Wednesday, January 20, 2010

'Rape aXe', prezervativi antipërdhunim !

U deshën thuajse dy vjet testime, por tani është realitet.

Vjen në treg prezervativi anti-përdhunim, që është frut i punës së një gruaje, që gjithmonë ka qenë në vijën e parë për të luftuar dhunën.

Afrikano-jugorja, Sonnette Ehlers, për arsye profesionale është marrë me shumë viktima përdhunimi dhe ka vendosur të kontribuojë personalisht, me qëllimin për të bllokuar një krim të tmerrshëm. Megjithatë nuk mungojnë polemikat...

Menyra sesi funksionon ky "mjet" eshte fare e thjeshte. Behet fjale per nje membrane plastike qe ne brendesine e saj fsheh lende ngjitese dhe qe vendoset ne vaginen e femres. Por nese bie ne kontakt me organin e mashkullit, mberthehet menjehere pas tij dhe e bllokon.

Ne kete situate, mashkulli qe bie pre e kesaj nuk mbetet vecse te largohet, pasi nuk ka menyre tjeter per ta hequr membranen pervecse me nderhyrje kirurgjikale. Ehlers uron qe cdo mjek qe duhet te perballet me heqjen e ketij prezervativi te quajtur “rape axe” te lajmeroje autoritetet per te dorezuar perdhunuesin para drejtesise.

Por nje shqetesim me vete eshte edhe garancia qe agresori te mos kete menyre per t’u hakmarre, perpara se te kerkoje nje mjek te disponueshem per te hequr morsen plastike. Me pak fjale eshte ngritur pikepyetja nese dicka e tille ka realisht nje vlefshmeri, apo jo.


•infoalbania•

Tuesday, January 19, 2010

Motrat, miket dhe rivalet më të mëdha

Të gjithë ato vajza që e kanë një motër, e dinë se çdo të thotë një marrëdhënie mes motrave. Bëhet fjalë për një nga marrëdhëniet më të ndërlikuara njerëzore.

Është e diel dhe unë zgjohem nga tingulli i çuçuritjeve të dy vajzave të mia. Ato ndodhen në korridor dhe befas hynë në dhomë, më hidhen në shtrat, në kërkim të përkëdheljeve. Unë i rrok në krahë dhe ndihem e lumtur nga ky moment idili familjar. Përpiqem të shijoj sa më shumë nga kjo atmosferë, sepse e di që nuk ka për të zgjatur shumë. Me të menduar këtë, sakaq dy vajzat e mia shndërrohen në “armike” të vërteta. Nisin zënkat, kapjet për flokësh, për të zënë një vend më të mirë pranë meje. Njëra është xheloze që tjetra ka më shumë hapësirë tek unë, ndërsa tjetra bërtet se e motra erdhi më pas, ndaj vendi i parë në krahët e mi i takonte asaj. Ky është vetëm fillimi i një skene që mund të arrijë kulmin me ulërima e ndonjë dackë, por që sërish ka aftësinë e shndërrimit në një peizazh të paqtë. Pas disa çastesh, vajzat janë ulur të dyja në divan, pranë njëra-tjetrës dhe kanë rinisur bisedën intime e me zë të ulët. Pas sherrit të mëparshëm duken sërish të pandashme dhe të lumtura në shoqërinë e shoqja- shoqes.

Kush mund ta merrte me mend që një herë janë miket më të mira në botë e herën tjetër shndërrohen në armike të betuara e rivale? Në fakt janë histori motrash. Të gjithë ato vajza që e kanë një motër, e dinë se çdo të thotë një marrëdhënie mes motrave. Bëhet fjalë për një nga marrëdhëniet më të ndërlikuara njerëzore. Për të shkruar librin tim, kam folur me dhjetëra çifte motrash dhe në fund kam dalë në një përfundim: motrat janë një bekim i përzierë.

Një motër është aty për të të dashur në mënyrë unike, për të të ndihur në momentet e tua më të vështira e më të rënda, por nga ana tjetër, është edhe personi që, duke qenë më pranë teje, të shkakton edhe “dëmin” më të madh.

Një motër mund të të “grabisë”, duke filluar që nga rrobat e deri tek i dashuri. Në një moment është e gatshme që të sakrifikojë jetën për ty, në një moment tjetër të të nxjerrë sytë dhe të sheh me zili. Një grua më ka thënë: Askush nuk mund të të lëndojë më shumë se sa një motër. Me një mashkull ke gjithmonë opsionin e ndarjes, por këtë nuk mund ta bësh me një motër. Nga ana tjetër e di se, nëse do të kisha vrarë një njeri, ime motër do të më ndihmonte që ta varrosja, pra do të bënte edhe aktin më ekstrem për mua”. Rivaliteti mes motrave është i vjetër sa edhe njerëzimi, që në periudhën e familjeve të mëdha me shumë fëmijë, ndryshe nga familjet e sotme, që përbëhen zakonisht nga një ose dy fëmijë.

Është një marrëdhënie që nuk kushtëzohet nga gjeografia apo lloji i shoqërisë, pra nëse jeton në Amerikë, në Afrikë, apo në Kinë. Nëse ke një motër, atëherë ke pranë një njeri të gatshëm për të të dashur në pafundësi, apo për t’u shndërruar në rivalen tënde më të egër. Vetëm një motër e di saktësisht se si mund të të lëndojë dhe vetëm një motër do ta bënte një gjë të tillë.

Përse?
Sepse kur ke një motër, ke pranë dikë që vetiu ka potencialin që të të bëjë të ndihesh më pak e dashur, më pak e bukur dhe më pak popullore. Motrat, pavarësisht nga përpjekjet që mund të bëjnë prindërit për t’i rritur, apo edukuar me dashuri për njëra- tjetrën, e dinë se gjithsesi janë në një konkurrencë me njëra-tjetrën. Sipas psikologëve, motrat më të mëdha kanë një sens përgjegjësie më të madhe ndaj atyre më të vogla dhe kanë më shumë besim në dashurinë e prindërve për to. Por konkurrenca mes motrave vazhdon deri në njëfarë moshe. Fillimisht ato mund të konkurrojnë për njëra-tjetrën. Më pas konkurrojnë me fëmijët e tyre se kush i ka më të bukur, më të shkolluar, më me fat.

Por vjen një moshë, kur ato tashmë janë plakur dhe fëmijët janë rritur, që miqësia e tyre më në fund mund të zhvillohet e qetë dhe pa ulje e ngritje të mëdha. Pikërisht në moshën mbi 50 vjeç ose edhe më të madhe, ato janë të qeta me njëra-tjetrën, pa barrën e konkurrencës e më në fund të gatshme për t’iu gjendur shoqja-shoqes në çdo situatë. Një motër, ashtu sikundër edhe prindërit dhe fëmijët, je e detyruar në të mirë, ose në të keq që ta kesh përjetë. Një shoqe mund ta ndash e ta harrosh, por kurrsesi një motër. Ajo është e lidhur me ty deri në vdekje. Nuk mund t’i ikësh kurrë motrës siç mund ta bësh me një shoqe, apo kolege. Ajo të ndjek në çdo hap. Ajo është gjithmonë aty.

Që të marrësh një përshtypje të vërtetë për një vajzë. Nuk mund ta bësh pa pyetur më parë edhe se çfarë mendon e motra. Këto janë disa nga arsyet se përse marrëdhënia mes motrave është kaq interesante. Si të gjitha marrëdhëniet njerëzore nuk është kurrë as tërësisht e bardhë dhe as tërësisht e zezë, por karakterizohet nga nuanca ndjesish, përjetimesh, sjelljesh e qëndrimesh. Bashkëjetesa me to nis me luftën për kukullën e preferuar apo për djaloshin simpatik, por me kalimin e kohës motra mund të shndërrohet në supin e vetëm mbi të cilin mund të mbështetesh, të qash dhe të gjesh ngushëllim. Marrëdhënia mes motrave nis për të zgjatur të gjithë jetën. Edhe nëse për ndonjë arsye shumë të rëndë qëllon që motrat të mos i flasin më njëra-tjetrës, ose të jetojnë shumë larg, ato mbeten thellë në mendjen dhe psikikën e njëra-tjetrës.

Të jesh motër është fat dhe si në çdo marrëdhënie njerëzore duhet që të dish si të sillesh dhe si të humbasësh.


GazetaShqip

"Informim dhe qytetari. Ndryshe jemi të mbaruar!"

Një qytetar e ka thuajse detyrim të informohet. Sa më shumë qytetarë të informuar aq më pak militantë kokëboshë. Militanti nuk ka mendim të vetin, as logjikë të vetën, ai thotë atë që flet lideri politik në TV. Lideri mund të çmendet, çmendet dhe militanti. Lideri mund të pjerdh nga mendja, atë bën dhe militanti.


Kurse qytetari është ndryshe. Ai nuk ka nevojë ti thotë lideri politik, se si janë gjërat. Ai ka kokën e vet dhe arrin ta kuptojë vetë si janë gjërat. Për këtë duhet informacioni.


Nuk i falet sot p.sh, asnjë qytetari shqiptar që gjatë këtyre dy javëve që u përmbyt Shkodra dhe Lezha të mos ketë mësuar ende shkakun e përmbytjes. Një fqinji im, nga këta më militantët partiakë, më thotë sot që edhe në USA bëhen përmbytje dhe askush nuk akuzohet.


Ju përgjigja: "Këtu në Shqipëri askush nuk pyet pse ra shi dhe dëborë, more i gjorë! Këtu bëhet fjalë përse u grumbullua ujë i tepërt dhe përse nuk u hapën portat e shkarkimit, gjë që nëse nuk e di, u bë për arsye interesi për të mbushur xhepat me valutën që do fitohej prej korrentit.
Edhe njëherë, një lutje bashkë - lexuesve të kësaj rubrike: Informim dhe qytetari. Ndryshe jeni të mbaruar!


Shqipëria ka nevojë për sy të hapur. Shume njerëz nuk e kuptojnë por kjo është luftë për liri. Për liri sepse një individ apo një grusht individësh duan të marrin gjithçka nën kontroll, gjithashtu edhe pronat private. Luftë për mbijetesë. Sa më shpejt, aq më pak viktima.

Ruben tek reagimet, Shekulli

Gënjeshtarët

Të gjithë njerëzit gënjejnë. Mund të bëhet fjalë që prej gënjeshtrave të vogla mbi p.sh. një shfajsim për një ardhje me vonesë e deri tek gënjeshtra të mëdha mbi p.sh. pasjen e një jetë të dyfishtë apo kryerje tradhtie. Por njeriu gënjen edhe kur e mban të fshehtë diçka e nuk e thotë.

Sipas disa studimeve njeriu gënjen nga çdo katër deri në çdo tetë minuta. Rreth 5 përqind e popullsisë janë gënjeshtarë të sprovuar: çfarë do të thotë se nuk mund ta kuptosh nëse ata gënjejnë apo jo. Kurse gënjeshtrat e 95 përqindshit që mbetet mund t´i zbulosh kur ke njohuritë përkatëse.

Zotësia për të zbuluar gënjeshtrën qëndron në aftësinë për të lexuar të ashtuquajturën gjuhë trupore.
Bo Sjöberg, psikolog dhe përgjegjës i institutit suedez NLP që mëson njerëzit për të lexuar gjuhën e trupit dhe zbuluar gënjeshtrat, thotë se një gënjeshtar është i mëdyshëm. Ajo që ai thotë me gojë nuk përputhet me atë që ai shpreh me trupin e tij.

P.sh. gjestet nuk përputhen me tempon e zërit ose fjalët nuk përputhen me zërin që nxjerr. Edhe shikimi mund ta tradhtojë gënjeshtarin. Nëse shikimi i dikujt është i ngurtë dhe i ngulitur ai mund të jetë duke gënjyer. Përveç të tjerash, një gënjeshtar ngul këmbë në atë që thotë. Zakonisht me gënjeshtër kuptohet ajo që njeriu me vetëdije e fsheh apo e shtrembëron për të bërë dikë të humbasë fillin.
Më së shumti hasen tre grupe të mëdha gënjeshtarësh:
Grupi i atyre që të gënjyerin e kanë për dëfrim,
të atyre që gënjejnë për të shmangur një konflikt
dhe grupi i atyre që duan të fshehin diçka për të cilën u vjen turp ose prej të cilës nuk ndjehen mirë
.

Ata që gënjejnë për tu dëfryer shtyhen nga e njëjta gjë që shtyn dikë që ka qejf të hidhet me parashutë. Gënjeshtra kthehet në një mënyrë për të sfiduar fatin dhe krijuar pak variacion në jetë. Gënjeshtra që të gjithë njerëzit i thonë janë p.sh. rasti si ai kur njeriu thotë se gjella është bërë shumë e mirë ndonëse mendon se nuk hahej dot. Apo kur i bën qejfin dikujt duke i thënë p.sh. shoqes se fustani i ri i shkon shumë bukur kur ndërkohë mendon se ajo ngjan sikur ka veshur një thes.
Në këto raste bëhet fjalë për tregim respekti ndaj tjetrit, për t´iu shmangur diçkaje apo për gënjeshtra të nevojshme. Ka edhe njerëz që përpiqen ta zbukurojnë të vërtetën dhe që besojnë me të vërtetë mbi atë që thonë. Këta quhen mytomanë.

Ata nuk e përjetojnë si gënjeshtër atë që thonë. Prandaj është e vështirë ta quash mytomanin me plot gojë gënjeshtar . Njerëzit mund të kenë plot shkaqe për të gënjyer. Bo Sjöberg thotë se Bill Clinton gënjeu mbi Monica Lewisky-n përpara popullit të tij pasi i vinte turp. Shikohej qartë shprehja e fytyrës së tij që herë tregonte inat e herë keqardhje. ----> http://www.youtube.com/watch?v=KiIP_KDQmXs

Klinton duke gënjyer. Pamja e tij tregon herë inat e herë keqardhje.

# Sjöberg thotë se atyre që kanë poste të larta u duhet gjithnjë të ballafaqohen me fakte kundërshtuese prandaj duhet të mësojnë të gënjejnë në mënyrë më të përsosur duke thënë gjysëm të vërteta dhe fjalë të dykuptimta. Kështu mund të kuptoni që dikush gënjen: Atij i del një zë jo i zakonshëm, bën shumë pak gjeste, shikimin e ka të ngujuar ndryshe nga zakonisht.
# Nuk di si të vazhdojë më tutje, përsërit fjalët e thëna, merr frymë thellë pa pasur arsye përse. Flet shumë shpejt ose shumë ngadalë.
# Shikimin e ka të ngurtësuar, ngulit shikimin në sytë e tu.
# Thotë gjëra të gabuara, ndryshon përnjëherë temë.
# Brenda një të njëzete të sekondës shfaq një ndjenjë tjetër nga ajo që ai do që ti të shohësh.

Përgatiti Alvin Ekmekçiu - Mbështetur në materialin e gazetës suedeze StockholmNews

Ka disa gënjeshtra vërtetë mallëngjyese që ia vlen ti besosh. (Stop .Injorancës)

Monday, January 18, 2010

Ndaj sot energji pozitive.

18 janar, mëngjes !

Duam ndryshim, duam të ecim përpara. Kuptojmë që kemi çdo mundësi për t'ia dalë. Ankohemi për padrejtësitë që na ndrydhin e na ligështojnë. Kërkojmë më tepër, besojmë se meritojmë sigurisht më tepër, por sa tepër dhurojmë...?

Pyetjet që çdokush mund t'ia drejtojë vetes sot :

- Kujt i the sot të parit mirëmëngjes ?
- Kush ta vodhi sot buzëqeshjen e parë ?
- Kë falenderove sot për respektin që çdo ditë të dhuron ?
- Cilin është i pari që do të ndihmoni sot ?
- Kujt do t'ia adresoni komplimentin e parë ?
- Kujt do ti kërkoni falje ?
- Kujt do ti jepni sot më tepër kurajo ?
- Cilin mik do kujtoni të parin ?


Nëse një prej pyetjeve të mësipërme ju ka zgjuar, që pikërisht sot të përmbushni një prej energjive pozitive, bota do të ketë një mirësi më shumë, një të keqe më pak.

Mirëmengjes të dashur bashkudhëtarë dhe faleminderit për buzëqeshjet që nxisni apo dhuroni. Faleminderit për kohën që kaloni bashkë me ne si edhe për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm. Jeni të mrekullueshëm dhe ju kërkoj ndjesë nëse padashje mund t'iu kem shqetësuar.

Ju uroj forcë dhe mbarësi në këtë fillim jave.

Sapo iu përgjigja pyetjeve të mësipërme, po ti ...?

Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Sunday, January 17, 2010

Ku ishte Zoti, kur u zhbë Port-au-Prince ?

1. (Leibnitz-i dhe “Zoti ka krijuar botën më të mirë të mundshme”)


Qëllimi i gjithë idealizmit ka qenë që njeriun në idetë e tij të pajtohet me fatin aktual. Njeriu duhet t`i përmbahet Dhiatës dhe do të shpërblehet nga një princip i lartë, nga Zoti.

Por, aktualiteti gjithnjë ka qenë instabil, i mbarsur me rreziqe, dhe bota gjithnjë e pa baraspeshë. Nuk ka një filozof tjetër që e ka formuluar aq mirë këtë disharmoni të amshueshme, si Leibnitz-i. Në Theodizee-në e tij (1710) ai thotë se Zoti ka krijuar botën me të bukur të mundshme, sepse gjithë pjesët e Kosmosit: Natyra, Shpirti dhe Trupi i njeriut janë të lidhura pandashëm në `harmoninë e parastabilizuar`. Në këtë botë mrekullie, gjithnjë sipas Leibnitz-it, të krijuar nga një vullnet i përkryer hyjnor, që shëmbëllen Zotin në botën tonë shpirtërore, nuk ka asnjë veprim të mirë që shkon pa u shpërblyer, dhe rrjedhimisht, asnjë veprim të keq që nuk do të gjykohet. Por, gjithçka ndodh në shërbim të së mirës dhe të të mirëve, të cilët në këtë botë nuk jepen pas kënaqësive të liga, por janë rob të së mirës.

Por, në gjithë këtë harmoni të parastabilizuar, e ku asgjë nuk ndodh pa dëshirën dhe vullnetin e Zotit, shtrohet pyetja: si erdhi e u përhap e keqja në këtë botë??

Zotit falë i qofshim, ... por e vërteta është krejt ndryshe. Me apo pa Zotin, kjo botë është një varr që evoluon. Nulli sua forma manebat (asgjë s`mbetet si është!!). Një botë e të sëmurëve, e kancerit, e armëve, e varfërisë, pushtimeve, shkretëtirave, urrejtjes, luftërave. Në rrugët e Kalkutës ka panumër njerëz që s`kanë emra, sepse s`kanë pasur njeri që t`i pagëzojë. Çdoku pra, sikleti i jetës e zhvesh njeriun nga copëza të identitetit të tij të natyrshëm, nga materia dhe nga shpirti. Është botë e rrezikut.


2. (Tërmeti i Lisbonës)



Pikërisht më 1. nëntor 1755 ndodh tërmeti i Lisbonës. Kjo katastrofë natyrore është cesura më e thellë e deriatëhershme në botën shpirtërore dhe kujtimet e Europës. Nga tërmeti vdesin mëse 30.000 njerëz. Dhe një nga qytetet më fisnike të Europës, me një ndër portet tregtare më të mëdha të saj shndërrohet në një varr të pamatë. Ishte vdekja e asaj botës që predikonte Leibnitz-i, vdekja e optimizmit.

Voltaire shkruan një “Poème sur le désastre de Lisbonne” duke bërë nga tmerri dhe llahtari i Lisbonës një kryevepër evropiane që do të mohonte Theodizee-në e Leibnitz-it, me gjithë atë optimizëm gati arrogant të iluminizmit të atij shekulli. Lisbona e shndërruar në hi dhe vdekje po bëhej përnjëherë mësimi më i madh i gjithë iluminizmit, se kjo botë s`ishte gjë tjetër veçse një krijim që bashkëjetonte me katastrofat, rreziqet dhe pasigurinë, të cilat s`kishin asnjë rrënjë në mëkatet e njeriut, por në gjeologjinë e dheut.

Katastrofat natyrore në historinë njerëzore kanë sjellë shumë vuajtje. Dridhet toka në mes të natës së qetë, shpërthen llava dhe varros qytete që i zë në gjumë (Pompejin) apo vërshon beftë një tsunami dhe merr jetën e mëse 200 mijë njerëzve (Azi juglindore).

Shkatërrimet që mbesin prapa këtyre katastrofave shkaktojnë shokim të përbotshëm. Njeriu ndjehet i vetmuar, i vogël, i pakuptim. Kështu edhe më 1755 në Lisbonë, ku përnjëherë u humb besimi në botën, në Zotin, në natyrën e qëndrueshme dhe besnike. Në këso situatash tragjike më së vështiri e kanë teologët: çfarë është ai Zot që i dënon kështu të mirët e të këqijtë bashkë? A duron drejtësia hyjnore që të vdesin mijëra fëmijë, gra e burra të pafajshëm, për pak çaste?

I pari ishte Kant-i që nisi të kërkonte arsyet te natyra.


3. (Auschwitz-i)


“Është barbare të shkruash poezi pas Auschwitz-it”, kështu ka thënë Adorno.

Për ata që kanë parasysh Auschwitz-in dhe Prekazin, jeta merr një ngjyrim gri, neutralizohet, vihet në dyshim. Ose, së paku, raporti i saj me Zotin. Çfarë kuptimi ka hierarkia hyjnore, kur mbi këtë kokërr gjaku, urrejtje, shkretëtirash e vetmie, të mbështjellë me smog, e të humbur nëpër pafundësi, këtu pra, në tavolinën tonë sferike, ku ne si ujqit i hidhemi njëri tjetrit gjithë jargë e uri, vrasja është bërë industri??

Çfarë kuptimi ka Zoti, harmonia kozmike, në një mishtore të tillë kanibalësh?

Pas Auschwitz-it bota ka humbur edhe atë pak normalitet që ka menduar se e ka, ndërsa pas Kosovës dhe Bosnjës ajo është amorale. Thelbi i botëkuptimit gjenocidist është sistemi vetanak i vlerave dhe hapësirës, dhe në atë sistem `tjetri` nuk ka vend. E drejta për të zhbërë është licencë satanike. Dhe në një botë si kjo, ku shkatërrimi ka metodë dhe shndërrohet në sistem vlerash, s`ka vend për arsyen, njeriun universalist, paqen.

Jo gjeologjia, jo natyra, por kultura, gjenealogjia e moralit këtu është rrafshi ku identifikohet shkatërrimi. Mobilizimi i resurseve njerëzore (të paimagjinueshme!!) për të zhbërë jetë dhe kulturë.

Çfarë është ai Zot, që lejon që në shuplakë të tij të tymojnë dhomat e gazit, makineria e vdekjes?


4. (Haiti)


Janë qindra mijëra njerëz që kanë vdekur ngase nuk ka funksionuar harmonia kozmike. Nëse ndodh kjo, a ndodh me lejen e Zotit? Nëse ndodh me lejen e Zotit, si mund të lejojë Ai një masakër të tillë? Nëse ndodh që ka një vullnet të lig në Gjithësi, atëherë ka dualizëm. Zoti nuk është vetëm.

E di, fanatikët (ata që për njerëzimin kanë të fiksuar një dhe të vetmin agor!!) do të vrapojnë të arsyetojnë të kundërtën: se Zoti kundërvepron. Se kur bota ngarkohet nga e keqja Ai reagon në mënyrën e Tij. Por, çfarë faji kanë ata të gjorë varfanjakë, në një shtet që edhe ashtu ishte shumë jostabil dhe keq. Nëse kjo tragjedi e kësaj mase të pafuqishme njerëzore është refleksioni i dënimit hyjnor, atëherë pronari i Universit është tepër koprrac.

Në Haiti, me gjithë ato kufoma të pavarrosura, është përmbysur një copë Gjithësie. Një pjesë e dhimbshme, fragment i përtejmë dhe i harruar i Pafundësisë. Për materien do të jetë vetëm një zhvendosje, për shpirtin një urnë e madhe që do na mbajë të gjithëve ngujuar, për së gjalli... me gjithë përhumbjen, pasigurinë dhe vetminë tonë të pafund.

Para Haitit mbetet hije çdo tragjedi biblike.

Dhe këtë tragjedi e kanë paraparë gjeologët, sepse tërmete përafërsisht të tilla e kanë goditur këtë ishull edhe më parë, por shkenca për këtë tërmet ka pasë parashikuar se do të jetë apokaliptik, dhe ashtu u bë, fatkeqësisht.

Edha ashtu ky shtet ka qenë i dështuar, për fatin e keq të banorëve të atyshëm. Lufta qytetare e ka dërrmuar. Varfëria dhe mjerimi i kanë shtyrë njerëzit të kryengritjen vazhdimisht, ndërsa klane mafioze kanë tregtuar me resurset e këtij vendi.

Gati të gjitha malet janë prerë dhe shitur, çdo shi (i rrallë) që bie gërryen deri në shkëmbinj masën e dheut mbi to dhe e çon në det, erozioni pastaj kryen punën e mbetur. Ngaqë s`ka më male, s`ka më gjelbërim. Një vend ekologjikisht i shkatërruar, shpirtërisht i kapitur, i zhytur në korrupsion gjer në mosshpresim, e për të cilin dimë shumë pak.

Pikërisht në Haiti, skllavët kanë qenë ata që kanë zhbërë vetë skllavërinë. Aty ka ndodhur një revolucion, i ngjashëm me atë të Spartakut, ku skllevërit kryengritjen dhe luftojnë për të drejtat e tyre. Ata kanë fituar mbi njërën nga armatat më të forta të Napoleonit. Por, siç ndodh jo rrallë në shoqëri të ngjashme, ata nuk kanë arritur të ndërtojnë një shtet të qëndrueshëm. Deri tani as nëntëmijë helmetat blu nuk kanë bërë shumë punë. Më keq: struktura të tëra të trupave të Kombeve të Bashkuara janë korruptuar dhe s`kanë asnjë motiv për atë vend.

Haiti ka kohë që ka nisë të vdesë. Tash veç u zu për së gjalli nga dheu dhe hiri dhe tmerri.

Tema, Nga Arsim Rexhepi

Çfarë është dhe çfarë nuk është demokratike?

Lamë pas një vit me shumë tensione politike, të cilat, duke qenë se kanë për shkak mungesën e kulturës demokratike për funksionimin e një demokracie të vërtetë, e fillova këtë vit të ri pikërisht me komentin se “Çfarë është dhe çfarë nuk është demokratike?

Prandaj fillimisht po e nisim se çfarë përfaqëson dhe cilët janë elementet kryesore përbërëse të demokracisë së vërtetë. Matematikisht demokracia përbëhet nga shuma e liri + barazi + vëllazëri. Prandaj liri-barazi-vëllazërim është vlera e madhe e Revolucionit të Madh Francez të 1789.

* * *
Të dashur lexues, nëse më lejoni, dua t’ju shpjegoj:
1. Në vendin që nuk ka liri, nuk ka demokraci.
2. Në vendin që nuk ka barazi, nuk ka demokraci.
3. Në vendin që nuk ka vëllazëri, nuk ka demokraci.
Të tjerat janë pallavra. Janë hija e minares dhe pluhuri i daulles.


Liria është konkrete, barazia është konkrete, vëllazërimi është konkret. Atëherë edhe demokracia është konkrete. Ashtu siç nuk janë abstrakte liria, barazia dhe vëllazërimi, ashtu nuk është abstrakte edhe demokracia. Demokracia nuk i ngjan në asnjë mënyrë kafesë turke: sade, me pak sheqer, të mesme apo me shumë sheqer. Për këtë arsye kërkesa “më shumë demokraci” është një sofizëm, është një e folur përçart. Ajo shpreh mungesën e demokracisë.

Sipas kujt “më shumë demokraci”? Çfarë është demokracia të dashur lexues?
Në qoftë se pyesim një nxënës të shkollës fillore, që nuk luan vetëm me kompjuter, do të përgjigjet se demokracia është pushteti i popullit. Por pushteti i popullit është një koncept abstrakt, sepse veçanërisht në vendet e pazhvilluara nuk realizohen një sërë të të drejtave të pushtetit të popullit. Bile ankesa, por jo të këtij niveli, ka edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Angli. Pa sovranitetin e vërtetë të kombit, pa qenë ai i popullit, pa qenë në bazë të pasurisë drejtësia, zotërimi i lirisë, i barazisë dhe i vëllazërisë janë një spekulim i demokracisë, është ëndërr e parealizueshme, është rrëzuar, është një vegim.

Sistemi shumëpartiak, parlamenti, zgjedhjet e lira, ndarja e pushteteve, ekzistenca e institucioneve të kontrollit, si Gjykata Kushtetuese, Prokuroria nuk janë treguesi i demokracisë. Parlamenti dhe deputetët e tij, qeveria dhe organet e tij janë pengesat më të mëdha që qëndrojnë përpara pushtetit të popullit kur ato nuk vendosen në shërbim të popullit. Ky përbën edhe shqetësimin kryesor të qytetarëve shqiptarë, pasi këto pushtete dhe institucione të shtetit, në vend të përkushtohen në të gjitha diskutimet dhe veprimtaritë e tyre për rritjen e nivelit ekonomik të të gjitha shtresave të popullsisë, sillen dhe veprojnë sikur nuk janë zgjedhur nga ky popull për ta përfaqësuar dhe mbrojtura atë. Të mos ngatërrojmë me njëri-tjetrin shtetin me qeverinë. Në frëngjisht shteti shkruhet me “E” të madhe: Etat. Te ne, sido që të jetë i ngatërrojnë të dyja me njëra-tjetrën. Në ngjarjet e rënda përfaqësuesit e popullit me ata që diskutojnë në televizione, në vend të bërtasin “qeveria ku është?”, thonë “shteti ku është?”. Në një vend që populli ngatërron shtetin me qeverinë nuk vendoset as demokracia konkrete dhe as demokracia abstrakte.

Nëpunësi amerikan nuk thotë se punoj për shtetin, por thotë se “unë punoj për qeverinë”. Tani të japim një ngjashmëri kaba: shteti është një kamion i ngarkuar. Qeveria, e cila ka në dorën e saj çelësin e kontaktit, është shoferi i kamionit. Shoferi e çon në vendin që dëshiron kamionin e ngarkuar të shtetit, mallin e shkarkon në vendin që dëshiron. Qeveria është ajo që vendos se ku do të investohet, ku do të zbrazë paratë për të ndërtuar. Nga politikat e saj varet zhvillimi i vendit. Nëse ajo është e zonja të planifikojë dhe menaxhojë burimet financiare në nevojat kryesore të vendit, populli shikon ndryshimin; në të kundërt populli merr si dhuratë prej saj rritjen e varfërisë, mungesën e stabilitetit dhe qetësisë. Për këtë qëllim populli zgjedhës që të mund të kontrollojë demokracinë do të mësojë ndryshimin e qeverisë me shtetin. Për, shembull: shteti nuk dëgjon njeri, ai nuk ka kufje përgjimi. Njerëzit i dëgjon qeveria, qeveria ka kufje dëgjimi. Shteti nuk i fut në kurth institucionet dhe strukturat publike. Institucionet dhe strukturat e shtetit qeveria i fut në kurth. Qeveria, nëse nuk është me të vërtetë demokrate, ashtu si shoferi, demokracia është në rrezik, për arsye se është në një rrugë ure, shkatërruese, prishëse.

Në Shqipëri deri tani ne kemi pasur qeveri që u ngjanë një bombe dore, të cilat nuk i lënë institucionet e shtetit dhe pushtetet e saj të pavarura të funksionojnë normalisht. Sa herë ndërrohet pushteti politik, ose edhe brenda të njëjtit pushtet politik, ndërrohen shumica e drejtuesve dhe anëtarëve kryesorë të institucioneve vendimmarrëse. Shiko se çfarë po ndodh edhe tani me shpalljen e vendimeve të pritshme të Gjykatës Kushtetuese. U zhvilluan seancat dëgjimore për statusin e ushtarakëve dhe marrëveshjen me Greqinë për kufirin detar të Sarandës dhe nuk po e shpall vendimin. Pse? Sepse pret që të largohen disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, që kanë mbushur afatin e qëndrimit, për t’i zëvendësuar me mbështetës të pushtetit politik, qeverisë “Berisha”. Pra, të vendoset plotësisht edhe kjo gjykatë nën kontrollin politik të partisë politike në pushtet. Këtë bëri edhe Nano kur erdhi në pushtet. Pra, drejtësia merr fund. Ajo nuk mund të kontrollohet nga asnjë pushtet apo institucion tjetër. Prandaj pushtetarët vazhdojnë pa u ndalur të bëjnë shantazh pa menduar të ecin përpara në rrugë demokratike, sikur të ishim akoma në vitet ’90. Mjafton të kujtojmë shantazhin kundër prokurorit të përgjithshëm Sollaku, Rakipit dhe së fundi ndaj zonjës Rama, veçanërisht ndaj penalizimit të ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu. Rezultati: dy të parët i shkarkuan nëpërmjet mekanizmit të votës së Kuvendit, ndërsa e fundit, zonja Ina Rama, ka mbyllur sytë dhe gojën ndaj shumë problemeve që kanë nevojë të hetoheshin pa u tërhequr deri në fund.

Në sistemin e ndarjeve të pushteteve ekzistenca e acarimit dhe tensioneve midis gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit është nevojë e natyrshme e zgjidhjes dhe trajtimit të problemeve. Detyra e hetuesisë dhe gjyqësorit është të përcaktojë nëse janë sjellë apo jo drejtësisht me ligjin përfaqësuesit e qeverisë dhe të kontrollojnë se si janë shfrytëzuar energjitë financiare të popullit. Kontrolli i hetuesisë nuk mund t’i pëlqejë pushtetit politik. Për arsye se ajo pengon realizimin e qëllimeve, pushteti politik mund të ndiejë zemërim, inatosje ndaj hetuesisë dhe gjyqësorit. Ky tension dhe mosmarrëveshje që ekziston midis pushtetit politik dhe hetuesisë në periudhën që shtrihet brenda kufijve të demokracisë, nga pikëpamja e funksionimit të shtetit ligjor është një tregues pozitivë. Nëse pushteti politik është në çdo kohë i kënaqur nga vendimet e pushtetit të hetuesisë dhe gjyqësorit, hapet rruga e dyshimeve të mosfunksionimit të mirë të demokracisë, të mosbërjes së detyrës sipas ligjit të hetuesisë. Ky përfundim ekziston sot edhe në shumicën e opinionit publik të vendit, pasi pushteti politik i sotëm është në “paqe” me hetuesinë dhe gjyqësorin për pushimin e çështjeve penale të dy ministrave të saj. Këta dy ministra edhe mund të jenë të pafajshëm, sidomos zoti Basha, por përderisa këtë verdikt nuk e dha pushteti gjyqësor, ka krijuar dyzimin e mosbesimit te qytetarët.

Për këtë shkak revoltimet e pushtetit politik ndaj vendimeve të pushtetit gjyqësor (prokurori + gjykatë) tregojnë se prokuroria e kryen detyrën mirë. Por presioni, kundërshtimet e vendimeve të hetuesisë deri në kërcënime nga pushteti politik, duke i kaluar kufijtë e demokracisë, tronditin nga themelet demokracinë dhe influencojnë shumë, për të mos thënë se i heqin prokurorisë krejtësisht pavarësinë e domosdoshme. Pavarësisht se kanë apo nuk kanë të drejtë partitë që i janë drejtuar prokurorisë për shkeljet e ligjit në numrin e votave të zgjedhjeve të 28 qershorit, moshapja e çështjes tregon se prokuroria është gjunjëzuar dhe nuk ka forcë ose dëshirë që të përballët më pushtetin politik. Prandaj midis demokracisë dhe pavarësisë së hetuesisë ekziston një lidhje shumë e ngushtë. Në qoftë se njëra detyrë e hetuesisë dhe gjyqësorit është të sigurojë drejtësinë, detyra tjetër është të ruajë vlerat e demokracisë. Pa një hetuesi të pavarur nuk mund të ruhen vlerat e demokracisë: liria, barazia dhe mirëkuptimi. Prandaj në shtetet demokratike mbrojtja dhe sigurimi i pavarësisë së hetuesisë është detyrë e pushtetit politik. Bile, në qoftë se është e pakënaqur nga vendimet e prokurorisë, një pushtet politik që i kupton dhe i mbron vlerat e demokracisë merr masa ligjore për të siguruar pavarësinë e prokurorisë.

Në vendet demokratike qeveritë janë të detyruara të realizojnë sigurinë e prokurorëve duke parandaluar kërcënimet në pavarësinë e punëve të tyre, siç janë ato të përjashtimit nga profesioni dhe transferimit nga vendet e punës e nga qytetet ku ndodhen. Ashtu si dhe prokurorët janë të detyruar të bëjnë detyrën e tyre në përshtatje me ligjet. Përjashtimi nga detyra e prokurorëve është një ngjarje shumë e rëndësishme për pavarësinë e prokurorisë, që te ne ka ndodhur shumë herë. Për këtë arsye ndëshkimi është e nevojshëm të mbështetet në fakte reale dhe shumë të besueshme. Pra, siç kuptohet, çelësi që ka bllokuar zhvillimin e demokracisë funksionale dhe mbrojtjes së vlerave të demokracisë te ne aktualisht është binjakëzimi i pushtetit gjyqësor (prokurori + gjyqësor) me pushtetin politik, nga të cilat varet liria, barazia dhe vëllazërimi. Prandaj përfaqësuesit e vendeve të Europës në Bruksel dhe në Tiranë ripërsëritin me tone të larta se Shqipëria ka shumë probleme në funksionimin e një shteti demokratik dhe ligjor. Ky është shkaku që disa prej tyre i kanë rikujtuar qeverisë dhe politikës Shqiptare që të plotësojë kriteret politike të Kopenhagës, të cilat kërkojnë “ekzistencën e institucioneve që garantojnë shprehjen dhe mbrojtjen e demokracisë, të drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, si dhe “ekzistencën e një demokracie të institucionalizuar dhe me stabilitet”, duke konsoliduar shtetin ligjor, barazinë para ligjit ndaj çdo qytetari dhe jo deputetët e ministrat e veshur me imunitet të trajtohen në një mënyrë të çuditshme, jashtë përgjegjësive ligjore dhe një hetimi krejtësisht të kundërt nga qytetarët e tjerë, duke krijuar një klasë shumë të rrezikshme për demokracinë e këtij vendi. Këto janë shkaqet pse politikanët tanë dhe media e politizuar nuk godasin mundjen që po na bren: mungesa e shtetin ligjor dhe varfëria ekonomike e shumicës së popullsisë.

Një njeri i lexuar e kupton mjaft mirë se shumica e politikanëve shqiptarë nuk janë të përkushtuar për plotësimin e kritereve të integrimit të Shqipërisë në Europë dhe të nxjerrjes së vendit nga varfëria në shumicë shumë ekstreme, por në mbajtjen sa më shumë, mundësisht deri në vdekje.

Hajro Lima, G. Start

Arrestohet “Mesia i rremë”. Kishte 30 gra e 30 fëmijë

Izrael, mesia i rremë akuzohet për keqtrajtime dhe incest.

Policia izraelite ka arrestuar një 60-vjeçar hebre që vetëkonsiderohej “I mençur”, pas akuzave se ai kishte ngritur një harem të vërtetë me 30 gra dhe 60 fëmijë. Dyshohet se ai ka kryer akte incesti dhe abuzime seksuale ndaj tyre.

I arrestuari quhet Goel Ratzon dhe është cilësuar nga media hebraike si Josef Fritzl i Izraelit. Ai thuhet se i mbante gratë dhe fëmijët si skllevër në një apartament të ndyrë në rrethinat e Tel Avivit. Ratzon ka qenë i ndaluar që nga e enjtja. Hetimet ndaj rastit të tij kanë nisur që nga vera e kaluar, pasi një grua dëshmoi se ndaj saj ishin kryer abuzime. Sipas akuzës dhe fakteve të mbledhura më pas, i dyshuari i mbante gratë e tij nën kontroll me një dorë të hekurt, përfshi këtu edhe gjërat e tyre të çmuara, apo paratë. Ai kishte shkruar një libër me rregulla për to, në mënyrë që t’i mbante në kushtet e skllavërisë. Ishte ai që vendoste se çfarë duhej dhe çfarë nuk duhej të bënin ato, të përcaktonte lëvizjet e tyre dhe të vendoste sanksione e dënime të ndryshme ndaj tyre, përfshi edhe përdorimin e dhunës nëse ato nuk do t’u bindeshin urdhrave të tij.

Mes akuzave të tjera që janë ngritur ndaj Ratzon, është edhe ajo e sjelljes në jetë të fëmijëve nga marrëdhënia seksuale me disa prej vajzave të tij. Disa nga gratë që u vetidentifikuan si bashkëshortet e Ratzonit janë shfaqur në një dokumentar në televizion i transmetuar në Izrael vitin e kaluar. Ato janë filmuar duke e ushqyer burrin e tyre dhe duke i krehur flokët.

Njëra prej tyre u shpreh e bindur se ai ishte Mesia, për të cilin flisnin të gjithë. “Ai është këtu mes nesh, por ende nuk e ka shpallur këtë botërisht. Ditën që kjo do të ndodhë, toka do të tronditet e tëra dhe bota do të ndryshojë”, ka deklaruar njëra nga gratë në dokumentar. Ndërsa, sipas avokatit të të akuzuarit, klienti i tij nuk është faktor për asnjë shkelje, sepse gratë e kanë bërë gjithçka me vullnet të plotë.


Shqip

Ismail Kadare, vetëm me 17 737 adhurues në facebook !

Shkrimtari “botëror” me vetëm 17 737 adhurues në facebook nga e gjithë bota, shqiptarë dhe të huaj.

Nëse do të kërkoni në facebook për Ismail Kadarenë, do të gjeni dy faqe me fotografinë e tij ku janë fansat e tij nga e gjithë bota, shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, Republika e Shqipërisë, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Çamëria, diaspora, si dhe të huaj nga e gjithë bota. Në të parën nga këto faqe, me emrin “Ismail Kadare”, në momentin që po shkruaj, në 15 janar 2010, në orën 16 e 24 minuta, kishte 17 221 adhurues, apo fansa.


Në faqen e dytë me emrin “Ismail Kadare” kishte 516 adhurues, apo fansa. Në faqet personale me emrin Ismail Kadare, dhe me fotografinë e tij, ajo që ka më shumë miq, ka 877 të tillë. Kjo qartësisht është faqja zyrtare e shkrimtarit. E dyta në radhë ka 25 miq. E treta në radhë ka shtatë miq, e katërta në radhë ka dy miq, nga të cilët njëri është i huaj. E pesta dhe e gjashta në radhë kanë vetëm nga një mik.

Facebook e jep më mirë se gjithçka të vërtetën e Ismail Kadare, të cilën ai e fsheh duke mos treguar numrin e kopjeve të botimit të librave të tij në Shqipëri (të cilat shiten në krejt hapësirën shqiptare) dhe në botë, në gjuhë të huaja. Në rast se Ismail Kadare do të ishte vërtet një shkrimtar i rangut botëror, i lexuar në të gjithë botën, ai duhet të kishte së paku rreth 18 milion adhurues dhe jo rreth 18 000. Numri i adhuruesve të Kadaresë në facebook, në të gjitha trojet shqiptare, si dhe në të gjithë botën (shqiptarë dhe joshqiptarë) është dukshëm i vogël në përpjestim me numrin e anëtarëve të facebook, shqiptarë nga të gjitha trojet dhe të huaj në të gjithë botën.
Facebook na tregon qartë se ka një diskrepancë (mospërputhje) kolosale mes mitit të Kadaresë të krijuar nga propaganda e regjimit komunist, mediat në periudhën paskomuniste, dhe nga disa qendra të huaja, dhe interesit real të publikut për Ismail Kadarenë. Një apologjet profesionist i Kadaresë në Tiranë, kur ia thashë këtë gjë, më tha se kjo diskrepancë vjen për shkak se përdoruesit e facebook janë më së shumti të rinj në moshë, dhe se lexuesit e Kadaresë janë në një moshë më të rritur. Por ky është një argument-boomerang, se pikërisht të rinjtë, nxënësit e shkollave, të klasave të larta të arsimit nëntëvjeçar, dhe të shkollës së mesme, janë ata që i kanë lexuar librat e Kadaresë me detyrim për shkak se ato gjenden në programet mësimore. Pastaj në facebook ka dhe shumë përdorues të moshave më të rritura, të cilët supozohej të qenë lexues dhe adhurues të Kadaresë. Por të gjithë këta i kanë blerë librat e Kadaresë me detyrim, dhe leximi i tyre ka qenë një punë e detyruar për ta. Prandaj ai ka aq pak adhurues.
E të mendosh që Kadare edhe për një pjesë jo të vogël të adhuruesve që ka, duhet t’ ia dijë për nder kryetarit të shoqatës “Miqtë e Kadaresë”, z. Çerçiz Loloçi, i cili është njëkohësisht dhe drejtor i marrëdhënieve publike në Fondacionin “Soros” në Tiranë, dhe që një nga veprimtaritë kryesore që bën në zyrë është që të hapë faqe personale në facebook me emra të sajuar, të cilët pastaj i bën adhurues të Kadaresë. Nëse do të keni durim të kqyrni listën e adhuruesve të Kadaresë, do të shikoni se ka shumë veta, të cilët nuk kanë asnjë mik, por janë vetëm adhurues të Kadaresë.

Nga Kastriot MYFTARAJ, G. Sot

Ka diçka që nuk e kuptoj nga Z. K. Myftaraj. Përse çuditet kaq shumë kur edhe artikulli i tij, nuk ka asgjë ndryshe nga sulmi që i është bërë parreshtur shkrimtarit të pakrahasueshëm shqiptar, duke u munduar të hedhin baltë mbi figurën e tij, mbi suksesin e tij, duke ndërhyrë në jetën private, për arsyen e thjeshtë : sulm ndaj suksesit të këtij shqiptari.

Sulmet e ulëta dhe aspak qytetare ndaj kësaj figurë ndërkombëtare, me të cilin çdo popull do krenohej, tregojnë edhe njëherë qartë, varfërinë e madhe intelektuale ku ka përfunduar vendi ynë. (Stop .Injorancës)

Gjashtë agjensitë e spiunazhit më të famshme në botë

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë, CIA nuk kishte ndonjë rival. Por kjo është e gabuar. Agjensitë e spiunazhit janë gjithnjë e më të zëna se kurrë ndonjëherë tjetër. Ato thjesht kanë ndryshuar emër, strategji dhe prioritete, por kurrë nuk kanë hequr dorë nga destinacioni i tyre.

Në fakt duke filluar që nga ridimensionimi i shërbimeve sekrete ruse, i cili tani ka për detyrë ruajtjen e interesave tregtare të Rusisë, duke vazhduar më tej me ato kineze me spiunazhin industrial, indiane dhe pakistaneze të impenjuara në destabilizimin e njëra-tjetrës dhe më pas me Britaninë e Madhe dhe Izraelin në luftën kundër terroristëve islamikë.

Shërbimi Inteligjencës të Huaj (SVR)
Vendi: Russia
Zona e kompetencave: Zyrtarisht, antiterrorizm dhe mbrojtja e interesave të tregtisë ruse.
Jozyrtarisht, konsolidimi i pushtetit politik.
Aktivitetet: Rusia ka një traditë të mrekullueshme spiunazhi që daton që nga era cariste. Pas kolapsit të Bashkimit Sovietik, e gjithpushtetshmja e dikurshme KGB, u thërmua në organizata të ndryshme të vogla me kompetenca shumë të limituara. Që kur ish-agjenti i KGB, Vladimir Putin mori pushtetin, sidoqë të jetë, SVR ose Sluzhba Vneshney Razvedk, siç është e njohur në Rusi, ka rekuperuar shumë nga e kaluara e saj. Spiunazhi rus brenda Shteteve të Bashkuara, tani është kthyer në nivelet e Luftës së Ftohtë, besojnë zyrtarët amerikanë. Peter Earnest, drejtori ekzekutiv i Muzeumit Ndërkombëtar të Spiunazhit në Uashington, i cili ka luajtur me shumë zgjuarsi me KGB-në ndërkohë që ishte operativ i CIA-s për më shumë se tre dekada, ndan këtë vlerësim. “Ata janë aq të rëndësishëm sot, sa edhe në të kaluarën, në mos edhe më shumë” thotë ai.

Ministria e Sigurisë së Shtetit
Vendi: Kina
Zona e kompetencave: Spiunazh industrial dhe analizë datash, siguria e brendshme.

Aktivitetet: MSS është e strukturë e mbyllur si ajo e KGB-së sovjetike, dhe është përgjegjëse për sigurinë e brendshme dhe spiunazhin e huaj. Aktivitetet e saj jashtë vendit besohet se janë të përqendruara në mënyrë agresive kundër Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në sektorin e saj të industrisë së teknologjisë së lartë dhe teknologjisë ushtarake. Në vend që të mbështetet në një grusht të vogël agjentësh, MSS ka një aset potencial të inteligjencës dhe mbledh të inteligjencë në sistemet e reja të armëve me shumë kujdes me kalimin e kohës përmes kontakteve personale. “Spiunazh kinez është i ndryshëm nga ai Perëndimor”, thotë Earnest. “Ne shkojmë pas sekreteve ndonjëherë; ata shkojnë pas numrave. Ata mbledhin nga pak copa të vogla dhe i vënë atë së bashku. "Burimet shpesh nuk e kuptojnë se kanë bashkëpunuar me një mision spiun të huaj, dhe mijëra diplomatë kinezë, studentët dhe njerëzit e biznesit që udhëtojnë në Perëndim, çdo vit bëjnë spiunin i cili është tepër e vështirë për ta zbuluar.

Kërkimi dhe Krahu i Analizës
Vendi: India
Zona e kompetencave: Destabilimi i Pakistanit

Aktivitetet: RAW ishte themeluar në vitin 1968 veçanërisht për të kundërshtuar mbështetjen e grupeve militante pakistaneze në Indi, por gjatë viteve ajo është rritur është bërë një nga shërbimet më të mira botërore të zbulimit, me veprimtari të gjerë duke filluar nga Pakistani, Sri Lanka, Nepal, Bangladesh dhe vende të tjera. Është veçanërisht aktive në Bangladesh, ku ajo luajti një rol kyç në lëvizjen e këtij vendi për pavarësinë nga Pakistani. Autoritetet pakistaneze shpesh fajësojnë RAW për sulme terroriste në vendin e tyre. Edhe pse këto akuza kanë mungesë provash, RAË nuk kanë një histori për mbështetjen e grupeve militante në Kashmir, Afganistan, dhe Sri Lanka. Vitet e fundit nuk ka qenë të lehta për RAW. Në vitin 1996, RAW ishte e implikuar në një skandal që përfshin dhurimin e paligjshëm të fondeve në fushatat e kongresit të SHBA.

SHËRBIMI i INTELIGJENCËS
Vendi: Pakistan
Zona e kompetencave: Destabilizimi i Indisë

Aktivitetet: Ndonjëherë është i përshkruar si një shtet brenda një shteti praktikisht pa kontroll, ISI është i mirënjohur për kontrollin e rreptë që ai ushtron mbi politikën e Pakistanit dhe roli i saj në mbrojtjen ushtarake nga opozita e brendshme. Por, ISI ka qenë gjithashtu i akuzuar se ka luajtur të dyja palët në luftën globale kundër terrorizmit, dhe bashkëfajësi jashtë vendit. Me propagandën antipërhapje indiane në Kashmir apo financimin e separatistëve sik në Punjab, ISI ka dëmtuar vazhdimisht stabilitetin në Indi për dekada. India e ka akuzuar ISI për përfshirje në dhjetëra sulme terroriste gjatë viteve, duke përfshirë sulmet në Mumbai të vitit 2006 që vrau 187 vetë. Në të njëjtën kohë, ISI ka punuar me SHBA dhe aleatët për të luftuar Al Kaedën dhe Talibanët brenda Pakistanit.


SHËRBIMI INTELIGJENT SEKRET (MI6)
Vendi: Britania
Zona e kompetencave: Antiterrorizëm, nostalgjia e James Bond

Aktivitetet: Pas një dekade të shkurtimeve buxhetore gjatë "ndarjes së paqes" vitet e pas Luftës së Ftohtë, shërbimi sekret i Madhërisë së Saj u kapur disi i papërgatitur për sfidat e luftës kundër terrorizmit. Më 9 / 11, vetëm 30 prej agjentëve 1.600 të MI6 ishin duke punuar ne luftën kundër terrorizmit. Që atëherë, agjencia ka qenë mbi të gjitha një blitz i rrufeshëm rekrutimesh që përfshin masa të padëgjuar më parë, të tilla si marrja e reklamave në gazeta dhe i lejon agjentët për të dhënë intervista. Kjo është shumë larg nga koha e luftës së Ftohtë, kur rekrutët e fshehtë u veçuan nga Oksfordi dhe Kembrixhi si më të mirët dhe të shkëlqyerit për punën e shërbimit të fshehtë. Pavarësisht bukurisë së ofensivës, MI6 ka qënë e sulmuar nga mediat britanike për marrjen pjesë në torturimin e terroristëve të dyshuar sëbashku me CIA-n jashtë vendit. Zyrtarët e Kremlinit kanë akuzuar gjithashtu MI6 se është duke u përpjekur të influencojë politikën e brendshme të Rusisë. Aktivitetet e MI6 nuk mund të jenë aq ekspansive siç ishin dikur, por Earnest e karakterizon këtë si "një ndryshim në prioritetet” ndaj terrorizmit të Lindjes së Mesme, "në vend të një rënie."

Mossad
Vendi: Izrael
Zona e kompetencave: Luftimi kundër terriorizmit islamik, evakuimi i refugjatëve hebre.

Aktivitetet: Që kur u themelua në vitin 1951, "Instituti," siç përkthehet në gjuhën angleze, ka fituar një reputacion për aftësi të jashtëzakonshme dhe agresivitet në luftën kundër armiqve të Izraelit. Disa nga arritjet e saj më të dukshme përfshijnë rrëmbimin liderit nazist Adolf Eichmann nga Argjentina në vitin 1960, vrasjen e planifikuesve të vrasjeve në Olimpiadën e Mynih 1972, dhe vrasjen e një operativ të lartë të Hamasit me një celular që shpërtheu në vitin 1996. Mossad ka qenë aktiv edhe gjatë viteve në përpjekje për të ndihmuar refugjatët hebrenj të cilët kërkojnë të emigrojnë në Izrael, duke përfshirë edhe trasportin ajror sekret të mijëra hebrenjve etiopian në "Operacionin Moisiu" në vitin 1984. Mossad ka bërë disa lëvizje drejt një transparence dhe hapje më të madhe në vitet 1990, duke përfshirë publikimin e emrit të drejtorit të saj për herë të parë.

T. Observer