Friday, January 22, 2010

"Në emër të…"

-1- (Dita 1)

Të gjithë atyre që dua të them
Që të thonë shumë, duan
Dhe që… gjithsesi
"Në emër të"
për çdonjërin emër
një kuptim
një rrezatim
shumë përjashtime
Prej katalogjesh e librash historie
Ku e vërteta ngjan si rreckë
Shkëputur prej plaçkitjesh
Vulosur fort prej gëlbazash toksike
Përzier me fjalë
Dhe tym-helme industriale
Të përpjekjeve për…
… të rikthyer mbrapsht
Revan-vdekjen
Duke e shpërndarë
Mijëra kanalesh
Me drejtim nga dobësia
NË EMËR TË
Vampirizmit modern

Lëng-thithjes së "lëngut të mbetur"

Skeleteve tanë
Grumbulluar në
Fundin e "lëngshtrydhësit" të madh
Quajtur
G-L-O-B-A-L-I-Z-Ë-M


-2- (Dita 2)

O qendër e shpirtit
Atje ku janë rrënjët e klithjes
"darkë-lamtumira" ne s'na priti
E pra! Ne vazhdojmë të lëpirat
Dhe me gishta
Shfletojmë për vite zverdhjesh
Miliarda fletë
Të miliona librash
Gjithnjë më t'papërfillur.

Gjithçka, lindi
Shpirti praktik
I lashti i miqve të mi modernë
Mendimi
Mendimi lind
Ai shpik
Përjashton mënyra të sjelluri
Heq të drejta jetësore
Forma, është e tij
E mendimit tonë
Parazitarit
Të dembelosurit mendim
Të prag-qetësive thuajse vdektore
Rebeli,
Luftaraku,
Dëshiruesi
Mendim
Gjatë ciklit, të të cilit
Kërkoj shpirtrat e ngjyrave
Dhe ende vazhdoj të shkruaj

Ç'akordim harmonie shpirtërore
Duke parë
Miliona libra në gjuhë të huaj
Të kohëve të
Modernizmit
Praktiko-Etiko-Intelektual
Të gjallimit të lakmive
Të "shpirtrave praktikë"
Vjedhës; punëthyes
Të cilët
Bashkojnë copë-shqyerjet
E punës së të tjerëve
Dhe tregëtojnë delir
Të emrit të tyre të dhjerë.

Mbulon kryet e lexuesve mbarë globit

Dhe rikthehet në një lloj
"Defekimi mendor"
Përmendore e padukshme
E tejndjerë
E ndotjes shpirtërore
Të krijesave

Mbi hi-bibliotekat e djegura ndër shekuj
Vazhdojnë të gërmëzojnë gënjeshtra
Për kohët e perënduara
Ku thonë se…
"Ata qenë"


-3- (Dita 3)

Në emër të…
Faljes së plagosur
Të lënë në shtrat-lëngatën e saj
Faljes së monopolizuar prej
"Úrdhëruesve të faljes"
Që edhe në vendin tim
Kundërmimet e kostumeve gri
I pastrojnë në "libër-ligjet"
E ndëshkimeve
Që kurrë s'janë për ta
Se faqet e këtij libri s'vlejnë
Për "të pagëzuarit në lumin Jordan"
Atje ku pika e gjakut
Mpiks hakmarrje në trutë e fëmijëve
Atje
Ku humbjet shpresë-tallëse
Dashurohen
Me sytë e dëshpërimit
Se… bota s'është njësoj
Se unë s'e gëlltis dot ushqimin
Se uria po vdes miliona në botë
Dhe unë e ti…
Ushqejmë qen e mace
Të tonës bukuri-përbuzje
Të tonave urrejtje-fshehje
Dashuri katapultë
E krijesave të mendimit
E ëndrrave të shpërndara të botës.


-4- (Dita 4)

S'jam më njeriu që isha
Gjurmët janë zhdukur
Rikthehem dhe s'gjej tjetër jetë
Në histori-librat e padeshifrueshëm
Me stinët e vetmive vrasëse
Me rregullat e elegancave bezdisëse
Në ditë insekticidesh
Të ne humanëve
Që jetojmë "In –sekt"
Apo
"Në klan"
Duke ikur gjithmonë nga vetvetja
Duke bërë seks me fëmijët tanë
Duke mbushur botën
Me priftërinj e hoxhallarë
Duke pjellë djaj të rremë
Nga "varri-pendesë" i Judës së vetëvrarë
Mallkuar e fatmbjellë
Para se të lindte
Për kohët më pas
Të urisë së fëmijëve
Që me buzët e plasaritura prej etjes
Drejtuar atyre që
I quajnë "zotëri"
Dhe që
Zotërojnë reciprokisht një univers
Të gatshëm ta shpërdorojnë
Në ditët e
Brekëheqjeve të grave e të burrave
Etiko-etiketikisht
Në emër të një…
Një kulture të "lirisë"
Për mbjellje-ekstazë
Dhe lënie në mëshirë të fatit
Për t'u rikthyer pas
Në pauza luftërash
Për ndarjet e kazan-supave
Për fëmijët, që të tyret mund të jenë
Të shëmtisë më të madhe
Të emrit të tyre pa emër.


-5- (Dita 5)

Dhe trupi im shtrihet netëve
Si një vrenjtje e kohës
E klimës së shokëve të mbërdhirë
Të ngjyrave të mallkuara
Të veprimeve njerëzore
Shekull skicoid!
Mallkim (përse?)
Falje (për çfarë?)
Dyshime (pa fund?)
Për… flakët e zbardhura
Në tym të zi harrese
Për sëmbimet e shpirt-ngasjeve
Për monedhat e fundit në xhepa
Të përfunduarat monedha
Diku
Tek disa
PREDIKATORË
Folës
Për emrin e perëndisë
Në kolltukë të artë
Por… dhe
Urdhëruesit e kazan-supave t'urisë.


-6- (Dita 6)

Na ishte një herë
O Krijues i madh i ngjyrave
Na ish njëherë një botë
Ku dashuria
Ndante shtretërit me dhimbjen
I pandarë fati im nga të tjerët
Në kohë
Në tonën kohë
Ku njoha krijesën e bukur
Kur pashë mangësitë e mia
Që s'i mjaftonin asaj kurrë.
Kur e pafuqishme më qe zemra
Për të pakuptimtin
Emrin "Burrë"
Që s'dua ta lidh me trimërinë
As me mos-trembjet prej leh-qenve
Armët kimike; bomba-hidrogjene
Se s'dua të…
Të më quajnë burrë
Për bartje sendesh jetë-marrëse
Se duart tona s'janë bërë për të mbytur
Por për t'prekur jetë-përqasjet
Shpresë-mbjellje për gjithë të pafatët
Drejt
Perfektes skalitje t'ëndërruar të kohërave
Dhe tonës
Krijesës delikate femër
Ne
Të lindurit pas dhimbjeve të saj
Tashmë të toksikuarës
Fytyrë-ngjyrimesh
Injektimesh
Keqtrajtimesh
Jashtë trajtave njerëzore
Prej nesh
Emër-burrave
Dhe prej tyre vetë.

Në mal-rritjet e brekë-shurrave
Në të cilat "ne"
Bëjmë përzgjedhje për veten tonë
Dhe duam
Dhe ëndërrojmë
Më të pastrat
Dhe… ndotim të tjera, të tjera
Dhe shtojmë zemër-plasjet
E shpëtim-ditëve të pashenja
Të fuqi vdekjes së…
… dashurisë sime
Që rilind çuditshëm
Në kohë paqe e lufte
Dhe ngrihet përmbi gjithë dëshpërimet
Dhe kërkon të mbledhë
Lule
Të krimburat
Të djegurat
Në kripën e lotëve shekullore
Dëshirë e një dore të kristaltë
Që ledhaton ftohtë, netëve të tmerrit
Netëve, ku dhe unë si ti kam ftohtë
Për zgjimet në shtretër bosh
Për ditët pa ty
Për ditët gjakhumbjes

Të vajit tim për ty
Të përleshjeve të mia imagjinare
Që ngjajnë si prova më e bukur
Drejt
Çasteve të puthjes së ëmbël
Të tinguj-hapave më të bukur
Gjithë gjurmët e botës
Në një emër
g-l-o-b-a-l-i-z-ë-m?
apo
ZEMËR?!
E përbashkëta jonë quhet ndjenjë
Katandisja, s'është refren
Dhe ky s'duhet të jetë fundi
I mijëra viteve kënge e lufte
Se
Veç në deje duhet t'rrjedhë gjaku
Dhe jo gjatë rendjes sonë
Dhe jo…
Stop! frazën e stërpërmendur "mos qaj"
Sapo e dëgjova
Në urdhrat që i jepnin një foshnjeje
Dhe ndjeva fillim-këngën e botës
Në një djep të vogël… të lashtë
Ku shpresat e miliona varreve
Shkrihen në shtretër të lindjeve
Tyreve
Dhe tonave
Melodi-bërësit
Këngë-kënduesit
E djep-përkundjeve të tyre
Dhe…
Arsyen time pse shumë të dashuroj.


-7- (Dita 7)

Në emër të…
Atit?
Ku është ai vallë?
Ne
Të mbeturit pa nënë qiellore
Sipas
Llogjikës tokësore të krijimit!
UNË jam "biri"
Edhe TI edhe JU
Dhe shpirti i shenjtë eshtë
Ajo
Ajo çka bëjmë në jetë
T'përqafuar me mirësinë
Se
Mijëra shenjtëritë tona
Nuk mund ta kalojnë njerinë
Se njeriu është
TI dhe UNË
E gjithë rruga që bëjmë
Për të…
Fituar këtë emër
Po pra!
"NË EMËR TË"!!


8// (Dita jonë...)

Po shikoj drejt horizontit
atje ku ëndrrat
Shkrihen dhe rikthehen netëve
Për mos-humbjen e ngjyrave të dritës
Dhe emrit tënd
!!!!!!!!!!

Mirupafshim
E nesërmja
E kudondodhjes
Të "EMRIT TË.."


Andi Shkurti

No comments: