuditshme dot-com, a ndonjë start up, me të cilat operojnë në fusha të panjohura më parë? Apo kanë shpikur ndonjë motor të ri kërkimi në fushën e kibernetikës, që konkuron google-in e yahoo-në? Apo kanë ndërtuar ndonjë Silicon Valley në bregdetin shqiptar? Apo kanë bërë spekullime spektakolare në tregun ndërkombëtar të aksioneve, duke shitur e blerë options, futures, securities, mutual funds, etj? Çfarë dreqin bëjnë këta që fitojnë kaq shumë? Kuptohet, nuk bëjnë asgjë të llojit të bizneseve apo shpikjeve që përmenda më sipër.
I dyti është guximi për të lozur politikisht, e për të mos e fshehur fare se lindin, gjallojnë, veprojnë e rriten e gjigandizohen sa hap e mbyll sytë nën kujdesin e një instance të epërme, gjë që ndodh veç në regjimet korporativiste (corporate, do thoshin anglo-saksonët), ku biznesmenët (ashtu si dhe gazetat, gazetarët, intelektualët, klerikët, akademikët, etj, etj), jo vetëm improvizohen nga qeveria, por edhe vihen në funksion të medemek projekteve e vizioneve (deri dhe të halleve) të qeverisë. Ne jetojmë tanimë në një sistem korporativist, jashtë të cilit është ose pamundur, ose e rrezikshme të jetosh. Ti mund të provokosh Gërdecin, e mund të përmbytësh gjysmën e Shqipërisë, por nuk të gjen gjë nëse je në shërbim të qeverisë. Në të kundërt, po të jesh kundër qeverisë, mund ta pësosh edhe pa bërë asgjë anti e jo ligjore. Berisha do të vazhdojë deri në fund me këtë strategji të ndërtimit të një regjimi korporativist, synimi i të cilit është të fabrikojë qytetarë të llojit të atyre shkodranëve, të cilët, të hipur mbi barka apo të zhytur deri në brez në detin me ujë, që ua shndërroi në hiç mall e katandi, gjenin rast të drejtoheshin nga kamerat e të ngrinin lart dy gishtat, si shenjë besnikërie ndaj të sëmurit psikik që sundon këtë vend gjithashtu të sëmurë.
Duhet ta durojmë gjatë këtë regjim?
Mustafa Nano, Korrieri
No comments:
Post a Comment