Sunday, January 17, 2010

Çfarë është dhe çfarë nuk është demokratike?

Lamë pas një vit me shumë tensione politike, të cilat, duke qenë se kanë për shkak mungesën e kulturës demokratike për funksionimin e një demokracie të vërtetë, e fillova këtë vit të ri pikërisht me komentin se “Çfarë është dhe çfarë nuk është demokratike?

Prandaj fillimisht po e nisim se çfarë përfaqëson dhe cilët janë elementet kryesore përbërëse të demokracisë së vërtetë. Matematikisht demokracia përbëhet nga shuma e liri + barazi + vëllazëri. Prandaj liri-barazi-vëllazërim është vlera e madhe e Revolucionit të Madh Francez të 1789.

* * *
Të dashur lexues, nëse më lejoni, dua t’ju shpjegoj:
1. Në vendin që nuk ka liri, nuk ka demokraci.
2. Në vendin që nuk ka barazi, nuk ka demokraci.
3. Në vendin që nuk ka vëllazëri, nuk ka demokraci.
Të tjerat janë pallavra. Janë hija e minares dhe pluhuri i daulles.


Liria është konkrete, barazia është konkrete, vëllazërimi është konkret. Atëherë edhe demokracia është konkrete. Ashtu siç nuk janë abstrakte liria, barazia dhe vëllazërimi, ashtu nuk është abstrakte edhe demokracia. Demokracia nuk i ngjan në asnjë mënyrë kafesë turke: sade, me pak sheqer, të mesme apo me shumë sheqer. Për këtë arsye kërkesa “më shumë demokraci” është një sofizëm, është një e folur përçart. Ajo shpreh mungesën e demokracisë.

Sipas kujt “më shumë demokraci”? Çfarë është demokracia të dashur lexues?
Në qoftë se pyesim një nxënës të shkollës fillore, që nuk luan vetëm me kompjuter, do të përgjigjet se demokracia është pushteti i popullit. Por pushteti i popullit është një koncept abstrakt, sepse veçanërisht në vendet e pazhvilluara nuk realizohen një sërë të të drejtave të pushtetit të popullit. Bile ankesa, por jo të këtij niveli, ka edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Angli. Pa sovranitetin e vërtetë të kombit, pa qenë ai i popullit, pa qenë në bazë të pasurisë drejtësia, zotërimi i lirisë, i barazisë dhe i vëllazërisë janë një spekulim i demokracisë, është ëndërr e parealizueshme, është rrëzuar, është një vegim.

Sistemi shumëpartiak, parlamenti, zgjedhjet e lira, ndarja e pushteteve, ekzistenca e institucioneve të kontrollit, si Gjykata Kushtetuese, Prokuroria nuk janë treguesi i demokracisë. Parlamenti dhe deputetët e tij, qeveria dhe organet e tij janë pengesat më të mëdha që qëndrojnë përpara pushtetit të popullit kur ato nuk vendosen në shërbim të popullit. Ky përbën edhe shqetësimin kryesor të qytetarëve shqiptarë, pasi këto pushtete dhe institucione të shtetit, në vend të përkushtohen në të gjitha diskutimet dhe veprimtaritë e tyre për rritjen e nivelit ekonomik të të gjitha shtresave të popullsisë, sillen dhe veprojnë sikur nuk janë zgjedhur nga ky popull për ta përfaqësuar dhe mbrojtura atë. Të mos ngatërrojmë me njëri-tjetrin shtetin me qeverinë. Në frëngjisht shteti shkruhet me “E” të madhe: Etat. Te ne, sido që të jetë i ngatërrojnë të dyja me njëra-tjetrën. Në ngjarjet e rënda përfaqësuesit e popullit me ata që diskutojnë në televizione, në vend të bërtasin “qeveria ku është?”, thonë “shteti ku është?”. Në një vend që populli ngatërron shtetin me qeverinë nuk vendoset as demokracia konkrete dhe as demokracia abstrakte.

Nëpunësi amerikan nuk thotë se punoj për shtetin, por thotë se “unë punoj për qeverinë”. Tani të japim një ngjashmëri kaba: shteti është një kamion i ngarkuar. Qeveria, e cila ka në dorën e saj çelësin e kontaktit, është shoferi i kamionit. Shoferi e çon në vendin që dëshiron kamionin e ngarkuar të shtetit, mallin e shkarkon në vendin që dëshiron. Qeveria është ajo që vendos se ku do të investohet, ku do të zbrazë paratë për të ndërtuar. Nga politikat e saj varet zhvillimi i vendit. Nëse ajo është e zonja të planifikojë dhe menaxhojë burimet financiare në nevojat kryesore të vendit, populli shikon ndryshimin; në të kundërt populli merr si dhuratë prej saj rritjen e varfërisë, mungesën e stabilitetit dhe qetësisë. Për këtë qëllim populli zgjedhës që të mund të kontrollojë demokracinë do të mësojë ndryshimin e qeverisë me shtetin. Për, shembull: shteti nuk dëgjon njeri, ai nuk ka kufje përgjimi. Njerëzit i dëgjon qeveria, qeveria ka kufje dëgjimi. Shteti nuk i fut në kurth institucionet dhe strukturat publike. Institucionet dhe strukturat e shtetit qeveria i fut në kurth. Qeveria, nëse nuk është me të vërtetë demokrate, ashtu si shoferi, demokracia është në rrezik, për arsye se është në një rrugë ure, shkatërruese, prishëse.

Në Shqipëri deri tani ne kemi pasur qeveri që u ngjanë një bombe dore, të cilat nuk i lënë institucionet e shtetit dhe pushtetet e saj të pavarura të funksionojnë normalisht. Sa herë ndërrohet pushteti politik, ose edhe brenda të njëjtit pushtet politik, ndërrohen shumica e drejtuesve dhe anëtarëve kryesorë të institucioneve vendimmarrëse. Shiko se çfarë po ndodh edhe tani me shpalljen e vendimeve të pritshme të Gjykatës Kushtetuese. U zhvilluan seancat dëgjimore për statusin e ushtarakëve dhe marrëveshjen me Greqinë për kufirin detar të Sarandës dhe nuk po e shpall vendimin. Pse? Sepse pret që të largohen disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, që kanë mbushur afatin e qëndrimit, për t’i zëvendësuar me mbështetës të pushtetit politik, qeverisë “Berisha”. Pra, të vendoset plotësisht edhe kjo gjykatë nën kontrollin politik të partisë politike në pushtet. Këtë bëri edhe Nano kur erdhi në pushtet. Pra, drejtësia merr fund. Ajo nuk mund të kontrollohet nga asnjë pushtet apo institucion tjetër. Prandaj pushtetarët vazhdojnë pa u ndalur të bëjnë shantazh pa menduar të ecin përpara në rrugë demokratike, sikur të ishim akoma në vitet ’90. Mjafton të kujtojmë shantazhin kundër prokurorit të përgjithshëm Sollaku, Rakipit dhe së fundi ndaj zonjës Rama, veçanërisht ndaj penalizimit të ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu. Rezultati: dy të parët i shkarkuan nëpërmjet mekanizmit të votës së Kuvendit, ndërsa e fundit, zonja Ina Rama, ka mbyllur sytë dhe gojën ndaj shumë problemeve që kanë nevojë të hetoheshin pa u tërhequr deri në fund.

Në sistemin e ndarjeve të pushteteve ekzistenca e acarimit dhe tensioneve midis gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit është nevojë e natyrshme e zgjidhjes dhe trajtimit të problemeve. Detyra e hetuesisë dhe gjyqësorit është të përcaktojë nëse janë sjellë apo jo drejtësisht me ligjin përfaqësuesit e qeverisë dhe të kontrollojnë se si janë shfrytëzuar energjitë financiare të popullit. Kontrolli i hetuesisë nuk mund t’i pëlqejë pushtetit politik. Për arsye se ajo pengon realizimin e qëllimeve, pushteti politik mund të ndiejë zemërim, inatosje ndaj hetuesisë dhe gjyqësorit. Ky tension dhe mosmarrëveshje që ekziston midis pushtetit politik dhe hetuesisë në periudhën që shtrihet brenda kufijve të demokracisë, nga pikëpamja e funksionimit të shtetit ligjor është një tregues pozitivë. Nëse pushteti politik është në çdo kohë i kënaqur nga vendimet e pushtetit të hetuesisë dhe gjyqësorit, hapet rruga e dyshimeve të mosfunksionimit të mirë të demokracisë, të mosbërjes së detyrës sipas ligjit të hetuesisë. Ky përfundim ekziston sot edhe në shumicën e opinionit publik të vendit, pasi pushteti politik i sotëm është në “paqe” me hetuesinë dhe gjyqësorin për pushimin e çështjeve penale të dy ministrave të saj. Këta dy ministra edhe mund të jenë të pafajshëm, sidomos zoti Basha, por përderisa këtë verdikt nuk e dha pushteti gjyqësor, ka krijuar dyzimin e mosbesimit te qytetarët.

Për këtë shkak revoltimet e pushtetit politik ndaj vendimeve të pushtetit gjyqësor (prokurori + gjykatë) tregojnë se prokuroria e kryen detyrën mirë. Por presioni, kundërshtimet e vendimeve të hetuesisë deri në kërcënime nga pushteti politik, duke i kaluar kufijtë e demokracisë, tronditin nga themelet demokracinë dhe influencojnë shumë, për të mos thënë se i heqin prokurorisë krejtësisht pavarësinë e domosdoshme. Pavarësisht se kanë apo nuk kanë të drejtë partitë që i janë drejtuar prokurorisë për shkeljet e ligjit në numrin e votave të zgjedhjeve të 28 qershorit, moshapja e çështjes tregon se prokuroria është gjunjëzuar dhe nuk ka forcë ose dëshirë që të përballët më pushtetin politik. Prandaj midis demokracisë dhe pavarësisë së hetuesisë ekziston një lidhje shumë e ngushtë. Në qoftë se njëra detyrë e hetuesisë dhe gjyqësorit është të sigurojë drejtësinë, detyra tjetër është të ruajë vlerat e demokracisë. Pa një hetuesi të pavarur nuk mund të ruhen vlerat e demokracisë: liria, barazia dhe mirëkuptimi. Prandaj në shtetet demokratike mbrojtja dhe sigurimi i pavarësisë së hetuesisë është detyrë e pushtetit politik. Bile, në qoftë se është e pakënaqur nga vendimet e prokurorisë, një pushtet politik që i kupton dhe i mbron vlerat e demokracisë merr masa ligjore për të siguruar pavarësinë e prokurorisë.

Në vendet demokratike qeveritë janë të detyruara të realizojnë sigurinë e prokurorëve duke parandaluar kërcënimet në pavarësinë e punëve të tyre, siç janë ato të përjashtimit nga profesioni dhe transferimit nga vendet e punës e nga qytetet ku ndodhen. Ashtu si dhe prokurorët janë të detyruar të bëjnë detyrën e tyre në përshtatje me ligjet. Përjashtimi nga detyra e prokurorëve është një ngjarje shumë e rëndësishme për pavarësinë e prokurorisë, që te ne ka ndodhur shumë herë. Për këtë arsye ndëshkimi është e nevojshëm të mbështetet në fakte reale dhe shumë të besueshme. Pra, siç kuptohet, çelësi që ka bllokuar zhvillimin e demokracisë funksionale dhe mbrojtjes së vlerave të demokracisë te ne aktualisht është binjakëzimi i pushtetit gjyqësor (prokurori + gjyqësor) me pushtetin politik, nga të cilat varet liria, barazia dhe vëllazërimi. Prandaj përfaqësuesit e vendeve të Europës në Bruksel dhe në Tiranë ripërsëritin me tone të larta se Shqipëria ka shumë probleme në funksionimin e një shteti demokratik dhe ligjor. Ky është shkaku që disa prej tyre i kanë rikujtuar qeverisë dhe politikës Shqiptare që të plotësojë kriteret politike të Kopenhagës, të cilat kërkojnë “ekzistencën e institucioneve që garantojnë shprehjen dhe mbrojtjen e demokracisë, të drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, si dhe “ekzistencën e një demokracie të institucionalizuar dhe me stabilitet”, duke konsoliduar shtetin ligjor, barazinë para ligjit ndaj çdo qytetari dhe jo deputetët e ministrat e veshur me imunitet të trajtohen në një mënyrë të çuditshme, jashtë përgjegjësive ligjore dhe një hetimi krejtësisht të kundërt nga qytetarët e tjerë, duke krijuar një klasë shumë të rrezikshme për demokracinë e këtij vendi. Këto janë shkaqet pse politikanët tanë dhe media e politizuar nuk godasin mundjen që po na bren: mungesa e shtetin ligjor dhe varfëria ekonomike e shumicës së popullsisë.

Një njeri i lexuar e kupton mjaft mirë se shumica e politikanëve shqiptarë nuk janë të përkushtuar për plotësimin e kritereve të integrimit të Shqipërisë në Europë dhe të nxjerrjes së vendit nga varfëria në shumicë shumë ekstreme, por në mbajtjen sa më shumë, mundësisht deri në vdekje.

Hajro Lima, G. Start

No comments: