Monday, January 11, 2010

Mirdita, një shtegtim speleologjik

Për ata të cilët vlerësojnë natyrën, rrethi i Mirditës përbën një nga tërheqjet më të mëdha. Kohët e fundit ajo u vu në fokus të një shtegtimi turistik nga Forumi i Zhvillimit të Zonave Malore në Mirditë me mbështetjen e MADA-s, duke shërbyer si një lëndë edhe për studiuesit për të eksploruar më tej rreth kësaj pasurie historike që Shqipëria e ka tejet të veçantë dhe intriguese.

"Disa vite më pare, nëse e artikuloje turizmin speleologjik, do të të merrej si një kumt utopik, por që tash pas disa eksperiencash dhe guidash me shtegtarë vendas apo të huaj, po tregon se Mirdita është një vend ndjellës për resursin e vet turistik". Këtë e pohon studiuesi vendas, Ndue Dedaj.

Parandjenja e studiuesve prej herët në kohë dhe këtyre të kohëve tona, ka dalë më së miri pikërisht kur vizitorë të huaj apo vendas kanë parë me sytë e tyre këtë aspekt interesant të kësaj treve të veçantë në Veriun e Shqipërisë.

Shpella e Valit


Shqipëria është një vend unikal përsa i përket pasurisë speleologjike, kësaj jete të pasur "të nëndheshme", që e çojnë hipotezën deri në deduktimin e guximshëm shkencor se në viset shqiptare mund të jetë ndezur zjarri i parë në Evropë; ose që Shqipëria të ketë qenë ndër vendet e para në kontinent ku është ndezur zjarr.

Sa të rëndësishme janë shpellat në lëmin e studimeve historike?

Më tepër në lëmin e antropologjisë. Studiuesit thonë se shpellat dhe speleologjia janë burimi kryesor për zbulimet antropologjike. Njeriu jetonte në shpella dhe aty e ngjizi jetën, ndaj dhe studimet antropologjike nuk mund të nisen tjetër veçse nga studimi i qytetërimit të shpellave, thonë studiuesit, dhe në Mirditë gjendet burim i pashtershëm.

Mirdita, mal e shpellë !...

Por si asnjë krahinë tjetër në Shqipëri, Mirdita përmendet për shpellat e shumta unikale, si në Orosh (Shpella e Akullit me mbi 10 metra dëborë e brezuar), Shpella e Frashnit, Shpella e Stërçokëve - nga 15 deri në 150 metra thellësi), në Fan (Shpella e Batos ilir në Batra (Xhuxhë), me shkallë zbritëse, që thuhet se del në breg të Drinit, Shpella e Cicokëve nën Gurin e Nuses, që thuhet se del në Arrën të Kukësit, 4-5 km e gjatë, ku sipas një dëshmie gojore njerëzit kanë ecur me ditë për të dalë në anën tjetër, Shpella e Hoxhollit në Shëngjin, si dhe Shpella e Konajt, Shpella në Blinishtit etj., Guri i Kishës në Malaj në krye të fshatit, që kishte një si zgavër-shpellë ku mund të shtroheshin dy sofra burrash, dmth 24 vetë, nga ku kundrohej gjithë fshati), Shpella e Bozhiqit, Shpella e Fatmirave ose e Borës në Kurbnesh, për të ardhë tek ajo që e quajmë kurora speleologjike e rajonit të Mirditës; kompleksi i Shpellave të Valit në zonën e Kthellës. Përkufi me Shpellat e Valit është dhe Shpella e Nezirit që i përket Matit.

Studiuesi Ndue Dedaj thotë se interesant është dhe emri i kësaj shpelle "shtëpi", fjala vali (luginë) në trup të emërtimit, që e kemi në formë të përngjitur në emërtime të tjera si Valmir, Valmor, Valbonë etj. Studiuesit e përshkruajnë kështu këtë kompleks speleologjik: Në anën lindore të Mirditës, në një nga lartësitë e Perlatit/Bruçit gjendën tri shpella të njohura si Shpellat e Valit: Shpella e Këputës ose Valit (153 metra e gjatë), Shpella e Pëllumbave dhe Shpella e Blazit (me gjatësi 54 metra). Në shpellat e mësipërme janë gjetur gjurmë banimi që nga epoka e neolitit e deri në Mesjetë. Në gojëdhëna qyteza e Bruçit, ku përfshihen këto shpella, njihet me emrin "Qyteza e Skënderbeut". Mbase tri shpellat, për vetë pozitën e tyre të favorshme u përdorën dhe si vende për strehim (vendbanim i fortifikuar i përkohshëm) në kohë sulmesh armike.

Por Mirdita ka ruajtur dhe një nga kryemrekullitë arkitektonike në fshatin Domgjon rrëzë malit të Munellës të njohur si Gurra e Domgjonit, që përfshihet në një ansambël historiko-turistik me qytezën mesjetare. Uji që vjen nga thellësitë e nëntokës poshtë malit të Munellës ka qenë një begati që hershëm për banorët e këtyre anëve dhe sot e asaj dite përdoret për të pirë, për ujitje, por dhe për një minihidrocentral privat! Nuk është e vështirë të kuptohet se ndërtime të tilla lidhen me aftësitë e banorëve të lashtë (pirustët) në punimet me miniera. Ujësjellësi dhe kështjella janë përshkruar fillimisht nga arkeologu Bep Jubani, më pas skicuar dhe studiuar nga Apollon Baçe e Lazër Papajani dhe një studim i kohëve të fundit të studiuesit vendas Nikoll Loka.

Studime të hershme dhe të mëvona.

Sipas studiuesit Gjon Marku, studimet për shpellat nisin që prej mesit të shekullit XIX, me Hahn, Hekuard, Galandi, Durham, Nopça, Baldaçi, De Grand, Margraf, Kasanin, Ivanovna, Desniskaja etj., por që më pas vijojnë e marrin një vrull të fuqishëm në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar kur gjeologu i shquar profesor Anatoli Agustjeviç Zvjeruga, me origjinë izraelite i njohur si njëri ndër inxhinierët më të njohur të Uraleve e një nga më të njohurit në Bashkimin Sovjetik dhe inxhinierja e re Sonja Nikollajevna bëjnë objekt të studimit të tyre "Shpellën e Merkurthit", dhe atë të Valit. Nuk mund të lëmë pa përmendur atë të 11 qershorit të vitit 1963 kur në Mërkurth mbërrin një grup speleologësh bullgarë të cilët zbresin në thellësitë e shpellës së Mërkurthit dhe atë të Valit.

Zbulime tepër të rëndësishme të futura dhe në enciklopeditë evropiane bëri prof. dr. Peter Beroni - Sofie Bullgari, në fushën e biospeleologjisë, ai në këtë shpellë zbulon specien Albanotrechus Beroni. Ky zbulim shumë i rrallë është publikuar në buletinet më prestigjioze të Evropës. Ky dokument përbën një trashëgimi kulturore me vlerë dhe veçanërisht të çmueshme për Mirditën dhe Shqipërinë. Incizimet rupestre dëshmojnë për fillesat e artit të trashëguara nga një kulture primitive në këto treva në Blinisht të Mirditës. Ato janë dokumente të lidhura me zhvillimin e praktikave religjioze të njerëzve parahistorikë, të cilat përbëjnë një trashëgimi kulturore të prekshme. Natyrisht, këtu nuk mund të lëmë pa përmendur speleologun dhe paleontologun e njohur prof. dr. Anton Fistani, rektorin e Universitetit të Gjuhëve të Huaja në Nju Jork, i cili tronditi rrethet shkencore shqiptare me studimet e tij në shpellën e Gajtanit. Ky personalitet i shkencës shqiptare sjell dëshmitë e munguara edhe për shpellën e Blinishtit. Përsa i përket Blinishtit, ai dëshmon se në një shkëmb në Blinisht të Mirditës ka disa "vizatime" dhe ku rezulton se shkëmbi në fjalë i mbuluar me lëmyshk e likene kishte disa incizime të moçme rupestre. Tema e incizimeve mbizotëron me tri figurat antropomorfe dhe të atyre gjeometrike me shenjën e kryqit dhe trekëndëshit apo majës së heshtës. Tipologjikisht forma e vizatimeve në Blinisht ngjason mjaft me incizimet paleolitike të Aurignacenit të hershëm francez, të zbuluara në L'ile-de-France, J.L.Baudet (1950). Sipas një vlerësimi krejt paraprak, incizimet e Blinishtit i përkasin fazës fundore të paleolitit të sipërm dhe fillesave të mezolitit të hershëm.

E gjitha kjo është një pjesëz e vogël e shkëputur nga "ajsbergu speleologjik" që disponon Mirdita dhe që kohët e fundit u vu në fokus të një shtegtimi turistik nga Forumi i Zhvillimit të Zonave Malore në Mirditë me mbështetjen e MADA-s, duke shërbyer si një lëndë edhe për studiuesit për të eksploruar më tej rreth kësaj pasurie historike që Shqipëria e ka tejet të veçantë dhe intriguese.

Shekulli

No comments: