Thursday, January 28, 2010

Kriminelët e luksit, paratë e “fituara” harxhohen me femra, drogë e bixhoz

Ekspertët: Korrupsioni hyn në këtë kategori. 50 të “pasur” me xhepa bosh.

Rreth 50 persona i kanë dhënë jetë modës më të fundit në Shqipëri me natyrë kriminale (grabitje, falsifikime, etj), pasi paratë e “fituara” i kanë harxhuar në kazino të ndryshme, prostituta, si dhe në vende dëfrimi si diskoteka e të tjera si këto.

Edhe pas ndalimit të autorëve, shteti nuk mund të bëjë pothuajse asgjë për kthimin e sendit të grabitur tek pronari i ligjshëm. Me gjithë përpjekjet shkresore që kryen Prokuroria për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurisë së personave të proceduar, lekët e grabitura apo materialet e tjera, në shumicën e rasteve s’janë kthyer. Sipas hetuesve, kjo gjë ndodh për faktin se, shumat financiare harxhohen nga të pandehurit në kohë dhe vende të ndryshme ose lekët ata ia japin dorazi të afërmve të tyre, çka vështirëson së tepërmi forcën zbuluese të policisë dhe Prokurorisë. Mes klasifikimit, natyrave apo motiveve që realizohen aktet kriminale, ajo që kohët e fundit ka filluar të bjerë në sy është se shumë persona, janë futur në këtë “valle”, thjesht për të bërë një jetë luksi, mes femrave, makinave të bukura, drogës, bixhozit, gjëra këto të cilat ata nuk kishin arritur t’i kryenin me punë apo diçka të ndershme. Aktualisht gjatë disa operacioneve policia dhe Prokuroria kanë vënë prapa hekurave rreth 50 persona, të cilët nga veprimet e para hetimore është mësuar se kanë pasur si moto “Kryej krim për jetë luksi”, pasi nga e gjithë sasia e lekëve që dyshohet se ata kanë grabitur, nuk i është gjetur asnjë kacidhe nga kontrollet e organeve hetimore. Veç grabitjeve, për ekspertët edhe korrupsioni është një krim që kryhet nga autori, për të pasur një jetë luksi. Ata thonë se pamundësia për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet private me pagën mujore, lë hapësira që në një kohë apo në një tjetër, zyrtarët e administratës të kryejnë korrupsion. Realiteti ka treguar se shumica e lekëve të përfituara nga ky aktivitet është përdorur për luks, si blerjen e makinave, banesave apo kalimin e pushimeve në hotele të huaja.

Gati 95 për qind e rasteve të hetuara, nuk i është gjendur asnjë lekë, pasi shumat financiare të pandehurit i regjistrojnë, me emrat e të afërmve dhe kushërinjve të tyre.
Sipas prokurorëve, ky është një skenar tepër i njohur për të gjithë eksponentët kriminale, pasi me regjistrimin e pasurisë në emrat e të afërmve, ata arrijnë të mbrojnë atë nga hetimi i organit akuzues. Kjo e fundit nuk ka tagrin ligjor të nisë hetime ndaj personave të tretë, pa pasur prova për inkriminimin ose jo të tyre në ndonjë aferë korruptive. Sipas tyre, kjo gjë të le të kuptosh se tashmë dhe në vitet e ardhme kryerja e një krimi për të pasur një jetë luksi, do të zërë përqindjen më të madhe në raportet vjetore të hartuara nga institucionet ligjzbatuese të vendit. Dhe ky realitet më mirë se kudo tjetër mund të shihen në disa grupe kriminale, të cilët duke grabitur kasaforta, bankomate, qendra biznesi apo duke falsifikuar kartëmonedha, kishin arritur që të plotësonin nevojat e tyre me lekë. Megjithëse ky i fundit nuk zinte asnjëherë vend në xhepat e tyre, anëtarët sapo e shikonin veten në krizë financiare fillonin planifikimin e kryerjes së një akti kriminal, nga i cili përfitoheshin të ardhura të majme që mjaftonin për plotësimin e dëshirave të tyre. Të gjitha paratë që merrnin nga grabitjet nuk i shpenzonin për ndërtimin e një objekti apo t’i ligjëronin në banka, por duke e konsideruar atë si një letër normale, e hidhnin atë lart e poshtë duke mos ju dridhur dora fare.

Si i zhdukën 1.5 milionë euro 17 anëtarët e “Matrix”

Grabitja e bankomateve në kryeqytet, autorët s’kishin asnjë qindarkë.


Një precedent që vërteton më së miri grabitjen dhe “asgjësimin” e parave është grupi “Matrix”, anëtarët e të cilit për disa kohë me radhë kryenin vjedhjen e bankomateve në Tiranë e qytete të tjera. Të zotë në fushën e informatikës dhe tepër të përpiktë në klonimin e kartave të bankomateve, 17 anëtarët e këtij rrjeti kishin mundur që nëpërmjet krimit që kryenin të bënin një jetë luksi, pasi shumat e parave që grabisnin ishin tepër të mëdha. Të gjitha këto, shkonin në blerjen e makinave luksoze, blerjen e lëndëve narkotike, dëfrimin në lojërat e fatit si kazino dhe diskoteka, por pa përjashtuar edhe femrat. Sipas organit të akuzës nga përllogaritjet e bëra gjatë hetimeve paraprake u konstatua se grupi kishte arritur të grabiste edhe bankat e shteteve evropiane si Anglia. Dëmi financiar nga këto grabitje mësohet se kapte shifrën mbi 1 milion e gjysmë euro, shumë kjo që e gjitha ishte harxhuar nga të pandehurit. Me gjithë kërkimeve të Prokurorisë, kjo e fundit nuk arriti të gjejë asnjë qindarkë në bankat apo banesat e të pandehurve, përveç kompjuterëve dhe materialeve të tjera me të cilat ata kryenin klonimin e kartave të bankomateve.

“Hijet e natës” dhe falsifikuesit e parave

Asgjësimi i 700 milionëve në disko, kazino, drogë e femra


“Hijet e Natës”, të gjitha grabitjet kryheshin orëve të vona të mesnatës. Edhe ky grup, kishte si specialitet grabitjet e kasafortave të bizneseve, me anën e të cilave siguronin një jetë më të mirë, duke mos i munguar asnjë gjë nga të mirat që kërkonin. Shifra totale që ata kanë vjedhur rezulton të jetë rreth 700 milionë lekë, sasi kjo që e gjitha ka shkuar për bixhoz, blerjen e drogës, alkoolit, diskoteka, si dhe vende të ndryshme. Aktualisht grupi po hetohet dhe pritet që në ditët në vazhdim të ketë edhe arrestime të tjera. Ndërkohë për sa i përket zbulimit të sasisë të parave të grabitura, organi i akuzës ka mundur të gjejë vetëm 15 mijë euro në një llogari bankare, e cila i përket njërit prej 7 të arrestuarve. Të njëjtin qëllim me grupet e mësipërme kanë pasur edhe 25 të arrestuarit, që nga Prokuroria akuzohen për veprën penale të “falsifikimit të kartëmonedhave”. Grupi kishte arritur të siguronte nga shteti italian disa kompjuterë dhe printerë që kishin rezolucion të lartë për klonimin e kartëmonedhave. Nëpërmjet tyre ata kryenin falsifikimin e kartëmonedhave të prerjeve 5000, 2000 e të tjera dhe më pas nëpërmjet anëtarëve arrinin t’i hidhnin në qarkullim ato.

ELTON QYNO>, Metropol

No comments: