Friday, January 29, 2010

Alo !

Dal nga shtëpia me nxitim. Si zakonisht, i zgjuar me vonesë për në punë. Më duhet një justifikim i ri, e mendja pjellore nuk tradhëton. Xhinset vesh vetëtimthi, por nuk po më rrinë ngushtë, ashtu si rrobat e lara e kanë zakon.

Pasi kam përshkruar një pjesë fort të mirë të rrugës, kontrolloj xhepat dhe vë re mungesën e portofolit. Duke llogaritur trafikun, jam tmerrësisht vonë dhe nuk kam kohë të kthehem për të ngjitur edhe shkallët e gjata të pallatit, ku ashensori si lapidar qëndron. Gjithsesi nuk ka problem, kafen ma ofron kompania, ndërsa tek ngrënia e mëngjesit ia lejoj vetes ta bëj një ditë pushim. Kërkoj telefonin për të parë orën, por këtu shtangem..."KAM HARRUAR TELEFONIN" !

Pa telefonin jam i mbaruar. Pa telefonin nuk mund të komunikoj. Pa telefonin askush nuk më gjen dot. Pa telefonin nuk mund të pyes prindërit për shëndetin e tyre. Pa telefonin, të duket vetja si i humbur në mes të rrëmujës së një metropoli.

Po si dreqin ai arriti telefoni të bëhet kaq i domosdoshëm për jetën time.!


Oksigjen, azot, telefon... E çuditshme sepse edhe më parë kur telefoni celular nënkuptonte ndonjë sheik arab, apo ndonjë biznesmen me maune doganash, ne sërish jetonin, madje jo keq.
Rrufeshëm nisem për në shtëpi për të marrë telefonin dhe duke ngjitur shkallët e veshura me thërrmija buke të shkundura nga gratë nikoqire, mendoj : 
                                                           "Si do të ishin vallë 100 ditë pa telefon"?

- Besoj se njerëzit do fillonin tu gëzoheshin rastësive. Jeta do niste tu dhuronte më tepër surpriza, si nga ato të kripurat, por edhe nga ato pa kripë. Askush nuk do detyrohej të hynte në tualetet e bareve për të gënjyer. Njerëzit do fillonin ti riktheheshin zbatimit me korrektësi të orareve dhe gjatë takimeve do nisnin ti përkushtoheshin njëri-tjetrit. Do të shmangej vëmendja nga mundësitë joshëse të telefonave, lojëra, bluetooth, mp3, radio etj.
Nuk do të uleshim përballë njëri-tjetrit, prej kushedi prej sa kohësh pa u parë, veçse për të ndarë bashkë një tavolinë e duke e shpenzuar kohën për të dhënë shpjegime profesioni, shefit në telefon. Askush nuk do të vuante mankthin e rënies së baterisë. Rrjedhimisht askush nuk do dyshonte se fakti që nuk ke bateri në telefon, nënkupton domosdoshmërisht që je duke kryer një tradhëti, apo duke refuzuar një komunikim.

Meshkujt do të rigjenin guximin për të folur sy ndër sy me femrat, për tu lidhur apo ndarë. Femrat e të gjithë bashkë do të shpëtonin nga telefonat anonime të njerëzve lepuj. Të dashuruarit do rinisnin të fishkëllenin melodi nga më fisniket, poshtë ballkoneve, apo dritareve ku një perde gjithmonë valëvitet.
Fjalia, "Do të të marr në telefon" do ti kthente fronin fjalës hidhërisht të bukur, fjalës "Lamtumirë".
Do të ishte më e lehtë për të kuptuar se kush është ai që flet me veten dhe kush flet me kufje. Do të shpëtonin nga marketingu i dhunshëm nëpër media i kompanive telefonike, gjithashtu nga ofertat e tyre qesharake. Për festa e përvjetore njerëzit do denjonin të zhgarravisnin kartolina, duke humbur luksin e dërgimit të një mesazhi formal.

Ndoshta njerëzit do të dukeshin më shumë njerëz, ndoshta.

E kështu pas 100 ditësh pa telefon dore, me paratë e kursyera çdokush mundet ti bëj një dhuratë, cilitdo që ia do zemra... Por, mos harroni, Kompania e fuqishme e kërkimit në internet ka hedhur në treg telefonin më të ri, G-Phone.

Hap derën, rrëmbej telefonin dhe shoh tre telefonatat e humbura nga numri i zyrës. Mirëmëngjes dhe një ditë të mbarë të rutinës së përditshme.


Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

1 comment: