Wednesday, March 9, 2011

Gjuha shqipe ka gjetur sekretin e mbijetesës

Intervistë me Moikom Zeqon
1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Ç’është ekzistenca? Nëse zoti e krijoi botën, po zotin kush e krijoi? A ka një paraekzistencë? Miti i shkakut të parë është teologjik. Idea shkencore e infinitit e përjashton idenë e zotit.
2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
Potencialisht e mrekullueshme. E vetmuar, pa një familje gjuhësh, e rrezikuar, por edhe me sekretin e mbijetesës.
3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
Doktrina manikeiste, e grafikiste, puriste, bardhë e zi, të mirë ose të këqinj, është dogmë e dështuar për njerëzit, një formë e “paracaktimit”, “predisponimit” mekanik, kalvinist etj.
4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
George Orwell-i do të vriste vehten po të shihte një spektakël të tillë me nocionin e Big Brother-it të shpikur prej tij, por të tjetërsuar. Jam me Orwell-in.
5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Është legjenda historike e një realiteti plural, që nuk u ngrit asnjëherë mbi realitetin e njësuar etno-kulturor, po nuk është përjetësisht status-quo, nëse politizohen fetë, ose fetarizohen politikat.
6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Një unitet në diversitet, që është e njëjta gjë si diversiteti në unitet. Padyshim i njëjti komb, e njëjta gjuhë, e njëjta kulturë. Është marrëzi ta konceptosh ndryshe.
7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
Djali im, Epidamni.
8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Nuk ka patur kurrë vrasje për arësye shtetërore, por për arësye të pushtetarëve, që vetindentifikohen me shtetin. Meqenëse edhe shteti demokratik është formë e shtetit, në përgjithësi mund ta manipulojë prej pushtetarëve togfjalëshin antijuridik me ndryshimin leksikor si “për arësye demokratike “.
9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Projektin mendor, emancipues të një revolucioni demokratik, shumë më të rëndësishëm dhe modern se sa duket në vështrim të parë dhe ndoshta edhe një profilaksi dhe shmangie elegante të komunizmit shtetëror. Një realitet demokratik në 1924 do të qe më i gjallë, më manovrues, më rezistues, më i sukseshëm, për të shmangur strukturën totalitare 20 vjet më pas.
10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
Antifashizmi botëror është një shpikje dhe kulturë e re moderne e shekullit XX. Shqiptarët qenë pjesëmarës dinjitozë në këtë antifashizëm, krahas aleatëve të mëdhenj, përherë të parë në histori. Ky është thelbi i thelbeve. Matrica e këtij antifashizmi shërbeu konceptualisht edhe në çlirimin e Kosovës në 1999.
11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Zhdukja e analfabetizmit, arësimi në të gjitha nivelet, kultura e shkencave ekzakte politeknike, institucionalizimi i bujqësisë, industrisë, minierave, transportit hekurudhor, detar, i naftës, i hidrocentraleve, shëndetësia etj
12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
Babai im, luftëtar antifashist, vdiq 40 vjeç nga dy plagë të luftës. Do të isha padyshim me partizanët.
13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
Është fundi i turpshëm dhe i kuptueshëm i një fillimi, jo një fragment i rastësishëm, por konceptimi personalist i një të tëre, i deformimit të republikanizmit në monarkizëm jashtë kohe, i klientelizmit politik dhe ekonomik, ndonëse ka kronologjinë e tij në historinë e shtetit shqiptar.
14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
Pse? Për kuriozitet? E kam lexuar para shumë vitesh. Kush dëshiron nuk e ndalon askush ta lexojë në të gjitha gjuhët e përkthyera, ndoshta edhe në shqip. Është doktrina më mediokre dhe social-raciste, një ligjërim patologjik dhe mesianik, që i kushtoi frikshëm historisë botërore.
15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Është nobelisti amerikan Elia Wizel, prej tij ruaj dhe një letër autograf me dorën e tij. Kam fotografi edhe me shkrimtarë botërorë si Iv Bonfua, Tomas Trantremer, Sanguinetin, Jashar Kemalin etj. Po Wizel është për mua më i veçantë, i mbijetuari nga holokausti i Aushvicit, autor i shumë librave tronditës dhe përkrahës i madh i lirisë së Kosovës në 1999. E kam takuar në Stokholm në 2002.
16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Reaksioni rebelues popullor ndaj një (para)politike antipopullore, që nuk duhet të përsëritet. Natyrisht që është diçka më e ndërlikuar.
17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
Di që jeta ime nuk do të më dhimbsej fare po të kërcënohej jeta e të dashurve të mi. Nuk do të kursehesha. Pa patetikë, por seriozisht dhe pa asnjë mëdyshje.
18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Cili nga popujt e Europës është europian me titull të plotë?
Të jesh europian është një titull konvencional, ose më saktë subjekt i një qytetërimi sinkretik i disa qytetërimeve të mëdha të historisë. Edhe shqiptarët janë një subjekt i tillë padyshim, pavarësisht disa kuotave. Konceptualisht.
19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
Atë të zbritjes së njeriut të parë me raketë kozmike në sipërfaqen e Hënës, me kushtin surreal që të udhëtoja së bashku me një kozmonaut të vjetër, që quhet Homer, kuptohet kozmonaut i fjalës.
20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
Me Onufrin, nëse do të ishte në një tryezë duke pirë verë me Jan Husin, Gjergj Kastriotin, Buzukun, Pjetër Bodganin, Jonathan Swiftin, De Radën, Ezra Paund-in dhe Migjenin.
21: Cili është libri që po lexoni?
Janë disa libra njëherësh, më saktë romane të Jonathan Franzen, Roberto Bolanos, Paschal Quinard dhe Florian Zeller, etj etj etj.
22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
Spanja, gjuha e saj, e Servantesit, e romanit më të madh të të gjitha kohërave “Don Kishotit“, që është edhe gjuha e Jorge Luis Borgesit, e piktorëve kozmogonikë të metaforave, e pasioneve titanike mesdhetare, e shpirtit të përbotshëm të dashurisë tragjike, e filozofëve kinse të harruar andaluzianë të mrekullueshëm që iluminuan mesjetën europiane.
23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
As nuk dua ta mendoj këtë gjë.
24. Keni frikë nga vdekja?
E pashmangëshmja nuk të frikëson, të qetëson, të bën të vetëdijshëm për kuptimshmërinë e jetës, të mëncuron, pra vdekja është një Magister Vitae.
25. Ç’është Atdheu?
Jo thjesht një postulat gjeografik dhe biologjik. Është gjithçka, nëse tek matrica e tij koncentron mikrokozmosin dhe makrokozmosin, pra për të mos limituar asnjëherë universalen.

*respublica.al

1 comment:

Kantor said...

njatjeta, jam nji injorant qe po lexoj me qejf ket faqen tuaj: çuditem si nuk paska komente: intervista mes Muçit dhe Moikomit asht tipike per dy komunista te vjeter, por me djeg çka thote Moikomi per 1997-n: Reaksion... popullor thote, por asht fjala reaksion qe e tradhton: shpreh natyren e vertete te atij reaksioni qe mblodhi mbare reaksionaret e vendit nen flamurin e permbysjes... '97 ishte viti pa ide, preludi i pornokracise se sotme