ROME -OKB-ja akuzon Italinë për racizëm dhe ksenofobi ndaj emigrantëve. Organizata dënoi ngjarjet e fundit në vend, të shkaktuara nga qëndrimet ksenofobike ndaj punëtorëve emigrantë.
Reagimi erdhi nga zyra e komisionerit të lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit dhuna e kohëve të fundit kundër punëtorëve migrantë në Italinë jugore ka nxjerrë në pah probleme të thella të racizmit. Afro shtatëdhjetë vetë u plagosën në përleshje midis banorëve vendas dhe punëtorëve fermerë afrikanë në qytetin e Rosarnos, në fund të javës së shkuar. Autoritetet në zonë reaguan duke lëvizur qindra emigrantë nga qyteti. Konflikti filloi kur disa të rinj qëlluan me armë një grup emigrantësh afrikanë që po ktheheshin nga puna në bujqësi. Dy prej tyre u plagosën, ndërsa menjëherë pas kësaj qindra imigrantë dolën nëpër rrugë në shenjë proteste, duke thyer xhamat e makinave dhe duke u vënë zjarrin koshave të plehrave. Më pas policia ndërhyri, madje u përlesh me emigrantët duke plagosur disa prej tyre. Protestat vazhduan edhe gjatë ditëve të fundit, kur gati 2 mijë imigrantë demonstruan para bashkisë së qytetit. Dhuna la të paktën 37 të plagosur, përfshi 18 policë. Ndjesitë kundër emigrantëve janë shtuar gjatë kohëve të fundit në Itali. Liga e Veriut, aleate e qeverisë së Berluskonit, ka propozuar të shtrëngohen masat kundër emigrantëve dhe të mos ketë asnjë lehtësi për ta lidhur me marrjen e lejeve të qëndrimit dhe dokumenteve të nënshtetësisë.
Ndërkohë, ka pasur edhe kërkesa për të ndarë klasat e fëmijëve italianë nga ato të fëmijëve të emigrantëve, gjë që është konsideruar e panevojshme dhe tepër fyese nga ministrja e Arsimit në vend. Sidoqoftë, partitë e ekstremit të djathtë dhe lëvizjet apo shoqatat që kanë lidhje me to kanë kërkuar që emigrantët të mos kenë të drejta njësoj si vendasit. Sulmet ndaj emigrantëve në vend kanë shkaktuar shqetësime të mëdha dhe kanë alarmuar edhe organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut në vend. Ato kanë reaguar duke thënë se, deportimi i emigrantëve mund të sjellë një valë të re inati nga ana e tyre. Ata thanë gjithashtu se veçimi i emigrantëve nuk sjell asgjë të mirë për shoqërinë italiane, pasi e pengon integrimin e tyre dhe bashkëjetesën mes vendasve dhe emigrantëve.
Parlamenti italian ka nisur diskutimin e një projektligji për lehtësimin e dhënies së nënshtetësisë për emigrantët, por debatet kanë hasur në reagimin e ashpër të partive nacionaliste, që kanë manifestuar ndjesi ksenofobe.
G. Shqiptare
No comments:
Post a Comment