Kryehipuri ngre kryet prej krevënit (krevatit). Çohet prej paqes ku drejtësia ulet e mbretëron, ku e vërteta si zonjë e ve, veshur në të bardha nusëron. Prej një bote ku e mira peshon më tepër, drejt një bote kur e mira s'ka qenë e tepërt... kurrë.
Zgjohet këtë mëngjes,si i verbri ndaj dritës, i etur për ta rijetuar këtë jetë.
Në rrugë has njerëz që nxitojnë, të vrenjtur, hermetikë. Njerëz portambyllur, që kanë ditur si të vrasin buzëqeshjet. Dhe ashtu ngjitur brekë më brekë me njëri-tjetrin, mbërthyer prej një indiference të shtirë, autobusi vazhdon udhëtimin funebër, shoqëruar në sfond nga një muzikë tallava, që forcërisht të fton në zgjim.
Kryehipuri nuk ulet, ai qëndron në këmbë. Ashtu si të gjithë vjedhurazi mund ta vështrojnë, ta përçmojnë. Mes këtyre njerëzve janë të gjithë; ziliqarët, kokëngushtët, servilat, gënjeshtarët...Ajo që mungon është vetëm mirësia. Ajo mirësi që depërton edhe tek njeriu më i mërzitshëm, por edhe tek njeriu më i rrezikshëm prej tyre. Eshtë kaq bukur ! Qënie humane të lindura në shoqëri, të rritura dhe të zhvilluara në shoqëri, këtë mëngjes të veshur me sjellje kontraceptive, me moto: për të mos ndotur e për të mos u ndotur.
-Ku është "mirëmëngjesi", kur lypsari i ligjshëm i urbanit të fryn në gojë, duke zgjatur dorën me para të keqpalosura ?
-Ku është fjala "më fal", kur brryli i një gruaje mbipeshë, amortizon në shpinën tënde frenimin e shoferit të transportit të gjëve ?
Përse ka kaq shumë gënjeshtarë ? - Sepse gënjeshtrat shpeshherë janë më të mira.
Përse ka kaq shumë servilë ? Sepse servili thotë një lëvdatë më shumë e një qortim më pak.
- Sepse të gjithë vuajmë për fjalët e mira, që sa më shumë përpiqemi ti marrim, aq më shumë na i privojnë.
Befas fillon muzika himn e mbretit të popit, që mesa duket edhe shoferi mustaqegjatë nuk i rezistoi. Këtij mbreti, që mbolli aq armiq me famën e tij. Atë famë, që e ndërtoi me punë, me djersë. Askush nuk e ndihmoi, askush nuk e detyroi të na falte të gjithëve atë mirësi, atë energji pozitive, për të cilën aq ethshëm kishim të gjithë nevojë. Por e gjithë bota u bë dëshmitare dhe aktore e hipokrizisë. E qanë pasi e vranë, e kujtuan pasi kish ikur...
Dhe kështu shoqëria njerëzore vepron me çdo zgjatje të saj që ndodhet në kohën dhe vendin e duhur. Medalje dhe tituj pas vdekjes, vdekje për së gjalli. Frustim masiv, copa pluhuri që mblidhen bashkë duke u argëtuar me dhimbjen që i shkaktojnë një armiku imagjinar, por ajo që mungon është vetëm mirësia. Ajo mirësi që e fshehim në këndin më të errët, prej nga nxjerrim fjalët më të çmendura. Godasim atë që duron, respektojmë atë që dhunon. E kështu pak nga pak aty ku ulej kryehipuri, shndërrohet në kultin e hipokritit.
Më vjen të ulëras e të buzëqesh në mes të autobusit; buzëqeshni njerëz, thuajeni një fjalë të mirë. Ju i keni fjalët e mira, ju i keni fjalët e ëmbla, juve nuk ju mungojnë shikimet e pastra e miqësore. Ajo fjalë e mirë do t'iu kalojë përmes shpirtit duke j'ua ujitur atë. Gëzojuni faktit që kemi rastisur në ekzistencat e njëri-tjetrit, mos u mundoni ti modifikoni ato. Por në çast urbani ndalet dhe kryehipuri me lopatë në zemër hedh pirgun e vet të dheut, në varrin e madh të mirësisë që vramë, me sy drejtuar nga KULTI I HIPOKRITIT !
Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2
No comments:
Post a Comment