Monday, March 29, 2010

O sa mir’ me ken’…i poshtëruar!

Sado mendje djallëzore te kesh, edhe sikur të jesh krye komandant i andarteve apo i venizëllove, nuk e sajon dot atë incident të pashembullt që ndodhi në të njëjtën ditë, rrezik edhe në të njëjtën orë: në historinë shekullore mes dy popujve “miq”, mes dy vendeve fqinjë, Greqisë dhe Shqipërisë, pikërisht në ditën e festës kombëtare greke, Kuvendi ynë demokratik mblidhet dhe vendos të legalizojë me ligj varrezat e ushtarëve grekë (pra politikisht, se realisht varrezat janë ngritur dhe bekuar me vakt e me kohë!), ndërsa në Athinë, në paradën zyrtare, komandot greke parakalonin dhe këndonin himne naziskinësh me vargje kriminale, antishqiptare.
Veshja kombëtare greke, e vjedhur nga tradita shqiptare.

Sigurisht kjo nuk ishte as hera e parë e me siguri që nuk do të jetë as e fundit, pavarësisht nga masat që medemek “do të marrë qeveria greke”, sipas “garancisë “ që na dha edhe ministri ynë i jashtëm, teksa na vuri në dijeni, pas incidentit, se…se fjalë më të qarta se ato të ministrit grek të mbrojtjes së qytetarit për këtë incident nuk mund të gjesh!…Pra, ministri grek, përgjegjës direkt për këtë ceremoni të ndyrë dhe raciste (e cila nuk ishte përgatitur nga repartet ilegale të “17 nëntorit”), na qenka shqetësuar më shumë edhe se autoritetet shqiptare!...

Kjo e bën poshtërimin shumë më të papërballueshëm, pasi tregon se si dhe pse komandohet klasa jonë politike, se sa pa personalitet dhe pa dinjitet kombëtar qenkemi katandisur ne shqiptarët e sotëm, se si po tërhiqet për hunde dhe po poshtërohet publikisht qeveria Berisha nga Athina zyrtare.

Sigurisht jo nga Athina demokratike, po nga Athina atavike e atyre megalomanëve ballkanikë që e bënë Greqinë të dalë për t’u shitur në ankand, të trokasë dyerve të botës për të lypur lëmoshë, gjë e padëgjuar as nga shtete që nuk janë shtete! E pra, një dhi e zgjebosur të vjen në derë e të bën pis, paçka se ti e ke nderuar!
Kjo është më e rëndë edhe se dhurimi e detit, të cilin për fat e anuloi Gjykata Kushtetuese. Ky incident bëhet edhe më i rëndë edhe pse dy deputetët çamë guxuan e mbajtën fjalime “prekëse” në Kuvend (duke iu lutur Greqisë të njohë çështjen çame!), por ama me qëndrimin e tyre, edhe ata lejuan të zhvillohej seanca, paçka se votuan kundër! Ndaj edhe fjalimet e tyre të nesërmen, para dyerve të ambasadës greke në Tiranë, nuk ngjallën asnjë shpresë apo entuziazëm se në Shqipëri ka një klasë politike apo ndonjë parti, sigurisht jo nacionaliste, po sadopak atdhetare që të ketë guximin e mjaftueshëm të dalë e të mbrojë në mos interesat kombëtare, të paktën dinjitetin kombëtar para qytetarëve e para botës!

Turp të tillë nuk gjen dot në histori!

Ne jemi katandisur, sigurisht jo për fajin tonë, si qytetarë, as se në Greqi kemi mbi gjysmë milion emigrantë, por të klasës së sotme lapërdhare politike, që është padyshim më e poshtëruara e Ballkanit, më me pak dinjitet, një klasë që për të mbetur në pushtet është gati jo vetëm të falë Shën Naumin, po edhe të gjithë Shqipërinë!
Këtë na provoi së fundi edhe incidenti i komandove grekë, bashkë me seancën e Kuvendit për varrezat e ushtarëve grekë, seancë që padyshim ishte gatuar qëllimisht që të jepej si një dhuratë në ditën e festës kombëtare greke, për të dëshmuar edhe me një provë tjetër servilizmin e pacak, pas dështimit të kufirit detar…
Kjo do t’i tregonte Athinës që ne, dmth qeveria Berisha, nuk e ka humbur “dashurinë” pa kushte për ju, edhe pas dështimit të dhurimit të kufirit detar, sigurisht “jo për faj të qeverisë”…
E pra kjo shëmti në marrëdhëniet dypalëshe mesa duket ka shkuar shumë larg…; por kjo nuk ka ndodhur vetëm me grekët, por edhe me serbët, edhe me maqedonasit, edhe me italianët (kujto psh plehrat e Italisë, centralin bërthamor, Otranton apo batutat e Berluskonit para syve e veshëve të Kryeministrit tonë lavdimadh!), edhe me çekët, të cilëve iu fal OSSH-ja kur Çekia kishte kryesimin e BE-së, vetëm e vetëm që para zgjedhjeve Berisha të shkonte në Pragë e t’i dorëzonte Kryeministrit çek një dosje ngjyrë blu, me kërkesën për vend anëtar të BE-së…
Dhe si rezultat, qeveria e këtij vendi të rraskapitur, që ka dalë të shitet për një euro, nuk bën as gëk as mëk as kur kjo ndërmarrje private çeke u vjedh për një muaj mbi një milion dollarë nga faturat e energjisë elektrike qytetarëve të varfër shqiptarë!…
Një qeveri që nuk demonstron dinjitet kombëtar para ndërkombëtarëve, nuk ka si të ketë dinjitet e nuk mund të punojë në të mirë të popullit të vet! Ne nuk e meritojmë këtë turp e këtë poshtërim që na vjen së pari nga brenda pastaj edhe nga jashtë!

E pra, edhe më një të tillë degradim, ne kemi guximin dhe shpresën të kërkojmë të bëhemi sa më shpejt anëtarë të BE-së!…

Por si mund të na respektojnë, si mund të na legalizojnë vizat, që të lëvizim në Evropë lirshëm kur qenkemi katandisur kaq faqezinj e kaq pa dinjitet?
A kanë faj ndërkombëtarët që na lanë të fundit, madje, së voni, edhe pas Bosnjës?!
***
Kush e njeh historinë mes dy popujve, e di që kjo që ndodhia me komandot naziskine greke nuk është një rastësi, as lajthitje, po një frymë që mesa duket në Greqi nuk është shuar as nga demokratizimi i Greqisë, as nga anëtarësimi i saj në NATO dhe në BE.

Greqia ka bindjen që është kryeqendra e Ballkanit të trazuar , ajka e këtij rajoni që me sa duklet fuçinë e barutit e ka zëvendësuar me qypet e folklorit, me buzuqet e shishet e uzove…
Por brenga jonë që vjen nga një varfëri e trashëguar të shtohet edhe më tepër kur vëren me trishtim se si një vend si Maqedonia, që është ende pa emër, që nuk ka një datë për festë kombëtare, si shtet i mëveçëm (nuk është shtet as një dhjetë vjeçar), që ka popullsi më të vogël se ne, që ka probleme etnike të pazgjidhura, por ama pakësh një klasë politike që ka guximin e mjaftueshëm e të admirueshëm t’i vërë kufirin te thana edhe Greqisë megalomane, duke sakrifikuar madje edhe anëtarësimin e saj në NATO, pa e bërë qejfin qeder!
E pra, pavarësisht presioneve të ndërkombëtarëve për t’u marrë vesh me Greqinë për emrin, Maqedonia, po edhe Mali i Zi, jo vetëm që fituan vizat, po janë shumë më pranë BE-së se ne!
Sepse ata drejtohen nga dinjiteti i shtetarëve të tyre, dinjitet që përcillet edhe te qytetarët e simbolet kombëtare!

Ja pra përse atë këngën “O sa mir’ me ken’ shqiptar”, ne, mbas sodit, duhet me e këndue, për qejf të grekëve: ‘O sa mir’ me ken’ i poshtëruar’!
Deri kur kështu? Besoj se grekët, sidomos me ne shqiptarët do ta kenë shumë shpejt të humbur davanë! Vetëm se kur të ndryshohen rolet, ne nuk do të këndojmë të tilla këngë raciste kundër tyre për shpagim!

Kiço Blushi, G. Shqiptare

Sunday, March 28, 2010

Gërmime të mëtejshme mbi gjuhën etruske në lidhje me Shqipërinë

Nga tregimet e Homerit, Herodotiti, Tukudititi deri në studiuesit e sotëm, mbështetur në arkeologjinë, historinë dhe linguistikën del se Pellazgët, ilirët, etruskët, shqiptarët kanë gjuhët e tjera.
Ndërtime etruske

Nga burime arkeologjike të shekullit të XIII para erës sonë, të gjetura në Dodonë, në kryeselinë e pellazgo- ilirëve:
60 km në lindje të Konispolit dhe 22 km në jug perëndim i Janinës, dokumente të shpëtuara nga Dionizi i Halikarrnazit ( shek.i p.e.s.) faktohet se shumë pellazgë janë larguar nga vatrat stërgjyshore të tyre dhe kanë shtegtuar drejt Saturnisë: Italisë të asaj kohe. Këta refugjatë pellazgë janë quajtur etruskë. Këtë e fakton dhe dijetari romak Lus Mani, dijetari Plini etj. Të cilët kanë thënë se alfabetin në Lacium e sollën pellazgët në shekullin e VII p.e.s.

Simbas dijetares Nermin Vlora: " Antiche civilita mediterranea" faqe 154 ( vdekur në romë në 2007 dhe me kërkesën e saj varrosur në Vlorë): Një shumicë e madhe mbishkrimesh etruske interpretohen me anën e ilirishtes, që është shqipja e sotme, mbështetur në mënyrën të veçantë mbi linguistikën: Idioma është dëshmuese e pa kontestueshme.

Simbas kësaj dijetareje duhet të kemi parasysh këto fjalë themelore të gjuhës ilire, të cilat rrojnë akoma sot në shqipen moderne:

PELLG NË ITALISHT: Pelago, që do të thotë " det i thellë", nga vetë emri i pellazgëve, të cilët i quajnë dhe: " Popujt e detit".

Ilir dhe Iliria e kanë ruajtur domethënien e tyre " Njerëzit e lire, në vendin e ilirëve.

Jon: "Deti Jon" ishte deti i ilirëve.

Rezna e quanin veten e tyre etruskët, që do të thotë: " Rrezet e atdheut: ILIRI".

Ja pra: Tani ne mund të themi se: Pellazgët : " Janë popujt të detit. Ishin lundrues të mirë dhe të lirë në detin e tyre dhe autoktonë të vendeve kumë vonë erdhën grekët.

Ja çfarë populli i përparuar ka qenë para ardhësit tanë, si nga pikëpamja ekonomike ashtu dhe kulturore.

Nuk duhen harruar se personalitete të rëndësishme romake si për shembull : Giulio Cesari dhe perandori Auguato i perfeksionuan studimet e tyre në shkollat e mirënjohura të Ilirisë.

Kjo lëndë është shumë e madhe, thotë Nermin Vlora, por ne do të zhvillojmë, vetëm pjesët thelbësore, në mënyrë që lexuesi të përvetësojë pikat kryesore të së kaluarës sonë, rrënjët e së cilës humbasin në mjegullën e kohës:

Homeri: I cili rrojti në shekullin IX para erës sonë:

"Pellazgët ishin një popull autokton.

Spiro Konda: Shqiptarët dhe Problemi i pellazgëve" Ai mbështet tezën toponimia të tipit MALEA? MALIA? MALEIANON; rrjedhin nga fjala: MAL.

Kurse të tjerat të tipit GYRËS?
Gyropetra, a kanë rrënjën e tyre në fjalën Gur. Këto fjalë, thotë Konda, gjenden shpesh në veprat e Homerit etj. Një fjalë që takohet shpesh në ILIADËN e Homerit dhe që ruhet akoma në gjuhën shqipe është fjala " Pyll" . Në një ishull të Lezbos ku banonin pellazgët gjendet një, mal me pyll të dendur dhe që ka ruajtur emrin origjinal: Pyllon.

Fjalët: MAL, GUR, PYLL, përmenden shpesh në Odhisenë e Homerit.

Në kohërat e lashta, Deti Adriatik njihet si: "Deti Jonë", që do të thotë deti i ilirëve. Këtë lajm e kemi nga Tuqididi në veprën e tij madhështore

" Historia".

Të gjithë këta autorë të ndryshëm antikë vërtetojnë një zëri: në të mohuar një zëri: se Pellazgët ishin autoktonë dhe grekët emigrantë që nuk kanë asnjë afërsi gjenetike me njeri -tjetrin.

Herodoti: "Ati i historisë", na jep lajme shumë interesante. Ai jetoi në shekullin VI para Krishtit, ku shkrimi ishte konsoliduar, prandaj rrëfimet e tij janë interesante: " grekët mësuan nga pellazgët artin e punimit të bronzit, të themelimit të qyteteve e të fortifikimeve" . Akoma edhe sot muret e ngritur me masa të mëdha guri quhen: " Mure pellazgjikë".

Herodoti informon se Pellazgët ngritën murin rrethues të akropolit të Athinës dhe nga ata morën mitet e perënditë.

Studiuesi austriak Von Han që ishte konsull në Janinë, autor i librit: " Albanische Studien" shkruan: " shqiptarët janë autoktonë rrjedhin drejt prej ilirëve. Janë pasardhës të pellazgëve prehistorikë.

L Benloë : " La Grece avant les Grecs" ( Paris 1877 fq.10) shkruan: "shumë emra vendesh. Malesh, lumenjsh, personazhesh legjendarë, nuk mund të shpjegohen me etimologjinë greke. Vetëm një gjuhë ka qenë në gjendje deri tani të hedh dritë mbi emrat e këtyre vendeve. Kjo është gjuha shqipe.

Nobert Jokl, në " reallekxikon der vorgeschichte" ( 1924 fq 186) shkruan:

"Sidoqoftë, vërejmë se trashëgimet linguistike që vinë nga gjuhët e lashta të Ballkanit, si ajo e Ilirëve dhe e Thrakasve janë lidhur ngushtë me gjuhën shqipe".

Përsa i përket çështjes gjuhësore, shton Nermin Vlora, në lidhje me etruskët: pata një eksperiencë të mrekullueshme në Perugia të Italisë. Në hyrjen e universitetit mbi mur, në të djathtë dhe në të majtë janë vendosur si motiv zbukurues, tulla guri me mbishkrime etruske.

U ndala dhe i lexova ato, duke i kërkuar ndihmë njohjes shkollore të greqishtes së vjetër. Habitja dhe gëzimi u bënë të mëdha, kur kuptova se isha në gjendje të kuptoj, jo vetëm fjalë të izoluar, por fraza të përsosura, me anën e shqipes.

Këtu kemi disa nga mbishkrimet e Perugias:
Mbishkrim etrusk

Etruske - Shqipe

Arca zini tannia Arka zini (i)

Tannia (8)

La veti av. (avalli)

La fisi Fari La fisin faren la

Lan veti lane Lan vetin lan uria

uria

La vain la vain

Avle seli Avlli shkeli

Madnoia leve da Madhnia leje



Shënim : Lexo nga e djathta në të majtë.

Këto fjalë të mrekullueshme janë kaq të thella, kaq lakonike dhe kaq shqiptare jo vetëm në interpretimin e tyre por edhe në formën, mund të themi se sot shkruhet dhe flitet, pak a shumë në këtë mënyrë.

Greqishtja e vjetër dhe latinishtja u ndryshuan gjatë shekujve, kurse ilirishtja mbeti praktikisht njëlloj. Me të drejtë, glotologu i mirënjohur Gustav Meyer në : " Nuova antologjia" ( 1885, f.q: 535) shkruan: " Shqiptarët duhen të quhen " Ilirët e rinj" ashtu si grekët e sotëm quhen: "Grekët modernë".

Ku duhet kërkuar misteri i ruajtjes së gjuhës ilire?

Në të vërtetë ajo nuk u helenizua , megjithëse përdori shkrimin grek nuk u latinizma mbas zaptimit të Romës me 168 para Krishtit, nuk u sllavizma si tek fqinjët e tjerë, kur u turqizma gjatë pesë shekujve të zaptimit Otoman.
Arti etruskian

Këtë gjë të mrekullueshme e kreu dashuria e shqiptarit për kulturën, për traditat, për nevojat shpirtërore edhe me ndihmën e maleve vigane, që mbrojtën një popull me të kaluar vigane.

Nga Mexhit Kokalari, G. Ndryshe

KLSH: Administrata 7.3 miliardë lekë abuzime

Zbardhet raporti vjetor i KLSH-së. Dëmi total që administarata shtetërore i ka shkaktuar bushetit të shtetit vertitet në 7.3 mld lekë. Në vend të parë, keqadministrimi i pasurisë publike dhe tatimet.


Abuzimet e aparatit shtetëror i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm total prej 7.3 miliardë lekësh. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përgatitur raportin vjetor të vitit 2009 i cili pritet të shqyrtohet së shpejti në kuvend duke pasqyruar një serë shkeljesh të hasura gjatë kontrolleve të bëra përgjatë vitit të shkuar.

Abuzime me investimet publike, mosmbledhje e detyrimeve të të tretëve ndaj shtetit, rritje artificiale e fondeve të pagave dhe shpërblimeve, abuzime në procedurat tatimore e doganore, janë disa nga shkeljet më të mëdha që janë hasur nga KLSH gjatë 150 kontrolleve të kryera gjatë vitit 2009 të cilat kanë hapur një gropë prej 7.3 miliardë lekësh në buxhet. Krahas nëntemujorit të parë të vitit 2009 shkeljet përfshijnë edhe kontrolle të bëra gjatë viteve 2007, 2008 për të cilat KLSH ka kërkuar rimbursimin e shumës së humbur, por që nuk është marrë parasysh nga organet shtetërore.
Dëmi më i madh në arkën e shtetit është shkaktuar në sektorin e shitjes dhe lëshimit më qira të pasurisë shtetërore, investimeve publike me anë të granteve të huaja si dhe projekteve për mbrojtjen
E mjedisit me vlerë totale prej 3.3 miliardë lekësh. Brenda kësaj shume, plot 3.1 miliardë lekë dëm buxhetit të shtetit, i është shkaktuar nga neglizhenca e administratës për mbledhjen e detyrimeve që kompani apo subjekte të ndryshme i kanë shtetit për shkak të blerjes apo marrjes në përdorim të pasurive shtetërore.
Nga këto, dëmin më të madh e ka shkaktuar Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave me 592 milionë lekë për shkak të mosarkëtimit të qirave dhe detyrimeve të tjera prej kompanive që kanë marrë sasi të konsiderueshme pyjesh në shfrytëzim.

Për sa i përket dëmi prej projekteve të me financim të huaj, kryesisht ai ka ardhur nga ritmet e ulëta të disburimeve e cila është shoqëruar me kosto shtesë në pagesën e përqindjes për kreditë e patërhequra. Po ashtu, KLSH raporton për raste të mosmbajtjes së garancisë bankare ndaj kompanive të kontraktuara për kryerjen e një investimi të cilat jo pak herë kanë nuk kanë përmbushur detyrimet e përcvaktuara në kontratë duke i kontribuar në rritjen e shumës së dëmit në buxhetin e shtetit.
Ajo që KLSH konsideron si rast flagrant ka të bëjë me mosaplikimin e sanksioneve ndaj kompanive që kanë kryer shkelje. Ajo që preket më shumë nga qytetarët ka të bëjë me shkeljen e afateve kohore në përfundimin e punimeve nga kompanitë ndërtuese, fakt i cili konsiderohet gjithashtu problematik. KLSH jep alarmin edhe për një serë projektesh që kanë të bëjnë kryesisht me rikonstruksionin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve në disa bashki të vendit. Përmendim këtu, bashkitë, Lushnje, Durrës, Fier, Sarandë, etj.

KLSH gjithashtu raporton për shifra të lartë abuzimesh në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve me 87. 1 milionë lekë. Një dëm prej 68 milionë është hasur në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe 13.9 milionë lekë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Dëmi i shkaktuar në këtë ministri, më së shumti ka të bëje me dietat që u jepen punonjësve. Për t'u theksuar është dëmi i hasur në "Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza". Janë plot 54.7 milionë lekë dëm të kapura në këtë qëndër, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me investimet si dhe shpenzimet operative. Po ashtu, në listën e abuzuesve renditet edhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila raportohet se ka shkaktuar një dëm prej 11.2 milionë lekësh buxhetit të shtetit. Në Drejtorinë Rajonale Arsimore Durrës janë kapur rreth 10 milionë lekë dëme, ndërsa në Ministrinë e Arsimit 5.9 milionë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar subvencionimin në buxhtein e vitit pasardhës të të gjithë dëmit prej 7.3 miliardë lekësh të hasura gjatë kontrolleve të vitit 2009.

Autoriteti - Dëmi
Administrimi Pasurisë Shtetërorë 3.1 mld lekë
Tatimet 2.7 mld "
Doganat 300 mln "
Ministria e Mjedisit 592 "
Ministria Arsimit 5.9 "
Ministria e Jashtme 13.9 "
Ministria e Shëndetësisë 4.7 "
Drejtoria e Përgjithshme Rrugëve 87 "
Qëndra Spitalore "Nënë Tereza" 54.7 "
Ujesjellës-Kanalizime 11.2 "
Instituti Sigurimeve Shoqërore 68.2 "
Drejtoria Arsimore Durrës 10.7 "
Drejtoria Arsimore Fier 8 "
Shërbimi Pyjor Kavajë 255 "
Pushteti vendor 436 "



KLSH-Qeverisë: Harto rregullat për reklamat

Kërkesa ka të bëje me përcaktimin e rregullave për reklamat që bëhen nga administrata qëndrore


TIRANË- Organizimi i fushtave publicitare nga organet shtetërore gjatë vitit të shkuar janë cilësuar problematike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Më shumë se me paratë e harxhuara për të vetëreklamuar veprimtamtaritë e qeverisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit e lidhe shqetësimin e tij me mënyrën se si zhvillohen procedurat e përzgjedhjes së subjekteve nga të cilat do të merret ky shërbim. Nisur nga kjo, KLSH i ka sugjeruar qeverisë që të marrë një iniciativë ligjorë për të përcaktuar rregullat mbi të cilat do të kryhet veprimtaria e përzgjedhjes së organeve mediatike apo kompanive publicitare për prodhimin dhe publikimin e reklamave të qeverisë. "Nga kontrolli i ushtruar në Aparatin e Kryeministrisë dhe në disa institucione qëndrore dhe vendore, u konstatua gjatë një viti buxhetor se ato përdorin fonde të konsiderueshme për blerjen, zhvillimin prodhimin e programeve e të reklamave për transetime nga operatorët radio-televiziv apo për botim në mediat e shkuara. Në prokurimin e fondeve në Kryeministri apo dhe në administratën qëndore janë konstatuar mangësi kryesisht si pasojë e mosnxjerrjes të ndonjë udhëzimi për zbatimin e ligjit të reklamave", - citohet nga KLSH.


Sipas KLSH-së, ekzekutivi duhet të përcaktojë paraprakisht, kriteret që duhet të përmbushë ofertuesi pjesëmarrës në konkurim të vlerësuara me pikë të cilat duhet t'u bëhen të ditura palëve para pjesëmarrjes në garë. Po ashtu kriter vlerësimi duhet të jetë shtrirja gjeografike, numri i lexuesve apo i shikuesve, etj.

Emirjon Senja, Shekulli

Friday, March 26, 2010

Skandal në Greqi, Forcat Speciale në paradë zyrtare: Shqiptarëve do t’u derdhim gjakun, me lëkurën e tyre do qepim rrobat tona

Athinë, 26 Mars NOA – Skandal me përmasa të papranueshme në Greqi, Forcat Speciale të ushtrisë greke fyejnë rëndë shqiptarët duke kërcënuar madje me pirje gjaku.

“Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim, mor derr shqiptar”, është thirrja në kor që kanë bërë, dje në paradën zyrtare të 25 Marsit 2010, jo anëtarë të ndonjë organizate ilegjitime, por pikërisht Forcat Speciale që parakaluan rreshtore në rrugët “Panepistimiu” (Rruga Universitare” dhe “Agjiu Konstandinu” (“Shën Konstandini”).
Parada e skandalit

Dhe sikundër komentoi sot “Elefterotipia”, gazeta më e madhe greke, thirrjet skandaloze erdhën dje në qendër të Athinës, jo nga anëtarët e demonstruesve Hrisi Avgji, por nga Forcat Speciale zhytëse në Universitetin e Shën Konstandinit në paradën zyrtare ushtarake të 25 marsit.

Gjithçka ka ndodhur dje në qendër të kryeqytetit grek, Athinë. Forcat Speciale të Ushtrisë greke, (ΟΥΚ), zhvilluan paradën zyrtare ushtarake të 25 marsit.

Ndërkohë që parakalonin sipas procedurës, ka shpërthyer mes tyre kënga ““Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim, mor derr shqiptar”, që në greqisht, u këndua me rimë, kështu: “Elinas gjeniese, dhen gjinece pote, to ema su tha hisume, guruni Alvane”. (Versionin në greqisht të këtij lajmi dhe videos, e gjeni këtu: NOA Lajme ne greqisht.

Këto dhe të tjera thirrje rrënqethëse, të denja për filma horror, u dëgjuan dje në mes të Athinës, raporton korrespondenti i Agjencisë NOA.

Thirrjet e frikshme erdhën pikërisht kur Forcat Speciale sapo përshkuan zonën e Sintagma (Kushtetueses) dhe “trimat” dhe u afruan në rrugët “Panepistimiu” dhe “Agjios Konstandinos”, nisën të klithnin për kasaphanë ndaj fqinjëve të Greqisë, duke mos kursyer shqiptarët, turqit dhe shkupjanët, siç i njohin qytetarët e FYROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë). Dhe duke vendosur kështu “mes vedi” se kush ka të drejtë të quhet grek dhe kush jo.

Thirrja tjetër e këngës horrore, ishte: “Do të bëhet kasaphanë, pastaj do të hakmerrem, kur të adhuroni kishën edhe kryqin”, që në greqisht, u dëgjua kështu: “Tha gjini makeljo, meta tha ekdhitho, otan tha proskinisete simea ke stavro”.


Më tej sikundër dëgjohet dhe shihet dhe në pamjet video që ju keni pranë këtij raporti nga Athina, vijuan dhe frazat për ne shqiptarët dhe për fqinjët e tjerë: “U thonë shkupjanë, u thonë shqiptarë, rronbat e mia do të qep me lëkurën e tyre”, që në greqisht, e klithën kështu: “Tus lene skopjanus, tus lene alvanus, ta ruha mu tha rapsod me dhermat’ap’aftus”.

Dëshmitarët treguan se thirrjet u përkrahën edhe nga njerëz të politikës greke të cilët ndoqën paradën ushtarake së bashku me qytetarët grekë. “Një prej burrave politikanë, madje u priu Forcave Speciale duke thirrur dhe ai së bashku me ta e duke i paraprirë atyre me thirrje i pari”, raportoi sot “Elefterotipia”.

E gjitha kjo ndodhi ndërkohë që parada ndiqej në rrugë nga familjarë emigrantë që ishin mbledhur me dhjetëra, pjesa më e madhe e tyre, shqiptarë, të cilët shumë prej tyre shtruan pyetjen: “Pse kaq urrejtje ndaj nesh”.

Këto incidente vijnë vetëm pak kohë pasi Parlamenti i Greqisë miratoi ligjin që jep më shumë të drejta për emigrantët dhe që i hap rrugën përfitimit të nënshtetësisë greke. Mesazhi i klithmave të Forcave Speciale, lë përshtypjen se ishte pikërisht kundër këtij ligji.

Në këtë pikë, shtrohet me të drejtë pyetja: “Si është e mundur që ushtria greke, duke zhvilluar parada zyrtare, në mes të Athinës, ne qendër të saj, të sfidojë njerëzillëkun duke përdorur gjuhë të rëndë urrejtjeje ndërsa jetojmë në vitin 2010?

Fotot dhe video: Nga çastet e thirrjeve raciste nga pjesëtarë të Forcave Speciale greke në paradën e 25 Marsit 2010 në Athinë.

Videoja e skandalit për ata që kuptojnë greqisht : http://www.youtube.com/watch?v=hslGF-0KRqI

n.s/e.r/NOA

Varrezat greke përçajnë grupin e PD-së

Partia Demokratike ka rifituar dje pëlqimin e qeverisë greke, teksa ka miratuar në Kuvend marrëveshjen për kërkimin dhe rivarrimin e ushtarëve grek të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por ka humbur në të njëjtën kohë edhe unitetin brenda saj.

Jo vetëm aleatët, por edhe vetë deputetë të Partisë Demokratike nuk i janë bindur vendimit të grupit parlamentar, duke votuar kundër ose abstenuar në seancën e djeshme plenare ndaj marrëveshjes, edhe pse numri i tyre nuk ka qenë i mjaftueshëm për ta rrëzuar atë.
Varrezat në Kosinë

Mazhoranca e djathtë ka ratifikuar marrëveshjen në fjalë, por duke mundur të marrë vetëm 66 vota pro, ndërsa 5 deputetë votuan kundër dhe njëri abstenoi.

Një deputet tjetër rezulton të ketë shprehur kundërshtimin e tij, duke mos marrë pjesë në votim, pasi nuk rezulton në listën e deputetëve votuan pavarësisht se gjatë matjes së prezencës ka qenë në sallë.

Debati
Që në çelje të diskutimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, të viteve 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit shqiptar, dy deputetët çamë të Partisë për Demokraci dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri kanë kërkuar prej pjesës tjetër të mazhorancës që të shtyhej ratifikimi i saj deri në një moment tjetër. Sipas deputetit Tahiri marrëveshja në fjalë duhet të kishte ardhur në Kuvend si shenjë e ndjenje respekti reciprok edhe nga ana e shtetit grek kundrejt kalvarit të vuajtjeve të çamëve. Për sa kohë ka theksuar ai që nga ana e shtetit grek nuk njihet genocidi i ushtruar ndaj popullsisë çame, por përkundrazi ai përçmohet duke mos lejuar banorët çam të vizitojnë vendbanimet e tyre në Greqi, shteti shqiptar nuk mund të bëjë një lëshim të tillë për ngritjen e këtyre varrezave në Shqipëri.

Kundra është shprehur edhe deputeti tjetër çam, Shpëtim Idrizi, i cili duket kërkuar që votimit i marrëveshjes në fjalë të shtyhej, ka theksuar se me këtë nismë shteti shqiptar po legalizon ngritjen e dy varrezave, të cilat deri më tani kanë qenë të paligjshme në Këlcyrë dhe në Gjirokastër.

Por, si kundërpeshë ndaj këtyre qëndrimeve mazhoranca përveç dy relatorëve të komisioneve ku dhe është diskutuar kjo marrëveshje, ka nxjerrë edhe deputetin Tritan Shehu, i cili, duke ftuar deputetët ta votojnë atë, ka theksuar se me këtë hap shteti shqiptar respekton të rënët në luftë. "Ne nuk duhet të ngatërrojmë gjerat, ndaj duhet të miratojmë marrëveshjen si shenjë respekti ndaj të vrarëve në luftë", - tha Shehu. Por, një qëndrim i tillë ka sjellë revoltimin e deputetit çam, Dashamir Tahiri, i cili duke folur nga vendi ka replikuar me Shehun. "Na dole në mbrojtje të marrëveshjes, dhe na fole për luftën, për anglezët, italianët, por nuk na the nëse ushtarët grek ranë këtu si pushtues apo si çlirimtar. Nuk the një fjalë për genocidin grek ndaj popullsisë çame", - tha Tahiri.
Pavarësisht debateve, marrëveshja ka kaluar në votim, duke marrë 66 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim. Grupit të deputetëve që nuk e miratuan marrëveshjen, përveç Idrizit dhe Tahirit, iu bashkuan edhe deputetët demokrat Bedri Hoxha e Ardian Kollozi, si dhe Lefter Koka i LSI-së, ndërsa deputeti tjetër demokrat Lefter Maliqi abstenoi.

Marrëveshja
Marrëveshja për gjetjen dhe rivarrimin e eshtrave të ushtarëve grekë u nënshkrua më 19 nëntor të vitit 2008 në Tiranë. Por, pavarësisht se nënshkrimi i saj mes palëve është bërë që dy vjet më parë, vet reagimi i opinionit publik detyroi qeverinë shqiptare që ta zvarrisë ratifikimin e saj në Kuvend deri në këto momente. Në bazë të kësaj marrëveshje për rivarrimin e ushtarëve grek të rënë në periudhën 1940-1941 do të ngrihen dy varreza, njëra në Këlcyrë të Përmetit dhe tjetra në Bularat të Gjirokastrës. Ekzaminimet e eshtrave do të bëhen nga një grup ekspertësh të ngarkuar posaçërisht për kryerjen e kësaj procedure. Në to do të jenë numër i barabartë anëtarësh nga të dyja palët dhe do të kenë në përbërjen e tyre ekspertëve të mjekësisë ligjore, ushtarakë dhe historianë, që do të merren me administrimin e eshtrave, por edhe të elementëve të tjerë që kanë lidhje me zbardhjen e fakteve historike. Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje e protokolluar nga të dy palët. Një rol në këtë proces do të luajë edhe Kisha Ortodokse Shqiptare, e cila do të administrojë dy vendprehjet e reja të ushtarëve grek, por vetëm në aspektin humanitar të tyre. Po sipas marrëveshjes, pala greke do të mbulojë shpenzimet për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin si dhe do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike dhe infrastrukturën logjistike.

Në marrëveshje është parashikuar gjithashtu, që nëse hapësirat e zëna nga varrezat do të përdoren për interesa publike, atëherë pala shqiptare është e detyruar të vërë në dispozicion të palës greke një shesh tjetër të përshtatshëm, si dhe do të mbulojë të gjitha shpenzimet për rivarrimin e eshtrave dhe sistemin e varreve të reja. Gjithashtu, sipas marrëveshjes, është përcaktuar edhe data 28 tetor si dita përkujtimore e të rënëve grekë.

Fejzi Braushi, Shekulli

Emigrantët manifestojnë në Tiranë

Lidhja e emigrantëve shqiptarë në Itali “Iliria”, ka shpërndarë së fundmi një ftesë, për të gjithë ata që duan t’i bashkohen protestës së tyre në Tiranë, të dielën më 28 mars, para TVSH-së. Qëllimi i protestës është kërkimi i të drejtave të tyre dhe zgjidhje për situatën sipas tyre të mjerë e të bllokuar.

Ndër kërkesat e këtyre emigrantëve janë bërë të ditura:

1. Lëvizjë e lirë e shqiptarëve (heqja e vizave)

2. E drejta e votës për emigrantët në vendet ku jetojnë dhe punojnë

3. Ngritje e pagave minimale të punëtorëve

4. Liri sindikale dhe e drejta e grevës

5. E drejtë pensioni dinjitoz, pune apo social për të gjithë

6. Asistencë shëndetësore falas për të gjithë

Ndërkohë, në mesazhin-ftesë që kjo organizatë emigrantësh jep për t’iu bashkuar manifestimit të tyre, ndër të tjera thuhet: “Më 28 mars ftojmë të gjithë bashkëatdhetarët të dalin të manifestojnë për të drejtat e tyre. Këtë datë nuk e zgjodhëm rastësisht por qëllimisht, sepse duam edhe kësaj radhe të denoncojmë publikisht tragjedinë e Otrantos dhe jo vetëm, ku 13 vjet më parë gjetën vdekjen të paktën 108 shqiptarë.

Ndërsa politikanët bashkë me servilët e tyre janë të vetmit përgjegjës për të gjitha tragjeditë që ndodhën në vendin tonë. Sidomos nuk duhet harruar se nën udhëheqjen e burokratëve të vetëquajtur ‘demokratë’ (Fino, Nano, Meta, Majko, Berisha...), numri i të vrarëve për shkak të marrëveshje antikombëtare, skllavëruese e dizumane (vecanërisht me qeveritë greke e italiane), e kalon shumë herë atë të periudhës së luftës antifashiste e të diktaturës të marra së bashku.

Sot është tragjike kur konstatojmë se krahas atyre vuajtjeve, situata jonë vazhdon të jetë e mjerë dhe se kufiri i Shqipërisë vazhdon të mbahet akoma i bllokuar, duke ngritur një ‘Mur Berlini’ midis emigrantëve dhe familjeve të tyre. Ne duhet ta kemi të qartë se asnjë forcë politike nuk është e interesuar për hapjen e kufirit, por thjesht ta përdorë për qëllime elektorale”.

http://www.gazetavogel.al/read.php?id=50836

Pergatiti: Jonida Salku

Thursday, March 25, 2010

Marrëveshja e fshehtë, Kuvendi miraton sot varrezat e ushtarëve grekë

Kuvendi i Shqipërisë miraton sot "koncesionin" e radhës ndaj Greqisë.

Pas dështimit të "dhurimit" të ujërave tona detare, e djathta në pushtet vendos të përmirësojë imazhin ndaj shtetit grek, duke i dhënë këtij të fundit të drejtën për të ndërtuar në territorin tonë shtetërorë dy varreza për të rënët grekë gjatë luftës së Dytë Botërore.

Bëhet fjalë për ratifikimin e marrëveshjes mes dy qeverive tona për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grek të rënë në vendin tonë gjatë luftës së Dytë Botërore. Mazhoranca e djathtë ka vendosur në mënyrë krejt të fshehtë dhe të papritur që të fusë në rendin e ditës së seancës së sotme plenare edhe këtë marrëveshje, pavarësisht debateve publike që ajo ka shkaktuar në opinionin e gjerë dhe atë politik shqiptar.

Kalendari
Konferenca e kryetarëve në mbledhjen e zhvilluar ditën e hënë ka miratuar kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit, si në komisione ashtu edhe në seancë plenare, ku nder të tjera ka përfshirë edhe projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, të viteve 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Shqipërisë". Nisur pikërisht nga ndjeshmëria që ka një çështje e tillë qoftë në media ashtu edhe në opinionin e gjerë, shumica e djathtë ka preferuar që çdo gjë që ka të bëjë me procedurën legjislative të miratimit të kësaj marrëveshje ta bëjë në fshehtësi. Burime pranë Kuvendit kanë bërë të ditur se disa ditë më parë marrëveshja ka kaluar për miratim edhe në komisionin përgjegjës, atë të Marrëdhënieve me Jashtë, pavarësisht se ajo nuk është njoftuar në sitin zyrtar të këtij institucioni. Por fshehtësia vazhdon deri aty sa institucioni i Kuvendit ka zhdukur edhe procesverbalet e kësaj mbledhje ku është diskutuar kjo marrëveshje. Ndërsa në faqen zyrtare të Kuvendit gjenden thuajse të gjitha procesverbalet e mbledhjeve të tjera të këtij komisioni, diskutimi i bërë për këtë marrëveshje nuk është botuar në faqe, duke ngritur dyshime edhe për qëndrimet e mbajtura nga deputetët në Komisionin e Jashtëm, pavarësisht se në të kanë qenë të pranishëm vetëm përfaqësuesit e shumicës qeverisëse. Misterin për kalimin në fshehtësi të kësaj marrëveshje e bënë më të madh edhe procedura e ndjekur nga Kuvendi për kalimin e saj në seancë plenare. Kështu, ndryshe nga herët e tjera Konferenca e Kryetarëve nuk e ka përcaktuar kalendarin e punimeve tre-javore gjatë javës së shkuar për ta miratuar atë në seancën e shkuar plenare. Kalendari për këtë tre javor është përcaktuar nga Konferenca vetëm ditën e martë dhe tashmë për të hyrë në fuqi duhet të miratohet më parë në seancën e sotme. Një procedurë kjo jo e zakonshme, pasi do duhet që Kuvendi në seancën e sotme të miratojë së pari kalendarin, ku përfshihet edhe rendi i punimeve për ditën e sotme dhe në të njëjtën kohë të zbatojë pikat e tij, ku natyrisht është përfshirë edhe marrëveshja me Greqinë. Vetë fakti i miratimit të kalendarit trejavor ndryshe nga procedurat e zakonshme të bënë të dyshosh se një gjë e tillë është bërë pikërisht për të mbajtur të fshehtë kalimin e marrëveshjes për eshtrat e ushtarëve grek, duke ia vënë atë përpara për miratim deputetëve vetëm në minutat e fundit.

Marrëveshja
Marrëveshja për gjetjen dhe rivarrimin e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në territoret shqiptare gjatë luftës Italo-Greke, pjesë e Luftës së Dytë Botërore, u nënshkrua më 19 nëntor të vitit 2008 në Tiranë, si një kërkesë e vazhdueshme e qeverisë greke. Për hartimin e saj funksionoi për kohë relativisht të gjatë një komision i përbashkët i dy ministrive tona të jashtëm, të cilat siç bëhet e ditur në relacionin shoqërues të projektligjit e rinegociuan atë disa herë dhe për ta përmbyllur vetëm në nëntor të vitit 2008. Por pavarësisht se nënshkrimi i saj mes palëve është bërë që dy vjet më parë, vet reagimi i opinionit publik detyroi qeverinë shqiptare që ta zvarrisë ratifikimin e saj në Kuvend deri në këto momente. Në bazë të kësaj marrëveshje për rivarrimin e ushtarëve grek të rënë në periudhën 1940-1941 do të ngrihen dy varreza, njëra në Këlcyrë të Përmetit dhe tjetra në Gjirokastër. Ekzaminimet e eshtrave që do të vendosen do të bëhen nga një grup ekspertësh të ngarkuar posaçërisht për kryerjen e kësaj procedure. Në to do të jenë numër i barabartë anëtarësh nga të dyja palët dhe do të kenë në përbërjen e tyre ekspertëve të mjekësisë ligjore, ushtarakë dhe historianë, që do të merren me administrimin e eshtrave por edhe të elementëve të tjerë që kanë lidhje me zbardhjen e fakteve historike. Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje e protokolluar nga të dy palët. Një rol në këtë proces do të luajë edhe Kisha Ortodokse Shqiptare, e cila do të administrojë dy vendprehjet e reja të ushtarëve grek, por vetëm në aspektin humanitar të tyre. Po sipas marrëveshjes, pala greke do të mbulojë shpenzimet për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin si dhe do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike dhe infrastrukturën logjistike. Në marrëveshje është parashikuar gjithashtu, që nëse hapësirat e zëna nga varrezat do të përdoren për interesa publike, atëherë pala shqiptare është e detyruar të vërë në dispozicion të palës greke një shesh tjetër të përshtatshëm, si dhe do të mbulojë të gjitha shpenzimet për rivarrimin e eshtrave dhe sistemin e varreve të reja. Gjithashtu, sipas marrëveshjes, është përcaktuar edhe data 28 tetor si dita përkujtimore e të rënëve grekë. "Ceremonitë zyrtare të përkujtimit të personave të rënë në luftë do të organizohen nga përfaqësuesit e Republikës Greke dhe të Republikës së Shqipërisë, çdo vit, më 28 tetor. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të së afërmve dhe miqve të së rënëve", - thuhet në marrëveshje.
Ndërkohë, miratimi i kësaj marrëveshje është kundërshtuar nga qarqe të caktuara shqiptare, të cilat kanë kërkuar që ky koncesion ndaj qeverisë greke duhet të shkonte paralelisht edhe me zgjidhjen e çështjes çame. Madje, vetë shoqatat nacionaliste që mbrojnë çështjen çame i kanë kërkuar zyrtarisht Ministrisë sonë të Jashtme dhe përfaqësisë diplomatike greke në vendin tonë që në shkëmbim edhe shteti grek të lejojë që ky komunitet të ngrejë dy varreza në Greqi.

Pikat e marrëveshjes së nënshkruar:

1. Do të jenë dy varreza në Gjirokastër dhe Këlcyrë.
2. Marrëveshja përcakton se do të ketë ekspertë të mjekësisë ligjore për ekzaminimet e eshtrave që do të varrosen
3. Numri i anëtarëve të komisioneve të përbashkëta do të jetë i njëjtë për të dyja vendet.
4. Pjesë e komisioneve do të jenë edhe ushtarakë e historianë, të cilët do të zgjidhin në mënyrë të përbashkët dhe do të zbardhin çështje që kanë nevojë për njohjen e fakteve historike.
5. Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje e protokolluar nga të dyja palët.
6. Ceremonitë zyrtare të përkujtimit të personave të rënë në luftë do të organizohen nga përfaqësuesit e Republikës Greke dhe të Republikës së Shqipërisë, çdo vit, më 28 tetor.

Fejzi Braushi, Shekulli,

Gjendja mjerane e medias shqiptare

Historia e këtyre 20 vjet pluralizëm në Shqipëri përveç progresit natyral që ka sjellë në shumë fusha të shoqërisë, ka prodhuar për fat të keq dhe një shoqëri të ndarë.

Kjo ndarje ose fragmentarizim po ecën me ritme të shpejta duke u përhapur si një infeksion në shumë sfera të shoqërisë. Jo në pak raste etiketojmë njëri-tjetrin edhe ne biseda të rëndomta, “ ai demokrati’’ “ socialist”, “I majte” I djathtë”, “nanoist”, “berishian”.

Edhe ne ligjëratat e liderëve politikë i ndeshim shpesh etiketime të tilla që i shërbejnë pikërisht thellimit të kësaj ndarjeje. Vetëm 6 muajt e fundit e kemi dëgjuar me qindra herë togfjalëshin “populli opozitar”.

Është vështirë si të kuptosh sesi mund të ndahet populli në opozitar dhe jo-opozitar.

Nga ana tjetër, ajo që është më shqetësuese në këtë situatë është gjendja e medias shqiptare.
Të gjithë ne jemi dëshmitarë të pasqyrimit që i kanë bërë televizionet më të mëdha në vend situatës së përmbytjeve në zonën e Shkodrës. Në një televizion, banorët e prekur nga përmbytjet, ishim shumë optimistë nga situata, të kënaqur në maksimum nga përkujdesja e qeverisë dhe e strukturave shtetëroren ndaj tyre, ndërsa në televizionin tjetër situata është katastrofike, banorët të revoltuar në kulm nga mungesa e dorës së shtetit. Reporterët e televizioneve që kishin hyrë në garë me njëri-tjetrin kush të bëjë “stand up” më të mirë, e zbatuan me përpikëri të admirueshme orientimin e shefave dhe pronarëve të tyre për pasqyrimin e situatës.

Në një televizion gazetari raportonte duke pasur në sfond një fushë të përmbytur që dukej si liqen ndërsa në televizionin tjetër raportimi bëhej duke pasur në sfond një situatë krejt ndryshe, pa përmbytje.
E gjithë kjo situatë dezinformimi ishte në shërbim të një klientelizimi që ka mbërthyer median shqiptare dhe që sa vjen bëhet edhe më e padurueshme. Publiku shqiptar dëgjon, shikon dhe lexon çdo ditë interpretime diametralisht të kundërta të deklaratave që bëhen nga përfaqësues të faktorit ndërkombëtar rreth situatës politike në vend. Një ambasador sipas “x” televizioni , ka thënë “se kutitë duhet të hapen”, ndërsa po ta shikosh kronikën në televizionin “Y”, po i njëjti ambasador ka thënë se “kutitë jo vetëm që nuk mund të hapen, por opozita po bën shumë gabim që qëndron jashtë parlamentit”.
Edhe pasqyrimi i situatës ekonomike nuk bën dallim. Shqiptarët dëgjojnë çdo natë në edicionet e televizione kryesore sesi “hynë e dalin nga kriza” brenda pak minutash. Sipas kronikës së x televizioni, gjendja ekonomike është shumë e rëndë, shqiptarët po varfërohen çdo ditë, listat e borxhlinjve vetëm zgjaten, qeveria nuk ka para për të paguar pensionet dhe pagat”, ndërsa nga ana tjetër situatë është krejt ndryshe. Qeveria do rrisë pagat dhe pensionet, investimet do rriten, performanca e mbledhjes së ta ardhurave është në maksimum, eksportet janë dyfishuar , etj”.

Po si ka mundësi more?!

Si mund të deformohet në këtë mënyrë ligjërata e një përfaqësuesi diplomatik. Si mund të keqinformohet publiku në këtë mënyrë?! A ka kufi kjo papërgjegjshmëri e medias shqiptare?!
Kjo gjendje më solli ndërmend një histori që më tregoi një miku im dhe që më bëri shumë përshtypje. Dikur në një vend jetonte një pasha që kishte në zotërim një vilajet të tërë dhe ishte shumë i pasur. Sarajet e Pashait ruheshin nga një qen shumë i fuqishëm që nuk lejonte këmbë njeriu të afrohej. Disa njerëz që ia kishin vënë syrin pasurisë së Pashait filluan të mendojnë rrugët për t’u futur në sarajet e tij dhe vendosën që të zgjidhin fillimisht problemin e qenit. Keqbërësit u ndanë në dy grupe dhe u pozicionuan në dy kodra që qëndronin përballë njëra-tjetrës. Më pas filluan që t’i binin daulles me radhë. Qeni i shkretë që dëgjonte zhurmën e daulles vraponte sa në njërën kodër, në tjetrën. Kështu vazhduan deri sa i “nxorën shkumën” qenit i cili nga lodhja ngordhi. Më pas rruga për të plaçkitur sarajet ishte e lirë. Tani nuk dihet sesa do rezistojë publiku shqiptar, por një gjë është shumë e qartë, daullexhinjtë në të dy kodrat përkarshi janë shumë të vendosur ta vazhdojnë lojën e tyre deri në fund.

T’i bësh gropën vetes...
Një situatë e tillë e medias përveç se po thellon fragmentarizmin dhe krijimin e një shoqërie të ndarë në kuptimin e plotë të kësaj fjale, po i sjell një dëm të pariparueshëm vetë medias. Kjo ka çuar në humbjen plotësisht të besueshmërisë ndaj medias në përgjithësi. Kategoritë që konsumojnë produktin mediatik tashmë janë ndarë sipas bindjeve politike dhe për atë kategori që nuk bën pjesë në asnjë grup militant, nuk ekziston më asnjë alternativë serioze informimi. Duke qenë se zhvillimi i shoqërisë, dalja nga tranzicioni, konsolidimi i demokracisë do të sjellë gradualisht zgjerimin e kësaj kategorie asnjanëse, rrjedhimisht media në Shqipëri po i “bën gropën” vetes. Media tani ka hequr dorë nga krejtësisht roli i saj informues dhe artikujt e gazetave apo kronikat televizive nuk ndërtohen më duke pasur parasysh interesin e publikut, por thjesht interesin e pronarëve të medias dhe tekat e ndonjë politikani. Nga ana tjetër shikon gjithmonë e më pak hapësirë në median shqiptare për kulturën, librin e vlerat kombëtare. Vendin e tyre e kanë zënë diskutimet mbi realiti shou që përveç se degjenerim nuk sjellin asnjë vlerë emancipuese për shoqërinë. Gjithkush nga që do të shfletojë faqet e gazetave këto ditë do të vërë re se ato janë të mbushura me diskutime mbi “homoseksualitetin”. Fenomeni modernitetit fals ka përfshirë të gjithë, që nga njerëzit më të thjeshtë e deri të ata që pretendojnë se janë opinionbërës në këtë vend. Në këtë situata duhet të ketë një pikë kthese që për ecurinë e medias shqiptare. Kjo pikë kthese nuk vjen as duke thënë se “shteti e ka fajin” që nuk ofron fonde për median, as duke importuar nga CNN apo BBC gazetare e reporterë që do ta bënin zanatin më mirë. Problematika i ka rrënjët shumë më thellë, ҫka e bën dhe zgjidhjen shumë të vështirë dhe komplekse.

Për sa kohë informaliteti do të jetë i ulur këmbëkryq në median shqiptare, për sa kohë transparenca të mungojë, për sa kohë pronarët e medieve të vazhdojnë të mëkohen nëpërmjet kanaleve të paligjshme nga politikanët shqiptare dhe për sa kohë OJQ dhe grupimet e gazetarëve do të shërbejnë për të punësuar gazetarët e papunë dhe për të rrëmbyer ndonjë fond nga ndërkombëtarët, kjo gjendje nuk ka gjasa të ndryshojë.

Erlis ÇELA, Start

Fantazmat, shpjegimi shkencor i jetës pas vdekjes

Fizikani Hamington krijoi teorinë më 1985. Teoria mbështetet mbi teoritë e Ajnshtajnit.

Në gjuhën e përditshme, në folklor dhe në historitë që na tregonin kur ishim fëmijë, fantazmat paraqiten si qenie gjysmënjerëzore e në shumicën e rasteve të këqija, që kërkojnë medoemos të bëjnë keq.

Në kulturën evropiane kryesisht, fantazmat pasqyrohen si diçka mbinatyrore, ku njerëzit e vdekur teksa kalojnë në botën tjetër, lënë pas stigmën e tyre, duke na u kthyer në makthe. Në shumë vende të botës raportohen përditë raste kur njerëzit shohin fantazma, e shumë prej tyre regjistrohen falë teknologjisë. Pyetja që gjithnjë ka shqetësuar njerëzit në të gjithë botën, madje edhe ata që besojnë se ekzistenca e fantazmave është e pavërtetë, është:
A ka shpjegim logjik të ekzistencës së fantazmave?

Vitet e fundit, fizikanë të njohur në fushën e tyre janë përpjekur ta vendosin në baza shkencore dilemën shekullore të njerëzimit mbi ekzistencën e fantazmave, duke ngritur hipoteza të ndryshme mbi ekzistencën e tyre. Njëri prej shkencëtarëve më të mëdhenj që është marrë me studimin e jetës pas vdekjes, e si pasojë edhe me fantazmat, është fizikani Methiu Hamington, sa i mirënjohur në botën akademike kanadeze për fushën e fizikës, po aq edhe i dyzuar. Hamington propozoi në vitin 1989 teorinë e tij të quajtur “përmbajta dhe materiali”, ku shpjegonte në aspektin filozofik dhe fizik ekzistencën e një forme të re jete pas vdekjes, atë të cilën ai e pagëzoi me emrin “ghosts”, pra fantazma.
Në këtë teori ai shpjegon se fantazmat nuk janë qenie, por ato janë thjesht valë elektro-magnetike të shkëputura nga trupi i njeriut të vdekur, e që më pas bëhen të dukshme për syrin e njeriut vetëm në kushte të caktuara.

Teoria e tij u mbështet nga shumë personalitete të njohura të botës akademike kanadeze, si edhe u kundërshtua me forcë nga shumë të tjerë. Gjithsesi, në rast se hipoteza e ngritur nga Hamington vërtetohet, atëherë do të kemi të bëjmë me një mënyrë të re të të parit të jetës dhe të vdekjes.

Teoria e Hamington

Në teorinë e tij, Hamington shpjegon nga ana shkencore fazën e vdekjes së njeriut. Hamington arriti të vërtetonte se njeriu në çastin që vdes lëshon nga trupi një sasi shumë të madhe valësh elektromagnetike, të cilat ikin menjëherë me një shpejtësi marramendëse.

Për më shumë, krahas valëve elektromagnetike njeriu lëshon edhe rrezatime, të cilat përfundojnë me ftohjen totale të trupit. Nga ky vërtetim, Hamington arriti në përfundimin se brenda njeriut ekziston një “depozitë valësh elektro-magnetike, të cilat janë aq të njëtrajtshme, sa bashkëveprojnë në harmoni të plotë ndërmjet tyre dhe veprojnë si një trup i vetëm në lidhje me jashtë”.
Këtë paketë valësh elektromagnetike Hamington e paralelizoi me nocionin e shpirtit, duke iu përafruar mendimit të Ajnshtajnit se brenda njeriut ekziston një mekanizëm lëvizës, që është trupi dhe një energji që e vendos në punë këtë mekanizëm, që është shpirti.
Në këtë mënyrë, Hamington arriti në përfundimin e tij, që deri më tani është thjesht një hipotezë, se shpirti i njeriut nuk është pjesë e trupit dhe nuk formohet nga bashkëveprimi i lëndëve organike, por është një grupim valësh elektromagnetike, të cilat veprojnë së bashku deri në fund të materies, trupit, e që më pas me vdekjen e njeriut, ato largohen po si një trup i vetëm. Teoria e Hamigton ecën edhe një hap më tutje, duke cilësuar trupin si një robot, çka do të thotë se trupi është thjesht materia, e cila nuk ka në vetvete asnjë mënyrë funksionimi, pa pasur energjinë që i duhet. Këtë energji, Hamington e quan shpirt dhe e cilëson si atë “forcë që e vendos në punë robotin, që quhet trup i gjallesës”.

Pra, Hamington shpjegon se truri i njeriut, i cili më pas urdhëron të gjithë pjesën tjetër të trupit, është si një kompjuter që i nevojitet energji elektrike për të funksionuar, rol të cilin e luan shpirti. Teoria e Hamington sugjeron se vdekja nuk është përfundim, por thjesht një ndarje e pashmangshme e materies nga energjia, pra e trurit nga shpirti. Veçse në ndryshim nga filozofia teologjike, fizikani Hamington supozon se shpirti i njeriut është i materializuar në një trup të përbashkët valësh elektromagnetike që shpërndahen të lira në tokë, por veçse ato nuk mund të duken, pasi ndërveprimi mes tyre është i tillë, që i ndalon të bëhen të dallueshme.
Thënë ndryshe, sipas Ajnshtajnit, këto valë udhëtojnë në një tjetër plan nga ai që ne jemi. Në disa raste, për shkak të bashkëveprimit ndërmjet një trupi dhe këtyre valëve, në mënyrë aksidentale, Hamington shpjegon se valët bëhen të dukshme, në formën që ato mbanin më parë, pra në formën e ngrohtësisë së trupit që mbulonin, çka do të thotë se bëhen të dukshme në formën e trupit të njeriut të vdekur.
Kjo, sipas Hamington mund të ndodhë vetëm në disa kushte të posaçme, të cilat mundësojnë daljen nga plani ku janë i këtyre valëve dhe përfshirjen e tyre në planin ku ndodhen trupat njerëzorë. Ekzistencën e këtyre substancave, të pandërgjegjshme, që quhen fantazma sipas popullit, apo shpirt sipas Hamington, e ka pranuar edhe Ajnshtajn i cili në kohën e krijimit të teorisë së planit të bashkuar, ka thënë që në rast se një trup udhëton në planin e bashkuar, për të përfunduar në destinacion sa më shpejt do të mund të çmendej nga takimi me ndërgjegjen e qenieve që kanë jetuar përpara atij.

Kjo mendohet se është edhe arsyeja pse marinarët e eksperimentit “Filadelfia” u çmendën pas realizimit me sukses të provës për zhdukjen e tyre dhe rishfaqjen rreth 500 kilometra më tej.

Në këtë mënyrë, Hamington sqaron në teorinë e tij, se fantazmat që shpeshherë janë bërë objekt i shqetësimit njerëzor, nuk janë asgjë tjetër veçse valë elektromagnetike, që përmbajnë në vetvete tronditjen e fundit të njeriut, pra emocionet në çastin e humbjes së jetës.

Kjo teori kundërshton faktin se fantazmat mund të ecin, apo të jenë të veshura, por mëshon drejt ekzistencës së formave antropomorfe të valëve elektromagnetike, që janë thjesht nxehtësia e trupit dhe emocionet e njeriut në prag të vdekjes. Këtë pikë Hamington e arsyeton duke thënë se njeriu në çastin e vdekjes pëson një tronditje të madhe, që i krijon një farë amnezie, nëse do ta emërtonim me terma mjekësorë dhe e vetmja gjë që ngelet nga shpirti i tij nuk është memoria, por emocioni i fundit.

“Hampt Palas”, aty ku u pa Mbretëresha Xhejn dhe Henri i Tetë.

Shumë raste të shfaqjes së qenieve që u përngjanin fantazmave janë raportuar dhe janë filmuar nga kamera. Njëri prej rasteve më të shumëpërfolura është ai i “Hampt Palas” në vitin 2003, kur pas shumë thashethemeve për praninë e një fantazme në këtë pallat, u vendosën kamera të sigurisë, të cilat vërejtën lëvizjen e një dritëhijeje e cila hapi një derë. Në realitet, në dhomën ku u hap dera ishte njëri prej rojeve, i cili duke qenë se nuk pa asgjë të çuditshme e mbylli sërish derën. Kamerat vazhduan të tregojnë se fantazma doli sërish nga dhoma duke u zhdukur një herë e përgjithmonë. Thashethemet e përhapura në këtë kështjellë mbretërore në Angli kishin të bënin me një mbretëreshë. Mbretëresha Xhejn Sejmur lindi Princin Eduard, i cili më pas u bë Mbreti Eduardi i Gjashtë në “Hampt Palas” në vitin 1537. Ajo vdiq 12 vjet pas lindjes të së birit, e prej andej janë raportuar shumë raste të ekzistencës së një fantazme në këtë kështjellë. Për më shumë, në të njëjtën kështjellë u arrestuan në vitin 1542 Mbretëresha Katerina Houard dhe sipas gojëdhënës, ajo kërkonte duke bërtitur nga Henri i Tetë që ta shpëtonte teksa po dërgohej për në gijotinë. Shumë herë është përfolur për një ulërimë të tillë në shkallët e kështjellës. Gjithashtu thuhet se mund të ketë qenë edhe vetë Henri i Tetë, apo konkubina e tij, An Bolejn. Në dhjetor të vitit 2003, u transmetua nga kanali CCTV një video e regjistruar në tetor të të njëjtit vit nga një kamerë sigurie në kështjellën në fjalë. Në këtë video mund të dallohet pamja e një figure të çuditshme, që shkonte drejt një dere të brendshme të kështjellës, e cila hapi derën dhe u fut brenda, por doli menjëherë sa pa një njeri. Ai ishte roja i cili deklaroi se dera u hap vetiu, pa asnjë forcë që ta shtynte dhe për këtë u çua që ta mbyllte. Në të njëjtën periudhë, në librin e përshëndetjeve të pallatit u shkrua nga një femër se “pashë diçka të çuditshme që ecte drejt meje, por nuk qe njeri, qe si një dritë e hollë në formë njeriu. Nuk e shpika, është e vërtetë”. Ndërkohë, një foto e publikuar në Krishtlindjet të atij viti, pasqyronte një femër të tejdukshme në cep të fotografisë. E pyetur për këtë, shoqëruesja e kështjellës, Viki Uds, tha se nuk dinte se çfarë ishte ajo pamje dhe se kush e kishte bërë, por ditë më vonë u vërtetua që fotografia ishte e publikuar nga njëri prej rojeve të kështjellës dhe se asaj nuk i ishte bërë asnjë përpunim kompjuterik.

Pse fantazmat më të shumta janë raportuar në Nju Orleans?

Një shpjegim shkencor i asaj që është konsideruar përherë si e pashpjegueshme i japin tashmë shkencëtarët, mbështetës së teorisë së Hamitgon, faktit që qyteti më i përfolur për fantazma në botë është Nju Orleans. Në këtë mënyrë, ata supozojnë se qyteti i Nju Orleansit është qyteti me më shumë fantazma, për faktin se vetëm aty ato mund të dallohen. Lagështia e qytetit e bashkuar me faktin se Nju Orleans ka një radioaktivitet të madh në krahasim me qytetet e tjera të Shteteve të Bashkuara të Mareikës, sjell që valët elektromagnetike të cilat sipas Hamington janë shpirti, të bëhen të dukshme dhe të dallohen nga të gjithë njerëzit.

Kjo teori i ka dhënë një shtysë më të madhe kërkuesve të fantazmave, të cilët prej vitesh janë mbledhur në qytet për të fotografuar një fantazmë. Në shumë raste ata ia kanë arritur, duke u kthyer në “ghostbusters” të vërtetë.

Standart

Wednesday, March 24, 2010

Ja 25 “boksierët” e politikës shqiptare

13 rastet që salla e Kuvendit ka zëvendësuar parketin e ringut të “Asllan Rusit”.

Kur Kuvendi kthehet në arenë boksi, të gjitha sherret në pesë vitet e fundit.

Përveç rastit që politikanët tanë janë unikë në mosgjetjen e konsensusii ata shquhen dhe për një fakt tjetër që ka të bëjë me përdorimin e forcës fizike. Në 20 vitet e fundit, janë të shumta rastet kur të zgjedhurit e popullit në Kuvend kanë treguar muskujt ndaj njëri-tjetrit. Rasti i fundit i grushteve mes deputetëve Gent Strazimiri dhe Gazmir Bizhgës është i fundit në listën e gjatë të konfrontimeve fizike të parlamentarëve shqiptar. Në pesë vitet e fundit janë më shumë se 10 shkëmbim grushtesh mes deputetëve.
28 korrik 2006 Meta-Legisi kundër Topallit

Sherret Në Shqipëri ka 15 vjet që sporti i boksit është rikthyer ligjërisht. Por më shumë se në ringjet e pallateve të sportit, këtë sport e kemi parë të ushtrohet në sallën e Parlamentit. Në afro 50 seanca të zhvilluara gjatë kësaj legjislature, sytë e gazetarëve kanë parë live gjashtë ndeshje të mrekullueshme boksi mes deputetëve. Ndeshje, të cilat do t’i kishte zili çdo boksier shqiptar, për të mos thënë dhe të huaj. I pari që e ka hapur kampionatin në këtë lloj sporti parlamentar, ka qenë çifti Dedja-Pone. Ndeshja pati kontestime nga ana e mazhorancës, të cilët sugjeruan që sfidanti Dedja duhet të kish zgjedhur një kundërshtar me imunitet deputeti. Pasditen e atij dhjetori të ftohtë, zëvendësministri Ferdinat Pone sigurisht që do i jetë dukur e hidhur shuplaka e deputetit Taulant Dedja. Për këtë arsye ai vendosi ta çonte çështje deri në gjykatë. Ndërsa Dedja ende i nxehur, dy ditë më pas në Elabsan, deklaronte para zgjedhësve të tij, se nëse do e ofendonin përsëri nuk do t’ia kursente Pones dhe faqen tjetër.Rasti i dytë, ai mes Nard Ndokës dhe Blerim Çelës ndodhi pa shumë zhurmë, pasi askush nuk mendonte se mes deputetëve të mazhorancës lejoheshin sherret. Por ja që ndodhi, madje në mes të sallës së Parlamentit. Deputetët nuk i përdorën grushtet, por vetëm disa stile të mundjes klasike, pasi menjëherë ka ndërhyrë në rolin e arbitrit Bamir Topi. Rasti i tretë mes dy deputetëve, Ndriçim Babasi të PD-së dhe Taulant Balla të PS-së është padyshim ndeshja me e bukur e boksit në parlament. Kjo për faktin të deputetët ishin të dy të rinj dhe ngjarja u komentua nga më të vjetrit si pagëzimi me grushte për jetën politike të dy të rinjve. Por Balla, i cili shquhet për rrëmujë në Parlament, këtë radhë ngeli pak mbrapa pasi nuk arriti të kundërpërgjigjej. Ndërsa Babasi u këshillua nga deputetët e mazhorancës të përsoste pak gjuajtjet gjatë 15 ditëve përjashtim që mori nga Kryetarja Topalli. Rasti i katërt mes zëvendëskryeministrit Rusmajli dhe Ben Blushit u konsumua pa bujë larg syve të publikut. E kanë sfiduar njëri- tjetrin fillimit me fjalë dhe më pas nuk kanë hezituar të masin dhe forcat. Sekretari politik i PS-së, Blushi, mësohet se veç fjalëve di të përdorë shumë mirë edhe këmbët. Rasti i pestë mes socialistit Paulin Sterkaj dhe demokratit Fatos Hoxha, nga deputetët e tjerë komentohet si ndeshja më e ashpër për këtë legjislaturë. Për disa minuta dy deputetë kanë shkëmbyer grushte profesionistësh në korridoret e Parlamentit, pa u shqetësuar nga askush. Ndërsa rasti i fundit i kampionatit të boksit parlamentar është mbyllur në mënyrë të denjë. Fati këtë herë ka vënë përballë një ministër të Qeverisë Berisha, Jemin Gjanën dhe një ish-ministër të Qeverisë Nano, Blendi Klosi. Edhe pse i zënë me telat e kompjuterëve, Klosi nuk ka përtuar ta godasë ministrin Gjana. Ndërsa ky i fundit, duke u kujtuar për postin që mban është mjaftuar vetëm me ofendime. Ndërkohë seri i fundit ka ndodhur vetem katër ditë më parë mes deputetëve Gazmir Bizhga dhe Gent Strazimiri.

20 Dhjetor 2005 Ndoka-Çela

Grushte nuk shkëmbehen vetëm mes kundërshtarëve politike, por dhe aleatëve, sidomos kur bëhet fjalë për paratë e partisë. Gjatë një seance në Parlament, kur sapo Qeveria u kish hequr partive të vogla financimet për fushatën elektorale, deputeti reformator Nard Ndoka dhe hartuesi i ligjit të financimeve, deputeti i PD-së Blerim Çela janë përshirë në një sherr mes tyre. Deputetët nuk arritën të qëlloheshin por vetëm matën forcat në një stil mundjeje klasike.

16 Shkurt 2006 Babasi-Balla

Padyshim që të rinjve u zien gjaku në vena dhe fakti që janë deputetë nuk i ndalon të tregojnë shpirtin sportiv. Sigurisht që fyerjet i përdorin në një zhargon më modern, por grushtet ngelen gjithmonë njëlloj. Deputeti i PD-së, Ndriç Babasi, i kapur mat teksa votonte me dy karta në Parlament, ka menduar të dalë nga situata duke qëlluar mbi atë që thërriste “kapeni mashtruesin”. Babasi i tregoi Ballës së një grusht në fytyrë është shpërblimi për ata që denoncon kolegun.

22 Shkurt 2006 Blushi-Rusmali

Mbahen si dy më intelektualët e forcave politike dhe i kanë çuditur të gjithë. Por ja që edhe Ben Blushi dhe Ilir Ruslajli nuk iu kanë mbajtur nervat. Pasi janë sharë mirë e mirë me fjalë, ia kanë nisur betejës me të shtyra dhe me grushtet. Madje Blushi ka menduar të vërë në përdorim dhe këmbët, për ta rrëzuar kundërshtarin. Natyrisht askush nuk ishte fitues dhe askush humbës, por që të dy lanë një shije të keqe për natyrën dhe formatin që kanë.

23 Shkurt 2006 Sterkaj-Hoxha

Ushtarakët sigurisht që janë më të përgatitur fizikisht sesa deputetët e tjerë intelektualë. Ish-oficeri, komandanti i grupit të gatshëm, tani deputet i PS-së Paulin Sterkaj, tashmë është i justifikuar ndaj selisë rozë për ndonjë pëllëmbë që u ka dhënë militantëve në 1996. Sterkaj ka treguar se fare mirë mund të bënte pjesë në ringun profesionist të kombëtares, pas një dyluftimi të denjë me ish-oficerin Fatos Hoxha.

23 Shkurt 2006 Klosi-Gjana

Kabineti i Qeverisë nuk ka vetëm ministra simpatikë, siç thotë vetë Berisha, por edhe shumë energjikë. Këtë e ka vërtetuar Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, i cili nuk hezitoi ti maste forcat dhe me rioshin e PS-së, Blendi Klosi. Ky i fundit u ndje i shqetësuar nga Gjana, teksa po “kujdesej”, për sistemin elektronik të aparaturave të Kuvendit. Në fund sherri u la përgjysmë, pasi Klosi i kushton më shumë vëmendje elektronikës.

Shkurt 2006 Sherr masiv

Një ndër debatet më të ndezura që përfundoi në dhunë fizike mes deputetëve, u bë gjatë muajit shkurt 2006, në lidhje me tabelën elektronike që tregon prezencën dhe votimet. Opozita pretendonte se tabela elektronike ishte tejet e amortizuar dhe kishte nevojë për restaurim, pasi nuk i tregonte se si kanë votuar deputetët. Ky debat e mbajti të mbërthyer Parlamentin për një muaj dhe degradoi në sharje dhe grushte mes deputetëve.

Mars 2006 Gjinushi-Topalli-Olldashi

Një sherr i madh është bërë edhe nga kreu social-demokrat Skënder Gjinushi kundër Kryetares se Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kundër deputetit demokrat Sokol Olldashi. Gjinushi që njihet për ironinë e tij therëse, nuk i mbajtën më nervat gjatë një replike me Sokol Olldashin dhe iu drejtua këtij të fundit me fjalë shumë të ashpra dhe ofenduese. Po me një gjuhë ofenduese ai u drejtua edhe Kryeparlamentares.

28 korrik 2006 Meta-Legisi kundër Topallit

Një sherr që ka hyrë në historinë në Parlamentit shqiptar është ai i LSI-së për anëtarin e KQZ-së. PD nuk pranoi ti jepte anëtarin e KQZ-së, LSI-së, çka solli një veprim të ashpër të ish-kryeministrit që iu drejtua me fjalë ofenduese kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Por duke mos u ndalur me kaq, kreu i LSI-së tentoi t’i afrohej kërcënueshëm Topallit, por u ndalua nga forcat e Gardës së Republikës. Ndërsa deputeti i LSI-së, Ndre Legisi, u ngjit në podiumin ku qëndrojnë ministrat duke thyer karrige dhe tavolina. Më pas e tërë opozita u irritua, çka solli një sherr masiv që e detyroi mazhorancën të largohej nga salla.

2 tetor 2006 Sherr mes Hysës dhe Rusmalit

Kane qenë replikat e ashpra mes deputetit të opozitës Ndriçim Hysa (deputet i qytetit të Elbasanit) dhe mes zv/kryeministrit Ilir Rusmajli, që ka ndezur sherrin në sallën e Kuvendit.Pasi ka marrë fjalën e tij, deputeti Hysa ka kërkuar që kryeministri i vendit të hetohet dhe ka thënë se e bija e tij, veç të tjerash është edhe pronare e dy vilave ne Gjirin e Lalzit, (zonë e Durrësit). Ai me tej ka renditur një serë arsyesh që sipas tij përbëjnë domosdoshmeri për hetimin e kryeministrit.Por menjëherë pas tij, ka marrë fjalën zëvëndësministri Rusmajli, duke thënë se në Elbasan, thuhet se deputeti i Partisë Socialiste është me aftësi të kufizuar dhe se sipas fjalëve, këtij deputeti i duhet hequr mandati. Kaq është dashur për të ndezur sherrin në Kuvend. Deputetët e Partisë Socialiste janë afruar pranë foltores, aty ku ndodhej edhe zëvendëskryeministri. Me pas seanca është ndërprerë.

29 Shtator 2007 Tom Doshi vs Leonard Solis

Tom Doshi i demokristinëve ka goditur me grushte në kafenë e Kuvendit deputetin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis. Pas incidentit, deputeti Doshi doli nga ambientet e Parlamentit duke mos dhënë asnjë prononcim për incidentin. Nuk janë bërë të njohura shkaqet e incidentit, ndërkohë që mësohet se debati mes deputetëve është i hershëm dhe daton 2-3 vjet më parë. Ndërkaq mendohet se sherri ka lindur pas një shkrimi kritik për PDK të Solisit në një të përditshme.

11 Shtator 2008 Harasani dhe Hysa përplasen me Gardën për misra

Skandali i misrit ka qenë prej ditësh në fokusin e Partisë Socialiste. Për këtë arsye Grupi Parlamentar Socialist tentoi ta përçonte këtë çështje edhe në Parlament. Pas debateve mes deputetit socialist Taulant Balla dhe ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana, dy deputetët e tjerë socialist tentuan të fusnin në arenën e Kuvendit kallinj misri pa kokrra. Por efektivat e gardës në hyrje të Kuvendit nuk i kanë lejuar deputetët të hyjnë në seanca me misrat pa kokrra. Kjo ka sjellë që mes tyre dhe deputetëve socialistë të ketë një konfrontim fizik. Megjithatë deputeti Hysa ia arriti misionit të tij duke hyrë në seancë me kallinjtë e misrit e duke ia “dhuruar” ata kryeministrit, paçka se shefi i qeverisë nuk gjendej në Parlament.

19 Mars 2009 Sherri Bizhga-Strazimiri

Sherri më i fundit në Kuvend ka ndodhur në seancën e vetme që opozita ka marrë pjesë në Kuvend. Në datën 19 mars kur po diskutohej nisma e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, gjatë kohës që po fliste deputeti Igli Cara, kërkon fjalën për replikë Gazmir Bizhga i PS. Në këtë kohë ndërhyn Gent Strazimiri, i cili me fyerje kërkon që Bizhga të mos merrte fjalën. Në këto momente Bizhga niset drejt Strazimirit duke përdorur forcën fizike. Sherri u ndalua nga punonjësit e Gardës të cilët ishin të shumtë të numër.

Korrik 2007 Sherr Balla-Berisha

Sherri më i bujshëm që ka mbet në memorien e shqiptarëve pesë vitet e fundit është ai mes deputetit Taulant Balla dhe kryeministrit Berisha në seancë plenare. Deklarata e deputetit Balla në Kuvend, se vajza e kryeministrit dëshiron të bëhet ministre, ka bërë që kryeministri Berisha të lëshojë një lumë sharjesh në adresë të familjarëve të deputetit Balla, në ndërprerjen e seancës. “Deklarata e vajzës së Godos se kërkon të bëhet ministre i ka futur sherrin ne shtëpi kryeministrit Berisha, pasi dhe vajza e tij ka kërkuar të bëhet ministre”, tha Balla. Ka mjaftuar kaq që kryeministri Berisha të nxehet dhe të fyejë deputetin Balla, i cili i është përgjigjur po me fyerje. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli nuk ka arritur të vejë nën kontroll situatën, ndaj ka ndërprerë seancën.

T. Observer