Tuesday, March 15, 2011

Ku t'i kërkojmë heronjtë?

Ka një minierë që shumë politikanë, në vetëdijen e tyre e konsiderojnë, floriri. Ato janë ndjenjat e qytetarëve.
Në mënyrë të veçantë, eksplorimi më rezultativ dhe më i thjeshtë i tyre, ndodh në moment stresi, varfërie, mungese informacioni. Këto ndjenja, kanë një fuqi të tillë që mund të lëvizin dhe male.
E midis tyre, sidomos për popuj të vegjël e me histori të jashtëzakonshme mbijetese, atdhedashuria mbetet më e forta. Me këtë ndjenjë nuk duhet luajtur, çdo herë e për çfarëdo arsye.
Janë këto ndjenja që të nxitura nga mëndje të ndritura kanë sjellë revolucione demokratike në të katër anët e botë. Por jo rrallë, kanë sjellë edhe diktatura, nga më të egrat e më gjakataret. Shpesh keqpërdoren edhe për cështje më të vogla.
Psh për të ndryshuar drejtimin dhe qartësinë e shikimit të opinionit publik për ngjarje dhe fenomene politike të ditës. Kur lodhja jonë është e madhe, kur vështirësitë e jetës janë një ortek që s'ndalet, kur vuajtja nga e gjitha kjo s'ka fund e kur s'ka më besim tek askush, ne jemi më vulnerabël se kurrë ndaj rrezikut, që mendje të caktuara, të na "ndihmojnë" të jetojmë në një realitet virtual, që na pengon ti shohim gjërat drejt.

A na kujtohet Gërdeci?
Lajmeve për shtyrjen e gjyqeve të tij as nuk iu hedhim më sytë se na lodhin. E pra, a ju kujtohet zhurma e jashtëzakonshme që e pasoi atë.
Ndjenjat tona? Ku janë ato? Ku mbeti dëshira jonë për drejtësi? Ku ngeci?

A ju kujtohet 21 janari?
Lëmshi i ndjenjave që na zuri fytin. Ishte aq i qartë 21 janari kur ndodhi para syve tanë. Një sekondë më vonë ne qeshëm me "përshkrimin" që i bënë atij. Sepse e kishim jetuar vetë, e kishim parë vetë e kishim prekur vetë e kishim qarë vetë.
Të gjithë njësoj.
Po sot, a ju kujtohet më?
Ne jemi të ndarë: dikush mendon se e prodhoi opozita, dikush qeveria. Ne kemi harruar ç'kemi parë. Ne "kujtojmë" ç'na thanë. Ne e jetojmë këtë datë, siç na u tha nga partitë që duam. Kjo nuk na rrit. Si qytetar, si shoqëri.
Sot jemi mobilizuar të gjithë, në shtyp, në blogje, në ekrane për të zgjidhur cështjen e regjistrimit të popullsisë.  
A kemi të drejtë të shqetësohemi nga regjistrimi i popullsisë sot?
Po. Pa asnjë dyshim.
Sepse me të drejtë, numri i minoriteteve mund të na dalë më i madh se ç'është dhe në vazhdim të kësaj, mund të na ndodhë pas disa vitesh, kur t'i kërkojmë Europës integrimin e plotë, për shkak të vendimmarrjes me unanimitet të saj, në procedurat e anëtarësimit, ndoshta Greqia do të vërë veton e saj, me kusht autonominë e jugut të vendit. Sikurse po vepron me Maqedoninë fqinje.
Ndjenjat tona janë tashmë prekur. Dhe siç ndodh rëndom, ne kemi tashmë vendosur kush do të jetë heroi ynë i radhës. Dhe kush do të jenë tradhtarët gjithashtu. Ai që sakrifikon gjithçka për kombin dhe ata që e shesin atë.

S'ka gjë, s'ka gjë se po shkelen një numër parimesh, të cilat përbëjnë thelbin e sistemit demokratik. S'ka gjë, s'ka gjë, se drejtësia jonë është ajo që është dhe ne, përveç të tjerave, jemi larg Europës edhe për këtë. S'ka problem, aspak pse për Gërdecin nuk do të ketë drejtësi. Dhe me sa duket, as për 21 janarin. A mos vallë i harruam që tani?
Sigurisht. Sigurisht, gjithashtu, as që ja vlen të kthesh kokën, kur qytetarët e këtij vendi nuk kanë më besim tek një drejtësi e pavarur, e paanshme, efektive dhe transparente.

Por, përse nuk kemi një drejtësi siç duhet? A nuk kemi në krye të saj, njerëz që për kombin sakrifikojnë edhe veten? Ku janë ata?
Tani s'ka kohë për këtë, do të thotë dikush. Një rrezik më i madh se një drejtësi e kalbur po i drejtohet kombit tonë.
Kush mendon ndryshe e ka gabim ose nuk e do vendin. Si gjithmonë, s'ka kurrë kohë të ndalemi e të protestojmë për këtë drejtësi që kemi. Ndjenjat tona nuk i prek mungesa e saj.
Në fakt, një drejtësi e kalbur i sjell një shoqërie dhe një populli situata si kjo që ne po jetojmë çdo ditë. Një drejtësi e kalbur dhe e bërë njësh me politikën, nuk mundet kurrë të luajë një nga rolet më thelbësore për të cilin ekziston në një sistem demokratik: të kontrollojë pushtetin politik.


Ku është fshehur kjo lloj drejtësie? Kush po e kontrollon këtë pushtet, dje dhe sot? Pse ka heshtur ajo? Pse s'ka funksionuar, gjatë gjithë këtyre viteve? Çfarë e ka penguar? Përse duhet të vinte çështja e regjistrimit për të kuptuar se çpo ndodh në gjykatat tona?
Me drejtësinë tonë?
Puna e heshtur dhe profesionale e të cilës do të duhej të ishte shpëtimtari ynë, shumë e shumë herë më tepër se konferencat, mitingjet dhe debatet televizive. "Sakrificat" e drejtuesve të saj do të duhet të ishin të një natyre tjetër.
Jo në retorika gjithë "zjarrmi", në studio luksoze të televizioneve modernë, por në sallat e "ftohta", të pavarura, të paanshme e gjithë dinjitet të drejtësisë së vendit. Dhe mos harrojmë: pa zhurma patriotike, pa intervista që të ngjethin mishin, pa bujë e pa gazetarë, njëzet vjet më parë, në vendin me të cilin na ndajnë vetëm 40 milje, një tjetër jurist i madh me emrin Di Pietro, në salla të tilla të mbyllura, ndërronte republikat e një vendi. Disa të tjerëve iu dëgjuam emrin vetëm pasi u masakruan.
Kjo drejtësi nuk lind papritmas. Atëherë, kur se pret njeri dhe për më tepër, jashtë sallave të saj. Është një drejtësi që lind nga qytetari, nga arsyeja dhe kultura demokratike dhe jo ndjenjat që aq lehtësisht provokohen. Kjo drejtësi mban shtetin në këmbë.
Drejtuesit e saj, nuk kanë nevojë të dalin në shesh e ti vënë gishtin shtetit fqinj apo qarqeve të tij nacionaliste, që dihet që s'do rreshtin asnjë çast të vetëm së provokuari. Aq më tepër të dalin e të flasin për Europën e Bashkuar dhe miqtë e tjerë të këtij vendi duke rrezikuar, përhapjen e një sentimenti të vjetër ndaj kontinentit, të cilin shqiptarët duhet ta harrojnë.  
Askush në Europën e Bashkuar ka thënë apo nënkuptuar se rruga e Shqipërisë dhe Kosovës kalon nga Athina apo Beogradi.
Asnjë drejtues drejtësie nuk ka të drejtë të dalë e të përhapë në eter ide se mosdhënia e statusit të kandidatit Shqipërisë, janë arsye krejt të tjera nga ajo që dimë të gjithë dhe gjendet e shkruar në raportin e BE-së, midis të cilëve një krizë e pashembullt politike dhe një drejtësi e kalbur qëndrojnë në të njëjtin nivel.
Nxitja e ndjenjave në këtë drejtim shkon veç në të kundërt të interesave tona kombëtare. Vetëm një drejtësi e vërtetë e guximshme e pavarur nga politika shpeton Shqipërinë tonë nga situata të tilla që prodhohen nga politikanë që janë të gatshëm të shesin çdo gjë për pak pushtet.
Askush nuk na e bën Shqipërinë tonë më të vogël. Vetëm ne mund ta zvogëlojmë atë.
Ne "burat" e këtij vendi të lashtë e gjithë histori, që bëhemi "burra", vetëm kur "veza" mbërrin, ngadalë-ngadalë drejt daljes.
Ne burat, që se pyetëm kurrë veten, kur shëllohemi, lyer e zhgërruer me gjithfarëlloj vajrash, nën diellin e jugut tonë, me se jetojnë ata njerëz? Me se mbahen?
Përse burat e këtij vendi kërrusen dhe lëpihen para punonjeseve të gjendjeve civile të atyre zonave për të ndryshuar emra e sorrollop?
Ne burat që edhe sot e kësaj dite, nuk na bën përshtypje përse drejtuesit e drejtësisë edhe pse kanë dalë tashmë nga "toga e zezë", kanë guximin e madh ti vënë gishtin tradhtisë e nuk kanë forcën të deklarojnë fajtorin. Sepse ky ligj i gjendjes civile, ka një fajtor. Siç ka një fajtor edhe formulari i regjistrimit i cili, në një Shqipëri të ndryshme nga kjo e sotmja, s'do të kish kurrfarë problemi.
Kjo luftë patriotike, këto ndjenjat tona na trondisin dhe ngrenë në këmbë me të drejtë. Por ato nuk duhet të na errësojnë deri në atë farë feje sa të mos kuptojmë se sot Shqipërisë sonë, Shqipërisë sonë Europiane nuk i duhen heronj të papritur tribunash pas ngjarjesh të rënda, kur po u vjen fundi. I duhen heronj në zyrat që u janë besuar.
Përveç votës sonë, drejtësia është mjeti i fundit që na mbron nga abuzimi gjithfarësh me pushtetin. Nga djersa jonë, në një jetë tmerrësisht të vështirë, ne u "heqim bukën" fëmijëve tanë për të paguar rrogat e majme një numri të madh njerëzish, që të jenë patriotë në vendin e tyre të punës, aty ku militojnë ata.
Dhe të jemi të sigurtë, nëse gjithkush do të punonte si patriot, gjithmonë, gjithë kohës, aty ku i është besuar, ngjarje të tilla nuk ndodhin. Dhe ngjarje të tilla, ligje të tillë, formularë të tillë, ata që i konceptuan dhe miratuan më shumë se përballjen në debate dhe intervista gjithë bujë, meritojnë përballjen e ftohtë, të heshtur, të pavarur, të paanshme, pa pasion me togat e zeza.
Historia duhet të na ketë mësuar besoj.
Se kur ngjarjet e rënda që na bien mbi shpatulla, fillojnë e bëhen objekte vetëm të deklaratave apo intervistave patriotike, si pa kuptuar, nën furinë e ndjenjave që na nxisin dhe prodhojnë ato, truri ynë i heshtur, harron më pas, ngadalë-ngadalë, se rezultati nuk vjen e se drejtësia nuk jepet, gjithashtu.
Jo rrallë, historia jonë na ka mësuar se zhurma të tilla, bëhen pikërisht për këtë. Për të mbuluar zullumin dhe për të fshehur fajtorët e vërtetë. A do të ndodhë kështu edhe kësaj radhe?
Le të shpresojmë që jo.
Regjistrimi kështu, me këtë formular ndoshta do të ndalet e do të bëhet me standarde objektive. Po kështu, ndoshta Gjykata Kushtetuese do ta shpallë si antikushtetues, ligjin apo nenin në fjalë.


Po më pas?
Më pas çdo të bëhet? A do të kemi fajtorë për këtë? A kemi shpëtuar nga ngjarje të tilla? A do ta lëmë "fertil, barkun" që e polli këtë situatë të shëmtuar? A do të funksionojë drejtësia?
Apo do të vazhdojmë, të vetëkënaqur, të shëllehemi në brigjet e mrekullueshme të jugut, duke tretur vështrimin "larg", të ngazëllyer për gjetjen e heroit të radhës dhe të "tradhtarëve" gjithashtu.
Duke harruar ashtu, nën diellin verbonjës, se ngjarje të tilla vijnë se s'kemi heronj në zyrat e këtij shteti. Ngjarje që do të vazhdojnë të vijnë, pikërisht për këtë, ashtu ngadalë-ngadalë, gjithmonë, sic vijnë vaporët e mëdhenj, një pas një, në Vlorën apo Sarandën tonë, mbushur me turistë të zhurmshëm e gjithë hare.

Igli Totozani, Shekulli

No comments: