Friday, April 8, 2011

Shqiptari shndërron bordellon në xhami

Lokali kurioz në zonën industriale në Yverdon të Zvicrës, me një sipërfaqe prej 120 metra katrorë më parë kishte pranuar klientë të dhënë pas gjinisë më të bukur, tani ai i mirëpret besimtarët myslimanë.

Gjatë vitit 2009 ky lokal kishte një famë të keqe. Pronari i tij është Fabien Richard, këshilltar komunal në Partinë Popullore Zvicerane (UDC) në Yverdon. “Lokali jepet me qira për momente të bukura me intimitet dhe diskrecion të plotë”, mund të lexohej në ueb faqen e këtij lokali në internet.

Një fqinj në afërsi përkujton se gjithnjë kishte klientë. “Një ditë, pashë shumë persona në rrugë, nën dritaret e lokalit. Duke iu afruar lokalit, situatën e kuptova më mirë: dritaret ishin lënë të hapura dhe mund të dëgjoheshin ofshamat të një gruaje”, i ka deklaruar zvicerani gazetës Le Matin, transmetoi Albinfo.
Në fillim të vitit të kaluar, lokali është dashur të mbyllet, ndërsa motive ka qenë se diçka nuk është në rregull me ligjin. I riu Fabien Richard, partia e të cilit mburret me vlerat e familjes tradicionale, është i përfshirë në organizimin e ahengjeve, me ç‘rast disa njerëz kanë marrëdhënie seksuale me një femër të vetme.
I demaskuar nga Le Matin në korrik të vitit të kaluar, ai u tërhoq nga mandati i tij zgjedhor. Por, ai nuk heqë dorë për të përfituar nga ky lokal dhe të fitojë rreth 1.300 franga në muaj.
Më në fund ai kishte arritur ta huazojë lokalin e tij dhe tani, lokali ishte shndërruar në një vend ku myslimanët mund të falen.

Shqiptari Femi Ameti, përgjegjës i xhamisë, shpreh pikëpamjet e tij lidhur me vendin ku më parë ishte dhuruar zemra, e tani myslimanët falen.
“Vërtet nuk kishim tjetër zgjidhje. Disa kanë frikë nga feja islame dhe ngurrojnë të na japin lokale me qira. Por, mua më duket pozitive: një bordel është shndërruar në vend të shenjtë. Nuk është aq keq apo jo”, ka thënë Femiu.


“EXPRESS”

I janë derdhur kalasë e Lezhës

Po vënë dorë mbi kalanë e Lezhës. Kafshërisht.

Në fillim ka shkruar për këtë gjë arkeologu Lorenc Bejko më 8 mars, në Gazetën Shqiptare.  
Ka shkruar?
Në fakt, u ka rënë borive të alarmit lidhur me atë që po ndodh në kalanë e Lezhës. “Kanë nxjerrë nga sirtari një projekt të vjetër ndërhyrjeje në këtë kala; ky projekt është kritikuar dhe refuzuar në vitin 2007 nga Këshilli Shkencor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, por tani nuk ka kush ta bëjë rezistencën”, thotë pak a shumë në shkrimin e vet Lorenc Bejko. Dhe pikëllimi e zemërimi i kullojnë nga çdo frazë.

Po çfarë kanë planifikuar t’i bëjnë kalasë së Lezhës?
Na e thotë Bejko në të njëjtin shkrim: “Intimiteti dhe atmosfera krejtësisht magjike e hapësirës së brendëshme të kalasë, do të zëvendësohet nga një pamje ‘shumë dinamike’ me ndërtesa një e dykatëshe ku do të ofrohen shërbime bari, restoranti, po edhe disa dhoma hoteli. Ndërtimet do të shfrytëzojnë rrënojat ekzistuese dhe do t’i plotësojnë ato për të ngritur muret mbajtës të ‘vizionit të ri’ me kafe, qofte e motel brenda.  
Me pak fjalë, edhe një nga vendet e pakta që na ka mbetur ku qetësia, natyraliteti dhe kontakti me autenticitetin e të kaluarës ende mbretëron, rrezikon ta humbë këtë magji dhe të shndërrohet në një restorant më shumë.
 Nëse ka një vlerë që objektet dhe sitet e trashëgimisë kulturore mbartin dhe transmetojnë në qeniet dhe mendësitë tona dhe të shoqërisë bashkëkohore, është pikërisht ndjesia e pastërtisë, qetësisë, reflektimit, thjeshtësisë, origjinales, harmonisë së objekteve të njeriut me mjedisin natyror.  
Për cilën arsye madhore do të na duhet të heqim dorë prej këtyre vlerave që kalaja e Lezhës i mbart në mënyrën më dinjitoze ashtu siç ruhet sot?
Përgjigjen na e jep drejtori i aktual i IMK-së: Duhet tu ofrojmë një kafe vizitorëve kur arrijnë atje lart!!!”


Çfarë thotë zoti Gjeçi?
Thotë gjëra, që të bëjnë të ikësh mendsh (ndonëse vetë i dija nga shkrimi i Bejkos). Ja disa nga faktet (dua ta theksoj: janë fakte, e jo opinione):

1. Mbi rrënojat e Akropolit Antik të Lissit do të ndërtohet një fshat turistik malor.

2.Trojet historike të mbretërive ilire,… sarajet e Dukagjinëve do të shiten për gjelltore, për hotele e motele.

3. Oda, ku janë mbledhur prijësat shqiptarë për të bërë besëlidhjen, do të kthehet në restorant për mish dhie.

4. Atje ku u dergj Skënderbeu në prag të vdekjes, do të ndërtohet një thertore.

5. Atje ku fare mirë mund të ishte një muze etnografik, do të ndërtohen nevojtoret publike.

6. Mbi rrënojat e kishës së shekullit të 13-të do të ndërtohet një diskotekë nate.

7. Bujtina e miqve të princave dukagjinas (e kthyer në xhami pas pushtimit turk) do të kthehet në restorantin e produkteve të mishit të derrit.

8. Çisterna antike do të kthehet në depo për ruajtjen e turshive.

9. Varrezat mesjetare do të kthehen në vend parkimi për automjetet.

10. Numri i mishngrënsave dhe manjakëve të seksit do të numërohen për vizitorë të turizmit kulturor, etj, etj.

Pse bëhet e gjithë kjo?

“Gjithçka vjen prej presionit të personave me pushtet për qëllime përvetësimi të pasurive më të lakmueshme kombëtare”, thotë Gjeçi. Nuk harron të pëmendë emrin e Apollon Baçes, pasi vendimi për ta miratuar këtë projekt përkon në kohë me rikthimin e tij. Të njëjtin person ka identifikuar si fajtor (përveç të tjerëve) dhe Lorenc Bejko.

Më kanë ardhur via e-mail dy foto; njëra e kalasë së Lezhës ashtu siç ka qenë e siç duhet me qenë, dhe tjetra e kalasë ashtu si don A. Baçe të jetë, dmth me lokalet një e dy katëshe brenda mureve rrethues të kalasë; këto lokale parashikohet të ngrihen mu atje ku sot janë rrënojat e mureve të brendshme; e sikur kjo të mos ishte mjaft, në projekt të zënë sytë dhe një fushë sportive; duket si fushë tenisi.

Janë çmendur këta njerëz? Apo u ka plasur cipa? Për mua janë të dyja. Ndryshe nuk ka si shpjegohet, që nuk duan t’ia dinë më për asgjë.
Janë të sponsorizuar, të frymëzuar e të mbrojtur në këtë yxhym nga një bandë plaçkitësish, të cilët kanë në dorë procesin e vendimmarrjes. Inkurajohen dhe nga dremitja e heshtja e shoqërisë shqiptare. Në rastin konkret janë lezhjanët, që heshtin (Salvator Gjeçi është një zë që po u shpëton nderin, por nuk dihet a do t’u shpëtojë kalanë); e të mendosh se para ca kohësh një pjesë syresh bënë një protestë të bujshme kundër Klodit homoseksual!
Trima të mëdhenj dhe qytetarë 24 karatësh, s’ke ç’u thua! Le t’i vënë flakën Lezhës, punë e madhe! Vetëm të mos dalë ndonjë gay që t’u marrë erzin.
Uf! Mesjetë. Shekulli XI, XII, XIII.

Po jetojmë në kohë njimend dramatike. Këtë vend po e merr lumi. Nga njëra anë shoqëria shqiptare ka rënë në një gjumë të thellë, e nga ana tjetër kemi një bandë plaçkitësish që nuk ka kush t’i pengojë në bëmat e tyre. Dhe rrethi është i mbyllur: “Për të bërë plaçkë, u duhet të fitojnë zgjedhjet; që të fitojnë zgjedhjet, duhet të kenë plaçkë. Nuk kanë rrugë tjetër pra. Me të mësuar se ç’është plaçka, duan të bëjnë sërish plaçkë; për të bërë plaçkë, u duhet që të jenë se s’bën në pushtet; që të jenë më të sigurtë u duhet të trembin dhe institucionet e drejtësisë apo institucione të tjera; e që të blindohen fare, kanë bërë për vete dhe ambasadorët.

Si i bëhet? Nuk kam zgjidhje. I’m sorry!

Jelekë të zinj për Skënderbeun

Gratë arbëreshe në këtë mënyrë e kanë mbajtur zinë shekullore për vdekjen e heroit të tyre legjendar.


 Përveç ditëve të dasmave, mbi shpinën e tyre në jetën e përditshme nuk e hiqnin nga kurrizi një xhubot (jelek) të zi përsipër si shenjë zie për vdekjen e Skënderbeut.

Ja një vizitë nga afër në muzeumet e kostumografisë arbëreshe në Vacarizzo Albanese dhe Santa Sofia D'Epiro në Kalabri.

                                                                                                                                


Skënderbeu vdiq, atdheu mbeti larg dhe u la një herë e përgjithmonë. Por ata, megjithatë, në njëfarë mënyre e morën me vete. Me ç'mundën, duke e shtresëzuar fort përgjithmonë. Në shpirtin pa trajtë e me shumë të padukshme, por që disa forma dukjesh do të shfaqeshin edhe tek veshjet.

Kostumet popullore me të cilat do të visheshin arbëreshët, do të ishin një tjetër element kryesor që do t'i dallonte ata që përtej nga pjesa tjetër.

"Përbëjnë simbol të identitetit dhe trashëgimisë historike arbëreshe.", thotë drejtori i Muzeut të Vaccarizzo Albanese, ... Edhe pse, sipas tij, nuk mund të llogariten saktë lidhjet e shkëmbimet ndërsjellta mes kulturës arbëreshe dhe asaj italiane, kostumet arbëreshe kanë ruajtur origjinalitetin e zonave shqiptare me disa elementëve karakteristikë si: kurora e nuses, velloja, këmisha me lidhje, fundi i gjatë me pala të holla dhe brez të trashë në fund, rripi. Dallohen qartë për stilin dhe ngjyrat.

Në zonën e Kalabrisë Jugore të Unione Arbëria kësaj kostumografie i janë kushtuar dy muzeume. Një në Pallatin Cumano, i cili është edhe më i vjetri në këto katunde dhe ku në 1984 me nismën e Bashkisë së Vaccarizzo Albanese dhe Papas Giuseppe Faraco u shndërrua në Muze të Kostumeve dhe Orëve Arbëreshe. Dhe një në Santa Sofia D'Epiro, pikërisht në pallatin elegant me stil neoklasik, të quajtur 'Bugliari'.


Edhe ky sot është Muze i Kostumeve Arbëreshe. "Tek ne në Santa Sofia D'Epiro gjithë kostumet janë falur si dhuratë për muzeun. Në vitin 1995 kanë ndihmuar 250 familje arbëreshe për ngritjen e këtij muzeu.

Dhe janë falur plot 25 kostume tradicionale të tipologjive të ndryshme.", shpjegon administratori i muzeut, Franco Antonio Miracco. Ndërsa në Vaccarizzo Albanese, përveç dhuratave, ka edhe kostume të blera. "Dy kostume janë blerë me nga 20 mijë euro njërin, pasi janë gjithë fije ari", thotë drejtori i Muzeut në Vacarizzo Albanese, ....

Por e habitshmja është se ruhen shkëlqyer, si të jenë prej leshi, stofi apo mëndafshi të qepura vitet e fundit. Por që t'u zgjatnin jetën, gratë nikoqire arbëreshe, pasi i hiqnin nga trupi, i qepnin me fije nëpër të e më pas i mblidhnin duke i ngushtuar, i mbyllnin nëpër syndyqe, për t'i kursyer e për t'i hapur kur t'u vinte radha në ndonjë rast të veçantë. "Këto kostume në muzeume janë edhe prej 120 vjetësh, pavarësisht se nuk ta japin këtë përshtypje moshe, ngaqë janë ruajtur shumë mirë", shton Franco.

Për fat të keq, shumë kostume të bukura janë mbyllur dhe asgjesuar përgjithmonë në varre. Sipas traditës, kush vdiste, vishej me kostumin më të bukur, që ishte ai i dasmës dhe ky ishte vetëm ai popullor.

"Tani normal që nuk përdoren më. Martesa e fundit me kostum popullor arbëresh është bërë në vitin 1932", thotë Franco Antonio Miracco. Nëse do të përdoreshin, do të ishte njësoj si të kërkosh të martohen vajzat në Shqipëri me kostumet popullore të zonave dhe jo fustanin e bardhë. "Megjithatë, ka ende plaka të moçme që veshin tek-tuk kostumet e përditshme tradicionale, më të thjeshtë dhe më pak kontrastues me realitetin", thonë dy muzeologët.

Ajo që të çudit më shumë është se pikërisht në veshjet e përditshme, çdo grua arbëreshe mbante mbi shpinë një xhubot (jelek) të hapur, me mëngë, vetëm në ngjyrë të zezë. Kjo nuk mund të ndërrohej kurrë. Vetëm në ditën e dasmës dhe në ndonjë festë shumë të veçantë bëhej përjashtim dhe lejoheshin ngjyrat e ndezura. Në të kundërt, zi dhe vetëm zi. "Ishte shenjë zie për vdekjen e Skënderbeut", thotë muzeologu dhe bibliotekari Franco Franco Antonio Miracco.

Dhe shumica e kostumeve mbartin ngjyrat kuq e zi, edhe të gjelbrën, simbolikë të Alpeve të Shqipërisë, apo blunë, simbol të Detit Jon. Veshjet që mbanin zinë janë tërësisht të zeza, ato të gjysmë-zisë të zeza dhe kafe, ndërsa të dasmës shkëlqejnë në ar, tantella të bardha dhe ngjyra të çelura. Tek 'sutana razi', siç e quajnë fund mbi fundin e dukshëm të një veshjeje popullore dasme, duke prekur të ashtuquajturat 'pala korenti' që dikur bëheshin me avull, gjen edhe shqiponja të qëndisura në ar. Edhe në ditën e dasmës.

Por brezi i qëndisur në ar në fund të kostumeve, te mëngët, apo te jelekët e të nusërisë të ngopur në ar, nuk bëhen më sot as në ndonjë telajo të rrallë që ka mbetur nëpër shtëpitë arbëreshe. Edhe për faktin se të gjitha këto kushtojnë. "Por edhe më parë nuk mund t'i bënte dhe vishte çdo grua arbëreshe lukse të tilla. Vetëm të pasurat. Të tjerat përdornin kostumet popullore për përditë", thotë Franco.

Dhe me veshje tradicionale arbërore kanë qenë përherë gratë dhe vetëm gratë. "Burrat arbëreshë çuditërisht kurrë nuk u veshën me kostume popullore", thotë Franco, pa ditur ta shpjegojë këtë.


Edhe në muzeumet që iu janë kushtuar petkave shekullore arbëreshe, has një maniekin të vetëm burrë, por edhe ky jo imazh arbëresh, por një kostum tradicional nga Veriu i Shqipërisë, i vënë thjesht ashtu si shoqërues në morinë e veshjeve femërore.

Ndërsa këto të fundit shpërthejnë në forma, ngjyra, materiale vezulluese, por dhe funksione të përcaktuara saktë.
Aty janë përzier shumë tipologji duke nisur që nga jeta e përditshme, gjysmë festa dhe dalje për vizita të zakonshme e deri tek rastet tepër të veçanta si ditëlindjet, dasmat, vdekjet etj. Pamje edhe të njohura, por gjithmonë ka dhe të panjohura apo nevojë për t'i rinjohur.

Kostumi Gala
Sot vishen vetëm nga ndonjë grua shumë e vjetër në moshë , por në të shkuarën ishte veshja e çdo vajze në çastet më të rëndësishme të jetës së saj. Veshja gala përdorej ditën e dasmës apo në ngjarjet më të shënuara familjare apo festat e vitit. Lesh dhe pambuk për fshatarët dhe mëndafsh dhe lino tantella dhe fije ari për një sërë më të lartë, i veshur sidomos në ditën e dasmës.


Nga vitet '700 e më pas, kushtet e ndryshme ekonomike dhe sociale iu lejonin Arbëreshëve të Italisë t'i pasuronin kostumet në bazë të pasurisë së atij që e kërkonte, duke përmirësuar cilësinë dhe shtuar zbukurimet. Me copëra më të shtrenjta, të lara në ar, kadife, që vinin sidomos nga Napoli, qendra kulturore për gjithë komunitetet arbëreshe.
Ditën e dasmës nusja vishej me kostum të gjatë të bardhë ose prej liri, këmisha ishte me jakë të zbukuruar me dantellë të punuar me grep ose tyl.

Këmisha ishte bust i shkurtër, e hapur përpara me pëlhurë qëndisur në ar dhe në të njëjtën ngjyrë edhe nënfundi. Edhe jeleku te supet po i zbukuruar me ar. Veçanërisht i bukur dhe i punuar me pala nëpërmjet teknikës së avullit ishte fundi i gjatë përsipër nënfundit.

 (Xhipuni)

Në mëndafsh apo edhe në lino të trashë. Rreth belit, nuses i vihej një rrip i hollë me argjend ose ar i mbyllur në formë drejtkëndëshi, i vendosur në bark dhe i qëndisur me të njëjtën lloj stolish të dasmës. Këto dy elemente janë simbol dallues i një gruaje të martuar.

Flokët me dy gërsheta të vegjël mbaheshin të lidhur nga pas si një kulaç i vetëm në të cilën ishte vendosur kurora e martesës.

Kostumi plotësohej nga velloja në ngjyrë të artë, qëndisur me fije ari, e cila mbulonte fytyrën dhe binte deri tek shpatullat, nga çorapet e pambukut dhe këpucët në të njëjtin material si edhe fundi. Me motive të njëjta përdoreshin edhe bizhutërite e arta.

Kostumet e gjysmë-festave
Kostumet e gjysmë-festave, që visheshin nga nusja për të shkuar në kishë të dielave pas dasmave, për vizita kortezie apo raste festash, përfshinte këmishën e gjatë prej linoje apo pambuku të bardhë me qafë të zbukuruar nga varëset, fundin me pala zbukuruar në fund me brez ari apo nëse bëhej fjalë për raste jo shumë të rëndësishme brezi në fund qepej me copë në ngjyrë të gjelbër.


Busti mbështillej me copë të zezë apo kadife, stolisur te supet dhe kyçet e duarve nga shirita të gjerë, qëndisur në ar, me gurë të çmuar dhe me motive floreale. Plotësohej edhe me një pjesë cope prej mëndafshi blu, qëndisur me fije ari, një shami mëndafshi të verdhë ose portokalli dhe në fund një shall të gjelbër ose ngjyrë kafe e leshi, zbukuruar te cepat.

Kostumi i përditshëm
Në të rrallë e gjen edhe sot mes plakave të moçme arbëreshe. Në dukje i thjeshtë, pa ekzagjerime stonuese me përditshmërinë. Prej pambuku, mëndafshi, kadife, i gjatë, me tonalitete të së bardhës, me këmishë prej liri, vishet me një lloj jeleku prej pambuku në ngjyra të ndryshme me funksion mbështetjen e gjirit. Jeleku mund të jetë gjithashtu mëndafsh, lesh apo kadife e zezë dhe i qëndisur me fije mëndafshi të zi.

Gjithmonë në ngjyrë të zezë për të mbajtur zinë e Skënderbeut.
 Mbifundi zakonisht edhe në ngjyrë kuq e zi si flamuri shqiptar dhe me pak të gjelbër si Alpet e Shqipërisë apo blu si deti Jon. Koka është e mbuluar me një shami pambuku ose leshi e lidhur pas kokës. Barku me një platformë pambuku.

MAGDALENA ALLA

Media greke: Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, i pashmangshëm.

E përditshmja më e madhe greke “Kathimerini” shkruan se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, është i pashmangshëm. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën bëhet i pashmangshëm nëse Beogradi zyrtar nuk do të ndryshojë kurs. Kështu paralajmëron Adem Demaçi, një ndër emrat kryesorë të lëvizjeve për të drejtat e njeriut në Kosovë, raporton e përditshmja greke “Kathimerini”.


Derisa Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj përballë Kosovës duke mos e pranuar atë si shtet më vete, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të mund të bëhet realitet shumë më lehtë.“Në këtë situatë që Serbia nuk e pranon Kosovën si shtet, shqiptarët e Kosovës mund të bashkohen lehtësisht me Shqipërinë. Ne nuk mund ta përjashtojmë këtë mundësi, nëse Serbia do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim të njohur ndaj Prishtinës zyrtare.

Nderkohe pohon faktin se “përkundrejt qëndrimeve të Serbisë, “shqiptarët po tregojnë se janë të organizuar dhe një bashkim kombëtar do të mund të shndërrohej në realitet”. Kathimerini i ka bërë jehonë deklaratave të z.Demaçi, bërë në Shkup në një manifestim të organizuar me rastin e 30 vjetorit të protestave të studentore në Prishtinë. “Kathimerini” citon edhe se dialogu mes Kosovës e Serbisë, nuk ishte një dëshirë e shqiptarëve por një imponim nga Bashkimi Evropian.“Ne nuk kemi asnjë dëshirë dhe asnjë përfitim nga këto bisedime, sepse ato janë imponuar dhe aranxhuar nga BE- dhe OKB. Europianët, i bëjnë lëshime Serbisë sepse janë të interesuar ta tërheqin në BE ngaqë Serbia është një faktor më i rëndësishëm se Kosova”, – ka deklaruar Adem Demaçi.
Ndërsa duke u ndalur në tensionet ndëretnike në Maqedoni (FYROM ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), ato nxiten nga struktura serbe të instaluara në institucionet e Shkupit, të interesuara të ruajnë armiqësinë me shqiptarët.

“Shoqëria jonë është ende injorante për seksin”

Intervista
Seksologu gjerman, Volkmar Sigusch ka qenë një nga mendimtarët më të mëdhenj të periudhës së revolucionit seksual të viteve ’60. Në një intervistë ai diskuton për trashëgiminë që ka lënë me veprën e tij, për përfitimet që sipas tij ka pornografia online dhe për martesat e hapura, që në disa raste mund të jenë një opsion i mirë për një çift.
Profesor, ju keni drejtuar Institutin për Shkencën Seksuale në Frankfurt për 33 vjet rresht, ndërsa keni punuar edhe si terapist. A thonë gjithmonë njerëzit të vërtetën në lidhje me çështjet e tyre seksuale?
Kur vjen puna tek seksualiteti, njerëzit parapëlqejnë që të thonë gënjeshtra. Vetëm në rastin e parave e tejkalojnë veten, duke thënë edhe më shumë gënjeshtra.
Ju konsideroheni si një nga teoricienët më të famshëm të atij që quhet revolucioni seksual i viteve ’60. Sa arriti që të ndryshojë jeta jonë seksuale në atë kohë?
Unë gjithmonë do të konsiderohem si teoricien, por në atë kohë kam qenë vetëm një “udhëtar” me diplomë në xhep. Revolucioni seksual prodhoi një konvulsion kulturor, që ishte i pakrahasueshëm në të gjithë shekullin e kaluar. Seksi femëror historikisht ka qenë i seksualizuar dhe në atë kohë për herë të parë u kërkua arritja e orgazmës. Ndërkohë, edhe të ashtuquajturit “të devijuar” seksualisht, pra homoseksualët, arritën një lloj emancipimi të pjesshëm.

Dashuria e lirë prodhon njerëz të lirë dhe një shoqëri të lirë. Kjo ishte ideja, në fund të fundit. Por në fakt, nuk funksionoi...
Në atë kohë besohej shumë ideja se nëse gjërat do të dilnin në dritën e diellit, pra nëse për tabutë seksuale do të flitej lirisht, bota do të shembej. Por, në të vërtetë u ndërtua një kult i seksit dhe ato gjëra që burojnë nga sfera seksuale si lumturia, zbavitja dhe fundi i kapitalizmit, u nënvleftësuan shumë. Glorifikimi që kaloi çdo masë ishte me të vërtetë i padurueshëm.
Po a ishit ju shkencëtarët e seksit ata që luftuat kundër të ashtuquajturës “mbyllje” e viteve ’50 dhe ’60?
Kjo është e vërtetë. Por, unë mendoj se revolucioni i viteve ’60 ishte kryesisht një lëvizje e të rinjve. Unë ndieja se të ashtuquajturat “marrëdhënie të lira” ishin mbivlerësuar.
Si e shpjegoni faktin se pavarësisht ndryshimeve radikale, shumë njerëz ende besojnë në idenë e një marrëdhënieje monogame dhe solide?
Sepse, kjo ide e familjes përputhet më shumë me origjinën tonë shpirtërore. Babai, mamaja, familja e vogël, kjo është mënyra se si i kemi zhvilluar shpirtrat tanë, mënyra se si jemi ndërtuar dhe rritur dhe mënyra që në fund të fundit na bën që të ndihemi më të sigurt, të mbrojtur dhe të dashur.
E megjithatë, të gjitha marrëdhëniet kanë shumë probleme...
Dëshira seksuale bie pas 4 ose 7 vitesh bashkëjetese në një çift. Kjo është diçka e provuar.
Shkrimtari gjerman, Gottfried Benn ka shkruar dikur se, martesa është një institucion që e rrënon dëshirën seksuale.
Ka shumë opsione për një martesë. Nëse çifti ka qenë bashkë për disa kohë dhe ka njëfarë përvoje jete dhe liberalizëm, mund të bëhet fjalë për një marrëdhënie në të cilën njëri nga partnerët përfshihet në ndonjë marrëdhënie rastësore, që më pas falet. Kjo gjë ndodh mesatarisht një herë në 13 vjet, por është e sigurt që ndodh.
Kaq rrallë? Ndoshta në këtë rast mund të ketë mospërputhje mes studimeve shkencore dhe realitetit?
Sipas studimeve, 95% e marrëdhënieve seksuale janë marrëdhënie të atyre që ndërkohë e kanë një lidhje stabël. Ky është një numër shumë impresiv. Megjithatë, mungesa e dëshirës seksuale sigurisht ka një shkak. Në një çift inteligjent duhet që të krijohet mundësia  që gruaja ose burri të kërkojë kënaqësi edhe jashtë marrëdhënies që ata kanë, por kjo duke e marrë gjithmonë në konsideratë partnerin që kanë në krah. Pra, kjo do të thotë të veprosh hapur, por edhe në mënyrë diskrete njëherazi. Ndoshta çiftet që janë martuar kur kanë qenë 25 vjeç dhe tani janë 45 mund ta konsiderojnë këtë opsion. E nëse çifti është ende bashkë edhe pse kësaj aventure, pra ata e gjejnë sërish rrugën tek njëri-tjetri, mund të them se ata do të jenë bashkë përgjithmonë. Përkatësia tek njëri-tjetri është një dhuratë e bukur.
A mendoni se ideja e një “martese të hapur” ka dështuar për shkak se është shumë e vështirë që çiftet të përballen me pasojat?
Po, e përshkruar shumë korrekt. Problemi social është se te ne nuk ekzistojnë modele alternative. Mendoni për shembull për kushtet e Japonisë apo Indisë, flas për kulturën dhe mënyrën e kultivimit të erotikës në këto vende. Ata nuk janë aq “lepuj” sikundër jemi ne.
Mendoni se shoqëria jonë, edhe pse ka 40 vjet që flet për seksin,  nuk ka ndryshuar asgjë?
Unë do të thosha se ne jemi ende shumë injorantë kur vjen puna tek seksi. Ne flasim për të në mënyrë jo korrekte, shumë sipërfaqësore. Dhe çka është më e keqja, kur flet kaq shumë për një gjë rrezikon që t’ia shkatërrosh misterin.
Pra, nga njëra anë çiftet nuk flasin mjaftueshëm dhe nuk dinë shumë për dëshirat e tyre seksuale, dhe nga ana tjetër ata flasin shumë?
Është e rëndësishme për një çift që të flasë për preferencat e tij seksuale. Nga ana tjetër, aura e misterit duhet që të ruhet.
Çfarë kuptoni saktësisht me “aura e misterit”?
Një sekret i vogël mes çiftit. Një fetish që partnerët mund të kenë për njëri–tjetrin, apo një skenar i veçantë seksual. Më kujtohet një paciente femër e cila ishte veçanërisht e nxitur seksualisht nga shpatullat e të shoqit. Këtë lloj sekreti ajo duhet që ta mbajë për vete. E kam fjalën tek një përqendrim shpirtëror në pavetëdije. Fantazitë duhet që të mos jenë “të moralshme”. “Pastërtia”, skrupulli dhe racionaliteti janë një helm për seksualitetin.
Si do të konsideronit ju sajtet pornografike që shihen nga miliona vetë. E kanë ndryshuar seksualitetin?
Këto janë pjesë e një neo-revolucioni seksual që nisi në fund të viteve ’70 dhe vazhdon edhe sot. Një tipar kyç i këtij revolucioni është publikimi në shkallë të gjerë dhe komercializmi i detajeve, që dikur ishin sekrete. Ajo çka ndodh në një rast të tillë është shkatërrimi i dëshirës së pastër seksuale, dhe kjo ka vlerë më të madhe se çdo lloj ndalimi për seksin. Pra, luan rolin e kundërt.
A mundet këto sajte pornografike të ndihmojnë në reduktimin e fajit seksual?
Vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Por, për njerëzit që janë të dëshpëruar dhe që janë në kërkim seksualitetit në internet, ofron një çlirim të jashtëzakonshëm. Në të shkuarën, çdo pervers besonte se ai ishte i vetmi në këtë botë që kishte dëshira të tepruara seksuale. Sot ai mund të gjejë edhe të tjerë si vetja, dhe kjo përmes internetit. Nga ana tjetër, seksualiteti i internetit tregon se ne po bëhemi gjithnjë e më tepër të “vetëmjaftueshëm”. Po flas për seksin me veten.
Si ndikon tek adoleshentët dhe zhvillimi i tyre fakti që para se ata të konsumojnë seksin në natyrë, e konsumojnë në internet?
Ndërkohë që për të rriturit interneti mund të shërbejë si çlirues stresi, për sa kohë që ata nuk krijojnë varësi nga seksi, kjo nuk vlen për adoleshentët. Pjesa më e madhe e imazheve pornografike janë të neveritshme. Përveç kësaj, shkatërrojnë të gjitha sekretet që në fakt janë në qendër të përvojës seksuale dhe dashurisë. Por, shumë të rinj duket se kanë filluar të sillen me inteligjencë. Ata i shohin gjërat në internet herë pas here dhe pastaj mërziten dhe i lënë. Sigurisht, kjo nuk vlen për ata adoleshentë që rriten me ndonjë baba pijanec që në darkë sheh porno në TV.
Si do të jetë seksualiteti në të ardhmen?
Mendoj se do të ketë forma të tjera lidhjeje, përveç martesës sonë tradicionale. Njëra prej tyre është shfaqur prej kohësh në horizont: poliamoria, ose pasja e disa partnerëve intimë. Me fjalë të tjera, ti je i martuar me një grua e cila nuk ka kundërshtim që juve të dyve t’u bashkohet edhe një grua tjetër. Më pas është gruaja që sjell të dashurin e saj. Befas ftillohesh e thua: o Zot i madh. Qenka e vërtetë që mund të duash më shumë se një person. Sipas mbështetësve të kësaj teorie, një njeri mund të dojë disa persona njëherazi.
Po a nuk është një gjë e tillë shumë e lodhshme?
Këtë opsion nuk je i detyruar që ta zgjedhësh. Është vetëm një nga mundësitë. Ne do të përjetojmë një spektër më të gjerë të jetës seksuale. Ndërkohë, kam respektin më të madh për njerëzit që janë aseksualë. Në fakt, nuk e besoja fillimisht që ekzistonin, por është e vërtetë që ekzistojnë dhe numri i tyre sa vjen e po shtohet.
Aseksualiteti bie në kontradiktë me premtimin modern të lumturisë, që i jep një kredit të madh seksit në atë që mund të quhet një jetë e suksesshme?
Ky premtim lumturie mund të jetë edhe një barrë fatale, ndaj seksualiteti po refuzohet gjithnjë e më shumë dhe njerëzit mundohen që të gjejnë forma të tjera eksitimi. Ka shumë të rinj që e pëlqejnë aventurën, por jo atë seksuale.
Cila mendoni se është tabuja më e madhe e seksualitetit sot?
Sigurisht që është seksualiteti i fëmijëve, përfshi gjithçka që shkon me të si pedofilia, pedoseksualiteti.
A mund të trajtohen me terapi këto forma seksualiteti?
Është shumë e rëndësishme që këtyre njerëzve t’u ofrohet një terapi.
Si do ta përcaktonit seksin e mirë?
Në këtë pikë unë bie në një mendje me Woody Alen: seksi i mirë mund të jetë gjithçka, përfshi edhe gjërat e pista.


G. Shqip

Thursday, March 17, 2011

Myslimanët e Shqipërisë: Të hiqet Nënë Tereza

Forumi Mysliman i Kosovës i ka kërkuar autoriteteve drejtuese të shtetit më të ri në rajon, largimin e fotografisë së Nënë Terezës nga institucionet publike.



Me anë të një peticioni, ata shpjegojnë se nuk janë kundër fesë katolike, por kundër përdorimit politik e kulturor dhe imponimit të figurave katolike.  



Ata kanë deklaruar se nëse kërkesa e tyre nuk merret në konsideratë, atëherë do të hidhen në protesta masive.
Ndërkohë që edhe forumi mysliman shqiptar, nëpërmjet Roald Hysës, e mbështet këtë peticion të ardhur nga Kosova, pasi sipas tyre, po teprohet me përdorimin e figurës së Gonxhe Bojaxhiut, pasi ajo nuk ka dhënë ndonjë kontribut konkret për Shqipërinë. Sipas Hysës Shqipëria ka plot figura të tjera, siç është ajo e Dom Nikollë Kaçorrit që ia vlen të respektohet, pasi ka dhënë një kontribut konkret për Shqipërinë.


Peticioni
Forumi mysliman i Kosovës ia drejton peticionin presidentit Behxhet Pacolli, kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryetarit të kuvendit Jakup Krasniqi.

"Komuniteti musliman në Kosovë, si komunitet shumicë, është konkretisht i brengosur mbi shkallën fillimisht latente, por kohëve të fundit të përmasave të mëdha, të tendencave dhe metodave të një dominimi kulturor, të ritit katolik në vend, si relikë e trashëguar nga e kaluara e garniturave më të hershme pushtetare, që ishin akcelereuse të një dominimi të tillë. Vazhda e tolerimit të tendencave dhe metodave të tilla, po sfidon laicitetin edhe të qeverisë së re. Nuk është se tendencat dhe metodat e tilla, nuk janë vërejtur nga ne edhe më herët, sikurse në rrafshin ligjërues/mësimor, kulturor, medial, e politik, por për hirë të arsyeshmërisë dhe mosshkaktimit të reaksioneve publike, i kemi kaluar me heshtje. Hapi i ndërrmarur nga ministri Memli Krasniqi për largimin e fotografisë së Nënë Terezës nga zyret e MSKRS-së, si dhe detyrimi për ta rikthyer prap, pas reaksioneve të shumta katolike e filokatolike, ishin dëshmi e sfidimit serioz të laicitetit institucional/shtetëror nga katolicizimi kulturor dhe tendencat e tij dominuese në rritje. Sidomos adresimi i një peticioni nga ana e disa "intelektualëve" ku nga kryeministri kërkohej shkarkimi i minstrit Krasniqi, duke u thirrur ndër të tjera edhe në bindjen e tij fetare si arsye për largim, na bëri që ta thyejmë heshtjen.

Duke e ditur se Kushtetuta e Kosovës, në Nenin 8, Pika 1, e përcakton Kosovën si shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare, ateherë nuk shohim arsye të shkeljes së Kushtetutës, nëpërmjet përdorimit publik e institucional të një figure krejtësisht fetare, pa ndërlidhmëri me shtetin e Kosovës, dhe sidomos jemi kundër imponimit publik të një figure që deklarativisht thoshte se "i përkasë Krishtit" si figure kombëtare, pasi që një imponim i tillë, përpos që dhunon laicitetin institucional, përbën poashtu një imponim religjioz e kulturor nacional-katolicist, në një shoqëri me shumicë muslimane.

Nuk jemi aspakt kundër fesë katolike, por kundër përdorimit politik e kulturor dhe imponimit të figurave katolike. Ndaj ne kërkojmë largimin e figurës (fotografisë) së Gonxhe Bojaxhiut (Nënë Terezës) nga Zyra e MSKRS-së, si dhe nga Insitucionet shtetërore e publike të vendit. Shrepsojmë që kërkesa jonë të mirret parasysh dhe të diskutohet, në të kundërtën jemi të shtyrë drejt protestave publike", -përfundon peticioni i forumit mysliman Kosovar.



ShqipëriaKërkesa për largimin e figurës së Nënë Terezës nga institucionet publike është mbështetur edhe nga forumi mysliman i Shqipërisë. Roald Hysi, sekretar i këtij forumi, ka deklaruar se po abuzohet me përdorimin e figurës së Gonxhe Bojaxhiut. "Në mendojmë dhe këtë e kemi shprehur edhe herë të tjera, që nuk ka përse i jepet një akses kaq i madh Nënë Terezës, për sa kohë që ajo përfaqëson një fe të caktuar dhe nuk ka bërë asgjë konkrete për Shqipërinë. Gjithë aktivitetin e saj ajo e ka zhvilluar në emër të rrobës së krishtërimit që mbante veshur dhe jo në emër të Shqipërisë. Ne kemi plot figura të tjera, shumë më përfaqësuese, siç është ajo e Dom Nikollë Kaçorrit, i cili ka marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë.  

Me këtë dua të them, se ne nuk jemi kundër fesë katolike apo figurave që na vijnë nga kjo fe, por jemi kundër teprimeve kur ata nuk kanë dhënë një ndihmesë konkrete për vendin tonë. Ndaj ne mendojmë se kërkesa e forumit mysliman të Kosovës është e drejtë", - ka përfunduar ai.

Esmeralda Keta, G. Shqiptare

"Gocat pëlqejnë çunat me makinë dhe më të mëdhenj në moshë"

Periudha e gjimnazit është njohur nga hera si periudha, në të cilën të rinjtë krijojnë ndjenja dhe afeksione për bashkëmoshatarët e seksit tjetër. Jo rrallë herë na ka ndodhur të dëgjojmë për historitë e krijuara në gjimnaze, histori të bukura, e shpeshherë edhe jetëgjata.

Me xhelozi e zënka adoleshentësh, por që në vetvete mbartin një angazhim serioz nga të dy partnerët. E njëjta histori përsëritet nga viti në vit, vetëm se kohët e fundit gjithnjë e më shumë djemtë kanë filluar të përballen me refuzimin e vajzave… Këto të fundit, siç na tregojnë edhe disa nga gjimnazistët e intervistuar pëlqejnë djemtë e pasur, më të mëdhenj në moshë, mundësisht me makinë dhe angazhime serioze.
"Dhe më e bukura është se të gjitha këto gocat që pëlqejnë çunat e mëdhenj, ndonjëherë shumë të mëdhenj, janë më simpatiket", - tregon Klejti, një gjimnazist i kryeqytetit.
Sakaq vajzat vetë tregojnë se djemtë e moshës së tyre janë të papjekur, mendjelehtë dhe shumë posesivë. "Kërkojnë medoemos të dominojnë në lidhje, duan që gjatë gjithë kohës të jemi në dispozicionin e tyre dhe për gjënë më të vogël iu ngel hatri. Djemtë mbi 22 vjeç janë më me eksperiencë dhe tregojnë maturi në veprimet e tyre. Të paktën kështu veprojnë shumica se edhe këtu ka përjashtime", - vijon më tej Arlinda, e cila sapo ka hyrë në lidhje me një djalë jo të moshës së saj...


Historitë
Historitë janë nga më të ndryshmet, por përgjithësisht 'dashuritë' në bankat e gjimnazeve nuk janë shumë jetëgjata, ndonëse edhe këtu ka përjashtime. Në suplementin "Gjimnazistët" kemi sjellë 2 herë historitë e çifteve të krijuara në gjimnaz, e që pavarësisht peshës së kohës ia kanë dalë ta mbajnë të gjallë ndjenjën e tyre. Ndërkaq të tjerat, shumë herë më të mëdha në numër janë shuar po aty ku janë krijuar. Arsyet janë nga më të ndryshmet, një nga më kryesoret edhe dëshira për t'u njohur me njerëz të rinj, për të provuar eksperienca të reja. Janë jo të pakta rastet kur në një çift ekzistojnë kushte 'ekstreme' ndaj njëri-tjetrit. "Jo se çiftet me partnerë të mëdhenj janë më jetëgjata, por në krahët e tyre sikur ndihemi më të sigurta", - tregon Darla.

Gjimnazistët e refuzuar
Në vazhdën e këtyre historive, djemtë janë ata që përjetojnë më shumë zhgënjime si pasojë e refuzimeve. Ndaj zgjedhja e tyre më e mirë, në rastet kur nuk duan të mbeten 'beqo', janë vajzat e shkollave 9-vjeçare, kryesisht ato që janë në vitet e fundit, që shërbejnë dhe si shpëtim për ta. Një nga problematikat e tjera që i shoqëron djemtë, është se në rastin që fillojnë të përkujdesen sado pak për veten e tyre, kur bëjnë pjesë në djemtë e bukur, kur janë nxënës të mirë në shkollë, apo kur nuk dëshirojnë të krijojnë lidhje në këtë moshë si pasojë e refuzimeve që ndeshin, etiketohen nga bashkëmoshatarët si persona me orientim seksual drejt të njëjtëve, gjë që krijon shumë probleme në personalitetin e tyre, edhe sipas specialistëve.


Psikologet e shkollave
Vetë psikologët e gjimnazeve pohojnë për suplementin se konstatimet e bëra më sipër janë mëse të vërteta. Ato ndër të tjera thonë se historitë e krijuara mes moshatarësh janë më të prirur për të qenë jetëshkurtra, sidomos kur nxënësit janë të dy në një shkollë, e më keq akoma në një klasë. "Nxënës të tillë kërkojnë që gjatë gjithë kohës të kenë vëmendjen e tjetrit, ndikojnë në shoqërizimin ose jo të partnerit dhe bëhen xhelozë për situatën më të vogël. Shpeshherë sidomos djemtë, por edhe vajzat kohët e fundit, përfshihen në konflikte për shkak të tjetrit, të të dashurës/it...Ndaj dhe vajzat duke u përpjekur sado pak për të qëndruar larg këtyre situatave, por edhe për t'u ndjerë të mbrojtura fizikisht dhe ekonomikisht zgjedhin partnerë më të mëdhenj, me një pozitë në shoqëri", - tregojnë më tej specialistet e punësuara në shkollat e mesme.

Dashuria nuk është gjithçka

Por një nga krizat e tjera të adoleshencës, të vajzave përgjithësisht janë edhe marrëdhëniet seksuale. Me kalimin e viteve është shtuar shumë numri i marrëdhënieve seksuale gjatë kësaj moshe, por megjithatë ka edhe nga ato fanatiket që mendojnë se në gjimnaz është ende herët për të kryer marrëdhënie. Kështu të vëna përballë një dileme të sikletshme nga partnerët, qofshin këta të rritur ose jo, femrat në binomin seks apo ndarje, zgjedhin këtë të fundit, duke mos dashur të bëjnë gjëra nga halli, pa dëshirën e tyre.

"Ish-i dashuri më tha që do të lë nëse nuk bëjmë seks dhe realisht më la. Më thoshte që përmes seksit do të më tregosh dashurinë, por unë nuk i mendoj kështu gjërat dhe mendoj se veprova në mënyrën e duhur", - përfundon gjimnazistja 17-vjeçare, Xhejsi.

G. Shqiptare

20 vjet pa Enverin, 20 vjet me Berishën.

20 vjet me pare, ashtu si ne vendet e tjera te bllokut komunist, edhe ne Shqiperi, rrezimi i komunizmit u be jo me dhune, por me forcen dhe deshiren e njerezve per liri, me deshiren per te vendosur parimet e demokracise liberale: respektimin e te drejtave te njeriut, ekonomine e tregut, shtetin ligjor dhe globalizmin.

 Por, endrra evropiane, optimizmi i tejskajshem, idealizmi per nje sistem te ri demokratik bene qe te mos mendonim per shume vite per rrezikun e se keqes se vjeter, e cila u fsheh pas perdese se ndryshimeve drastike te kohes. Nen euforine e mendimit per shkaterrimin e komunizmit mashtruam veten, duke menduar që koniunkturat komuniste mund te ndryshonin. Por, gabuam rende.Lidhjet biologjike, me diktaturen komuniste jane shume te forta. ADN-ja e komunizmit u mbart ne menyre konstante dhe sistematike tek bijte e eterve komuniste. Shqiperia ishte vendi i fundit qe 20 vjet me pare shembi regjimin komunist duke i hapur rrugen pluralizmit me themelimin e Partise Demokratike, forces se pare politike qe lindi ne vend.

Te gjithe pranojne se Shqiperia ka pesuar ndryshime te thella dhe ka realizuar nje kapercim te madh, por gjithashtu ajo mund te kishte perparuar me shpejt nese tranzicioni i saj nuk do te ishte shoqeruar me trauma qe e vonuan ne kohe. Me 20 shkurt te ketij viti u mbushen 20 vjet nga rrezimi i diktatures komuniste. Sali Berisha  ftoi te gjithe qytetaret qe te beheshin pjese e koncertit festiv, qe u  mbajt te dielen, me rastin e 20 shkurtit, diten ne te cilen 20 vjet me pare, u rrezua shtatorja e diktatorit Enver Hoxha ne Tirane. 20 vjet pas 20 shkurtit 1991 kryeministri ka thënë se Shqiperia eshte nje vend ku funksionojne institucionet.

"Sot Shqiperia eshte nje vend me nje kushtetute thellesisht demokratike. Shqiperia eshte nje vend me ligje thellesisht demokratike. Gjithçka dhe çdo gje ne kete vend eshte e mundur dhe duhet te zgjidhet ne respekt te plote te kushtetutes” ka thene pasuesi i Enver Hoxhes, Sali Berisha. Them pasuesi se ka  ca si teper ngjashmeri Enveri me Saliun.

Qe te dy thone: “Degjomeni mua, une di, ju s’dini, do behet si them une”. Opozitarin Enveri e varroste ose e burgoste, Saliu e heq nga puna. Servilet Enveri i paguante kot, po kete bene edhe Saliu, ju jep edhe pozite. Enveri kishte shume spiune, Saliu ka prape spiune me shumice. Familjaret e Enverit benin jete disi me te mire se te tjeret, familja e Saliut deklaron miliona euro luksi. Vetemburrjen Enveri e ngriti ne qiell, Saliu e çoi ne hene. Median Enveri e kishte personale, Saliu e komandon me  Fariun etj.

Ata te dy i ndane vetem sensi se”njeri ish grure, tjetri KASHTE”. Kashta kashte mbetet…Te dy menduan se po u ngjite ne maje te shtetit je burre shteti. Me i ndershmi,me i drejti,me i afti,me i kulturuari.Keto jane cilesit e nje burri shteti qe meren qe ne familje,ndersa,Enveri urente te jatin,Saliu ka sekret gjithe jeten familjare te pa ardhesve te tij.

Nëse nje shoqeri mbart krimet e se kaluares te ndrydhura ne vetvete ajo eshte shoqeri  jo e shendetshme, qe vuan pasojat e krimit te djeshem duke mos gjetur dot energji per te sotmen e per te ardhmen. Historia po i ndeshkon shqiptaret, po i ndeshkon pse nuk ndeshkuan kriminelin, pse jo vetem e lane te lire te bridhte rrugeve, por edhe e veshen me pushtet dhe me arme. Ishim edhe ne ne demostraten tragjike te 21 Janarit dhe protestuam paqesisht.
Mund te kishim marre nje plumb edhe ne. Syte na pane njerëz te pafajshem, te cilet moren Kushtetuten e te drejtave te njeriut me vete ne varr.U vrane pa gjyq. Ishin te paarmatosur. Arma me e fuqishme qe kane pasur ka qene zemerimi qe iu vlonte ne shpirt. Kryeministri i Shqiperise nuk diti as kete here te mos e çoje popullin e vet deri ne ate menyre te skajshme. Tregoi edhe një herë se nuk i dhimbset asgjë, përveç kolltukut. Sot ndihemi sikur po rijetojmë në kohën e Enver Hoxhës. Në fakt, gjendemi edhe më keq se atëherë. Enver Hoxha të vriste pa firmosur asnjë kontratë për të drejtat e njeriut me botën e qytetëruar dhe demokratike. Ndërsa sot ndodhin turpe dhe tmerre “në emër të demokracisë”, dhe kur janë nënshkruar të gjitha kartat e të drejtave të njeriut. E në vend të drejtësisë, sot na duhet të dëgjojmë fjalimet e Sali Berishës. Përditë e më shumë i ngjajnë fjalimeve të Enver Hoxhës...

Shqipëria po ndryshon me vrasje e tmerre. Por edhe më parë ka qenë kështu. Veç në dukje ishte pak më e qetë, por në brendësinë e vet ky pushtet e ka pasur të fjetur krimin, i cili zgjohet sa herë e ngacmojnë aty ku nuk i pëlqen.


Geraldo Durdaj
Shënim: Autori është gjimnazist, banor i Gërdecit.

Wednesday, March 16, 2011

"Habiten se pse ky popull "idiot" nuk qenkësh i lumtur!"

Gati tre javë më parë, një modele izraelite, gjatë një seance fotografimi, u kafshua nga një gjarpër në gjoks. Fati i mirë i modeles dhe fati i keq i gjarpërit u bënë bashkë në mënyrë të pabesueshme duke prishur radhën dhe rendin në zinxhirin e evolucionit dhe duke ndërruar vendin mes viktimës së parashkruar dhe agresorit natyral: silikoni me të cilin ajo kishte harkuar dhe zmadhuar gjoksin, helmoi gjarprin, i cili ngordhi më pas.



"Të bëhet drejtësia, pa të përmbyset bota", i mësojnë juristët e rinj që në semestrin e parë, të vitit të parë të jurisprudencës. Bota e vogël shqiptare është përmbysur shpesh herë pikërisht sepse ka munguar drejtësia.

Dhe nëse javën që shkoi, një valë arrestesh për kontrabandën e naftës tronditi vendin, çdo qytetar është ndjerë edhe i vjedhur, edhe i grabitur, edhe i tallur. Eshtë ndjerë edhe i helmuar nga tymi mbytës i makinave.
Do të jetë i tallur dhe helmuar nëse e gjithë historia do të shfryhet në ndëshkimin e disa fakirëve që drejtonin autobotët e naftës, do të jenë të tallur e të helmuar të gjithë qytetarët edhe nëse do të ndëshkohen disa nga bosët që shumëfishuan milionat e eurove.
Do të jenë të tallur e të helmuar sa kohë nuk shpjegohet gjithë ky zinxhir krimi që nuk mbyllet me të arrestuarit dhe nuk ndëshkohen të gjitha hallkat e të njëjtit zinxhir.
Si në rastin e Diverolit të fishekëve kinezë, këtij profeti të së keqes që paralajmëronte dikur: gjithçka ka vajtur shumë larg e lart. Kafshët kanë dalë nga kontrolli.

Në fakt, pushteti kontrollohet kafshërisht. Pushteti është fotografia që tentohet të shitet si realitet.
Gjarpri i modeles izraelite që fotografohej me zvarranikun i nguli dhëmbët aty ku është mësuar t´i ngulë sytë njerëzia. Për fatin e tij të keq dhe për fatin e mirë të modeles u vetëhelmua nga silikoni i gjoksit të saj.
Shoqëria shqiptare nuk është gjoks izraeliteje. Edhe pse e kanë mbushur me silikon lumturie dhe i kanë mpirë nervin që e bën të dallojë viktimën nga xhelati, të vërtetën nga gënjeshtra, krimin nga dëmshpërblimi.  
Sepse sot shqiptarët janë "romë" në vendin e tyre dhe vetë romët, trajtohen siç trajtonin hebrenjtë nazistët.
Nazistët kishin bindjen e verbër se për pushtetin ishin në të drejtën të tyre edhe kur vrisnin, edhe kur digjnin, edhe kur shkelnin me zjarr të drejtën elementare të tjetrit për të jetuar.

Kështu, sot në Tiranë, ca jetojnë si patricët romakë në Romë, shumë të tjerë trajtohen si "romë" periferie: i duan shumë në letra, kurse në të vërtetë i vrasin edhe në mes të Bulevardit si në 21 janar.
Aleks Nika, prostestues i 21 janarit, i vrarë në mes të bulevardit!!!
Për hir të pushtetit, në emër të pushtetit, që habitet se pse ky popull "idiot" nuk është i lumtur!

Shekulli

Tuesday, March 15, 2011

Gërdeci, njolla e pashlyer e turpit

Sot, në tre vjetorin e shpërthimit të Gërdecit Shqipëria nuk ka zemër, më mirë me thanë nuk ka fytyrë të përkulet mbi varret e 26 burrave, grave, fëmijëve dhe pleqve që humbën jetën atje.

Njëmijë e njëqind ditë dhe nuk ka ende asnjë fajtor të shpallur nga gjykata.
Nuk ka asnjë marrje të hapur përgjegjësie dhe shprehje të hapur ndjese nga qeveria "Berisha". Nuk ka asnjë kumpt për ata që nuk kthehen më, a thua se i ka vrarë rrufeja apo përpirë toka. Jo,nuk jam krejt i saktë. Ka një lajm të ri në këtë tre vjetor të Gërdecit. Të pandehurit janë kthyer në shtëpi dhe po gjykohen në gjendje të lirë për shkak të kalimit të afateve !
E di se në kuptimin e përgjegjësisë, "Shqipëria" është një nocion abstrakt. Nuk ka fajtorë në fajin e atdheut. Faji i të gjithëve është shpeshherë faji i askujt, sikurse është strofkulla më e mirë për fajtorët konkretë.
Por dua të nënvizoj se mungesa edhe pas tre vjetësh e drejtësisë dhe ndjesës për tragjedinë e 15 marsit 2008 rëndon tashmë si njollë, si dështim dhe si turp mbi Prokurorinë dhe Gjykatën, mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë, mbi Minisitrinë e Drejtësisë, mbi Qeverinë në tërësi, mbi partitë, mbi shoqërinë civile. Për të mos thënë më shumë.
Natyrisht, nuk mund të futen të gjithë në një thes. Nuk janë njëlloj si ata që kanë bërë çmos për degradimin e procesit, si ata që kanë heshtur. Nuk është e njëjtë përgjegjësia e e organeve të drejtësisë me atë të shoqërisë civile, përgjegjësia e qeverisë me atë të opozitës.
Dallimin këtu e kupton kushdo. Por duhet ta themi se guximi i disa politikanëve dhe gjyqtarëve për të kaluar pa të keq mbi të vrarët na përfshin të gjithëve në bashkëfajësinë e oportunizmit dhe konformizmit.
Nuk ka asnjë mister në faktin se Gërdecin si aferë e ka krijuar qeveria "Berisha" në tryezën vezake të mbledhjeve të saj me 12 shkurt dhe 14 mars 2007 kur u miratua projekti i ripunuar.
Mund ta kishim menduar si një vepër të pakujdesisë dhe nxitimit- tragjeditë me zanafillë vendimet qeveritare kanë ndodhur e ndodhin, edhe pse gjithnjë e më pak. Por pas shpërthimi tragjik, në vend që të jepte shembullin e trasparencës edhe atje ku nuk i kërkohej, meqenëse humbjet ishin shumë të mëdha , kryeministri Sali Berisha nuk gjeti asnjëherë forca ta bënte këtë.
Në të kundërtën, përballë shpërthimit që do të ndante në dysh qeverisjen e tij dhe raportin e tij me të vërtetën, ai konturoi një fushatë sulmesh kundër Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Sot ne kemi në mendje sulmet dhe fyerjet e fresketa të Berishës ndaj Ina Ramës për shkak të 21 janarit, 2011.

Por po të kthehemi prapa në kohë, në muajt maj dhe qershor të vitit 2008, do të shohim se ajo ka qenë edhe atëherë nën të njëjtin agresioni verbal të kryeministri dhe shpurës së tij.  
Gërdeci ndihmon shumë për të kuptuar pozicionin e qeverisë ndaj vrasjeve të 21 janarit sikurse 21 janari ndihmon shumë për të kuptuar pozicionin e qeverisë ndaj tragjedisë së Gërdecit.


Aleks Nika, prostestues i 21 janarit, i vrarë në mes të bulevardit!!!
E përbashkëta e këtyre qëndrimeve qëndron në të njëjtën teknologji politike të orjentimit të hetimeve në një hulli të caktuar nepërmjet intimidimit dhe nënshtrimit të prokurorëve. Në vitin 2008 ishte në rendin e ditës zbardhja e Gërdecit.
Prokurorja e Përgjithshme po kërkonte heqjen e imunitetit të ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Edhe ateherë, ashtu si sot, ajo mbështetej me forcë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në pamje të parë dukej sikur kryeministri Berisha po bëntë vetëvrasje politike me sulme, që kishin kuptimin e marrjen në mbrojtje të Fatmir Mediut.
Në të vërtetë në rrethanat e krijuara Berisha nuk mund të mos e jepte imunitetin e Fatmir Mediut. Me sulmet kundër kryeprokurores, që dukeshin pa kuptim teksa shumica po votonte me të dyja duart kërkesën e firmosur prej saj, Berisha dhe shpura e tij po krijonin një qëndrim, që ishte njëkohësisht edhe një politikë në lidhje me zbardhjen e Gërdecit.
Nuk do të rrinin të varur nga hetimi, nuk do të drejtoheshin nga hetimi, por do të bënin çmos ta drejtonin ata hetimin dhe gjykimin e Gërdecit.


Kjo ishte politika e mbledhjes se hetimit dhe gjykimit në një pistë anësore, në një pistë të tillë, që në një anë publiku dhe të afërmit e viktimave të mendonin se Gërdeci po zbardhet, ndërsa nga ana tjetër të lihej jashtë procesit gjithçka dhe gjithkush që imlikonte moralisht apo penalisht Berishën dhe qeverinë e tij. Kjo ishte një zgjidhje e përshtatshme edhe për ata privatë apo zyrtarë të rangjeve të dyta e të treta që do të viheshin përkohësisht prapa hekurave.
Më mirë të dilnin para drejtësisë dhe të sakrifikonin paksa duke ruajtur mbështetjen e shefave, se sa të gjykoheshin e dënoheshin bashkë me shefat.
Mbetet e paharrueshme buzeqeshja e presidentit të firmës Albademil, Mihal Delijorgji, kur po dilte me duart në pranga nga dyer e gjykatës ku sapo kishte marrë vendimin e burgut pa afat për 26 të vdekurit në fabrikën e tij.
Shumë shpjegime dhe komente janë bërë për atë buzeqeshje intriguese si të Mona Lizës. Më ka mbetur në mendje shpjegimi që thoshte se Mihali buzeqeshte ashtu sepse ndihej si trimi i mirë me shokë me shumë, kishte marrë siguri dhe po u kthente siguri shokëve jashtë.
E shoqëruar me forma të shumllojshme presioni dhe me manovra të ulëta për djegien e afateve ligjore të gjykimit, politika e mbledhjes së Gërdecit në një pistë të dorës së dytë ka patur e ka një rol të dorës së parë në dështimin e deritanishëm të procesit.
Në gjykatë kanë përfunduar si të pandehur drejtuesit e ndërmarrjes MEICO dhe Albademil, që janë akuzuar respektivisht për favorizim dhe për shkelje të rregullave të mbrojtjes së jetës me pasovë vdekjen e personave.
Kurse ajo pjesë e historisë që ka të bëje me vendimet e Këshillit të Ministrave, me urdhrat e ministrit të Mbrotjes, me kontratën e dytë të 31 dhjetorit 2007, me funksionimin e çuditshëm të fabrikës, ku një palë e ka përdorur për demontim fishekësh, një palë tjetër për paketim fishekësh, një palë për të shitur barut dhe tunxh e një palë tjetër për të shitur fishekë- pra gjithë pjesa që e tregon Gërdecin si një histori korrupsioni nuk shohim të këtë përfunduar në gjykatë.
Zvarrisjet flagrante të procesit shpjegohen rëndom me mungesën e qëllimshme të avokatëve në seancat gjyqësore.
Kryeministri bën sikur revoltohet.
Minsitria e Drejtësisë bën sikur revoltohet. Këshilli i Lartë i Dretjësisë bën sikur revoltohet. Të gjithë bëjnë sikur. Edhje gjyqtarët bëjnë sikur po gjykojnë. Avokatët kanë përgjegjësinë e tyre, por problemi është më i thëllë. Sjellja e avokatëve u vjen përshtat të gjithë të lartpërmendurve.
Vetë Gërdeci si proces gjyqësor ka katandisur në një "sikur" të madh, ku gjytarët vinë vërdallë pa qenë të qartë ç`do të bëjnë me të. Gërdeci është konceptuar i tillë për t'u zvarrisur. Është ndërtuar i tillë që të degradojë.
Po të ishte ndryshe, gjykata do të kishte shpallur me kohë gjykimin e panderprerë, për t'ua djegur llogaritë në xhep avokatëve. Po të ishte ndryshe, do të ishte gjetur patjetër rruga për të sjellë në Shqipëri pronarin e shoqërisë amerikane SAC, Partik Henri, pronarin e madh të Gërdecit që ka krijuar të vegjlit, atë të cilit qeveria "Berisha" i ka dhënë formalisht të drejtën e demontimit të fishekëve në Gërdec.
Si është e mundur që edhe pas tre vjetësh ky zotëri nuk ka dhënë ende një dëshmi për fabrikën që qeveria shqiptare ia dha me aq bujari dhe ku një ditë të bukur gjetën vdekjen 26 njerëz!
Zhdukja e tij, distanca e tij me drejtësinë shqiptare apo fshehja e tij bien erë të keqe.
Lind pyetja përse nuk është kërkuar arrestimi i tij , sa kohë që ai e ka pas përfituar njëqind për qind kontratën e Gërdecit për të ndarë pastaj me shqitarin Mihal Delijorgji?
Kam frikë se Patrik Henri ka humbur apo ka munguar në Shqipëri sepse askush nuk e ka kërkuar serjozisht.
Ardhja e tij në Shqipëri apo një dëshmi e tij e dretpërdrejtë do ta hapte historinë e Gërdecit në zonën tash për tash të ndaluar për zbardhje ligjore. Një mori pyetjesh kuptimplote e kërkojnë atë.
Jo se nuk mund të sqarohen pa të, por gjithsesi përgjigjet e të zotit të punës do t'i jepnin me shumë dritë së vërtetës. Përse Gërdeci që ishte dhënë nga qeveria shqiptare për demontim fishekësh, është përdorur nga një palë shqiptare edhe për paketim fishekësh për shitje? Ç'ishte ajo fabrikë që kishte jo vetëm punëtorë por edhe pronarë në të zezë?

Cili është roli i Patrik Henrit në kontratën e dytë të Gërdecit, në kontratë që në një përqeshje tragjike me fishekzjarret e vitit të ri 2008 dhe si një paralajmërim kobzi i kërpurdhës që do të ngrihej në qiell dy muaj e gjysëm me vonë, u lidh pikërisht me 31 dhejtor 2007?
A mos vallë Patrik e kishte mbaruar punën e tij dhe ndërkaq zotërinjtë shqiptarë të fabrikës ishin sulur si të ndërkryer për të mbushur xhepat në të zezë?


Ka edhe një pikë tjetër që mund të sqarohet më mirë nga Patrik. Në 30 prill të vitit 2007, pa dalë ende urdhëri i ministrit të mbrojtjes për hapjen e fabrikës, ai ka autorizuar si përfaqësues të tij në Shqipëri biznesmenin Rrahman Selmanllari, shokun e Shkëlzen Berishës, djalit të kryeministrit.
Është interesant të mësohet si dhe në ç'kushte ky amerikan ka ndarë biznesin apo u ka deleguar përfaqësimin individëve shqiptarë me të cilët nuk mund të ndërronte asnjë fjalë për shkak të mosnjohjes së gjuhëve.
Rrahman Selmanllari ka mohuar çdo lidhje me Gërdecin në Prokurori. Ka mohuar autorizmin, edhe pse ka emrin e tij në të. Ka mohuar lidhjen me pjesëtarët e "grupit hije" që punonin kryesisht natën në Gërdec, edhe pse ka dhënë e ka marrë me dy prej tyre.
Kuptohet se kjo e Selmanllarit nuk është gjë tjetër veçse pjesë e një perbetimi më të gjerë për të mohuar gjithçka që nxjerr në skenën e Gërdecit djalin e Berishës, Shkelzenin.

Është një budallallëk. Në Gërdec ka vdekur edhe baxhanaku i Berishës, Muhamet Hoxha. Berisha mund të mos e ketë njohur, siç ka deklaruar vetë, por Shkëlzeni e ka çuar me punë në "grupin hije" të miqve të Rrahmanit. Gjithçka mund të mohohet, madje edhe të fshihet. I vdekuri nuk mund të mohohet.
Muhamet Hoxha është një viktimë, por edhe një dëshmitar i së vërtetës së Gërdecit. I asaj pjese të së vertetës që nuk është hetuar. Ose është hetuar me ndrojtje, sa për të kaluar radhën, por nuk është dërguar në gjykatë. Ose është dërguar në gjykatë, por është mbyllur me procedurë, në përputhje me politikën qeveritare të zvarritjes dhe degradimit të procesit.
Në trevjetorin e shpërthimit, kur nuk ka ende asnjë fajtor për vrasjen e 26 njerëzve, Gërdeci tregon me gisht shkaktarët e vërtetë të tragjedisë, të gjithë ata që të vërbuar nga ethet e pasurimit të përshpejtuar kurdisen një minë gjigante pranë një zone të banuar, të gjithë ata që s'lanë gur pa luajtur që të mos merret vesh çfarë ndodhi e të mos bëhet drejtësia, të gjithë ata që kanë qenë përbetuar për të vërtetën mbi varret e të rënëve, por që harruan gjithçka në karriget e pushtetit dhe kusarisë.



Një vit më parë Gjykata e Lartë pushoi çeshtjen në ngarkim të ministrit Fatmir Mediu për shkak të riveshjes së tij me imunitet parlamentar.




Këtë vit lanë qelitë dhe u kthyen në shtëpi për shkak të kalimit të afateve të pandehurit kryesorë. Nuk përjashtohet mundësia që vitin e ardhshëm, në përvjetorin e katërt të tragjedisë, ndoshta edhe më parë, ndoshta edhe më vonë, në vartësi të kalkulimeve që do të bëjnë avokatët, të kemi një lajm tjetër të ri: një pjesë e të pandehurve do të marrin pafajësinë, ndërsa tre katër prej tyre do të dënohen me afatet e paraburgimit, që do të thotë se do ta mbyllin çeshtjen në liri.


Ky do të jetë kulmi i një provokimi, që edhe pa këtë është bërë i padurueshëm.
Për familiarët e viktimave, për ndergjegjën qytetare, që nuk mund ta konsiderojë tragjedinë e Gërdecit si një problem privat i individëve që kanë humbur të dashurit në atë tragjedi.

Preç Zogaj, G. Shekulli