Shumë kombe në Evropë, por edhe në Ballkan, lehtas mund të lidhen me përcaktimin fetar, që në të shumtën i përkasin një besimi fetar. Kjo sigurisht që nuk mund të thuhet për kombin shqiptar, i cili edhe në këtë rast është sui generis, sepse kombi shqiptar përbëhet nga shqiptarët e besimit katolik, ortodoks dhe mysliman.
Çka i bashkoi shqiptarët e tri besimeve që të jenë një komb unik?
I bashkon gjuha, territori, tradita shekullore e përbashkët, kultura, psikologjia, historia e lavdia e përbashkët, i bashkojnë përrallat e legjendat, epet e mitet, mbitoka e nëntoka etj. Formimi i kombit shqiptar nuk e ka për bazë asnjë fe.
Çka i bashkoi shqiptarët e tri besimeve që të jenë një komb unik?
I bashkon gjuha, territori, tradita shekullore e përbashkët, kultura, psikologjia, historia e lavdia e përbashkët, i bashkojnë përrallat e legjendat, epet e mitet, mbitoka e nëntoka etj. Formimi i kombit shqiptar nuk e ka për bazë asnjë fe.
“Fe” e formimit të shqiptarëve ishte Shqiptaria.
Po ta njohim mirë historinë e formimit të kombit shqiptar, nuk e kemi vështirë të shohim se ideologët fillestarë të kombit shqiptar i përkisnin ritit ortodoks, të cilëve më pas iu bashkuan intelektualët e ritit mysliman dhe katolik. Shpesh idetë fillestare të shqiptarizmës u iniciuan dhe u avancuan nga njerëz të përgatitur për predikime fetare, si: papë (Papa Kristo Negovani), hoxhallarë (Hoxhë Thasini) e priftërinj (Ndre Mjeda). Këtë komb, që nuk arritën ta ndajnë e përçajnë ndër shekuj pushtuesit e besimeve të ndryshme fetare, vështirë e kanë t’ia arrijnë partizanët e “kombit” kosovar sot në kohën moderne.
Ku zë fill ideja e formimit të kombit shqiptar?
Idetë fillestare kombëtare shqiptare i hasim në fund të shekullit të XVIII, ndoshta edhe më herët të papët e ritit ortodoks shqiptar, të cilët duke e parë rrezikun e asimilimit nga ndikim fetar grek, i cili po e kufizonte përdorimin e gjuhës shqipe brenda familjes, e filluan përkthimin e librave fetare në gjuhën shqipe, e cila duhej të predikohej edhe në kisha. Edhe pse përkthimi i veprave fetare si ai i Formulës së Pagëzimit kishte filluar në fillimet e shekullit XV, për disa shekuj që ndërprerë. Kjo ishte përpjekje për ta nxjerrë përdorimin e gjuhës shqipe jashtë shtëpisë, për t’i shpëtuar asimilimit ku po e çonte kisha greke dhe administrata shtetërore turke e më vonë ajo greke. Kështu filloi interesimi për përkthimin e librave fetare përfshirë edhe Biblën në gjuhën shqipe, të cilën punë më vonë do ta përfundojë Kostandin Kristoforidhi. Ky cikël do të përmbyllet nga Fan Noli me themelimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare në Boston të SHBA-ve. Këto janë ato veprimet kryesore që u bënë digë e pakapërcyeshme për përpjekjet shoviniste të Kishës Ortodokse Greke për asimilimin e shqiptarëve të ritit ortodoks. Kjo përpjekje nuk ka pushuar as sot e kësaj dite. Shumë arvanitas (shqiptar të Greqisë) në familjet e tyre vazhdojnë ta flasin gjuhën e mëmës – gjuhën arvanitase, por jo edhe jashtë familjes. Shekulli ynë nuk duhet të lejojë zhdukjen e gjuhës arvanitase (shqipe) në një vend evropian, sepse vlerat evropiane nuk e lejojnë diskriminimin me zhdukje e asimilim. Madje, vlerat evropiane nuk e durojnë as asimilimin dhe zhdukjen e botës shtazore e bimore.
Më vonë kjo përpjekje do të vazhdojë për shkronjat, për librat (Evetari) dhe shkollën shqipe, përpjekje kjo e pasuar nga Dhaskal Thodhri, Naum Veqilharxhi, Pandeli Sotiri me shokë. Gjithë këto personalitete të kulturës e të kombit shqiptar, nuk e patën fatin të kishin vdekje të natyrshme, por u vranë në pusira, u helmuan apo u dogjën për së gjalli së bashku me abetaret e gjuhës shqipe.
Në gjysmën e dytë të shekullit XX, idesë së gjuhës shqipe, të shkronjave shqipe, të shkollës shqipe, për ta ndërprerë trendin e asimilimit të shqiptarëve iu bashkuan intelektualë shqiptarë të të gjitha besimeve fetare. Këto përpjekje e forcuan idenë e bashkimin të të gjithë shqiptarëve në një komb, me një gjuhë dhe një shtet (atdhe). Për të ardhur deri te ky unifikim u desh pashmangshëm të “shpikej” një “fe” e re që do t’i bashkonte të gjithë shqiptarët dhe kjo fe u bë shqiptarizmi si kupolë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve të ndarë në tri besime të ndryshme fetare. Arkitekti i këtij zbulimi të madh të kombit shqiptar u bë rilindësi ynë Pashko Vas Shkodrani, i njohur edhe si Vaso Pashë Shkodrani, me poemën e tij famëmadhe: “O moj Shqypni…”. Poema ishte një himn i fuqishëm i kryengritësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilët u ndeshën fuqishëm më të gjithë armiqtë e bashkimit të shqiptarëve e të Shqipërisë. Edhe sot tingëllojnë fuqishëm vargjet e poemës së shqiptarizmës:
Çonju shqyptarë prej gjumit çonju,
Të gjithë si vllazën ni
gjuhë bashkonju.
Mos shikoni kisha e xhamia,
Fe e shqyptarit asht shqyptaria.
Shqiptarizmi ishte ombrella e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, “nga Tivari e në Përvezë. Një ishte kombi, një ishte gjuha, “Toskë e gegë, Malci Jallia, janë një komb, m’u nda s’duron” - e gjithë Kosova dhe Çamëria vendosmërisht për një komb luftonin. Kështu shqiptarizmi i bëri shqiptarët kombin më unikal në Evropë. Kombi ynë nuk është formuar as si komb ortodoks, as si mysliman ose si katolik, është formuar si komb shqiptar me gjuhë, atdhe, histori, traditë e kulturë evropiane. Nga paraardhësit e tyre të largët, pellazgët - janë formuar edhe kombe të tjera evropiane.
Formimi i kombit shqiptar, ka lindur edhe si rezultat i depërtimit të ideve të iluminizmit evropian që në shekullin e XIX i revolucionarizuan shqiptarët me idetë e arsimit, të drejtësisë, të barazisë, të vëllazërisë e të bashkimit të territorit e të kombit, siç ishte vepruar më herët në pjesët e tjera të Evropës dhe më vonë në ato të Evropës Juglindore. Këto ishin ide që bënin thirrje për një botë të lirë, progresiste, të arsimuar e demokratike. Në këto ide, rilindësit tanë gjetën idenë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një fe të përbashkët dhe kjo ide e përkthyer në shqip u bë “Fe e shqiptarëve – shqiptaria”.
Kjo “Fe” e “re” për kombin shqiptar ishte dhe mbeti zbulim epokal që brezi ynë se paku duhet t’i rrijë gatitu. Shqiptarët u formuan si komb i dalë mbi fetë, por jo kundër tyre. Edhe kjo është një e veçantë tjetër e kombit tonë në Evropë. Shikuar në këtë rrafsh popujt e Evropës kanë çka të mësojnë nga shqiptarët, të cilët nuk patën fatin e mirë që me kohë të kishin “qeveri që e meritonin”. Asnjëra nga fetë ekzistuese nuk mund ta merrte formimin e kombit shqiptar, se po të ndodhte kjo, kombi ynë nuk do të ekzistonte, sepse do të asimiloheshim në grekë, turq e latinë. S’jemi turq, grekë, shkije e as latinë, jemi veç shqiptarë, thoshte Naimi ynë i Madh. Ndoshta, përpjekjet e armiqve për t’i asimiluar shqiptarët i nxitën ideologët tanë të Rilindjes Kombëtare, ideologët e kombit tonë ta zbulonin armën e shpëtimit të shqiptarëve - shqiptarizmin, fenë e bashkimit të shqiptarëve: për një gjuhë, për një komb e për një atdhe – Shqipërinë.
Formimi i kombit shqiptar në shekullin XIX, i formuar në kuptimin më të mirë të fjalës, në shtrirjen horizontale të tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur arsimi, shkenca dhe të gjitha lëmenjtë e kulturës u shtrinë në të gjitha shtresat e kombit ose në shtresa të gjera të tij, si të qytetit ashtu edhe të fshatit, u formua, u konsolidua dhe u kulmua si komb shqiptar evropian.
*Kryetar i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, G. Shqiptare
No comments:
Post a Comment