Wednesday, March 9, 2011

Elbasan, historia e dashurisë që u bë legjendë

Mali i Vashës
Arif Cani 72 vjeç tregon historinë e Malit të Vashës së trashëguar brez pas brezi nga familja duke përcjellë edhe mesazhin e dashurisë së madhe që ka ekzistuar mes një çifti të rinjsh edhe pse ishin bijë beu dhe biri i një fshatari të varfër. “Ndoshta ishte e shkruar nga Zoti që një bujk, biri i një fshatari të varfër nga Griqani i Labinotit Fushë të binte në dashuri me vajzën e beut të kësaj ane. Fjala kishte marrë dhenë, se djali i pashëm i bujkut të varfër ishte dashuruar me vajzën e bukur e të pasur të një beu të madh të një ane tjetër po në Labinot Fushë, ku edhe është zhvilluar kjo ngjarje. Zilija bënte punën e vet dhe gojë pas goje një ditë fjala arriti në veshin e beut. I turfulluar dhe me inat në kokë beu i xhindosur kërkonte të bënte gjëmën. Dërgoi sejmenë dhe shërbëtorë që t`ia sillnin djalin, të dashurin e vajzës së tij para sysh. Ndërkohë që vajzës ia kishte zhuritur shpirtin me fjalët se nuk do ta lejonte kurrë një martesë që do ta turpëronte për jetë. Dha e mori, por nuk e nënshtroi vajzën e tij. Ajo me krenari rinore u betua para Zotit dhe para të atit të saj se nuk donte njeri tjetër në këtë jetë, veç djalit që i kishte fituar zemrën.

Fshati i tërë fliste për këtë dashuri të pazakontë, por të bukur, të padëgjuar, por të veçantë, që djali i një bujku të varfër të arrinte të donte vajzën e vetme e të pasur të beut të madh. Dhe ndodhi një çudi. Krenar dhe i mbushur me dinjitet djaloshar, biri i një familjeje të thjeshtë, por të pasur në dinjitet e në shpirt u paraqit pa iu dridhur syri beut në fjalë. Njerëzit e morën vesh, se haberi kishte marrë dhenë.  
Edhe pse me inat të sojit të tij, beu pranoi t`ia jepte vajzën këtij djali, por duke i kërkuar një kusht, që ai me vajzën në krah t`i ngjitej malit përpjetë deri në majë.
Ishte një mal me një të përpjetë të madhe, por që djali e kishte ngjitur me dhjetëra herë dhe s'ia bënte syri tërr. Gjithçka u pranua dhe ashtu u bë. Të dy të dashuruarit u përqafuan faqe njerëzisë dhe, duke e marrë në krah, djali i mirë nisi betejën e kërkuar, duke marrë në krah vajzën që donte. Rruga nuk ishte e gjatë, por e thyera e malit ishte e hidhur. Dihatja e frymëmarrjes së vështirë nga pesha nuk e shqetësonte djaloshin që si me magji kishte realizuar ëndrrën e tij. Po ashtu dhe vajza e këndshme ia përkëdhelte dihatjen me fjalët e ëmbla që i fliste herë pas here. Kështu ngjitja për në majë po realizohej, siç dëshironte. Këtë çudi po e vështronin me kureshtje dhe ankth shumë banorë të fshatit Labinot Fushë, duke pritur se çfarë do të ndodhte. Vetëm kur ata të ishin në krye të malit që tashmë, sot e kësaj dite, mban emrin “Mali i Vashës”, do të kurorëzohej tërësisht një dashuri, edhe pse e pabarabartë në kushtet e jetës shqiptare. Por rruga drejt majës po bëhej e vështirë. Tashmë lodhja po bënte punën e vet. Zemra e djalit rrihte e rrihte pa pushim, si një maratonomak. “Edhe pak, edhe pak”, i fliste vajza në vesh dhe djali e dëgjonte sikur t`i flisnin zanat e malit të Çermenikës, të cilat djali i ëndërronte tek vajza që dashuronte. Vajza ia dëgjonte edhe rrahjet e zemrës, ajo e ndjente edhe gjakun që i vërshonte, ashtu siç edhe shikonte engjëllin e saj që lumturohej me të në krah.
Fundi erdhi. Djali e arriti majën, gëzimi për të u bë i pamatë. Pikërisht në këtë kohë ndodhi edhe tragjedia. Ai u shemb përdhe, sepse zemra i plasi duke vulosur një tragjedi.
Ndërkohë vajza kujtonte se ai u shtri prej gëzimit, por shpejt kuptoi se një dashuri e bukur dhe e dëshiruar pafundësisht kishte marrë fund. Hidhërimi përshkoi tërë qenien e saj. Një britmë e madhe oshtiu në të gjithë luginën, duke çarë malet tejpërtej. Atë e dëgjuan të gjithë ata që për disa orë po ndiqnin me sy një nga ngjarjet e rralla të kësaj ane. Dhe vajza me zemër të thyer, me shpirt të përvëluar, me mendje të vrarë, hipën mbi shkëmb dhe si një zog i bukur mali hidhet që andej, vrik e përposhtë për të vdekur dhe ajo bashkë me të dashurin e saj.

Ishte një tragjedi që kish brenda dashuri. Të gjithë panë fundin e një dashurie të pakurorëzuar. Edhe beu i egër derdhi lot, jo vetëm për vajzën e tij, ndaj dhe kërkoi që të dy, si vajza dhe djali të varroseshin bashkë nën hijen e një rrapi, pikërisht atje në rrëzën e malit qe tashmë mban emrin “Mali i Vashës”.  

Sa herë që udhëtarët kalojnë përgjatë rrugës që shikohet me Malin e Vashës, të gjithë flasin dhe kërkojnë të dinë përse e ka emrin të tillë, por pa ditur se është historia e dy të dashuruarve përjetësisht.



LEDIA LLESHI, G. Metropol

No comments: