Wednesday, March 2, 2011

Intervistë me Federik Pistono – koordinator i Lëvizjes Zeitgeist Italia

Ripërcaktimi i Kulturës dhe i Shpirtit të Kohës
Arkitektura kulturore e shoqërisë së sotme është kthyer në mënyrë paradoksale në atë të një shoqërie të sëmurë e të shformuar deri në vlerat e saj etike më intime.  
Çekuilibri në të cilin jemi zhytur – qoftë në nivel individual ashtu edhe kolektiv – përceptohet në garën për të kapur dhe kontrolluar përfitimin ekonomik, në krijimin e konkurrencës për të krijuar skarcitet burimesh dhe shtresëzimin e shoqërisë. Por në Teoritë e Sistemeve të avancuara, Kultura është kyçi i ndërveprimit në të cilën e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e shoqërisë gjen arsye për të egzistuar, për të bashkëvepruar dhe për të patur një vazhdimësi.

Prej një kohe të gjatë, Kultura, ka luajtur vetëm rolin e nje faktori botëformues të një mase homogjene mendimi. Në shumë raste, politika ka përvetsuar ekuivalencën e zakonshme të “Kulturës” duke e përdorur atë banalisht dhe në mënyre instrumentalizuese: si rrjedhojë ajo ka ndjekur një cilësi të reduktuar të diskursit civil, politik, ndër-gjeneracional, të sensit kritik të rinisë dhe të ardhmërisë së gjeneratave të reja. Nëse sot, gabimisht, koncepti i “Kulturës” është i lidhur me atë të “Biznesit” ashtu si ai i “Kapitalit” i është bashkangjitur atij “Njerëzor”, ndoshta fëmijët tanë nuk do të kenë në drejtim të Kulturës, të Njeriut dhe Jetës, të njëjtën ide dhe respekt që ne ruajmë ende. Me Lëvizjen Zeitgeist duam ti ri-japim Kulturës atë vlerë ideale – përtej tundimeve njerzore – të ciles i përkiste fillimisht.

Brunilda Ternova: Federik, më lejo të filloj këtë intervistë me një pyetje të thjeshtë: Çfarë është Lëvizja Zeitgeist, si ka lindur dhe si është zhvilluar?
Federik Pistono: Lëvizja është themeluar në vitin 2009 nga regjizori amerikan Peter Joseph, me daljen e filmit ‘Zeitgeist Addendum’, dhe shumë shpejt mori përmasa ndërkombëtare. Kjo është një lëvizje sociale, jo-fitimprurëse që kërkon një ndryshim vlerash në një shkallë globale. Qëllimi është ngritja e Shpirtit të Kohës (gjer. Zeitgeist), pra e shpirtit kulturor të shoqërisë, në një nivel më human e të shëndetshëm, të bazuar në burimet e planetit, në njohuritë tona shkencore dhe teknologjike, në çlirimin e njerzve – me qëllim që të kuptojnë përfundimisht potencialin e tyre duke respektuar natyrën.
Brenda harkut kohor të një viti, Lëvizja ka arritur të kapë gjysëm milion anëtarë në mbarë botën, ka prodhuar dy filma, ka publikuar libra të ndryshëm, ka qindra grupe aktivistësh të shpërndare në 100 vende të botës që përkthejnë materiale në më shumë se 30 gjuhë, ka organizuar konferenca, shfaqje, diskutime, podcast, artikuj, muzikë, art, etj. Të gjitha këto të realizuara dhe të shpërndara falas nga vullnetarët në internet nëpërmjet Creative Commons. Egziston një projekt i quajtur ‘Zeitgeist Media Project’ – dedikuar artistëve të cilët krijojnë në ambiente 3D qytetet e së ardhmes, pjesë muzikore, piktura, video origjinale e remix, shkrime, etj.
Brunilda Ternova: Peter Joseph – përveçse është themelues i Lëvizjes Zeitgeist – ka shkruar,  drejtuar, prodhuar, dhe realizuar tre dokumentarë të rëndësishëm:Zeitgeist The Movie’ në vitin 2007, Zeitgeist Addendum në 2008 e Zeitgeist Moving Forward në 2011. A mund ti shpjegojmë lexuesit shqiptar se çfarë tematikash trajtojnë këta dokumentarë?

Federik Pistono: Fillimisht, Zeitgeist The Movie, nuk ishte një dokumentar, por ishte pjesë e një shfaqeje multimediale vaudeviliane (zhanër teatral) me muzikë, instrumenta dhe video drejtëpersedrejti. Shfaqja u dha për 6 netë rresht në Nju Jork e pastaj u publikua në internet. Ky realizim nuk u konceptua si një dokumentar në kuptimin tradicional, por si një shprehje krijuese, provokuese dhe emocionalisht stimuluese, me përmbajtje artistike të stilizuar. Megjithatë, pasi u publikua në internet, filloi të ngjallë një interes të madh e të papritur e në pak muaj arriti në më shumë se 100 milion shikues. Papritmas shfaqja “Zeitgeist” u kthye në “Zeitgeist The Movie”, dokumentari më i shikuar në historinë e internetit.  Ndërkohë, Jacque Fresco vihet në kontakt me Peter Joseph, dhe i shprehet këtij të fundit pak a shumë kështu: “Shumë interesante, por nuk ke bërë gjë tjetër veçse ke nxjerrë në dritë probleme. Më sakt, a je i interesuar në gjetjen e zgjidhjeve të tyre?”.
Nëpërmjet Zeitgeist Addendum’ lind idea e një shoqërie me të vërtetë të qëndrueshme nëpërmjet përdorimit të mençur të shkencës dhe ndryshimit të vlerave në shkallë të gjërë. Në këtë mënyrë u krijua një lëvizje globale paqësore, racionale, njerzore dhe e pandalshme. Dokumentarët Zeitgeist, pavarësisht se ishin një frymëzim për Lëvizjen – me të cilën ndan të njejtin emer -, nuk duhet të ngatërrohen me përmbajtjen dhe vizionet e kësaj të fundit e cila është në thelb një lëvizje shoqëroro-sociale. Edhe pse dokumentarët janë gjithmon e më shumë duke lëvizur në drejtim të promovimit të Lëvizjes, ata mbeten akoma një analizë intelektualo – artistike.
Dokumentari ‘Zeitgeist Moving Forward’ është një punim dokumentues i plotë që përshkruan nevojën për një tranzicion përtej modelit të tanishëm që qeveris shoqërinë monetare botërore. Në dokumentar, morën pjesë ekspertë në fushën e shëndetit publik, antropologjisë, neurobiologjisë, ekonomisë, energjisë, teknologjisë, shkencave sociale e të fushave të tjera të rëndësishme që ndikojnë në funksionimin e shoqërisë dhe kulturës. Temat kryesore kanë të bëjnë me sjelljen njerzore, ekonominë monetare dhe shkencat e aplikuara. Nëse i gërshetojmë këto tematika, kemi krijuar një model për të kuptuar paradigmën e tanishme sociale dhe arsyet e rëndësishme, pse duhet që të dalim jashtë saj. Aplikimi i një përqasje të re sociale praktike, të bazuar në njohuritë e përparuara, do të zgjidhte problemet e rënda sociale me të cilat ballafaqohet bota sot.

Brunilda Ternova: Në dokumentarin Zeitgeist Addendum’, një pjesë të mirë e zë Projekti Venus (ang. Venus Project), krijuar nga inxhinieri social dhe projektuesi industrial, Jacque Fresco. Çfarë pozicioni ka Projekti Venus brenda Lëvizjes?

Federik Pistono: Propozimet e Lëvizjes Zeitgeist çojnë në mënyrë të paevitueshme drejt realizimit të asaj që synon Projekti Venus, ose më saktë drejt një Ekonomie të Bazuar në Burime (ang. Resource Based Economy) në shkallë globale. Projekti Venus përkrah ndryshimin dhe dallimet në mes njerëzve, duke e identifikuar shoqërinë si një organizëm në zhvillim dhe si një sistem emergjent që duhet të përshtatet. I vetmi model ekonomik që mund të ketë sukses në çdo qytetërim duhet të jetë i bazuar në menaxhimin dhe ruajtjen e burimeve, dhe jo tek paratë. Sistemi aktual i tregut nuk është i bazuar në menaxhimin inteligjent të burimeve të kufizuara të planetit, por në shfrytëzimin dhe përdorimin e vazhdueshëm të tyre për arsye përfitimi. Rritje e pafundme dhe burime të kufizuara: herët a vonë, njërës ose tjetrës detyrimisht do ti vijë fundi. Lëvizja Zeitgeist, është për nga vet përkufizimi i saj Jo-Utopike, ndërsa bindja, se sistemi aktual i tregut të bazuar tek përfitimi mund të ketë një jetë të gjatë, është shumë më utopike. E vetmja mënyrë realiste për të ecur përpara është rritja e kulturës dhe edukimi i njerëzve, dhe është pikërisht kjo gjë që ne si Lëvizje po bëjmë. Ajo që ka rëndësi është se po ndryshojmë kulturën dhe vlerat tona për t’i bërë ato më njerëzore dhe të qëndrueshme.

Brunilda Ternova: Cilat janë aspektet efektive të metodave dhe modeleve të reja të edukimit dhe si mendon se ka për të ndryshuar bota në vitet e ardhshme?

Federik Pistono: Mendoj se ne kemi dy mundësi.
Mundësia Zero: duke vazhduar gabimisht në situatën e tanishme. Nga studimi i së kaluarës mund të themi se ka për të egzistuar një oligopol korporatash që do kontrollojnë gjithshka: do të kenë kontrollin e patentave mbi idetë, mbi shpikjet, mbi teknologjitë, mbi mjekësinë dhe mbi vetë Jetën. Teknologjia do të rritet në një shkallë të tillë që njeriu mesatar nuk do të jetë në gjendje të kuptojë se çfarë po ndodh. Hendeku midis zhvillimit teknologjik dhe kulturës së përgjithshme të njerzve, do të rritet në mënyrë dramatike, duke na bërë të pafuqishëm për të ndikuar mbi ngjarjet në botë. Brenda 20 vjetëve, do të kemi mikroçipa të madhësisë së një qelize, nanoteknologji të avancuara dhe aftësi për të ndryshuar materjen në nivel molekular. Problemi është: Kush e kontrollon këtë teknologji? Një pjesë e vogël korporatash multinacionale dhe ushtarakësh, qëllimi i të cilëve është fitimi? Në shkencën e mirë të gjitha njohuritë janë të përdorura bashkarisht, në të kundërt, ajo është një shkencë e keqe, është një lloj tiranie. Pushteti i centralizuar, burimet e shkatërruara, mendjet e dëmtuara, çdo gjë e diktuar nga llogjika e fitimit dhe mungesa e perspektivës për atë që është me të vërtetë e rëndësishme. Së fundi, rrezikojmë zhdukjen e mundshme të rraces njerzore nga paaftësia për të jetuar në ekuilibër dinamik me mjedisin. Kjo mundësi nuk ështe aspak joshëse.
Mundësia numër një: duhet të fillojmë një proces evolucioni kulturor të përshtatshëm për njohuritë teknologjike. Duhet të aplikojmë metoda shkencore e të braktisim gradualisht bestynitë dhe dogmat paralizuese, duhet të riformojmë aktivitetet tona në bazë të asaj që planeti mund të ofrojë e jo në bazë të asaj që ne duam të marrim. Të gjitha njohuritë janë të përbashkëta, çdo gjë është transparente, të gjithë kanë të drejtë të kenë qasje në burimet e informacionit: open source, përqasje ndaj njohurive falas, njerëz të informuar, burime të bollshme, planet të shëndetshëm, edukim i cilësisë së lartë, standarte të larta jetese për të gjithë pa përjashtim. Fizikisht është e pamundur të parandalosh luftrat, terrorizmin, krimet, nëse nuk ndryshohen kushtet që i gjenerojnë ato. Personalisht jam optimist për të ardhmen. Së pari, sepse nuk shoh mundësi të tjera; së dyti, për sa më takon, e vetmja mundësi e vlefshme është ajo numër një. Jam optimist, për shkak se ruaj në kujtesë gjithshka që më rrethon si dhe ndryshimet sociale që kanë ndodhur.
Brunilda Ternova: Konkretisht, në ç’mënyrë realizohet integrimi midis teknologjisë dhe didaktikës?

Federik Pistono: Le të bëjmë një hap prapa në kohë. Paramendoni se unë kthehem tek profesori im i ekonomisë, një anglez, Simon Foley, 8 vjet më parë, duke i thënë: “Profesor, kam një ide të jashtëzakonshme për një model të ri ekonomik. Funksionon në këtë mënyrë: njerëzit në mbarë botën që kryejnë një punë të kualifikuar, janë të gatshëm ta kryejnë falas dhe vullnetarisht, 20 ose 30 orë në javë. Krijimet e tyre ja dhurojnë botës, në vend që ti shesin. Do të jetë një gjë që do të ketë sukses!” Profesori do më kishte vështruar me skepticizëm e do të kishte menduar se unë isha një i çmendur.
E megjithatë, sot ne kemi sisteme operative falas si Linux, Apache e BSD (angl. Berkeley Software Distribution) me të cilët punojnë shumica e server-ave në botë; Wikipedia është enciklopedia më e madhe në historinë njerëzore – madje më skrupoloze se enciklopedia britanike dhe Microsoft Encarta – gjithmon e azhornuar dhe e shkruar në qindra gjuhë. Pse gjithë këta njerëz, shumë të aftë dhe të përgatitur teknikisht, janë duke kryer një gjë të tillë? Këta njerëz që kanë një punë të tyren – dhe janë punë të sofistikuara e teknike -, gjatë kohës së tyre të lirë kryejnë një aktivitet të dytë – akoma edhe më të vështirë dhe të sofistikuar – jo për klientët e tyre ose për përfitim, por për të tjerët dhe për më shumë, falas! Kjo është një sjellje kulturore dhe ekonomike e veçantë por novatore. Gjithshka shpërndahet falas nga vullnetarët dhe është e gatëshme në internet.
Atëherë, ajo bindja e vjetër që njerëzit punojnë vetëm për fitimin, dhe se pa një nxitje ekonomike askush nuk kryen asgjë, ndoshta nuk është e vërtetë. ?shtë e vështirë të shkëputesh nga bindjet e vjetra me të cilat jemi mësuar, sepse jemi të burgosur nga mendimi praktik. Nuk është e lehtë të dallosh  diçka të cilën e konsiderojmë të dhëne, dhe arsyeja është pikërisht se e konsiderojmë të tillë. Jemi mësuar gabimisht të besojmë se jeta ka kuptim vetëm kur ke një punë dhe dhe kur fiton para, që disa njerëz lindin të këqinj ose konkurrues, dhe se është në natyrën e njeriut lufta ndër mes veti.
Unë mendoj se nuk është e vërtetë, dhe këtë e them edhe për shkak të studimeve të fundit shkencore të cilat nxjerrin të njëjtin përfundim. Në trurin tonë kemi neuronet-pasqyrë dhe ne përjetojmë emocione dhe stres empatik në përgjigje të asaj që shohim tek të tjerët. Kjo është pjesë e biologjisë sonë. Jemi të programuar nga seleksionimi natyror të jemi empatik, bashkëpunues, kurioz dhe jo konkurrues, shkatërrues dhe dembel. Por thjesht e kemi harruar. Duhet të zgjerojmë ndjenjën tonë të identitetit, duke e shtrirë tek të gjithë njerëzit dhe krijesat e tjera – që janë pjesë e familjes sonë evolutive -, dhe tek biosfera si pjesë të komunitetit tonë. Dua të përdor fjalët e astronomit Karl Sagan, i cili thoshte se: ne jemi një planet.
Ajo çfarë duhet të festojmë është dhurata e imagjinatës njerzore, aftësia për të imagjinuar një të ardhme të ndryshme. Dhe ashtu siç është shprehur Sir Ken Robinson, duhet të jemi të kujdesshëm e ta përdorim këtë dhuratë me mençuri për të shmangur pikërisht skenarët që përmendëm më parë. Do mund ti realizojmë vetëm atëherë, kur do arrijmë ti shohim kapacitetet tona krijuese për atë pasuri që janë efektivisht. Nëse ne jemi me të vërtetë një shoqëri empatike, le të nxjerrim në pah natyrën tonë të vërtetë. Nëse ja dalim mbanë të mos shtypim krijimtarinë tonë nga sistemi arsimor dhe nga institucionet, mund të fillojmë vërtet një dialog duke reflektuar mbi rolin e species njerzore në këtë planet. Një shoqëri bashkëpunuese është më shumë efikase se një shoqëri konkurruese, e së bashku  mund të vendosim themelet për një qytetërim empatik, të qëndrueshëm, në zhvillim njerzor.

Brunilda Ternova: Në krahasim me politikën e sotme, çfarë alternative reale ofron Lëvizja?

Federik Pistono: Nuk më pëlqejnë sloganet prandaj do të përgjigjem duke qëndruar me këmbë në tokë. Politika, ashtu siç e njohim ne sot, nuk ofron asgjë dhe nuk mund të ofrojë asgjë, për vet formën sesi është ndërtuar. Detyra e ‘Res Pubblica’ (Shteti) është gjetja e zgjidhjeve të problemeve, por politikanët nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë. Merrni dhe pyetni një deputet, se në ç’mënyrë duhet të reduktohet dhuna dhe krimi nëpër rrugë. Ai do t’ju tregojë se si do të vepronte me pasojat e dhunës, por jo sesi do ta parandalonte atë. Pyeteni se si strukturohet një sistem prodhimi që të mos krijojë   mbeturina dhe ku çdo gjë është e riciklueshme, si ndërtohet një shtëpi që të përballojë tërmetet, si duhet rregulluar transporti në një qytet për të mos krijuar kaos dhe ndotje, si prodhohet ushqimi pa shkatërruar arat me herbicide dhe insekticide, si duhet ruajtur uji, si duhen zgjidhur problemet e varfërisë dhe te urisë etj. Politikanët nuk e dine dhe nuk i’a kanë as idenë më të vogël, sepse ata nuk janë edukuar për të kërkuar zgjidhje. Politika shërben për të bërë ligje të cilat i anojnë problemet, ndërsa Lëvizja Zeitgeist ofron zgjidhje duke nisur nga rrënjet e problemeve.

Brunilda Ternova: Le të ndalemi e të flasim për një moment në lidhje me ty. Kush është Federik Pistono, si i je afruar ambientit Zeitgeist e më vonë Lëvizjes – duke u bërë koordinator i saj për Italinë?

Federik Pistono: Punoj në një kompani në Verona që merret me mediat në internet. Aktivitetet e mia janë të ndryshme: menaxhim projektesh, regjizor dhe skenarist, programim dhe strategji komunikimi, etj, dhe kam një formim akademik si shkencëtar dhe informatik. Kam qënë gjithmonë i interesuar mbi tematikat shoqërore, dhe që fëmijë, kur shihja diçka që nuk funksiononte, në vënd që të ankohesha pyesja veten se si ta vija në funksionim. Prej shumë vitesh merrem me aktivizëm dhe kam qënë pjesëmarrës në grupe të panumërta paqësore, kam themeluar një shoqatë vullnetare, kam fituar një konkurs ndërkombëtar për Blogging dhe gazetari në lidhje me ndryshimet klimatike. Afrimi me Lëvizjen ishte një rrjedhojë e natyrshme. Kënaqësitë më të mëdha të jetës sime i kam në këtë Lëvizje të mrekullueshme, sepse kam mësuar se gëzimi i vërtetë është të ndihmosh të tjerët. Lëvizja synon të përmirësojë jetën e të gjithë njerëzve, dhe jo vetëm të një pakice të vogël. Për sa kohë që ne nuk jemi të gjithë mirë, nuk do të jemi me të vërtetë të lirë.

Brunilda Ternova: Çfarë ka realizuar Levizja Italiane Zeitgeist deri më sot dhe çfarë projektesh keni për të ardhmen?

Federik Pistono: Lëvizja italiane egziston prej më shumë se një viti – ajo ka 3 000 anëtarë të regjistruar në uebsit-in e saj dhe mbi 30 000 kontakte në Facebook, Twitter dhe YouTube -, duke shënuar vazhdimisht një rritje konstante. Projekti Zeitgeist ështe i ri në vetvete dhe ritmi i rritjes së tij ka qënë i pabesueshëm, dhe shëmbull konkret për këtë është Levizja jonë në Itali. Kur organizuam takimin kombëtar për aktivistët, më 6 shkurt 2010 në Bolonja, shumë njerëz nuk e kishin të qartë akoma se me çfarë do të merrej Lëvizja – njerzit flisnin për politikë, komplote dhe aspekte ezoterike. Tani të gjith merremi me argumente më konkrete që kanë të bëjnë me kulturën, njerzimin, qëndrueshmërinë, teknologjinë e aplikuar për zhvillimin social, etj. Kemi 5 Grupe Pune, që merren me përkthimin në italisht të materialeve, me krijimin e videove dhe grafikës, me programim, me vënien në kontakt me personalitete dhe artistë të ndjeshëm ndaj argumenteve tona. Çdo dy të diela në orën 21:30 zhvillojmë një podcast ku diskutojmë artikuj, libra dhe projekte. Regjistrimi i tyre mund të shkarkohet falas nga uebsiti ynë i internetit (http://www.zeitgeistitalia.org/podcast). Hapi i ardhshëm do të jetë decentralizimi total i strukturës, ku qëndrat qytetare mund të veprojnë të pavarura duke organizuar konferencat e tyre. Kjo do të arrihet me më shumë kulturë dhe impenjim.
Më 13 mars do të zhvillohet në nivel botëror Zeitgeist Day – dedikuar promovimit të ideve të Lëvizjes – organizuar nga aktivistët dhe përkrahësit e saj. Grupet Qytetare janë e ardhmja jonë reale, dhe në Itali kemi me dhjetra të tilla. Ato që janë më shumë aktive ndodhen në Milano, Romë, Firence, Bari, Verona, Napoli, etj., dhe kemi si qëllim mbulimin e mbarë vendit. Më pas do të kemi edhe takimin kombëtar për aktivistët, plus takimeve të shumta me anë të Teamspeak (biseda audio në internet), ku  mund ti japim zë fjalëve tona në mënyrë efektive. Kemi në projekt një eveniment të madh për të ardhmen, me artistë, muzikantë, ekspertë të psikologjise, teknologjise, të shoqërisë etj, të cilin do ta realizojmë në një nga qytetet kryesore italiane.
Brunilda Ternova: Çfarë mesazhi do t’i jipje shqiptarëve që lexojnë këtë intervistë?

Federik Pistono: Për momentin, më rezulton se nuk ka ende një Lëvizje Zeitgeist në Shqipëri. Nëse  duam të shohim një ndryshimin social, duhet ti marrim ne frenat e fatit tonë në dore dhe të fillojmë e të punojmë.  

Djem dhe vajza shqiptare, bota ka nevojë edhe për ju!

Intervistoi : Brunilda Tërnova

Burimi: http://www.gazetaonline.net/2011/interviste-me-federik-pistono-koordinator-i-levizjes-zeitgeist-italia.html

No comments: