Thursday, January 28, 2010

Franca, 'Stop perçeve në publik'

Një komision parlamentar në Francë ka rekomanduar që gratë myslimane nuk duhen lejuar të veshin perçe në ambjentet publike si në shkolla, spitale apo transportin publik.

Ai ka rekomanduar që gjithkush që shfaq shenja të asaj që cilësohet si "praktika fetare radikale", u duhet refuzuar karta e banimit dhe e drejta e qytetarisë në Francë.

Raporti theksonte se t'u kërkosh grave të mbulojnë fytyrën, bie ndesh me parimet republikane franceze të shekularizmit dhe barazisë.

Ministria e brendshme bëri të ditur se vetëm 1,900 gra në Francë veshin veshjen e plotë të mbulimit të kokës dhe trupit.
N.q.s dikujt prej jush kjo foto nuk i shkakton humor, duhet të shqetësohet vërtetë për veten.

Franca vlerësohet se ka rreth pesë milionë myslimanë, numri më i madh i kësaj popullsie në Evropën Perëndimore.


BBC

Turbo-folku po zhduk traditën shqiptare

Këngëtari i Ansamblit Kombëtar flet mbi dëmtimin e krijimtarisë popullore.

Turbo-folku sot është një fenomen që ka prekur shumë këngëtarë shqiptarë, edhe nga ata që kanë qenë të njohur për skenën, si këngëtarë të muzikës së lehtë, por edhe asaj popullore të tabanit kombëtar. Turbo-folku ka qenë një fenomen i prekur nga vende të tjera shumë më parë sesa të mbërrinte Shqipërinë, por duket se ndikimi i saj tek këngëtarët tanë, kryesisht ata të rinjtë dhe anonimë, është më i fuqishëm dhe i përhapur si fenomen.

Ky problem sot ka shqetësuar shumë këngëtarë popullorë profesionistë, që kanë vite që me zërin e tyre këndojnë krijimtarinë e pastër popullore jo vetëm në skenën shqiptare, por dhe në atë botërore. Një prej tyre është dhe këngëtari i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore Bardhyl Xhafka, i cili ka nisur aktivitetin e tij në ansambël që në vitin 1985. Dekada të tëra me krijimtarinë e pastër popullore shqiptare, sot për këngëtarin Xhafka rryma turbo- folk po zhduk me ndikimin e saj traditën shqiptare. Në një intervistë dhënë për gazetën ai flet mbi tendencat e reja muzikore dhe rrymën turbo-folk, të cilat janë të pranishme në tregun muzikor shqiptar. Sipas tij edhe pse është folur dhe debatuar, në tregun shqiptar vazhdon të jetë po e njëjta situatë, ku asgjë nuk ka ndryshuar.

-Keni vite që jeni më Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore që nga viti 1985, ndërkohë si e shikoni sot zhvillimin e krijimtarisë popullore?
Kryesisht AKKVP është marrë me ruajtjen dhe ngritjen në një stad më të lartë të folklorit shqiptar. Në festivalet e Gjirokastrës që janë bërë para viteve ‘90 ne merrnin perlat e këtij folklorit dhe i sillnim në ansambël me një vokal tjetër ose dhe vallet me një temperament më të lartë artistik, duke ruajtur gjithmonë fizionominë e valles së mirëfilltë popullore ose këngës së mirëfilltë. Kënga polifonike është ruajtur identik veç hyrjes së vokalit që ka hyrë nga një vokal amator në një vokal të kultivuar, ashtu si ka këngëtarë ansambli dhe këto të gjitha janë bërë të dashura jo vetëm për zonën, por për të gjithë Shqipërinë. Meqenëse po të flisnim për këngë, që janë me çifteli që janë punuar nga i ndjeri Xhemal Laçi artist i merituar ish pedagogu jonë. Ai i qëndronte strikt melodisë, bënte një harmonizim të thjeshtë dhe herë-herë ne kemi kënduar dhe me çifteli dhe gjithë grupi vokal ka pas kënduar dhe me instrumente të çiftelisë dhe të sharkisë. Rrjedhimisht duke pasur gjithmonë shkurtime, ne arritëm në një grup me pak veta, por që sërish i rrinë besnik traditës. Kishte këngë që mbanin dhe disa përpunime dhe ato ishin të bukura. Në atë kohë ka pasur disa të tilla dhe i pëlqente populli, ato qëndronin. Disa këngë p.sh të Xhemal Laçit që janë perla të krijimtarisë popullore, të përpunuar e kënduar arritën që të pëlqeheshin nga publiku. Një pjesë e mirë e artistëve të Ansamblit në vitet ’90 u larguan dhe ne me dhimbje e mbajtëm këtë ansambël, pasi dhe kompozitorët u larguan. Një kompozitor sot nuk ka leverdi që të kompozojë në Ansambël, pasi ai thotë më mirë shkoj ti bëj një këngëtari këngë, ndoshta dhe të panjohur dhe të fitoj më shumë, se sa të bëj diçka për ansamblin dhe nuk paguhet. Ne jemi ansambël buxhetor dhe jemi njëlloj me folklorin shqiptar, unë p.sh këndoj trevën e veriut, polifoninë, këngë të Vlorës ose të Himarës si:Vajza e valëve, këngë të Tepelenës etj, pra kjo është e veçanta e artistëve të Ansamblit, që këndojnë këngë të disa trevave shqiptare.

-Si një njohës i mirë i rrymës popullore, çfarë mendoni sot për rrymën turbo-folk që ka pushtuar krijimtarinë popullore?
Kënga polifonike nuk ngacmohet, ajo është e virgjër. Kolosët e muzikës shqiptare si Çesk Zadeja, Tisha Daija nuk guxonin që ti preknin këto këngë. Po ti dëgjoje këto këngë polifonike shqeto si i thotë populli ato kanë ndryshim nga njëra-tjetra. Kur i dëgjon këto këngë turbo-folk ato janë një. Është bërë sikur i shkruan një dorë, një lloj ritmi, por dhe nuk dua të paragjykoj dhe këngëtarët që dalin dhe këndojnë këngët të tilla, pasi ata nuk duhet të dalin me këtë lloj muzike. Nëse do të vazhdohet me turbo-folkun kështu si ka nisur, ku del një këngëtar që nuk ka kënduar në skenë, por që bën në studio një rrymë turbo-folk, atëherë nëse do të vijojë kështu do të harrohet dhe do të zhduket tradita shqiptare dhe nuk do të ketë më as këngë polifonike. Kjo rrymë do ta zhduki traditën dhe ne me këtë lloj muzike i bëjmë keq publikut, pasi ai si të edukohet dëgjon. Edhe kjo kënga polifonike që vjen e vjetër, ashtu është edukuar publiku. Ajo mund të përmbajë shumë përpunime të vogla, por jo çdo këngëtar mund të këndojë si Janina, dhe për mua ato e shkatërrojnë mënyrën e të kënduarit. Pavarësisht se atje thotë populli si autor, por edhe kjo këngën e ka një autor që do të jetë ai që ka bërë tekstin, muzikën etj.

-Sipas jush, sa zbatim gjen e drejta e autorit në vendin tonë?
Këtu ka një problem shumë të madh dhe me të drejtën e autorit dhe duhet patjetër që të ndryshojnë gjërat. Kënga duhet të ketë autorësinë e saj. Kjo varet nga studiot muzikore që nuk duhet të pranojnë asnjë lloj këngëtari, asnjë lloj kompozitori pa autorësi. Ne ishim në Sanremo më Ana Oxën në vitin 2006 dhe nuk guxonte njeri të dëgjonte këngën e saj. Na bëri përshtypje kur ne bëmë prova ajo i nxori jashtë të gjithë la vetëm orkestrën dhe ne që e shoqëronim. Kënga do të dëgjohet nesër kur unë ta këndoj live, tha ajo. Ne ndoshta ato rregulla nuk i vëmë dot, por të paktën çerekun e tyre ta vëmë. Pra e drejta e autorit duhet të jetë e zbatuar. Ministria e Kulturës duhet të ketë një drejtori të veçantë për të kontrolluar muzikën shqiptare, jo ta censurojë, por ta kontrollojë. Ne po themi se janë futur dhe rryma që nuk i ka parë ndonjëherë Shqipëria dhe ato po hiqen si shqiptare. Pra vjen nga Turqia një këngë dhe themi që kjo është këngë shqiptare, sepse e kemi dëgjuar diku në Kosovë apo Maqedoni dhe e mendojmë shqiptare. Por kjo nuk është e drejtë, pasi shqiptari ka pasur muzikën e vet, këngën e vet. Ne me një territor kaq të vogël kemi një shpërndarje të jashtëzakonshme të folklorit. Dhe ne këtë duhet ta ruajmë, po më duket se po bëhemi të gjithë njësoj. Edhe në zonën e jugut, ku është kënduar polifoni brez pas brezi të gjithë këngëtarët merren me turbo-folkun dhe është njësoj. Nuk dëgjoj një këngë polifonike. Isha në Korçë në një dasmë dhe atje kishte vetëm muzikë greke, filloi dhe po mbaronte dasma vetëm muzikë greke? Një miku im italian më pyeti se ç’është kjo muzikë, vetëm greqisht këndohet këtu? Në atë kohë shkova tek orkestra dhe fillova të këndoj serenata të qytetit të Korçës, aq sa dhe vetë orkestrantët u kënaqën dhe thanë edhe ne paskemi muzikë të bukur. Ne kemi muzikë dhe folklor të shkëlqyer dhe nëse shteti do të vërë dorë për ta kontrolluar, muzika do të bëjë përpara dhe do të ruhet dhe tradita. Nëse ne kemi një Muze Kombëtar për të ruajtur traditën edhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore është një ruajtës i traditë shqiptare kombëtare. Është polifonia që ne na bën të njohur në të gjithë botën, sa dëgjojnë këngën polifonike shtangen dhe prej sa vitesh vjen. Mbrojtja që i bën UNECSO polifonisë, tregon që është vlerë. Është një fondacion në Marsejë të Francës (EKYME), ata merren me traditën dhe kanë futur dhe polifoninë tonë. Ne kemi disa vite që bashkëpunojmë me ta dhe na thonë mos mungoni, sidomos kënga “Vajzë e valëve” që është këngë e Bregut të Detit mbetet perlë. Drejtoresha e këtij fondacioni është muzikologe dhe ajo pa ditur asnjë fjalë shqip, kur mbaroi kënga po qante, dhe kur e pyetëm na tha se që nga melodia e kishte ndier këngën. Pra muzika e vjetër e jona është komunikuese, ndërsa turbo-folku vetëm xhamba-xhumba nuk tregon asgjë tjetër.

-Mesazhi juaj për këngëtarët e rinj që këndojnë këtë rrymë?
Neve para pak ditësh bëmë një koncert me kontingjentin e ri që kanë mbaruar Akademinë e Arteve dhe nga këta të rinj ne patëm 10 këngëtarë djem dhe vajza që punuan dhe nxorën një koncert të shkëlqyer, ku aty spikatën 2-3 elementë më mirë se të tjerët. Këngët të gjitha ishin folk të bukura, të traditës dhe tabanit shqiptar. Ne kemi talente të rinj dhe ata duhet ti largohen turbo-folkut, mendoj se fondi për të rinjtë që jep Ministria e Kulturës, duhet ta shumojë më shumë.

-Tregu muzikor sot në vendin tonë?
Unë nuk marr guximin të bëj një disk, sepse ai nuk do më shitet pasi që nga viti ’90 e këtej publiku shqiptar është edukuar me një rrymë shumë të gabuar. Qoftë me këngët e huazuar nga Ballkani apo bota të përkthyera në shqip, qoftë dhe nga rryma turbo-folk, që sot ka marrë përmasa të trembshme. Për mua është e dhimbshme që nesër rrezik ti largohen të gjithë folklorit të pastër. (Bardhyl Xhafka)
Julia Vrapi, G. Sot

Bathore - 9 ditë seks dhe ende e virgjër

Historia e rrallë e një studenteje fizike dhe një çifti nga Bathorja që nuk bënin fëmijë.

As vetë nuk e dinte si do t’i shkonte fati, kur një studente 21-vjeçare është paraqitur në polici për të denoncuar se është përdhunuar nga një 43-vjeçar.
Por, nga e gjithë kjo është zbuluar një histori rrëqethëse, që kishte filluar pas sherrit të një çifti, të cilët nuk bënin fëmijë. E pikërisht studentja është përdorur nga çifti me qëllim për të vërtetuar se kush ishte “fajtor” për këtë fatkeqësi. Në përfundim të “historisë”, pasi çifti është zënë me vajzën “e pajtuar”, ajo ka denoncuar se është përdhunuar. E megjithëse është vërtetuar se ajo ka kryer marrëdhënie seksuale për nëntë ditë rresht me 43-vjeçarin, ka rezultuar nga ekspertiza mjekoligjore, se një nga gjërat më të rralla që jepen vetëm njëherë nga femra, virgjërinë, ajo e posedon akoma...

Zanafilla e historisë

Gjithçka ka nisur disa muaj më parë, kur një çift nga Bathorja, (A.M. dhe K.H.) ka shkuar për vizitë mjekësore në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Ata kishin shprehur një shqetësim shumë të madh, pasi nuk mund të bënin fëmijë dhe kërkonin ndihmën e mjekëve për të parë se cili prej partnerëve kishte në të vërtetë probleme. Duke kërkuar ndihmën e mjekëve, atyre u është dashur të shkojnë disa herë për vizita dhe kjo i detyronte që shpeshherë të uleshin në lokalet pranë maternitetit për të pritur radhën. Në një nga këto ditë, çifti është njohur me një studente fizike, 21-vjeçare. Gjatë bisedave me të, ata i janë hapur vajzës së re për problemin që kishin dhe duket se halli i ka miqësuar shumë të dyja palët. Historia e njohjes me ta ka vazhduar edhe më tej, derisa burrë e grua e kanë ftuar vajzën e re në shtëpinë e tyre. Gjatë kohës që ajo kalonte me ta, është miqësuar edhe më shumë e sidomos me burrin 43-vjeçar.

Aventura e çiftit

Në një nga ditët e njohjes, mes çiftit ka plasur sherri dhe burri ka akuzuar bashkëshorten se ajo e kishte fajin se nuk bënin fëmijë. Sherri është ashpërsuar më shumë në ditët në vazhdim dhe pikërisht pas kësaj, burri ka përfituar të miqësohet më shumë me vajzën 21-vjeçare, duke i bërë edhe propozim të lidhet me të. Edhe ashtu ka ndodhur. Më pas, A.M. i ka treguar të shoqes për veprimin që kishte kryer, duke u justifikuar se e kishte bërë atë hap që të shikonte nëse mikja studente do të ngelej shtatzënë apo jo. E gjitha kjo për të vërtetuar që nuk e kishte fajin ai, por edhe vetë mos të kishte më dyshime për aftësinë pjellore. Rreth një muaj më parë, 43-vjeçari e ka marrë studenten e fizikës në banesë, ku ndodhej edhe e shoqja, e në prani të saj ka kryer marrëdhënie seksuale. Vajza e re, pas disa ditësh u është shprehur se nuk kishte mbetur shtatzënë. Kështu, para fundit të vitit 2009, vajza e re ka shkuar sërish në banesën e çiftit pa fëmijë dhe aty ka qëndruar nëntë ditë. Për nëntë ditë rresht, sikur të ishte veprimi më normal që kryente, 21-vjeçarja ka kryer marrëdhënie seksuale me 43-vjeçarin, madje disa herë brenda një dite. Në përfundim, vajza e re sërish nuk ka mbetur shtatzënë dhe kjo e ka acaruar 43-vjeçarin, të cilit i janë shtuar dyshimet mbi veten, për faktin që nuk bënte fëmijë me bashkëshorten. Në këto kushte, studenten e ka përzënë nga shtëpia, duke e kërcënuar se edhe ajo është shterpë...

Denoncimi në polici

Vajza e re, e fyer nga e gjithë kjo situatë, për të cilën dyshohet se do të shpërblehej me para, i është drejtuar Policisë së Tiranës. Rreth dy javë më parë, ajo është paraqitur në seksionin e marrëdhënieve seksuale me dhunë dhe ka deklaruar se e kanë përdhunuar. Ajo ka deklaruar për oficerin e policisë gjyqësore, se 43-vjeçari, emri i të cilit nuk publikohet, e ka përdhunuar duke shfrytëzuar miqësinë mes tyre. Fillimisht dëshmia ka qenë tejet bindëse, pasi vajza ka deklaruar se e kanë përdhunuar në banesë, ku edhe ka përshkruar gjithë ambientin. Më pas, ajo është dërguar tek ekspertët e mjekësisë ligjore, për të kryer aktet procedurale dhe për të vërtetuar shkencërisht përdhunimin.

Zbardhja e filmimit

Teksa pritej ekspertiza mjekoligjore për përdhunimin, oficerët e policisë kanë shoqëruar për të marrë në pyetje çiftin nga Bathorja. Ata janë shoqëruar në ambientet policore dhe në ambiente të veçanta janë marrë në pyetje veç e veç në lidhje me këtë denoncim. Burri nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij për përdhunim, duke u mbrojtur se nuk kishte kryer veprime të dhunshme ndaj vajzës. Nga ana tjetër, gruaja e tij nuk ka duruar më dhe ka konfirmuar historinë e seksit mes burrit të saj dhe studentes në mënyrë të vullnetshme. Për të vërtetuar këtë, ajo ka nxjerrë celularin, ku mbante disa filmime gjatë aktit seksual mes burrit të saj dhe studentes së fizikës. E pyetur si kishte arritur të kryente këto filmime, gruaja ka treguar se ata kishin pranuar me vullnet të plotë, ashtu siç ajo kishte pranuar tradhtinë për të zgjidhur të vërtetën për problemin e shtatzënisë.

Seks me dëshirë

Policia ka sekuestruar pamjet me filmime të celularit dhe ua ka dhënë ekspertëve për vlerësim. Nga ato ka rezultuar se vajza e re nuk është përdhunuar, por ajo e ka kryer këtë akt me pasion dhe dëshirë. Nga ana tjetër ka ardhur edhe ekspertiza e parë e mjekësisë ligjore. Por pikërisht kjo ka shtangur hetuesit. Në ekspertizë ka rezultuar se studentja është e virgjër. Dyshime të shumta u kanë ardhur në kokë oficerëve të policisë, por kur kanë parë filmimin disa herë janë bindur se vajza e re kishte kryer marrëdhënie seksuale me 43-vjeçarin. Në këto kushte është kërkuar edhe një herë ekspertimi, por sërish ka rezultuar i njëjti konkluzion. Mjekët kanë shpjeguar se kjo mund të ndodhë në raste shumë të rralla, për shkak të cipës elastike. Megjithatë, për të mos lënduar edhe vajzën e re, në bashkëpunim me prokurorinë, çështja është pushuar dhe nuk është dërguar për hetime të mëtejshme, pasi nuk ka rezultuar se ka përdhunim. Ndërkohë as 21-vjeçarja nuk po hetohet për kallëzim të rremë.


•gazetashqip•

Për të gjithë të painformuarit dhe të interesuarit rreth himenit. Himeni është një cipë biologjike pa asnjë vlerë morale, që tek disa femra është shumë delikate sa mund të dëmtohet vetvetiu, ashtu si tek disa të tjera, nuk dëmtohet edhe gjatë aktit seksual. Bisedat rreth virgjërisë nuk janë pjesë e njerëzve normale sot në vitin 2010, por biseda "pedofilësh". Stop Injorancës

Revolta e shqiptarëve: Shkupi na pengon arsimin

Arsimi shqip në Maqedoni përfundon në kaos.

Në fillim të semestrit të dytë shkollor shqiptarëve u mungojnë hapësirat për të dhënë mësim, ndërsa autoritetet po u rezistojnë kërkesave për hapjen e paraleleve në këtë gjuhë, njoftoi agjencia e lajmeve INA në Shkup.


Ndarjet e krijuara në shkollat e mesme të Strugës dhe kushtet e papërshtatshme për mësim në shkollat e mesme shqipe në Kumanovë; moslejimi i hapjes së paraleleve shtesë në shkollën e mesme të mjekësisë në Shkup, si dhe mungesa e hapësirave për nxënësit shqiptarë në shkolla të mesme e fillore, janë problemet që po krijojnë pengesa për arsimimin e nxënësve shqiptarë. Përballë kësaj gjendjeje problematike, shoqatat qytetare shqiptare kërkuan dje publikisht dorëheqjen e ministrit të Arsimit, Nikolla Todorov. "Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Todorov, për arsye të deklaratës së tij diskriminuese se mësimi i gjuhës së tretë që nga klasa e parë fillore do të ishte ngarkesë për fëmijët maqedonas, dhe jo edhe për ata fëmijë shqiptarë të së njëjtës moshë, si dhe për rritjen e tensioneve ndëretnike tani dhe gjatë regjistrimit të nxënësve shqiptarë në shkollat e mesme", - thanë përfaqësuesit e shoqatave shqiptare. Politikanët shqiptarë në Maqedoni ende nuk kanë reaguar lidhur me këtë lëvizje të fundit të shoqatave shqiptare. Por, eksperti shqiptar për çështje arsimore dhe pedagogjike, Xheladin Murati tha se "duhet të përcaktohet një axhendë për zgjidhjen e problemeve tashmë të hapura dhe që po krijojnë pasoja për nxënësit dhe studentët shqiptarë". "Është fakt se në arsimin shqip mungojnë shumë gjëra. Ministria e Arsimit nuk ka ndjeshmëri për të marrë vendime të prera lidhur me këto probleme të grumbulluara që kërkojnë zgjidhje.

Problemi i fundit i shkaktuar nga Ministria e Arsimit është imponimi i saj që nxënësit shqiptarë të shkollës shqiptarë të mësojnë gjuhën maqedonase nga klasa e parë. Kjo vetëm i thellon problemet në arsimin shqip", - theksoi profesor Murati. Sipas tij, në këtë rast qeveria duhet të kërkojë përgjegjësi të plotë për këtë vendim nga ministri i Arsimit. Probleme evidente në arsim ka regjistruar edhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) në Kumanovë e Likovë, e cila ka bërë thirrje për t'i ardhur në ndihmë arsimit shqip në Kumanovë. "Urgjentisht duhet të bëhet ndërhyrja institucionale për të evituar problemet dhe kaosin që ka mbretëruar arsimin shqip në Kumanovë. Pas sa viteve kemi probleme me mungesën e lokaleve për nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme shqipe, kemi probleme në çështjen e hapësirave për nxënësit e shkollave fillore, mungesa e kushteve për ndjekjen e trendëve arsimore si dhe shumë probleme të tjera që po i pësojnë fëmijët tanë", - ka theksuar kryetari i LASH-it, Etem Xheladini.

G. Shqiptare

Kriminelët e luksit, paratë e “fituara” harxhohen me femra, drogë e bixhoz

Ekspertët: Korrupsioni hyn në këtë kategori. 50 të “pasur” me xhepa bosh.

Rreth 50 persona i kanë dhënë jetë modës më të fundit në Shqipëri me natyrë kriminale (grabitje, falsifikime, etj), pasi paratë e “fituara” i kanë harxhuar në kazino të ndryshme, prostituta, si dhe në vende dëfrimi si diskoteka e të tjera si këto.

Edhe pas ndalimit të autorëve, shteti nuk mund të bëjë pothuajse asgjë për kthimin e sendit të grabitur tek pronari i ligjshëm. Me gjithë përpjekjet shkresore që kryen Prokuroria për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurisë së personave të proceduar, lekët e grabitura apo materialet e tjera, në shumicën e rasteve s’janë kthyer. Sipas hetuesve, kjo gjë ndodh për faktin se, shumat financiare harxhohen nga të pandehurit në kohë dhe vende të ndryshme ose lekët ata ia japin dorazi të afërmve të tyre, çka vështirëson së tepërmi forcën zbuluese të policisë dhe Prokurorisë. Mes klasifikimit, natyrave apo motiveve që realizohen aktet kriminale, ajo që kohët e fundit ka filluar të bjerë në sy është se shumë persona, janë futur në këtë “valle”, thjesht për të bërë një jetë luksi, mes femrave, makinave të bukura, drogës, bixhozit, gjëra këto të cilat ata nuk kishin arritur t’i kryenin me punë apo diçka të ndershme. Aktualisht gjatë disa operacioneve policia dhe Prokuroria kanë vënë prapa hekurave rreth 50 persona, të cilët nga veprimet e para hetimore është mësuar se kanë pasur si moto “Kryej krim për jetë luksi”, pasi nga e gjithë sasia e lekëve që dyshohet se ata kanë grabitur, nuk i është gjetur asnjë kacidhe nga kontrollet e organeve hetimore. Veç grabitjeve, për ekspertët edhe korrupsioni është një krim që kryhet nga autori, për të pasur një jetë luksi. Ata thonë se pamundësia për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet private me pagën mujore, lë hapësira që në një kohë apo në një tjetër, zyrtarët e administratës të kryejnë korrupsion. Realiteti ka treguar se shumica e lekëve të përfituara nga ky aktivitet është përdorur për luks, si blerjen e makinave, banesave apo kalimin e pushimeve në hotele të huaja.

Gati 95 për qind e rasteve të hetuara, nuk i është gjendur asnjë lekë, pasi shumat financiare të pandehurit i regjistrojnë, me emrat e të afërmve dhe kushërinjve të tyre.
Sipas prokurorëve, ky është një skenar tepër i njohur për të gjithë eksponentët kriminale, pasi me regjistrimin e pasurisë në emrat e të afërmve, ata arrijnë të mbrojnë atë nga hetimi i organit akuzues. Kjo e fundit nuk ka tagrin ligjor të nisë hetime ndaj personave të tretë, pa pasur prova për inkriminimin ose jo të tyre në ndonjë aferë korruptive. Sipas tyre, kjo gjë të le të kuptosh se tashmë dhe në vitet e ardhme kryerja e një krimi për të pasur një jetë luksi, do të zërë përqindjen më të madhe në raportet vjetore të hartuara nga institucionet ligjzbatuese të vendit. Dhe ky realitet më mirë se kudo tjetër mund të shihen në disa grupe kriminale, të cilët duke grabitur kasaforta, bankomate, qendra biznesi apo duke falsifikuar kartëmonedha, kishin arritur që të plotësonin nevojat e tyre me lekë. Megjithëse ky i fundit nuk zinte asnjëherë vend në xhepat e tyre, anëtarët sapo e shikonin veten në krizë financiare fillonin planifikimin e kryerjes së një akti kriminal, nga i cili përfitoheshin të ardhura të majme që mjaftonin për plotësimin e dëshirave të tyre. Të gjitha paratë që merrnin nga grabitjet nuk i shpenzonin për ndërtimin e një objekti apo t’i ligjëronin në banka, por duke e konsideruar atë si një letër normale, e hidhnin atë lart e poshtë duke mos ju dridhur dora fare.

Si i zhdukën 1.5 milionë euro 17 anëtarët e “Matrix”

Grabitja e bankomateve në kryeqytet, autorët s’kishin asnjë qindarkë.


Një precedent që vërteton më së miri grabitjen dhe “asgjësimin” e parave është grupi “Matrix”, anëtarët e të cilit për disa kohë me radhë kryenin vjedhjen e bankomateve në Tiranë e qytete të tjera. Të zotë në fushën e informatikës dhe tepër të përpiktë në klonimin e kartave të bankomateve, 17 anëtarët e këtij rrjeti kishin mundur që nëpërmjet krimit që kryenin të bënin një jetë luksi, pasi shumat e parave që grabisnin ishin tepër të mëdha. Të gjitha këto, shkonin në blerjen e makinave luksoze, blerjen e lëndëve narkotike, dëfrimin në lojërat e fatit si kazino dhe diskoteka, por pa përjashtuar edhe femrat. Sipas organit të akuzës nga përllogaritjet e bëra gjatë hetimeve paraprake u konstatua se grupi kishte arritur të grabiste edhe bankat e shteteve evropiane si Anglia. Dëmi financiar nga këto grabitje mësohet se kapte shifrën mbi 1 milion e gjysmë euro, shumë kjo që e gjitha ishte harxhuar nga të pandehurit. Me gjithë kërkimeve të Prokurorisë, kjo e fundit nuk arriti të gjejë asnjë qindarkë në bankat apo banesat e të pandehurve, përveç kompjuterëve dhe materialeve të tjera me të cilat ata kryenin klonimin e kartave të bankomateve.

“Hijet e natës” dhe falsifikuesit e parave

Asgjësimi i 700 milionëve në disko, kazino, drogë e femra


“Hijet e Natës”, të gjitha grabitjet kryheshin orëve të vona të mesnatës. Edhe ky grup, kishte si specialitet grabitjet e kasafortave të bizneseve, me anën e të cilave siguronin një jetë më të mirë, duke mos i munguar asnjë gjë nga të mirat që kërkonin. Shifra totale që ata kanë vjedhur rezulton të jetë rreth 700 milionë lekë, sasi kjo që e gjitha ka shkuar për bixhoz, blerjen e drogës, alkoolit, diskoteka, si dhe vende të ndryshme. Aktualisht grupi po hetohet dhe pritet që në ditët në vazhdim të ketë edhe arrestime të tjera. Ndërkohë për sa i përket zbulimit të sasisë të parave të grabitura, organi i akuzës ka mundur të gjejë vetëm 15 mijë euro në një llogari bankare, e cila i përket njërit prej 7 të arrestuarve. Të njëjtin qëllim me grupet e mësipërme kanë pasur edhe 25 të arrestuarit, që nga Prokuroria akuzohen për veprën penale të “falsifikimit të kartëmonedhave”. Grupi kishte arritur të siguronte nga shteti italian disa kompjuterë dhe printerë që kishin rezolucion të lartë për klonimin e kartëmonedhave. Nëpërmjet tyre ata kryenin falsifikimin e kartëmonedhave të prerjeve 5000, 2000 e të tjera dhe më pas nëpërmjet anëtarëve arrinin t’i hidhnin në qarkullim ato.

ELTON QYNO>, Metropol

“Fundi i Virtytit” & Big Brother si “Kavie Sociale”

Që nga koha e njeriut teolitik deri në kohët tona (nomadët tashmë të transformuar në homo sapiens dhe post-modern) eksperimentojnë me trurin e tyre, eksperimente tashmë të kopjuara nga shoqëri “më” të “civilizuara”; dhe që sikurse duket qartë janë dy grupacione mjaft evidente: Publiku vs. Kaviet.

Kavie s’është asgjë më tepër se sa miu i biologut, mjekut apo biokimistit në laborator. Aty ky homo erectus vëzhgon se si bashkimet e tij kimike do reagojnë në organizmin e këtyre kavjeve. Po e quaj homo erectus këtë specie sepse ende nuk ka mësuar që shkencat ekzakte kanë edhe mënyra të tjera për të ekperimentuar këto aliazhe kimike. Por ky subjekt, dmth se si mund të eksperimentohet ndryshe në laborator do të jetë temë e një diskursi tjetër mediatik. Kështu, të quash specien tonë në këtë stad të zhvillimit psikoanalitike, homo sapiens, pra njeri rracional, do të ishte nderi më i madh. Prandaj, po e quaj homo erectus dhe po i bëj nderin më të madh në krahasim me speciet e tjera mbi tokë. Asgjë më tepër s’është kjo specie sesa një qënie që ecën në këmbë. Kësaj specie, i ka dhënë natyra tokë tru, por kjo specie për fat të keq, nuk di t’a vendos në funksion, këtë organ natyral.

Të vësh në funksion trurin tënd do të thotë të jesh vigjilent gjithnjë, kundrejtë regjizurave apo sajesave televizive, radionfonike dhe shkrimore. Këtë vigjilencë truri jonë e ka humbur, sepse tashmë atë e bombardojnë me fundërrina sociale. Ky tru tashmë, ashtu sikurse vihet re, që nga koha e ithtarëve pozitivistë, të cilët shekullin e kalur detajuan këto ekperimente dhe dhanë rezultatet e mundshme, është kthyer sot në trurin më të fëlliqur, më frustrant dhe shpifës që ka parë donjë herë pseudo-historia globale. Shtetet totalitare sikurse janë këto të sotmet, duke filluar që nga «plutokratia amerikane» deri te pushteti totalitar kinez, i cili promovon totalitaritetin ndërgjegjësor, si eksperimentin më të mirë të mundshëm, eksperiment ky, i detajuar nga vetë Marksi, pra ideologji totalitare, i cili rivendikonte normativitet global, pra ideologji globale, kanë rënë në degradimin më të madh ndërgjegjësor; ku, gjithë ky degradim, shpaloset përpara pushteve të vetë-quajtur rracional, por që ende nuk dinë se kur (!) individi ruan ndërgjegjen e tij; në cilën situatë; në cilin kontekst; në cilat rrathana!? Dhe si rrjedhojë, këta pushtete, sot, luajnë me një kavie më të madhe sociale: Big brother dhe gjithë mbeturinën e tyre mendore dhe ndërgjegjësore.

Në këtë kontekst, pjesëmarrësit, në këtë ekperiment social, pra vetë kavjes, i thonë: Se po të promovohesh në këto dhoma sociale do të gjesh një punë më të mirë, apo do të fitosh shumën e parave të shumë kërkuar, shumë kjo, si triumf ndaj aftësive të tua frustrante apo aktoreske. Pra, nëse ti paraqitesh aty, fiton jo vetëm famë, por kthehesh automatikisht edhe në VIP, term ky i sajuar në kulturat amerikane që kanë për vizion social të ashtu quajturën «melting pot», dogmë kjo e huazuar nga simotra e saj, Anglia, e cila thotë, se: Sa më shumë t’a përçash një shoqëri, pra nga homogjeniteti i saj, aq më mirë e komandon atë. Kjo dogmë tashmë e lashtë, që nga koha helenistike, e quajtur herë si «divide ut regnes» dhe herë si «diairei kai vasileue», nuk i “shqitet” planetit tokë dhe species së saj, që me krenari kërkon t’a quaj veten, homo sapiens. Kështu, kjo dogmë tashmë eksperimentohet në doza më të mëdha: Në Big “Bordellë”.

Këtë Big-Bordellë, gjithë shoqëria civile, që nga ithtarët e «moralitetit social» deri te ithtarët e «moralitetit familjar», e duartrokisin dhe e lakmojnë me të madhe. Rradhët janë të pafund: Pa asnjë dyshim, nga këto laborator social, nesër do shohim edhe njerëz të cilët do promovojnë bindjet e tyre politike, nëpërmjet imoralitetit social. Ky impas logjikë dhe frustrantë, automatikisht kthehet në dëshirë sociale, dhe kjo dëshirë sociale kthehet në imoralitet themeltar të një shoqërie civile. Aty do të promovohet imoraliteti si moralitet, aktori, pra gënjeshtari artistik si i vërtet, pseudo-zejtari si zejtar i vërtet, pseudo-vallëtari si vallëtar’ i vërtet etj,. Pra kjo pseudo-akademi, televizive, e sajuar dhe e eksperimantuar nga shoqëri gjoja më të përparuara mëndërisht, themelon për herë të parë në pseudo-historinë globale, imoralitetin e pseudo virtytit. Kjo gjenealogji imoraliteti do të përbëj në pseudo-historinë globale edhe «fundin e virtytit».

Akademitë globale sot, këtë gjenealogji imoraliteti institucional, e promovojnë me prepotencë: Sa më mashtrues të jesh aq më i admirueshëm do të kthehesh nga shoqëria civile. Këtë art, e praktikojnë për ditë, çdo minutë, çdo sekond, pseudo-leaderër, mbrojtësit e virtytit, ligjit, moralit, shoqërisë civile dhe shohin rezulatet e gënjeshtrave të tyre. Vetëm në këtë mënyrë, parafabrikohet imagjinata sociale, pseudo-shkenca, pseudo-virtyti, pseudo-psikika individuale; kontrollohet ndërgjegjja dhe kthehet në produkt të pastër të institucioneve sociale; ku një nomad apo më shumë se kaq, parafabrikojnë pseudo-psikikën sociale, duke përbër më vonë pseudo-kushtetutën ndërgjegjësore individuale dhe institucionale, duke kalbur dhe duke degraduar mëndjen e njeriut social, duke i thënë atij se individualizmi ka rëndësi te veçantë në shoqërinë tonë, dhe kështu — e lënë njeriun vetëm, ashtu të degraduar, të humbur mes shoqërsë civile; ku asnjë nuk e prek, dhe kjo ndodh sepse shoqëria civile promovon individualizmin si komponent bazë, përmes dogmave të «melting pot», pra aliazh social,«divide ut regnes» apo «diairei kai vasileue».

Kjo pseudo-kushtetutë i ka rrënjët thellë te këta nomadë, që mundohen të skllavërojnë apo parafabrikojnë virtytin natyral me atë artificial. Ky virtyt mekanistik, i akademive vizuale, do të përbëj në këtë mënyrë bazën e abstraktes dhe do të hedh poshtë konkreten, pra natyralen. Kjo do të jetë lufta më ashpër e sistemit nomadë: Pra lufta midis natyrës dhe abstraktes, midis pseudo-artit dhe natyrales, midis virtytit natyral dhe pseudo-virtytit; midis homogjenitetit dhe heterogjenitetit, midis ligjit natyral dhe ligjit normativ, midis kohezionit dhe inkohezionit, midis demos dhe kracisë, midis demos dhe universalizmit, midis dogmave dhe ndërgjegjes, midis pseudo-shkencës dhe konkretes.

Kjo luftë truri, e species njeri, do të vazhdoi të hedh poshtë ligjet natyral dhe do të themeloi nëpërmjet delegatëve të saj shoqërinë e kushtetutës globale, e cila nuk do të jetë vetëm «fundi i virtytit» por do të jetë dhe «fundi’ human».

Nga Ylli Përmeti

Sunday, January 24, 2010

Ekzistoj...

Nën krenarine jetime

Të boshllëkut tim,

Në zhgënjimin e përplotë

Financuar nga "suksesi" im

Gjunjezohem ne heshtje


Qe genjeshtra mengjesore

Pa meshire te me ngushelloje

Realitetin te shtremberoje

Kur i etur sillem ta besoj.



Nje cast koha peson abort

E une ndal per te kujtuar.

Pyes veten c'kam fituar?

Lotarine per te jetuar

Nje grumbull unik rastesish,

Nje te qare te patingelluar

Nje fatlumi i pafat

Me dhimbje qe kurre s'kreu

Mungese te paarsyetuar.


I rilindur inercisht cdo mengjes

Nje e kaluar qe nuk njohu mbrese

Nje e tashme qe fton te pres

Nje e ardhme qe lut shprese.

Ate shprese ciklike

Ku paushqyer i vetem mbes

Ne rropatjen per nje kthese

Ku do shfaqet mundesia

Qe te shfaq mundesite e mia.

Per syte fals qe

Driten e premtuar se kane pare,

Per shikimet e humbura

Qe mendja le me barre.

Dehje, agonim

Nje ngushellim ky helmi im.

Uri me stil barbar

Mekate te kthyera ne kroni

Etje e helmit mekatar

E kurorezuar ne mani.

Bukuri qe shfaqen si meteore

Fallcifitete qe orvaten si tutore

Me konture altruiste

Mbushur me mendime pa jehone

Te firmes : Pesimiste

Neper vena lundron

Me flamur te germezuar

Jo pirat por PADRON.


Ditet veshin te njejten lecke

Si skllever qe s'ndertojne

Ne rrjeshtin monoton

Vetem datat i bejne te dallojne.

Mes miliarda spermatozoidesh

I fat apo i forte?

Mes miliarda si 'ta te mbijetuar

I pafat apo i kote ?



Jo, mundimet me rriten

Pengesat e saj me sterviten

Gjunjte e gjakosur heshten

Kur udhet e paudha

Shollet e mia veshen.

E une s'ndala por renda,

Heshtja sepse degjoja

Me thane ta dua tjetrin

Te respektoj me te vjetrin

Te ul koken te duroj

Duhet te egzistoj,

Te keqen ta kem frike

Friken ta kem mik

Te jem I urte per te qene besnik

Tundimit ti uleras: IK

Te behem ai qe me duan

Kur s'me duan ai qe jam une

Duke injoruar te me njohin

…Per me shume.


Keto ligje morale

Quheshin kulture

Per tu titulluar NJERI

Kerkohej nje njohje ne miniature

E kesaj pakete pseudo te denje

Ku per egon e origjinalitetin

S'kishte patur vend.

Ketu trajnoheshin viktima

E te paedukuarve "trima"

Te injorances qe pushton

E nen efekt indiferentizmi kryeson

Qe perdoron e shperdoron

Ate per te cilen kemi luftuar

Qe pa lodhje, mund e djerse

Madje as pa e enderruar

"Mitiken" tone e paskan merituar !!!


Kjo ishte bota e vertete

Ku vlerat ktheheshin armiq

Dhe servilizmi me antivlerat

Krijonin miq.

Mesova si te flas

Por sot goja harroi te belbezoje

Mendimet godasin qendren

E ajo s'arrin te reagoje

Përqafova dijen

Për të ndjerë më thellë

Për të vuajtur më FERR-shëm

Për tu ushqyer aty ku vjell,

Për t'iu lumturuar

Udhëtimit të gjethes në erë

Për të ekzistuar...

Për të plotësuar TE TJERE


Shkroi Stop Injorancës - Janar 2005 http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Nevoja për reforma: Altoparlantizmi fetar dhe interesi kombëtar

Ka ardhur koha ta mbrojmë të vërtetën e vetme, objektive, nga turrjet çmendurake të antishqiptarëve të të gjitha ngjyrave. Deri para Luftës Nacional-çlirimmtare të UÇK-së dhe NATO-s kundër pushtimit të Serbisë në Kosovë edhe une, sikurse shumica e shqiptarëve të Kosovës, asnjëherë nuk jemi preokupuar me çështje fetare. Në të vërtetë e vetjma gjë që më ka preokupuar ka qenë pushtimi në paqe i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, KOASH-it, nga grekomadhi Anastasios Janullatos me bekimin e qyqarëve të politikës shqiptare.

Mirëpo pas luftës çlirimtare u hapën lloj-lloj temash e “temash” nga njerëz injorantë,- dashakëqinj të kombit, serbofilët, turkoshakët e grekofilët, që e kishin dhe e kanë të vetmin synim: shkatërrimin e kombit shqiptar.
Kjo nuk do të lejohet dhe kësaj çmendurie antishqiptare ka kush t’i del përpara, pra nuk është kjo çështje që ka mbetur në duartë e priftërinjve të zgjuar e atdhetar katolik, por është kryesisht çështje e popullit shqiptar. Mirëpo është fakt se ajo që e thotë Dom Lush Gjergji me kompetencë e me argumantacionin e duhur historiografik shihet qartë se është një pengesë e madhe për dogmatikët e ndryshëm dhe për turmat marroqe që i nget e ndërsen sherbimi secret serb, i cili na e ka lënë një “armatë” të tërë të rrjetit të bashkëpunëtorëve të tyre në Kosovë për të nxitur mosdurim e konflikte brendakombëtare, siç është ai fitil që do ta ndeze Behari, studenti i të vetëquajturës letërsi.
Në Kosovë nuk mund të bëhet fjalë për konvertim fetar se të flasësh për konvertim duhet ta pranosh se një person e braktis një fe për ta marrur një fe tjetër ndërsa tek ne një gjë e tillë nuk është e mundur pasi shumica e popullsisë janë laramane, indiferent fatar, -gjendje e trashëguar që nga koha e pushtimit të Perandorisë Osmane. Mirëpo pas luftës në Kosovë ka ndodhur një provokim i madh fetar nga pozitat e panislamizmit që është shprehur jo me nevojën për ndërtimin racioanal të ndonjë objekti fetar të besimit islam, -xhamije pra, por përmes një islamizimi e xhamizimi të paparanueshëm për popullin shqiptar. Pas 8 vitesh isha me gjithë anëtarët e familjes sime në Kosovë dhe ajo që më ka shqetësuar së shumëti e me të cilën si njeri e si si shqiptar nuk mund të pajtohem është pikërisht xhamizimi i Kosovës, një ligjërim i padurueshëm e tejet i rrezikshëm, në esencë antishqiptar, nga pozitat e nxitjes së një mburrjeje jovendëse panislame, në kundërshtim me traditën tonë shekullore e kulturore shqiptare, ku feja edhe në ditët më të rënde për njerëzit e zgjuar ka koekzistuar në frymën e shpresës nacinal-çlirimtare.

Xhamitë e sotshme të Kosovës sonë të dashur (nuk po flas për xhamitë tradicionale të dikurshme) terrorizojnë, dogmatizojnë dhe e ç’syzojnë jetën e një populli të tërë, xhamiizimi e islamizimi (pra, jo xhamija dhe islami) i sotshëm në Kosovë ka marrë përmasa përbindshe ndaj jetës së njeriut të thjeshtë atje: e ka vërshuar jetën e një kombi të tërë. Kjo është e kobshme dhe kësaj të keqeje do t’i del përpara një popull i tërë krenar për traditën dhe kulturën e vet shqiptare.

Me xhamizimin e sotshëm të Kosovës po fyhet e shkelet dinjiteti i një populli të varfër, i cili në vend se të ketë arsimim të duhur e cilësor, në vend se të pajiset me dijet e nevojshme për botëkuptimin shkencor, terrorizohet me altoparalant që çirren deri në vrasje të shpirtit kombëtar e njerëzor në favor të një profeti e një feje që do të na ofrohet dhunshëm.

Asnjë fe që na ofrohet dhunshëm nuk kemi për t’a pranuar. Kjo le të dihet dhe të jetë e qartë nga të gjithë antishqiptarët që kujtojnë se do t’i lëmë të bëjnë dhunë ndaj priftërinjve katolik shqiptarë. Kurrë!
Koha e asaj dhune ka përfunduar më 1912 e më 1999, kur përfunduan pushtimet,në një mënyrë, pushtimet osmane-serbe.

Kosova do të jetë shumëfetare, një vend shqiptar, ku njerëzit që i përkasin një familje e një kombi do të kenë të drejtën dhe lirinë për ta pasur fenë që duan, që u flenë në zemër e nuk u imponohet as me altoparlantët e blerë nga bota islamike-arabe as nga Janullatosët e Greqisë. Feja e Ymer Prizrenit po, feja e Naimit-po, por jo fetë e armiqëve të kombit shqiptar. Imponimi i dhunshëm i një feje, islame në rastin konkret, përmes altoparlantizmit shurdhues pesë herë në ditë do ta ketë një STOP të madh e serioz në kohën që vije. Absolutisht një STOP të domosdoshëm ligjor nëse nuk dëshirohet t’i marrim vet punët në dorë si popull i zgjuar e serioz. Altoparlantizmi fetar aq i madh, intensiv, shurdhues, në kohën kur lexohen aq pak libra në vendin tonë është i palejueshëm në çdo aspekt, e në rend të parë kjo bije ndesh,e kundërshton nesër-pasnesër Ligjin për Mbrojtjen nga Ndotja Akustike.

Populli shqiptar nuk do të lejojë që pushtuesit e dikurshëm të njihen si çlirimtar, pra që xhamija si ajo e Sulltan M.Fatihut në Prishtinë të mbajë emrin e sulltanit njeri/e/shqiptarvrasës.


Nga Bajram Kabashi
Burimi : http://kosova.albemigrant.com/?p=845

Për hir të së vërtetës, ndotje akustike nuk do të konsiderohej vetëm "këndimi" i stonuar në një gjuhë fonetikisht të rëndomtë arabe (thirrja e ezanit), por edhe këmbanat e kishës. Njëra godet veshët e pafajshëm të qytetarëve 5 herë në ditë edhe gjatë orareve ku çdokush mundohet të shpëtojë nga zhurmat e stresi i kohëve të sotme dhe tjetra godet në çdo orë disa herë rrjesht...

Zgjidhja e vetme dhe e sigurt e kësaj ndotjeje mbetet peticioni i banorëve që goditen. Ruajmë të drejtën për tu mbrojtur si qytetarë. Shkroi Stop Injorancës

Një nga këto ditë...

Një miku im hapi një nga sirtaret që i përkiste gruas së tij. Nga aty nxorri një kuti të mbështjellur në një letër të shndritshme dhe tha: “Kjo nuk është do çfarëdo, kjo është dicka speciale.”


E hapi paketën dhe hodhi tej letrën, e më pas shikimi i mbeti në mëndafshin e zgjedhur. Ajo e ka blerë këtë kur ishim për herë të parë në New York, para 8 apo 9 vitesh. Nuk e ka përdorur asnjëherë. E ka ruajtur për ndonjë “rast special”.


Mirë...Unë mendoj se tani është rasti i duhur për këtë. Iu afrua krevatit dhe e vendosi materialin prej mëndafshi pranë rrobave të tjera, të cilat do t'ia vishnin asaj ditën e varrimit. Gruaja e tij kishte vdekur. Ai u kthye nga unë dhe më tha: “Mos ruaj asnjëherë asgjë për disa raste speciale, çdo ditë e jetës tënde është speciale”.


Ende mendoj për fjalët e tij... Ato kanë ndryshuar jetën time. Lexoj më shumë, ndërsa pastroj më pak. Rri në ballkon dhe shijoj peisazhin, e nuk më pengon rrëmuja në kopësht.


Kaloj më shumë kohë me familjen, e më pak në pune. Kam kuptuar se jeta në përgjithësi është e mbushur me kënaqësi. Nuk ruaj më asgjë. I përdor gotat e kristalit çdo ditë. Nëse dua, vesh xhaketen time të re kur shkoj në supermarket. Unë nuk ruaj parfumin tim më të mirë për raste speciale, e përdor sa herë që dua.


Frazat... “një ditë”' dhe “një nga këto ditë” janë zhdukur nga fjalori im.

Nëse ia vlen të shoh, dëgjoj apo bëj dicka, atëhere une dua ta shoh, dëgjoj apo bëj atë...TANI.

Unë nuk jam i sigurtë se çfarë do të bënte gruaja e mikut tim, sikur ta dinte se nuk do të ishte këtu nesër. Unë mendoj se ajo do të kontaktonte më shume me familjen e saj, miqtë e saj.


Ndoshta ajo do të kishte thirrur miqtë e saj të vjetër dhe do t’i kishte lutur ta falnin për ndonjë keqkuptim të ndodhur dhe do të ishte pajtuar me to. Besoj se ajo do të kishte shkuar në restorant kinez për të ngrënë, sepse ishte ushqimi i saj i preferuar.

Pikërisht këto gjërat e vogla të pabëra më pengojnë nëse do ta dija se i kam orët e numëruara. Më pengon që nuk takoj më miqtë e mi të dashur, të cilët kam dashur ti kontaktoj “nje ditë”.


Më pengon që nuk shkruaj letrat, që kam dashur ti shkruaj në “një nga këto ditë”. Më pengon dhe më bën të ndihem keq që prindërve të mi, vëllezërve dhe fëmijëve nuk u kam thënë më shpesh se sa shumë i dua.


Tani mundohem të mos vonohem, nuk le menjanë apo ruaj gjerat që mund ta pasurojnë jetën tonë me buzëqeshje dhe gëzim.

Çdo ditë i them vehtes, se sot është një ditë speciale…Çdo ditë, çdo orë, çdo minutë…është special.



Nëse ti e ke marrë këtë mesazh atëherë do të thotë se dikush të do dhe se ekzistojnë njerëz që ti do.

Nëse je tepër i zënë për ti’a dërguar këtë të tjerëve dhe thua me vehte se do ta dërgosh në “një nga këto ditë”... Kujdes! “Një nga këto ditë” ështe aq larg... nganjëherë nuk vjen kurrë më...

Sugjeruar nga Sidlir Shkëmbi

Mbyllet gazeta Tema !

Një fund, por jo fundi për lirinë e medias - Nga Mero Baze.

Kjo është dita e fundit kur gazeta “TemA” do të jetë në treg. Pas një përpjekjeje për të mbijetuar pas më shumë se një viti, në kushtet e bllokimit arbitrar prej policisë dhe shkatërrimit të investimeve të saj, situata financiare ka kaluar kufijtë e mbijetesës.

Gjykata e Tiranës, e cila duhet të shqyrtonte dhe për shkak të rëndësisë së ngjarjes me precedencë padinë e ngritur ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Rendit për shkatërrim të pasurisë dhe investimit të bërë pranë ish-Tipografisë Ushtarake, ende nuk kanë bërë seancën e parë të rregullt gjyqësore pas më shumë se një viti nga koha kur është ngritur padia. Në këto kushte gazeta nuk mund të mbijetojë, po të kemi parasysh, jo vetëm shkatërrimin e investimeve, por dhe mungesën e reklamave dhe politikën e frikësimit që shteti ndjek ndaj bizneseve që reklamojnë në gazetë. Kontrollet selektive financiare dhe presionet që nisin me bilancet e gazetës prej vitit 2004, po ashtu e kanë forcuar klimën armiqësore ndaj nesh.

Duke pushuar së dali në treg pas 11 vitesh mbijetese, ne, pak gazetarët e mbetur në këtë gazetë, po aq pak sa kanë qenë kur e nisëm, nuk ndjehemi të frikësuar për të ardhmen tonë personale, dhe as jemi duke i kërkuar dikujt të solidarizohet me gjestin tonë pas mbylljes së gazetës.

Jemi të vetëdijshëm se modeli i shpërblimit që ka prodhuar qeveria Berisha me medien servile të saj, dhe modeli i ndëshkimit që prodhoi me gazetën “TemA”, do t’i rëndojnë gjatë në ndërgjegje shoqërisë shqiptare që e pranoi dhe u konfirmua me këtë situatë.

E dimë që duke mbyllur këtë gazetë ne kemi gëzuar shumë vetë dhe kemi mërzitur po aq shumë vetë.

Ne e dimë se sot do të gëzohen hapur ministra, deputetë, biznesmenë të qeverisë, dhe gazeta-shkruajtës të qeverisë. Do të gëzohen njerëz që gazeta ka denoncuar kur kanë prekur paratë publike, kur kanë kapur shtetin, kur kanë vjedhur dhe kur kanë vrarë për të vjedhur. Do të gëzohen përtej tyre dhe kolegë tanë gazetarë, nga ata që i bezdis fjala e ashpër dhe e thënë drejtpërdrejt, nga ata që nuk duan ta shikojnë kurrë të keqen që është përpara, por duan të gjejnë dhe një të keqe tjetër, që të balancojnë kështu një mision të pakuptimtë në favor të status quo-së. Shpresoj të qetësohet pas kësaj dhe ndonjë koleg, i cili në një seri sulmesh të liga ndaj gazetës kohët e fundit, pyeste çdo ditë: “Si ia dalin që nuk mbyllen?” I siguroj se dhe ne do të gëzohemi që ata ndjehen mirë me mbylljen e gazetës. Së paku ia kemi dalë që në mungesë të frikës nga ligji, të kenë pasur një frikë dhe makth nga media.

Por jemi të sigurt se shumë herë më tepër njerëz do të mërziten. Do të mërziten lexuesit tanë besnikë të djathtë dhe të majtë, që iu shtuan gazetës, sidomos kohët e fundit. Do të shqetësohen ata, që shikojnë dhe kuptojnë se si mediet po bien një nga një dhe si po krijohet pushteti i frikës ndaj fjalës së lirë.

Ne sot s’kemi shumë të drejtë t’u japim kurajë, por kemi guximin t’u themi se do shikohemi përsëri në faqet e shtypit shqiptar, të shpërndarë apo të ribashkuar dikur më vonë. E sigurt është se do të vazhdojmë të shkruajmë përditë, do të përpiqemi të botojmë përditë, derisa kjo gjë të jetë e mundur në këtë vend. Nëse bëhet e pamundur, atëherë nuk do të jetë më faji ynë.

G. Tema