Thursday, March 17, 2011

"Gocat pëlqejnë çunat me makinë dhe më të mëdhenj në moshë"

Periudha e gjimnazit është njohur nga hera si periudha, në të cilën të rinjtë krijojnë ndjenja dhe afeksione për bashkëmoshatarët e seksit tjetër. Jo rrallë herë na ka ndodhur të dëgjojmë për historitë e krijuara në gjimnaze, histori të bukura, e shpeshherë edhe jetëgjata.

Me xhelozi e zënka adoleshentësh, por që në vetvete mbartin një angazhim serioz nga të dy partnerët. E njëjta histori përsëritet nga viti në vit, vetëm se kohët e fundit gjithnjë e më shumë djemtë kanë filluar të përballen me refuzimin e vajzave… Këto të fundit, siç na tregojnë edhe disa nga gjimnazistët e intervistuar pëlqejnë djemtë e pasur, më të mëdhenj në moshë, mundësisht me makinë dhe angazhime serioze.
"Dhe më e bukura është se të gjitha këto gocat që pëlqejnë çunat e mëdhenj, ndonjëherë shumë të mëdhenj, janë më simpatiket", - tregon Klejti, një gjimnazist i kryeqytetit.
Sakaq vajzat vetë tregojnë se djemtë e moshës së tyre janë të papjekur, mendjelehtë dhe shumë posesivë. "Kërkojnë medoemos të dominojnë në lidhje, duan që gjatë gjithë kohës të jemi në dispozicionin e tyre dhe për gjënë më të vogël iu ngel hatri. Djemtë mbi 22 vjeç janë më me eksperiencë dhe tregojnë maturi në veprimet e tyre. Të paktën kështu veprojnë shumica se edhe këtu ka përjashtime", - vijon më tej Arlinda, e cila sapo ka hyrë në lidhje me një djalë jo të moshës së saj...


Historitë
Historitë janë nga më të ndryshmet, por përgjithësisht 'dashuritë' në bankat e gjimnazeve nuk janë shumë jetëgjata, ndonëse edhe këtu ka përjashtime. Në suplementin "Gjimnazistët" kemi sjellë 2 herë historitë e çifteve të krijuara në gjimnaz, e që pavarësisht peshës së kohës ia kanë dalë ta mbajnë të gjallë ndjenjën e tyre. Ndërkaq të tjerat, shumë herë më të mëdha në numër janë shuar po aty ku janë krijuar. Arsyet janë nga më të ndryshmet, një nga më kryesoret edhe dëshira për t'u njohur me njerëz të rinj, për të provuar eksperienca të reja. Janë jo të pakta rastet kur në një çift ekzistojnë kushte 'ekstreme' ndaj njëri-tjetrit. "Jo se çiftet me partnerë të mëdhenj janë më jetëgjata, por në krahët e tyre sikur ndihemi më të sigurta", - tregon Darla.

Gjimnazistët e refuzuar
Në vazhdën e këtyre historive, djemtë janë ata që përjetojnë më shumë zhgënjime si pasojë e refuzimeve. Ndaj zgjedhja e tyre më e mirë, në rastet kur nuk duan të mbeten 'beqo', janë vajzat e shkollave 9-vjeçare, kryesisht ato që janë në vitet e fundit, që shërbejnë dhe si shpëtim për ta. Një nga problematikat e tjera që i shoqëron djemtë, është se në rastin që fillojnë të përkujdesen sado pak për veten e tyre, kur bëjnë pjesë në djemtë e bukur, kur janë nxënës të mirë në shkollë, apo kur nuk dëshirojnë të krijojnë lidhje në këtë moshë si pasojë e refuzimeve që ndeshin, etiketohen nga bashkëmoshatarët si persona me orientim seksual drejt të njëjtëve, gjë që krijon shumë probleme në personalitetin e tyre, edhe sipas specialistëve.


Psikologet e shkollave
Vetë psikologët e gjimnazeve pohojnë për suplementin se konstatimet e bëra më sipër janë mëse të vërteta. Ato ndër të tjera thonë se historitë e krijuara mes moshatarësh janë më të prirur për të qenë jetëshkurtra, sidomos kur nxënësit janë të dy në një shkollë, e më keq akoma në një klasë. "Nxënës të tillë kërkojnë që gjatë gjithë kohës të kenë vëmendjen e tjetrit, ndikojnë në shoqërizimin ose jo të partnerit dhe bëhen xhelozë për situatën më të vogël. Shpeshherë sidomos djemtë, por edhe vajzat kohët e fundit, përfshihen në konflikte për shkak të tjetrit, të të dashurës/it...Ndaj dhe vajzat duke u përpjekur sado pak për të qëndruar larg këtyre situatave, por edhe për t'u ndjerë të mbrojtura fizikisht dhe ekonomikisht zgjedhin partnerë më të mëdhenj, me një pozitë në shoqëri", - tregojnë më tej specialistet e punësuara në shkollat e mesme.

Dashuria nuk është gjithçka

Por një nga krizat e tjera të adoleshencës, të vajzave përgjithësisht janë edhe marrëdhëniet seksuale. Me kalimin e viteve është shtuar shumë numri i marrëdhënieve seksuale gjatë kësaj moshe, por megjithatë ka edhe nga ato fanatiket që mendojnë se në gjimnaz është ende herët për të kryer marrëdhënie. Kështu të vëna përballë një dileme të sikletshme nga partnerët, qofshin këta të rritur ose jo, femrat në binomin seks apo ndarje, zgjedhin këtë të fundit, duke mos dashur të bëjnë gjëra nga halli, pa dëshirën e tyre.

"Ish-i dashuri më tha që do të lë nëse nuk bëjmë seks dhe realisht më la. Më thoshte që përmes seksit do të më tregosh dashurinë, por unë nuk i mendoj kështu gjërat dhe mendoj se veprova në mënyrën e duhur", - përfundon gjimnazistja 17-vjeçare, Xhejsi.

G. Shqiptare

No comments: