Nisma e qeverisë për të "kataloguar" shqiptarët në bazë të ndarjeve fetare dhe etnisë ka gjetur kundërshtime të forta te bota akademike shqiptare, e cila e konsideron si plotësimin e ëndrrës së vjetër greke për marrjen e territoreve shqiptare.
Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë Greqia do të kërkojë atë që ajo e quan Vorio-Epir. Historiani Pëllumb Xhufi komenton nismën e re të qeverisë, duke e konsideruar si një tradhti kombëtare.
Z. Xhufi, si e vlerësoni nismën e qeverisë për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare?
E konsideroj tradhtinë e radhës ndaj interesave të vendit, një lëshim të turpshëm ndaj presioneve të qarqeve nacionaliste greke, zyrtare e jo zyrtare, që kërkojnë të zbatojnë deri në një projektin nacionalist të tjetërsimit të Shqipërisë së Jugut ("Vorio-Epiri").
Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike e fetare ishte një ndër 6 pikat e ultimatumit që ish-kryeministri grek Miçotaqis i paraqiti në korrik 1993 Berishës së Parë. Berisha i Dytë, deri më sot, kishte zbatuar pesë nga gjashtë pikat, madje në 2009 i bëri së bijës së Miçotaqisit, zonjës Bakojanis, një dhuratë të papritur, marrëveshjen për faljen e hapësirës detare, që babai i saj nuk kishte guxuar ta kërkonte në 1993.
Dhe, pikërisht dje, qeveria Berisha, nëpërmjet një zëdhënësi të denjë për kësi lloj kumtesh, njoftoi nisjen e procesit për realizimin e pikës 6 të ultimatumit Miçotaqis: regjistrimin e popullsisë me përcaktim të kombësisë e të besimit.
Shqipëria, që me kushtetutë vetë-shpallet shteti i qytetarëve pa dallim kombësie e besimi, detyrohet tani, nën presionin grek, të zbresë në nivelin e një shteti që vendos shenja dallimi midis shtetasve të vet.
Në Evropën moderne mbizotëron koncepti i shtetit të qytetarëve, pa përcaktime të karakterit etnik apo fetar. Vërtet, në vendin fqinj Kushtetuta heq një dallim të qartë midis "grekëve" dhe "ortodoksëve", nga njëra anë, dhe "të tjerëve", nga ana tjetër, të cilët "të tjerë", ndryshe nga "grekët" e nga "ortodoksit", nuk kanë të drejtë të vetë-identifikohen, të organizohen në parti e shoqata e të punësohen në sektorin publik.
Por, Greqia nuk është një rast për t'u marrë shembull për standarde të të drejtave të njeriut e të minoriteteve: në fakt, ka refuzuar edhe të njohë konventat përkatëse të Këshillit të Evropës.
Ndaj, duke marrë në konsideratë edhe të tjera punë të errëta që qeveria Berisha ka kryer gjatë këtyre viteve (marrëveshja e kufirit detar, protokolli për varrezat e ushtarëve grekë, hapja e shkollave greke në vende nevralgjike, si Himarë, Korçë etj.), gjykoj se kemi të bëjmë me një shitje të interesave të vendit, e pra me një shkelje tjetër të rëndë të Kushtetutës. Diku e kam quajtur edhe "tradhti kombëtare", dhe e tillë është.
Çfarë sjell, sipas jush, kjo ndarje në marrëdhëniet mes shqiptarëve?
Nuk besoj se do të sjellë ndonjë dramë në marrëdhëniet mes shqiptarëve. Ata shqiptarë, që për arsye materiale e njerëzore, do të pranonin të vetë-deklaroheshin si "grekë", do të vazhdonin edhe më tej të ndjeheshin shqiptarë.
Por, nëse vërtet qeveria shqiptare do t'i shkojë deri në fund marrëzisë së saj, d.m.th., do lejojë që kombësia të njihet e të regjistrohet si e tillë vetëm mbi bazë të deklarimit, pa marrë në konsideratë elementët e tjerë objektivë, familjarë, historikë, anagrafikë etj., atëherë do të lindin probleme të rënda, që nuk lëndojnë "sedrën" kombëtare të njërit apo të tjetrit, por integritetin e shtetit shqiptar dhe vetë sigurinë kombëtare.
Qeveria shqiptare, kjo e Berishës, po merr mbi shpatulla një përgjegjësi të rëndë, atë të sajimit artificial të një minoriteti grek të paqenë, prej 100, 200, 300 apo 400 mijë personash.
Dhe atëherë, Shqipëria duhet të fillonte një "jetë të re": pikë së pari do të duhej të ripagëzohej si një shtet multietnik, do të duhej të nënshkruante me Dulen një marrëveshje si ajo e Ohrit, do të duhej të paguante me buxhetin e shtetit helenizimin e shqiptarëve të vetë-deklaruar si grekë, do të duhej të kishte grek presidentin ose kryeministrin e një mori të tërë ministrash.
Kur them "grek", e kam fjalën për grekë të thekur të tipit Bollano e Ksera, që janë gati të fshijnë nga harta jo më Jugun, por gjithë Shqipërinë.
Historiani Godo thekson se kjo ndarje sjell rivalitete fetare, sipas jush, a është e mundshme një e gjë e tillë?
Sigurisht, nga një deklarim nën presion i kombësisë dhe i besimit, edhe harta fetare e Shqipërisë do të ndryshojë rrënjësisht.
Prej plot 20 vjetësh, Athina ka ushqyer te shqiptarët një refleks të kushtëzuar: kush deklarohet "vorioepirot" dhe kush ndërron emrin dhe fenë, i ka shanset për të marrë një vizë, për të marrë një dokument, për të marrë një pension.
Pra, veç shtimit ireal të numrit të "grekëve", do të kishim edhe një proces paralel të një proselitizmi të detyruar. Dhe të mendosh, që në Greqi proselitizmi ndalohet nga vetë Kushtetuta e atij vendi.
Në ç'mënyrë mund të sjellë rivalitete fetare, regjistrimi i popullsisë mbi këtë bazë?
Së pari, rivalitetet fetare në Shqipëri nuk kanë qenë asnjëherë "endogjene": ato janë inspiruar nga politikanë e klerikë të huaj.
Ky është një mësim i patundur i historisë. Sigurisht, një regjistrim i tillë, plot prapaskena e prapamendime, do t'i jepte dorë krejtësisht të lirë qarqeve antishqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të mbjellë ndasi, mëri, armiqësi mes vetë shqiptarëve. Është një punë që e kanë bërë përherë, dhe jo pa rezultate.
Por, edhe në këtë kuptim, përgjegjësia e autoriteteve shqiptare do të jetë e jashtëzakonshme: me një regjistrim të tillë ato i bëjnë një atentat të rëndë kohezionit shoqëror e moral të popullit shqiptar.
Shekulli