Friday, January 29, 2010

Si u bënë shqiptarët kamikazë ?

Mos u habisni fare për këtë! Ndodhin transformime të mëdha brenda shpirtit të një populli dhe “kamikazllëku” është një ndër to dhe brenda nesh. A nuk i quajmë me këtë emër, përditë dhe disa herë në ditë, bashkëqytetarët tanë që mund të bëjnë gjithçka, po vetëm një gjë s’kanë mësuar ende: si të ngasin makinat.

Dhe kjo nuk do shumë mund për t’u shpjeguar. Problemi nuk qëndron te sjellja jonë që ja bën muuu, por te ndryshimi i saj. Ndërkohë që jemi në bisedime për të barazuar patentat shqiptare me patentat evropiane, nuk mund të mos bjerë në sy që ngarësit e makinave tek ne, vetëmse evropianë nuk mund të quhen. Ndoshta duhet vënë në dijeni qytetari italian që po barazohet me qytetarin shqiptar, se të paktën për ne shkon ajo thënia e tmerrshme: “Arma më vdekjeprurëse në botë është njeriu”.

Nëse do të bëjmë një tipologji të thjeshtë të ngarësit shqiptar, do të bindemi katërçipërisht se në vend që të japim patenta, duhet të heqim patenta; në vend që t’i barazojmë duhet t’i margjinalizojmë. Gjithçka tek ne ka pamjen e fasadës, dhe sado që pamja e patentave tona është e mrekullishme, asaj nuk i bashkëngjitet një përvojë rrugore po aq e mrekullishme. U desh përmbytja e rrugëve me gjak, që disa njerëzve të rëndësishëm të medias t’u hapeshin sytë për rrezikun potencial dhe real të makinizmit në Shqipëri. Dhe nuk bëhet fjalë për shoferët, se ata ende kanë ndonjë ndjesi për rrugën dhe njerëzit në rrugë, por për ngarësit e zakonshëm të makinave. Ndërkohë që targat e makinave kanë mbaruar edhe numri i viktimave është shtuar. Mjafton të kujtojmë se gjatë diktaturës u vranë në 40 vjet rreth 5000 vetë, ndërsa në 20 vjetët e tranzicionit vetëm në rrugë kanë humbur jetën rreth 7000 vetë, për të vënë alarmin jo tek ne, se ne nuk kemi veshë, po te të huajt, sidomos tek ata të huaj që po tregohen dashamirës me ne për punë patentash. Ndërkohë që duhet të thonë stop, ata vetë po shtojnë rrezikshmërinë për qytetarët e tyre, duke lejuar një masë njerëzish që vetëm të marrë mund të quhen, të ngasin auto-bombat e tyre në territore evropiane, ndërkohë që duhen izoluar njëlloj siç bëhej dikur me të sëmurët me murtajë.

Le t’i kthehemi tipologjisë ngarëse, se ajo edhe pse në terma letrarë e deskriptivë, përsëri mund të shpjegojë shumëçka. A nuk jemi ne që ndalojmë makinën në mes të rrugëve tona të projektuara vetëm për mushka, për të bërë një dorë muhabet me baxhanakun e dajës, sepse na ka marrë shumë malli për të, ndërsa radha e makinave prapa bëhet e pamasë. Dhe nëse dikush i bie borisë i nervozuar, ata që kanë ndaluar dalin si bllok nga makina në mënyrë kërcënuese, sa ta ngrijnë buzëqeshjen në buzë. A nuk na ndodh në rrugët tona, që sapo parakalon dikë me shpejtësi normale, ky të riparakalon me shpejtësi anormale, për të ndaluar vetëm pak sekonda pas parakalimit gjithë tym në një kthesë aty pranë, dhe pikërisht përpara syve tuaj të terrorizuar që nuk e kuptojnë dot përsenë e gjithë këtij raptus-i.
A mund të shpjegojë dikush përse tek ne dhe vetëm tek ne makinat janë të gjitha homoseksuale. Ato të ngjeshen në prapanicë edhe kur je me 1 km në orë dhe kur je me 100 në orë. Ndërsa duhej të rrinin larg teje 1 metër për çdo kilometër shpejtësi. Nëse të takon të kthehesh apo të bësh ndonjë manovër, mundësia nuk ekziston se ndërkohë je ngushtuar kaq shumë dhe të tjerët pas teje janë ngushtuar edhe më shumë, sa e vetmja rrugëzgjidhje është të bësh atë çka duan të ndërkryerit dhe jo ti që ke hallin. Si shpjegohet që kur një mori makinash janë në radhë, një mori tjetër makinash i bie anash teje me shpejtësi marramendëse, dhe mbi të gjitha si shpjegohet që këta ikin në punë të vet duke kaluar nga krahu i kundërt, ndërsa ti pret edhe më shumë në radhë. Kush është në gjendje ta shpjegojë se përse në çdo orë të ditës dhe të natës poshtë pallatit tënd dhe brenda veshit tënd, mijëra njerëz u bien njëkohësisht mijëra borive, madje dhe kur është polici në semafor, a thua se njerëzit janë elefantë që merren vesh me njëri-tjetrin me bori? A thua se mjafton akti kërcënues i borisë për të zgjidhur problemin rrugor? Vetëm ideja që njerëzit i bien borisë në zona të banuara, duhet të mjaftonte për këdo që ne nuk kemi asnjë të drejtë të quhemi evropianë. Po ky është diskutim i gjatë dhe në këtë pikë patriotizmi fals mund të fitojë debatin, ndaj le të shkojmë më tutje.

Nëse jemi katilë me veten, përse duhet të jemi katilë me fëmijët, që i mbajmë tërëplotësisht në sedilen e parë dhe të palidhur me rrip. Nëse do të numërohen kokat e fëmijëve që shihen jashtë dritares së makinës, do të duhej të kishte me dhjetëra dorëheqje të krerëve më të lartë të Policisë Rrugore. Por këta s’mund të bëhen me faj. Gjithë ditën e lume u rrinë para-prapa pushtetarëve, duke u hapur rrugën; detyrë që e kryejnë me zell të madh dhe me saktësi të habitshme. Dhe gjithashtu janë tatimorët më të çuditshëm në botë, sidomos kur shpallin fushatën e gjobëvënies, kur shqetësohen më shumë për rripin e pavënë, kur janë të dypunësuar si taksistë të paliçensuar, dhe të trepunësuar kur i shërbejnë mafies së karroatrecëve. Ka muaj kur numri i gjobave e tejkalon atë të muajit pararendës, ndërkohë që në sjelljen tonë rrugore nuk ka ndryshuar asgjë.

Ndërsa dasmorët shqiptarë janë dasmorët më ekstremistë në botë. Ata përgjithësisht bllokojnë rrugët tona dhe trupat e tyre përgjithësisht gjenden jashtë dritareve. Janë të gjithë të gëzuar që po atë natë, dikush mund të humbë ligjërisht virgjërinë. Dhe me këtë rast, na bëjnë të gjithëve pjesë të të njëjtit gëzim. Vetëm se ne nuk dalim nga dritarja për shkak se këtë punë mund ta kemi kryer kohë më parë. Por jo se nuk jemi të gëzuar.

Sa herë ju ka rënë rasti të prisni me minuta të tëra derisa një femër të parkojë makinën në një vend ku mund të parkohet edhe një kamion?

Nëse nuk ju ka rënë rasti, si duket nuk jetoni në kërthizë të Shqipërisë. Por do keni rast ta shuani kuriozitetin tuaj. Cili është ai institucion që lëshon patenta për detonatorë të tillë? Hajde merre vesh. Dhe mbi të gjitha, përse kur dikush është në vështirësi në rrugë, ndihma jonë e përnjëhershme është shtypja deri në dërrasë e borisë. Psikologët thonë që kjo e ndihmon njeriun të kthjellohet. Edhe kinezët e thonë: “turbullohu se kthjellohesh”. Përse njerëzit mësojnë në autoshkolla gjithë ato gjëra që në jetën tonë as janë parë as janë dëgjuar, si p.sh. tabela e kafshëve të egra ose ca të tjera edhe më të çuditshme. Pjesa më e madhe e njerëzve që ecin në rrugë kundratabelë janë nevrikë patologjikë. Këshilla e përgjithshme është të mos kundërshtohen atypëraty. Mund të shkaktojnë dëme të pamatshme. Shajini pasi të jenë larguar të paktën 25 kilometra. Në këtë pikë është e sigurt që nuk ju dëgjojnë. Ti që je në rrugën tënde nuk arrin të inatosesh dot aq shpejt dhe aq fort sa ata që të kanë zënë rrugën dhe të detyrojnë ty të ecësh mbrapsht si zgjidhja më efikase dhe më evropiane.

Është një fakt i pamohueshëm që qytetari këmbësor të falënderon kur i hap rrugën. Ai i shkreti preket nga ky gjest kalorësiak prej Mesjete. Por ja që Mesjeta nuk ka qenë krejt e keqe.

Po ç’ndodh në rrugët tona kur bie shi?
Jo nuk bëhet fjalë për përmbytjen, por për çmendjen e makinave, jo të njerëzve kuptohet. Sa herë që bie shi, bie çmenduri. Makinat ecin me shpejtësi edhe më të madhe. Ka edhe më shumë makina në rrugë, se askush nuk do të laget. Po kjo dihet. Ajo që nuk dihet është se përse ngarësit e makinave shkruajnë mesazhe në celular. A nuk mund të mjaftoheshim vetëm me të folmen e paligjshme telefonike? Jo, pa tjetër duhet kthyer përgjigje në celular, madje me humor. Ndërsa në orët e vona të natës, të gjithë të pasionuarit pas Formula 1, mund të kënaqen me spektaklin e ofruar. Semaforët nuk respektohen, dhe kjo është e keqja më e vogël. Shpejtësia e ofruar është mbresëlënëse.

Veturat që shkaktojnë më shumë kaos në rrugët tona janë ato me targa CD. Ato nuk pyesin për asnjë lloj rregulli, sidomos kur i ngasin jo të huajt. Pastaj në vendin e dytë janë furgonët e shpërndarjes së mallrave. Ata janë pronarët e vërtetë të rrugës. Ata mund të ndalojnë kudo dhe kurdo. Dikur ishte një fjalë, “i plotfuqishëm i lagjes”. Mund të përdorim rishtas për këtë kategori, që për më tepër nuk i ka as makinat personale. Pastaj vijnë motorinot e picave dhe ata motorët që bëjnë zhurmë më shumë se sa tankset e komunizmit. Këta janë si elektronet e lirë brenda atomit. Në radhë vijnë taksistët që kanë një marifet të jashtëzakonshëm. Ata i fitojnë gjithmonë betejat rrugore, me këdo. Hunda e makinës së tyre është më e shpejta në botë. Fuoristradat prepotente nuk do t’i përmendim. Me ato nuk ja vlen të kruhesh. As policët nuk e bëjnë. Pastaj, në radhë menjëherë vijnë të gjithë këmbësorët. A duhen patentuar këmbësorët? Po! Të gjithë! Këmbësorët janë shkaku kryesor i trafikut qytetës. Ata ecin vend e pa vend. Ata nuk e duan jetën. Ata janë më të rrezikshëm se sa makinistët. Ata janë kandidatë për vetvrasës. Dhe pikërisht këtu ndodh, që fillon kundërshtimi me idenë. Por nuk duhet kundërshtuar ideja, duhet kundërshtuar realiteti. Ai është i hidhur, jo ideja.

Pra, rreziku nuk janë ata të shkretë që tashmë e kanë kryer gjakderdhjen, por ajo masë qindra mijëshe që janë në listë pritjeje. Kjo masë eksplozive duhet ndaluar. Në mos nga ne, nga ata që hanë paret e Evropës dhe këndojnë këngën tonë. Nuk mund të pajtohemi me mendësinë e një vendi ku një njeri kushton më pak se sa një tabelë. Zgjidhjet janë shumë të lehta e të shpejta. Mjafton të bëhet pyetja si i bëhet hallit. Kryesorja është të kujdesemi të gjithë, këto ditë, për makinat me targa të huaja. Ata që i ngasin janë në rrezik. Edhe ne të tjerët.


Erion Kristo
http://saktivista.blogspot.com/

No comments: