Wednesday, March 9, 2011

Gjermani, kosovari nga Mitrovica vret 2 ushtarë amerikanë

Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për medie rreth rastit tragjik të ndodhur të mërkurën në Frankfurt të Gjermanisë, është shprehur jashtëzakonisht e prekur dhe ka dënuar ashpër vrasjen e dy qytetarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve nga një qytetar me prejardhje nga Kosova.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i shpreh ngushëllimet më të thella popullit amerikan, qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ushtrisë amerikane dhe familjarëve të viktimave”, thuhet në reagim.
Ky rast makabër, sipas Qeverisë së Kosovës, është një akt individual kundër vlerave civilizuese dhe kundër traditës së popullit të Kosovës, “që gjithmonë dhe përjetësisht do të jenë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit amerikan dhe qeverisë së SHBA-ve për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë popullit të Kosovës gjatë procesit të lirisë, pavarësisë dhe tani zhvillimit dhe integrimit të Kosovës”.
***
Një kosovar 21 vjeçar ka sulmuar një autobus ushtarak amerikan në Frankfurt të Gjermanisë duke lënë dy persona të vdekur.
Mediat kanë cituar ministrin e Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi të thotë se kosovari quhej Arif Uka dhe ishte nga Mitrovica. Ndërkohë dy nga personat e sulmuar janë të plagosur në gjendje të rëndë. Mediat gjermane raportojnë se djaloshi ka hyrë në autobus duke bërtitur parulla islamike dhe ka hapur zjarr. Nga plumbat e tij ka gjetur vdekjen shoferi i autobusit dhe një ushtar.  
Kosovari ka dalë nga autobusi, por është arrestuar disa minuta më vonë nga policia. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.20 minuta. Mediat gjermane thonë se deri më tani mendohet se ai ka vepruar i vetëm.

G. Tema

No comments: