Friday, April 8, 2011

Tragjedia e Otrantos, vijon dhimbja 14-vjeçare për 81 viktimat

Familjarët e viktimave i kanë kërkuar shtetit shqiptar të kthejë anijen e tregjedisë së 1997-s

VLORË - Familjarët e tragjedisë së Otrantos nëpërmjet një konference për shtyp i kanë bërë thirrje qeverisë për t'i mbështetur dhe për të ndërhyrë, pasi seancat gjyqësore të zhvilluara në shtetin fqinj italian janë shtyrë dhe, sipas tyre, kjo gjë nuk vë në vend drejtësinë. Familjarët janë shprehur se "tragjedia është 14-vjeçare dhe e quajmë të tillë sepse kjo tragjedi ka 14 vjet që vazhdon.

Siç e shikoni këta prindër që humbën fëmijët e tyre në 28 mars 1997, vazhdojnë dhe zvarriten në proceset gjyqësore duke kaluar mbi trupin dhe gjakun e fëmijëve të tyre, dhe kjo është tragjedi".
Më pas, familjarët e tragjedisë së Otrantos kanë bërë me dije kërkesat e tyre drejtuar qeverisë për t'i ndihmuar me një përfaqësues në çështjet gjyqësore. Ndërsa nuk kanë lënë pa akuzuar dhe avokaten Natasha Shehu që, sipas familjarëve të tragjedisë së Otrantos, ka përfituar nga fatkeqësia e tyre.
Shehu është cilësuar si avokatja mbrojtëse e palës shqiptare, por ajo sipas familjarëve jo vetëm që nuk i ka mbrojtur, por ka përvetësuar dëmshpërblimin e familjarëve, edhe pse është e dënuar nga shteti italian, pasi vendimi i saj është ende i paekzekutuar.

Ndërsa pika e tretë në kërkesën e familjarëve të tragjedisë së Otrantos është që anija e kësaj tragjedie, e cila ndodhet në brigjet e Brindizit, të vijë në Shqipëri, t'i caktohet vendi dhe të jetë monument kulture që kjo tragjedi të përkujtohet gjithmonë, ku familjarët të kenë një vend për t'i përkujtuar të afërmit e tyre.
Nëse kjo pikë nuk realizohet, atëherë për familjarët e tragjedisë së Otrantos mund të cilësohet si një tragjedi e dytë.

"Kemi rreth 14 vjet që rropatemi rrugëve e gjyqeve të Italisë për të kërkuar një të drejtë tonën dhe i kërkojmë shtetit shqiptar e qeveritarëve që të na ndihmojnë në këtë kauz, të na ndihmojnë me përfaqësues ligjor e avokat të cilët të jenë palë me ne në gjyqet që kemi hapur kundër qeverisë italiane për mbytjen e fëmijëve e të afërmëve tanë.
I bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të na ndihmojë dhe t'i bëjë kërkesë shtetit italian që të mos prishë anijen e tragjedisë së familjarëve tanë, por të vijë në Shqipëri e të vendoset në një vend në bregdetin e Vlorës për ta bërë më pas muze ku ne si familjarë të vemi e të vendosim fotografi e familjarëve tanë të mbytur e të zhdukur në detin e Otrantos, ku të kemi si familjarë një vend ku të qajmë e të bëjmë homazhe".

81 viktimat e tragjedis së Otrantos do të përkujtohen sot në orën 10:00 në shenjë respekti ndaj familjarëve të cilët humbën jetën në këtë tragjedi, do të hidhen buqeta me lule në det.

Shekulli

Kredi për karrocën e invalidit

RRËSHEN -
Prej 6 vitesh dergjet në shtrat, pa mundur të lëvizë dhe të shohë dritën e diellit me sy, me një këmbë tërësisht të paralizuar, ndërsa këmbën tjetër falë epjes dhe durimit për të jetuar, ka mundur ta shpëtojë pas një ndërhyrje kirurgjikale disaorëshe në një prej spitaleve private të Tiranës. I mbytur në halle dhe borxhe, me tre fëmijë për të rritur, pa askënd në punë, operacionin është detyruar ta kryejë pasi e ëma ka marrë një kredi.


Një kredi për t'i shpëtuar njërën këmbë, ka mjaftuar, por duke u mbetur si "Guri i Sizifit" mbi shpinë të të ardhmes së fëmijëve kërthi, por që ëndërrojnë ta kenë babanë e tyre sërish në këmbë. Fëmija më i vogël 4 vjeç, lutet që një ditë ta dërgojë babai në kopsht. Teksa bisedojmë me babanë e tyre, njëri prej djemve nxjerr lot papushim, ndërsa më i madhi tregohet më i burrëruar para kohe, duke e kapërdirë peshën e dhimbjes, e ndërsa më e vogla ka me vete besimin fëminor në sytë e pafajshëm që i shndrrisin që larg.

Biseda: Arben, u bë kohë që jetoni kështu, i shtrirë në krevat?
Mbi 6 vite. Kurrë nuk e prisja të përfundoja kështu në krevat. Kam kaluar male të grekut në këmbë dhe kam punuar si emigrant në punët nga më të rënda, ndërsa më pas erdha në vendin e lindjes në Selitë, ku punoja me furgon në një rrugë tmerrësisht të vështirë për orë të tëra vajtje-ardhje.

Kjo rrugë e gjatë, gjithë ditën në timon, rrugë pa rrugë, si dhe puna e rëndë, duket se ndikoi tek shtylla kurrizore dhe për këtë u detyrova t'i nënshtrohem ndërhyrjes kirurgjikale. Pata peripeci në spital në Tiranë gjatë operacionit dhe nuk doli siç e kisha menduar. Pastaj bëra disa operacione të tjera, me premtimin se do të isha normal, por nuk ndodhi kështu. Ngela i shtrirë pas njërit prej operacioneve. Kësisoj mbeta në krevat.

E keni përballuar këtë gjendje, së paku psikologjikisht?
Vështirësitë për njerëzit janë. Me imagjinatë lëviz gjithandej, që në fëmijëri, me shokët në fshat, me kolegë shoferë, në rrugët e botës që i morëm për shkak të halleve, dhe nuk dua ta besoj se nuk mund t'i lëviz më këmbët.

Prej 6 vitesh jetoj kështu, siç më shihni në paralizë të plotë, nuk lëviz dot, vetëm qëndroj në shpinë, dhe për këtë duhen dy veta të më lëvizin. Po ashtu për çdo nevojë personale është një stërmundim i jashtëzakonshëm,dhe më ndihmojnë gruaja dhe nëna. Madje, dua te them se që të kem sa më pak nevoja fiziologjike, privoj veten me ditë pa ngrënë.

Ju keni shpresuar se një ditë mund të jeni ndryshe?
Jam munduar prej më se 3000 ditësh t'ia gjej "shtëpinë" shpresës , por qenka larg më duket, ka raste kur më errësohet gjithçka, sepse mendoj veten kur kam punuar shumë, kam pas miq e shokë dhe kam lëviz gjithandej. Kurrë nuk e kisha menduar se do jem larg tyre. Nuk e kam menduar se nuk do mund të përcjell dot fëmijët e mi as në shkollë dhe as në kopsht. Më këputet shpirti, kur vajza e vogël 4-vjeçare, më thotë: "Babi, kur do më çosh në kopësht?!... Dua vërtet ta arrij atë ditë duke shpresuar se do të mund ta bëj një ditë qoftë dhe në karrocë invalidi dhe kjo është ëndrra për të cilën i jetoj këto ditë kaq të vështira.


Pse thua në karrocë invalidi?
Po të thashë se unë nuk lëviz dot, dhe kam pas shumë frikë se po humbja dy këmbët, ndaj bëra ndërhyrjen kirurgjikale, kur ne ishim me borxhe si familje. Më ndihmuan fillimisht disa shokë të afërm të mi emigrant, por e di se si e fitojnë me gjak lekun dhe ata jashtë, ndaj u detyrova të marr kredi në bankë. Me këto para bëra operacionin me mjekë të huaj në një spital privat në Tiranë, ku më është ndërhyrë në unazat e vertebrës për të m'i pastruar dhe për të bërë të ndjeshme së paku njërën këmbë, pasi rrezikoja t'i humbja përgjithnjë të dyja dhe atëherë çfarë do ta doja jetën. E di mirë se kurrë nuk do cohem më në këmbë, por së paku deri në karrocë invalidësh të ngrihem.

Çfarë konkluduan mjekët pas këtij operacioni?
Ata më kanë premtuar së paku për një ngritje në karrocë invalidi dhe për këtë duhet ndërhyrë që të vihet një pllakë e vidhosur, që së paku të krijohet mundësia që unë të eci e lëviz dy orë në ditë jashtë, si dhe të mund të rri dhe në pozicion tjetër këtu, jo vetëm në shpinë, siç jam i detyruar tani.

Kushton shumë ky operacion?
Po kushton goxha, sipas mjekëve, operimi duhet bërë në një spital në Turqi, dhe mund të shkojë tek 20 mijë euro, shumë e cila nuk mund të gjendet nga unë sikur të shes gjtihçka kam pas shpirti. Ndaj bëj apel të ndihmohem nga kushdo që ka mundësi për ta bërë këtë gjë.

Gjergj Marku, Shekulli

Bikini me mbushje për vajzat 8 vjeçe

Prindër dhe psikologë kundër firmës: Kështu inkurajohet imoraliteti seksual 
MILANO - Ka fituar famë tek të rinjtë për veshjet casual-shik të ideuara për trupa të bukur, "të fshehur padashje" pas bluzash të ngushta. Por sot Abercrombie & Fitch vjen në vëmendje për një arsye tjetër, që ka bërë të shpërthejnë kritika pa fund: vendimi i kompanisë për të hedhur në treg rroba banje bikini për vajza me recipeta me mbushje, gjë që krijon iluzionin e një gjoksi më të madh. I realizuar me material najlon dhe spandeks, modeli është në dy ngjyra (me vija të bardha dhe rozë ose të bardha dhe blu). Linja "Ashley push-up triangle" është pjesë e koleksionit veror të Abercrombie Kids, kushtuar vajzave nga 8 - 14 vjeç dhe përbëhet nga dy pjesë: e sipërmja me mbushje që kushton 17 euro dhe e poshtmja me një çmim prej rreth 14 eurosh, të cilat mund të blihen edhe veç e veç.


Seksualizim i parakohshëm
"Është një gjë e frikshme, - theksoi doktoresha Xhenet Rous, eksperte në raportet mes prindërve dhe fëmijëve në blogun FOX411, - sepse nëse një prind do të blinte një bikini me mbushje për vajzën e tij 8 vjeçe, do të duhej të ndërhynin shërbimet sociale.
"Seksualizimi" i adoleshentëve është tashmë mjaftueshëm i rëndë vetë dhe ky trend i ri po godet edhe fëmijët në moshë më të vogël. Nëse vazhdojmë të krijojmë kushtet që fëmijët tanë t'i japin kaq shumë rëndësi të qenit seksi, nuk arrij të imagjinoj se çfarë dëmesh afatgjata mund t'i shkaktohet vetëvlerësimit dhe vlerave që do të fitojnë ata kur të rriten".


Psikologët janë kundër
Një gjykim të tillë e mbështet me forcë edhe psikologia kaliforniane Nensi Irvin, sipas të cilës t'i veshësh një palë recipeta me mbushje një vajze 8 vjeçe, do të thotë "të inkurajosh zhvillimin e parakohshëm seksual dhe imoralitetin". Një tjetër psikolog, specialist në çështjet e sjelljes, Patrik Vanis, drejton gishtin tek nënat që "i përdorin vajzat e tyre për të kompensuar paaftësinë e tyre për të joshur". Një akuzë kjo që Shirli Smith, themeluese e «Talk About Parenting with Shirlee Smith", e hedh poshtë në mënyrë kategorike, pasi sipas saj, "janë pikërisht nënat ato që paguajnë menjëherë për këtë politikë të ashtuquajtur seksi-marketing, ndërsa vajzat shndërrohen në objekt seksual me kalimin e kohës".


Precedenti
Në vitin 2002, kompania Abercrombie & Fitch përfundoi në qendër të debateve për linjën e veshjeve të brendshme që iu shit të njëjtës moshë, modelet e të cilës karakterizoheshin nga fraza "ftuese" dhe prerje të papërshtatshme për vajzat e vogla, por edhe në atë rast, kompania nuk pranoi ta tërhiqte koleksionin nga tregu. "Reçipeta e mbushur është pa dyshim një instrument seksual, - shpjegoi për "Daily Mail" autori i blogut Babble, - sepse e ngre gjoksin lart dhe e përqendron vëmendjen vetëm në një pikë. Si mund të lejohet kjo tek një vajzë që shkon akoma në fillore?

Të luash dhe të jesh seksi është një pjesë e rëndësishme dhe e pashmangshme e procesit të rritjes, por ka një ndryshim shumë të madh mes eksperimentimit të kësaj ideje tek vetja dhe gjetjes së saj brenda një katalogu për fëmijë".

Shekulli

Shqiptarët blejnë shtetësinë serbe

Dymbëdhjetë vjet pas hyrjes së NATO-s dhe largimit të forcave serbe, dhe tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, shqiptarët e Kosovës kërkojnë shtetësinë serbe.
Të detyruar nga skamja, mungesa e perspektivës, rritja e vazhdueshme e varfërisë…, dhe si pasojë e izolimit për shkak të mosliberalizimit të vizave, shumë qytetarë të Kosovës iu drejtohen institucioneve të Serbisë për të marrë pasaportën biometrike, me të cilën mund të udhëtojnë pa viza. Por, jo lehtë ata arrijnë të pajisen me dokumentet serbe, për të cilat edhe paguajnë mijëra euro.

Procesi i marrjes së këtyre dokumenteve zë fill në Kosovë, ku ndërmjetësues të shumtë kosovarë, të lidhur me serbë, mundësojnë një gjë të tillë. Ata në emër të qytetarëve të Kosovës shkojnë fillimisht në zyrat përkatëse që gjenden në Serbi për çdo qytet kosovar. Për Gjakovën drejtohen në Jagodinë, ku akoma edhe sot aty gjendet zyra me mbishkrimin “Sup Gjakovica”, për Pejën në Kragujevc, për Prishtinën në Nish, për Prizrenin në Krushevac, e kështu me radhë.
Në këto zyra ndërmjetësuesit, të paguar nga kosovarët, i nxjerrin certifikatën e lindjes dhe nënshtetësinë serbe personit që i ka paguar dhe ka kërkuar të pajiset me pasaportë biometrike. Me këto dokumente, ndërmjetësuesi vjen në Kosovë, ia dorëzon shtetasit kosovar, i cili me këto kalon kufirin serb dhe shkon personalisht i dorëzon në institucionet serbe për të marrë pasaportën. Mirëpo, këta persona për të realizuar këtë, duhet të plotësojnë dhe një kusht. Ata duhet të çlajmërohen si banorë kosovarë, në zyrat që gjenden për qytetet e Kosovës në Serbi dhe të paraqiten si banues në ndonjë qytet serb, duke marrë kështu statusin e ri të banorit serb. Kosovarët po ashtu paguajnë adresë në Serbi, pasi që me adresë të Kosovës në pasaportë biometrike nuk mund të udhëtojnë pa viza.

Rruga prej statusit kosovar tek ai serb deri në 7000 euro
Ndërmjetësuesit që ndihmojnë kalimin nga statusi banor i ndonjë qyteti të Kosovës tek ai banor i ndonjë qyteti serb, tregojnë se kjo bëhet duke ia paguar deri në 7000 euro një banori serb që ta regjistrojë në shtëpinë e tij. Ndërmjetësuesi K. L., nga Prishtina, i cili u ndihmon kosovarëve të nxjerrin pasaporta serbe biometrike, rrëfen për procedurat që duhet kaluar dhe për shpenzimet.
“Serbia si kosovar të jep pasaportë serbe dhe biometrike, pasi që akoma të konsideron shtetas të tij, por, nëse adresa jote është në Kosovë, atëherë në pasaportë të shënohet “Kordinaciona Uprava”, që në shqip do të thotë Administratë koordinuese. Dhe, nëse të shkruan kështu, atëherë nuk mund të udhëtosh pa vizë. Prandaj, shqiptarët ia kanë mësyrë të gjejnë adresë serbe”, thotë ky ndërmjetësues.
Ai konfirmon se prej 2 mijë deri në 7 mijë euro shqiptarët nga Kosova paguajnë banorët e Serbisë, që këta të fundit t’iu japin atyre në shfrytëzim adresën e shtëpisë, shkaku i nxjerrjes së pasaportave biometrike serbe. Pagesa, sipas tij, bëhet varësisht prej vendit. Në qytetet serbe si në Jagodinë, Kragujevc, Preshevë ai thotë se sillet prej 2 mijë deri në 5 mijë euro.
Ndërsa për adresë në Beograd, kosovarët, K.L. thotë për “Zëri” se paguajnë deri në 7 mijë euro. Por, të gjithë ndërmjetësuesit e kontaktuar nga “Zëri” që nuk kanë pranuar të deklarojnë identitetin tregojnë se kjo është njëra prej procedurave kryesore dhe që paguhet më së shumti. Ndërkohë, që fillimisht duhet kaluar në tjera procedura, për të cilat të shkojnë me qindra euro, siç është nxjerrja e certifikatës dhe nënshtetësisë serbe.
“Mjafton të kesh një dokument të vjetër me foto të Serbisë, ose edhe të UNMIK-ut, dhe me anë të tyre janë personat në Kosovë që paguhen për të të nxjerrë certifikatën dhe nënshtetësinë serbe në vendet përkatëse, me të cilat pastaj aplikon për dokumente”, thonë ata.
Për nxjerrjen e këtyre dokumenteve paguhet deri në 300 euro. “Pra, janë vendet përkatëse. Për qytetarët e Gjakovës këto dokumente i nxjerrim në Jagodinë, për qytetarët e Pejës në Kragujevc, për të Prishtinës në Nish e kështu me radhë”, thotë njëri nga ndërmjetësuesit nga Peja. Ndërkohë, procedura që ka ndryshuar së fundi është se këto dokumente mund t’i nxjerrësh nëpër këto qytete edhe nëpërmjet dikujt që e paguan, por jo edhe pasaportën. “Pasaporta nxirrët vetëm në Beograd, ku duhet të jetë prezent aplikuesi. Të gjithë ata që i thonë dikujt se mund t’ia nxjerrin pasaportën pa qenë vetë prezent, gënjejnë dhe ajo pasaportë është vetëm fals”, thotë ai.

Deri 10 shqiptarë regjistrohen në një shtëpi serbe
N.R., banore e kahershme në Beograd, por me prejardhje shqiptare, ka të regjistruar në banesën e saj në Serbi mbi 10 kosovarë. “I kam rreth 10 persona që realisht nuk jetojnë tek unë, mirëpo janë të regjistruar si banues të rregullt, shkaku i adresës, që të njëjtit të marrin pasaportat biometrike në Serbi”, bën të ditur N. R. për “Zëri”.
Kështu, këta persona figurojnë si shtetas serbë, të cilët duhet paguar edhe tatimet edhe çdo gjë me rregull, madje thirren edhe për të votuar. N. R. përveçse ka pasur dëshirë t’iu ndihmojë bashkatdhetarëve të saj, ajo edhe ka përfituar nga kjo gjë.
Kosovarët që janë regjistruar në banesën e saj i kanë paguar N. R.-së deri në 7 mijë euro për preson. “Po, më kanë paguar pasi që edhe unë mjaft po rrezikoj, sepse nëse vijnë më kontrollojnë dhe zbulohem mund të dënohem”.
Për gjithë këtë shteti i Kosovës nuk ka informacion. Qeveria vazhdon të premtojë pasaportat biometrike për sivjet, e bashkë me to edhe liberalizimin e vizave për 2012-në. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka pranuar për “Zërin”se qeveria nuk ka informacione se qytetarët e Kosovës regjistrohen si shtetas të Serbisë dhe marrin pasaporta të tilla, pasi sipas tij, kjo është rrugë ilegale dhe e fshehtë, prandaj nuk posedohen informata nga shteti.
Ndryshe, Rexhepi këtë formë të marrjes së pasaportave e ka quajtur edhe kriminale. Ai ka thënë se ka informata se në një lloj qendre koordinuese në Graçanicë, shtetas të Kosovës kanë marrë pasaporta biometrike, por të cilat, sipas tij, nuk kanë validitetin për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen.

Rexhepi ka theksuar se këtyre qytetarëve vetëm sa iu janë marrë paratë dhe ato pasaporta nuk mund t’i përdorin tani. Ai ka premtuar se brenda këtij viti qytetarët e Kosovës do të pajisen me pasaporta biometrike, ndërsa ka bërë të ditur se në vitin 2012 do të ndodhë edhe liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës.

KMDLNJ akuzon qeverinë dhe ndërkombëtarët
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka theksuar se faji për këtë rrugë që detyrohen të ndjekin shqiptarët e Kosovës për të udhëtuar në Evropë, është së pari i ndërkombëtarëve, të cilët sipas tij, na kanë përjashtuar nga procesi i liberalizimit të vizave.
“Tani kosovarët detyrohen për shumë arsye si shëndetësore, për biznese të marrin pasaporta serbe që të udhëtojnë pa viza. Po të kishim një vetëdije kombëtare nuk do të merrnim pasaporta serbe, por në anën tjetër edhe nuk duhet akuzuar shumë qytetarët, sepse janë të bllokuar”.
Shala tha se në një anë Qeveria e Kosovës nuk po lodhet, sepse për vete ata marrin viza dhe nuk kanë problem, e në anën tjetër thekson se as ndërkombëtarët që kanë bllokuar qytetarët, dhe në njëfarë mënyrë vetë po i drejtojnë kah Serbia.
“Ndërkombëtarët e dinë dhe e kanë ditur që edhe në Kosovë ka zyrë serbe që kanë lëshuar pasaporta biometrike serbe dhe nuk i kanë penguar. Ndërkombëtarët e dinë që ne duke shkuar të marrim pasaporta serbe e pranojmë Serbinë si shtet, dhe kjo po iu konvenon ndërkombëtarëve”, ka thënë Shala.
Në të kundërtën, sipas tij, Kosova do të mund të bënte një zgjidhje për qytetarët e saj, duke u marrë vesh me Shqipërinë që ky vend të lëshojë pasaporta të tilla edhe për kosovarët.

Zëri

Marrëveshja e detit - Plani sekret i qeverisë shqiptare

Një material i rezervuar është formuluar nga Ministria e Jashtme për të zgjidhur ngërçin e krijuar nga rrëzimi i marrëveshjes së detit me Greqinë.
Tirana parashikon ta dërgojë dosjen e nxehtë në njërën nga dy gjykatat ndërkombëtare, në Hagë dhe Hamburg. Një mundësi të tillë e paralajmëron edhe Presidenti Topi. Ka dhe më shumë, në nivel lokal, referimi në Kodin Penal kërcënon deri me burg të përjetshëm grupin e negociatorëve shqiptarë të marrëveshjes.

Jashtë nuk mbetet as kryeministri Berisha
Ka nisur me një “të shtënë topi” diku nga shekulli i XVII, por e shtëna e tij ende nuk po ndjehet në Shqipëri. Ajo është shndërruar përfundimisht në një minë me sahat për Tiranën zyrtare që vazhdon të heshtë dhe të fshihet pas heshtjes dhe po si një minë që shpërthen rregullisht herë në heshtje dhe herë me zhurmë të mbytur në marrëdhëniet shqiptaro-greke. E shtëna e topit – largësia deri ku shkonte predha nga bregu në det – përcaktonte dikur detin territorial që i përkiste një vendi; sot në kohë moderne, ajo është zëvendësuar nga konventa ndërkombëtare që synojnë të zgjidhin një nga problemet më të rëndësishme e të debatueshme mes shteteve anëtarë të OKB-së.
Në Shqipëri, si zakonisht, historia merr një përmasë tjetër. Që nuk dihet sesa dhe deri ku përcaktohet nga paaftësia proverbiale e shtetit shqiptar për të zbatuar ligjet ndërkombëtare, por sidomos, kushtëzohet nga aftësia e pazakontë për të shkelur kushtetutën dhe ligjet lokale të vendit. Kjo është një histori ku të gjithë janë fajtorë dhe një numër tjetër fajtorësh, me emër e mbiemër, të cilët janë direkt subjekt i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, vazhdojnë të shërbejnë dhe të firmosin në emër të Republikës së Shqipërisë. Kjo është një histori absurde, një histori më shumë e poshtër sesa është e turpshme.
Në datën 15 prill 2010, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, ka hedhur poshtë si të papajtueshme me Kushtetutën marrëveshjen e lidhur mes Shqipërisë dhe Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Dhe që nga ai moment, nuk ka asnjë reagim. Të paktën publikisht. Njëlloj sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Herë pas here, ky shqetësim ngrihet në takime bilaterale mes dy vendeve, së fundi edhe në takimin Berisha – Papandreu në Nju Jork apo dhe në Tiranë e Athinë, si dhe në një deklarim publik të Presidentit të Republikës, që larg e larg e shpreh shqetësimin e tij për këtë situatë, duke treguar edhe një rrugëzgjidhje të absurdit të krijuar. Edhe pse institucionin e tij e kanë përjashtuar dhe veçuar deri më tani nga zgjidhja. Siç e kishin përjashtuar që në fillim të procesit.
Një plan sekret
Ka një plan rezervë. Ka një plan sekret. Një plan i cili ndodhet që prej muajit korrik në zyrën e kryeministrit Sali Berisha dhe që synon daljen me aq “nder” sa ka mbetur një i tillë dhe me aq “nder” sa mund të mblidhet nga çfarë është derdhur, për marrëveshjen e ndarjes së detit me Greqinë. Është një plan që i propozohet qeverisë shqiptare nga Ministria e Jashtme për fatin e ndërlikuar të një marrëveshjeje dypalëshe të nënshkruar në nivel qeveritar, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, por të hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. E brohoritur dhe e mallkuar në të njëjtën kohë, kjo marrëveshje ka krijuar një ngricë të vërtetë diplomatike dhe gjysmë të heshtur me fqinjin jugor. Në një situatë të tillë, heshtja është një mjet që zgjidh vetëm përkohësisht punë, por që nuk mund të shkojë larg si mjet për zgjidhje. Dhe një gjë të tillë, qeveria shqiptare, e kryqëzuar si autore e hartimit të një marrëveshjeje antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, e di më mirë se kushdo. E përfshirë nën presion të brendshëm në Tiranë – presioni që vjen nga moszbatimi i ligjeve – dhe nga presioni i kuptueshëm që vjen nga Athina që kërkon marrëveshjen, qeveria po kërkon një rrugëdalje nga kjo situatë krejt e pakëndshme.
Burime të rezervuara qeveritare pohojnë për revistën MAPO ekzistencën e një plani sekret për këtë qëllim. Ky plan bazohet në dy kolona kryesore. Si për ironi të fatit, një nga autorët kryesorë të tij është Ferit Hoxha, shef i misionit diplomatik shqiptar në OKB, kryetar i grupit negociator shqiptar përballë palës greke. Plani është firmosur nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Gazmend Turdiu, një tjetër negociator i marrëveshjes dhe për momentin, ka mbetur mbyllur në zyrën e kryeministrit. Normalisht, një kopje e tij duhet të kishte mbërritur me kohë në zyrën e Presidentit, por deri më tani, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Si të dalim nga kriza?
Kjo është një pyetje e cila shkakton shumë kokëçarje në të dy anët e kufirit me fqinjin jugor. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, nuk le vend për mëdyshje, por vetëm për zbatim: marrëveshja është antikushtetuese. Në këto kushte, në bisedimet e kryera në të gjitha rastet me përfaqësues të qeverisë greke, deri dhe me kryeministrin Papandreu, pala shqiptare, në mënyrë informale ka premtuar një zgjidhje të shpejtë të problemit. Por mënyra sesi do të arrihet kjo zgjidhje është teknikisht e vështirë, politikisht problematike dhe ligjërisht e ndërlikuar. Ministria e Jashtme, dikasteri kryesor i prekur nga kjo situatë, ka arritur të prodhojë që në muajin korrik një propozim konkret. Më saktë dy të tillë.
E para ka të bëjë me një negocim të ri me palën greke për ndarjen e detit dhe e dyta, me delegimin e këtij problemi në njërën nga dy gjykatat ndërkombëtare që mund të shprehen për këtë çështje; në Gjykatën e Hagës, një organ juridik i Kombeve të Bashkuara ose në Gjykatën Hamburgut, një forum qendror i themeluar prej Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit. Deri më tani dilema se cila prej këtyre gjykatave do të marrë përsipër të zgjidhë hallin e prodhuar kryesisht me mjetet e së paku paaftësisë shqiptare, nuk ka gjetur zgjidhje. Të njëjtën gjë ka pohuar dhe Presidenti i Republikës. E ka pohuar nga Uashingtoni, si zakonisht duke përdorur një gjuhë të përmbajtur për të mos larë në pazar këtë plaçkë të qelbur. Ai përmend marrëveshjen e hedhur poshtë duke u shprehur: “Këtu problemi është që kërkohet një vullnet i dyanshëm për të gjetur metodikën, sepse për t’u futur në rinegocim, kërkohet edhe vullneti i palës greke. Por, unë mendoj që janë disa rrugë të mundshme, që mund të konsiderohen rrugë në parim...Rrugët janë të hapura. Mund të ketë rrugë, të cila konsiderohen të rinegocimit, por mund të ketë edhe rrugë, të cilat çojnë në aplikimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, me pëlqimin e të dyja palëve natyrisht. Asgjë nuk është e mbyllur, gjithçka është e hapur”.
Ajo që nuk thotë Presidenti është se tashmë qeveria shqiptare e ka zgjedhur një rrugë të tillë: jo rinegocimin, por përplasjen e kokës në Gjykatat Ndërkombëtare. Dhe ato janë vetëm dy të tilla.
E para, është Organ Juridik i Kombeve te Bashkuara. Ndodhet në Pallatin e Paqes në Hagë, Holandë. Funksionet e saj themelore janë shqyrtimi i kundërshtive të paraqitura, nga shtetet, për të dhënë opinionin e saj këshillimor mbi çështje ligjore të sjella prej organeve ndërkombëtare të autorizuara apo agjencive, si dhe prej Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në të janë gjykuar më shumë se 20 raste që kanë të bëjnë me ndarjen e kufijve detarë midis shteteve.
E dyta, është gjykata e Hamburgut, e cila është një forum qendror i themeluar prej Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit si një njësi që shqyrton në kushte paqësore të gjithë kundërshtitë që kanë të bëjnë me palët të cilat ndajnë Shelfin Detar dhe që nuk bien dakord për këtë ndarje.
Autoriteti i kësaj Gjykate përfshin të gjithë kundërshtitë dhe të gjithë kërkesat e paraqitura tek ajo, në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, si dhe gjithë çështjet e veçanta që kanë lidhje me kërkesën për këshillim juridik në këtë Gjykatë. Këto çështje përfshijnë konfliktet që janë krijuar midis shteteve të cilat janë palë dhe që kanë mospërputhje e mospërkim për interpretimin e Ligjit të Detit dhe Implementimin e UNCLOS ( Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit )
Sipas të drejtës ndërkombëtare, kur palët negociojnë për të realizuar një marrëveshje të caktuar për ndarjen e hapësirave detare midis tyre, njëra prej tyre ose të dyja mund t’i drejtohen kësaj Gjykate dhe ajo e shqyrton çështjen brenda dy javësh.
Çfarë ka shkelur pala shqiptare?
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të prillit 2010, shkeljet janë të shumta. Ato nisin që me mungesën e rolit të Presidentit të Republikës në hartimin e kësaj marrëveshjeje – nuk i ishte kërkuar plotfuqishmëria për negociatorët shqiptarë – dhe vazhdojnë me “...moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare mes dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm”, siç shprehet gjykata.
Brenda vendimit të saj është dhe “loja” e rëndë që negociatorët shqiptarë në fillim, ish-ministri i jashtëm në vazhdim dhe gjithë deputetët shqiptarë që votuan pro marrëveshjes, i kanë bërë kryeministrit Berisha. Të paktën sipas Gjykatës Kushtetuese, është shkelur dhe urdhri i kryeministrit Berisha për të nisur bisedimet me Athinën për ndarjen e detit. Nuk është respektuar objekti i urdhrit 135, të datës 23 gusht 2007, firmosur nga Berisha që kërkonte ngritjen e “grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinjë”, sepse në referim të marrëveshjes tashmë të hedhur poshtë, objekti i saj është shtuar dhe me përcaktimin e “...zonave të tjera që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Por në botën informale shqiptare, kur fajin e kanë elefantët e politikës, normalisht për atë faj duhet të përgjigjet bari nën këmbët e tyre. Vetëm nëse vetë elefantët sillen si gjykatës dhe nuk respektojnë ligjin. Sepse duke mbetur tek “bari”, pozita e negociatorëve të palës shqiptare rëndohet në mënyrë ekstreme. Të paktën nëse zbatohet ligji.
Shërbejnë në shtet, kandidatë për në qeli
MAPO konsultoi një grup juristësh dhe asnjëri prej të cilëve nuk pati dilema: “Ka një lidhje të dukshme shkak-pasojë. Shkelja e Kushtetutës, ligji themelor i shtetit të së drejtës, reflekton në Kodin Penal. Duke nisur nga neni 3 i saj që thotë: “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. Në këtë rast, “tërësia e territorit”, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është shkelur. E nëse Kushtetuta jep parimin, Kodi Penal dëshmon vazhdimin.
Kreu V, i Kodit Penal, krime kundër rendit kushtetues, seksioni i parë, që flet për “Dorëzimin e territorit”, neni 208, thotë: “Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo një fuqie të huaj, me qëllim për të cënuar pavarësinë dhe integritetin e vendit dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”. Më tej, Neni 210, i Kodit Penal, për “Marrëveshjet për dorëzim territori” thotë: “Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht apo tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura dhe materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cënuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet burg”.
Por çfarë ka ndodhur me grupin negociator shqiptar. Të gjithë janë gra dhe burra të mirë, profesionistë në fushat e tyre, por që sipas interpretimit të Kushtetutës nga organi i vetëm që e bën një gjë të tillë, Gjykata Kushtetuese dhe sipas referimit të Kodit Penal, rezultojnë se janë subjekt i shkeljes së rëndë të ligjit. Në të kundërt me çfarë duhej të kishte ndodhur me kohë, ata vazhdojnë të qëndrojnë në detyrat e tyre zyrtare, një pjesë e tyre edhe kanë marrë detyra edhe më të larta, njëlloj sikur nuk ka ndodhur asgjë. Dhe jo vetëm ata. Por gjithkush tjetër që ka konsumuar një shkelje të tillë. Duke nisur nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili për më shumë, mund të shohë me trishtim se vartësit e tij, ja kanë “hedhur” edhe atij vetë.
Një javë më parë zoti Berisha i dha “leje” organeve të drejtësisë që të zbatojnë ligjin... kundër shkelësve të mundshëm të tij. Që do të thotë që drejtësia duhet të nisë të hetojë për akuzat për korrupsion në rradhët e politikës. Rasti i marrëveshjes detare është një tjetër lloj korrupsioni. Jo vetëm financiar. Jo vetëm politik. Jo vetëm moral, por një akt i kryer as më shumë e as më pak, në kushtet e tradhëtisë së lartë ndaj vendit. Në një vend anormal si Shqipëria, “normalisht” zoti Berisha duhet të japë sërish leje që të zbatohet ligji ndaj shkelësve të mundshëm të tij. Normalisht, kryeprokurorja e Republikës Ina Rama duhet të kishte nisur kryesisht hetimin e këtij skandali. Sepse është e detyruar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Dhe nëse ndodh që zonja Ina Rama vendos të zbatojë detyrimin e ligjit, do të ketë në dorë një dosje fare të thjeshtë për hetim: ka një vendim të pakundërshtueshëm të Gjykatës Kushtetuese, ka emrat e fajtorëve dhe referencën në Kodin Penal.
Vetëm kështu mund të mbarojë një histori turpi, mëkati dhe shkeljeje të ligjit që turpëron të gjithë. Sepse kjo është një histori që vërtet nis me një të shtënë topi nga bregu në det, por predha e tij mund të shkatërrojë të gjithë institucionet e vendit. Një predhë që për momentin, sapo ka helmuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Republikën e Greqisë, duke krijuar një ngërç krejt të panevojshëm mes Tiranës dhe Athinës. Një predhë që tradhëton emrat e gjithë topçinjve shqiptarë.
Që i njohin të gjithë, por nuk i përmend askush.

Nga: Lorenc Vangjeli, Mapo

Shqiptari shndërron bordellon në xhami

Lokali kurioz në zonën industriale në Yverdon të Zvicrës, me një sipërfaqe prej 120 metra katrorë më parë kishte pranuar klientë të dhënë pas gjinisë më të bukur, tani ai i mirëpret besimtarët myslimanë.

Gjatë vitit 2009 ky lokal kishte një famë të keqe. Pronari i tij është Fabien Richard, këshilltar komunal në Partinë Popullore Zvicerane (UDC) në Yverdon. “Lokali jepet me qira për momente të bukura me intimitet dhe diskrecion të plotë”, mund të lexohej në ueb faqen e këtij lokali në internet.

Një fqinj në afërsi përkujton se gjithnjë kishte klientë. “Një ditë, pashë shumë persona në rrugë, nën dritaret e lokalit. Duke iu afruar lokalit, situatën e kuptova më mirë: dritaret ishin lënë të hapura dhe mund të dëgjoheshin ofshamat të një gruaje”, i ka deklaruar zvicerani gazetës Le Matin, transmetoi Albinfo.
Në fillim të vitit të kaluar, lokali është dashur të mbyllet, ndërsa motive ka qenë se diçka nuk është në rregull me ligjin. I riu Fabien Richard, partia e të cilit mburret me vlerat e familjes tradicionale, është i përfshirë në organizimin e ahengjeve, me ç‘rast disa njerëz kanë marrëdhënie seksuale me një femër të vetme.
I demaskuar nga Le Matin në korrik të vitit të kaluar, ai u tërhoq nga mandati i tij zgjedhor. Por, ai nuk heqë dorë për të përfituar nga ky lokal dhe të fitojë rreth 1.300 franga në muaj.
Më në fund ai kishte arritur ta huazojë lokalin e tij dhe tani, lokali ishte shndërruar në një vend ku myslimanët mund të falen.

Shqiptari Femi Ameti, përgjegjës i xhamisë, shpreh pikëpamjet e tij lidhur me vendin ku më parë ishte dhuruar zemra, e tani myslimanët falen.
“Vërtet nuk kishim tjetër zgjidhje. Disa kanë frikë nga feja islame dhe ngurrojnë të na japin lokale me qira. Por, mua më duket pozitive: një bordel është shndërruar në vend të shenjtë. Nuk është aq keq apo jo”, ka thënë Femiu.


“EXPRESS”

I janë derdhur kalasë e Lezhës

Po vënë dorë mbi kalanë e Lezhës. Kafshërisht.

Në fillim ka shkruar për këtë gjë arkeologu Lorenc Bejko më 8 mars, në Gazetën Shqiptare.  
Ka shkruar?
Në fakt, u ka rënë borive të alarmit lidhur me atë që po ndodh në kalanë e Lezhës. “Kanë nxjerrë nga sirtari një projekt të vjetër ndërhyrjeje në këtë kala; ky projekt është kritikuar dhe refuzuar në vitin 2007 nga Këshilli Shkencor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, por tani nuk ka kush ta bëjë rezistencën”, thotë pak a shumë në shkrimin e vet Lorenc Bejko. Dhe pikëllimi e zemërimi i kullojnë nga çdo frazë.

Po çfarë kanë planifikuar t’i bëjnë kalasë së Lezhës?
Na e thotë Bejko në të njëjtin shkrim: “Intimiteti dhe atmosfera krejtësisht magjike e hapësirës së brendëshme të kalasë, do të zëvendësohet nga një pamje ‘shumë dinamike’ me ndërtesa një e dykatëshe ku do të ofrohen shërbime bari, restoranti, po edhe disa dhoma hoteli. Ndërtimet do të shfrytëzojnë rrënojat ekzistuese dhe do t’i plotësojnë ato për të ngritur muret mbajtës të ‘vizionit të ri’ me kafe, qofte e motel brenda.  
Me pak fjalë, edhe një nga vendet e pakta që na ka mbetur ku qetësia, natyraliteti dhe kontakti me autenticitetin e të kaluarës ende mbretëron, rrezikon ta humbë këtë magji dhe të shndërrohet në një restorant më shumë.
 Nëse ka një vlerë që objektet dhe sitet e trashëgimisë kulturore mbartin dhe transmetojnë në qeniet dhe mendësitë tona dhe të shoqërisë bashkëkohore, është pikërisht ndjesia e pastërtisë, qetësisë, reflektimit, thjeshtësisë, origjinales, harmonisë së objekteve të njeriut me mjedisin natyror.  
Për cilën arsye madhore do të na duhet të heqim dorë prej këtyre vlerave që kalaja e Lezhës i mbart në mënyrën më dinjitoze ashtu siç ruhet sot?
Përgjigjen na e jep drejtori i aktual i IMK-së: Duhet tu ofrojmë një kafe vizitorëve kur arrijnë atje lart!!!”


Çfarë thotë zoti Gjeçi?
Thotë gjëra, që të bëjnë të ikësh mendsh (ndonëse vetë i dija nga shkrimi i Bejkos). Ja disa nga faktet (dua ta theksoj: janë fakte, e jo opinione):

1. Mbi rrënojat e Akropolit Antik të Lissit do të ndërtohet një fshat turistik malor.

2.Trojet historike të mbretërive ilire,… sarajet e Dukagjinëve do të shiten për gjelltore, për hotele e motele.

3. Oda, ku janë mbledhur prijësat shqiptarë për të bërë besëlidhjen, do të kthehet në restorant për mish dhie.

4. Atje ku u dergj Skënderbeu në prag të vdekjes, do të ndërtohet një thertore.

5. Atje ku fare mirë mund të ishte një muze etnografik, do të ndërtohen nevojtoret publike.

6. Mbi rrënojat e kishës së shekullit të 13-të do të ndërtohet një diskotekë nate.

7. Bujtina e miqve të princave dukagjinas (e kthyer në xhami pas pushtimit turk) do të kthehet në restorantin e produkteve të mishit të derrit.

8. Çisterna antike do të kthehet në depo për ruajtjen e turshive.

9. Varrezat mesjetare do të kthehen në vend parkimi për automjetet.

10. Numri i mishngrënsave dhe manjakëve të seksit do të numërohen për vizitorë të turizmit kulturor, etj, etj.

Pse bëhet e gjithë kjo?

“Gjithçka vjen prej presionit të personave me pushtet për qëllime përvetësimi të pasurive më të lakmueshme kombëtare”, thotë Gjeçi. Nuk harron të pëmendë emrin e Apollon Baçes, pasi vendimi për ta miratuar këtë projekt përkon në kohë me rikthimin e tij. Të njëjtin person ka identifikuar si fajtor (përveç të tjerëve) dhe Lorenc Bejko.

Më kanë ardhur via e-mail dy foto; njëra e kalasë së Lezhës ashtu siç ka qenë e siç duhet me qenë, dhe tjetra e kalasë ashtu si don A. Baçe të jetë, dmth me lokalet një e dy katëshe brenda mureve rrethues të kalasë; këto lokale parashikohet të ngrihen mu atje ku sot janë rrënojat e mureve të brendshme; e sikur kjo të mos ishte mjaft, në projekt të zënë sytë dhe një fushë sportive; duket si fushë tenisi.

Janë çmendur këta njerëz? Apo u ka plasur cipa? Për mua janë të dyja. Ndryshe nuk ka si shpjegohet, që nuk duan t’ia dinë më për asgjë.
Janë të sponsorizuar, të frymëzuar e të mbrojtur në këtë yxhym nga një bandë plaçkitësish, të cilët kanë në dorë procesin e vendimmarrjes. Inkurajohen dhe nga dremitja e heshtja e shoqërisë shqiptare. Në rastin konkret janë lezhjanët, që heshtin (Salvator Gjeçi është një zë që po u shpëton nderin, por nuk dihet a do t’u shpëtojë kalanë); e të mendosh se para ca kohësh një pjesë syresh bënë një protestë të bujshme kundër Klodit homoseksual!
Trima të mëdhenj dhe qytetarë 24 karatësh, s’ke ç’u thua! Le t’i vënë flakën Lezhës, punë e madhe! Vetëm të mos dalë ndonjë gay që t’u marrë erzin.
Uf! Mesjetë. Shekulli XI, XII, XIII.

Po jetojmë në kohë njimend dramatike. Këtë vend po e merr lumi. Nga njëra anë shoqëria shqiptare ka rënë në një gjumë të thellë, e nga ana tjetër kemi një bandë plaçkitësish që nuk ka kush t’i pengojë në bëmat e tyre. Dhe rrethi është i mbyllur: “Për të bërë plaçkë, u duhet të fitojnë zgjedhjet; që të fitojnë zgjedhjet, duhet të kenë plaçkë. Nuk kanë rrugë tjetër pra. Me të mësuar se ç’është plaçka, duan të bëjnë sërish plaçkë; për të bërë plaçkë, u duhet që të jenë se s’bën në pushtet; që të jenë më të sigurtë u duhet të trembin dhe institucionet e drejtësisë apo institucione të tjera; e që të blindohen fare, kanë bërë për vete dhe ambasadorët.

Si i bëhet? Nuk kam zgjidhje. I’m sorry!

Jelekë të zinj për Skënderbeun

Gratë arbëreshe në këtë mënyrë e kanë mbajtur zinë shekullore për vdekjen e heroit të tyre legjendar.


 Përveç ditëve të dasmave, mbi shpinën e tyre në jetën e përditshme nuk e hiqnin nga kurrizi një xhubot (jelek) të zi përsipër si shenjë zie për vdekjen e Skënderbeut.

Ja një vizitë nga afër në muzeumet e kostumografisë arbëreshe në Vacarizzo Albanese dhe Santa Sofia D'Epiro në Kalabri.

                                                                                                                                


Skënderbeu vdiq, atdheu mbeti larg dhe u la një herë e përgjithmonë. Por ata, megjithatë, në njëfarë mënyre e morën me vete. Me ç'mundën, duke e shtresëzuar fort përgjithmonë. Në shpirtin pa trajtë e me shumë të padukshme, por që disa forma dukjesh do të shfaqeshin edhe tek veshjet.

Kostumet popullore me të cilat do të visheshin arbëreshët, do të ishin një tjetër element kryesor që do t'i dallonte ata që përtej nga pjesa tjetër.

"Përbëjnë simbol të identitetit dhe trashëgimisë historike arbëreshe.", thotë drejtori i Muzeut të Vaccarizzo Albanese, ... Edhe pse, sipas tij, nuk mund të llogariten saktë lidhjet e shkëmbimet ndërsjellta mes kulturës arbëreshe dhe asaj italiane, kostumet arbëreshe kanë ruajtur origjinalitetin e zonave shqiptare me disa elementëve karakteristikë si: kurora e nuses, velloja, këmisha me lidhje, fundi i gjatë me pala të holla dhe brez të trashë në fund, rripi. Dallohen qartë për stilin dhe ngjyrat.

Në zonën e Kalabrisë Jugore të Unione Arbëria kësaj kostumografie i janë kushtuar dy muzeume. Një në Pallatin Cumano, i cili është edhe më i vjetri në këto katunde dhe ku në 1984 me nismën e Bashkisë së Vaccarizzo Albanese dhe Papas Giuseppe Faraco u shndërrua në Muze të Kostumeve dhe Orëve Arbëreshe. Dhe një në Santa Sofia D'Epiro, pikërisht në pallatin elegant me stil neoklasik, të quajtur 'Bugliari'.


Edhe ky sot është Muze i Kostumeve Arbëreshe. "Tek ne në Santa Sofia D'Epiro gjithë kostumet janë falur si dhuratë për muzeun. Në vitin 1995 kanë ndihmuar 250 familje arbëreshe për ngritjen e këtij muzeu.

Dhe janë falur plot 25 kostume tradicionale të tipologjive të ndryshme.", shpjegon administratori i muzeut, Franco Antonio Miracco. Ndërsa në Vaccarizzo Albanese, përveç dhuratave, ka edhe kostume të blera. "Dy kostume janë blerë me nga 20 mijë euro njërin, pasi janë gjithë fije ari", thotë drejtori i Muzeut në Vacarizzo Albanese, ....

Por e habitshmja është se ruhen shkëlqyer, si të jenë prej leshi, stofi apo mëndafshi të qepura vitet e fundit. Por që t'u zgjatnin jetën, gratë nikoqire arbëreshe, pasi i hiqnin nga trupi, i qepnin me fije nëpër të e më pas i mblidhnin duke i ngushtuar, i mbyllnin nëpër syndyqe, për t'i kursyer e për t'i hapur kur t'u vinte radha në ndonjë rast të veçantë. "Këto kostume në muzeume janë edhe prej 120 vjetësh, pavarësisht se nuk ta japin këtë përshtypje moshe, ngaqë janë ruajtur shumë mirë", shton Franco.

Për fat të keq, shumë kostume të bukura janë mbyllur dhe asgjesuar përgjithmonë në varre. Sipas traditës, kush vdiste, vishej me kostumin më të bukur, që ishte ai i dasmës dhe ky ishte vetëm ai popullor.

"Tani normal që nuk përdoren më. Martesa e fundit me kostum popullor arbëresh është bërë në vitin 1932", thotë Franco Antonio Miracco. Nëse do të përdoreshin, do të ishte njësoj si të kërkosh të martohen vajzat në Shqipëri me kostumet popullore të zonave dhe jo fustanin e bardhë. "Megjithatë, ka ende plaka të moçme që veshin tek-tuk kostumet e përditshme tradicionale, më të thjeshtë dhe më pak kontrastues me realitetin", thonë dy muzeologët.

Ajo që të çudit më shumë është se pikërisht në veshjet e përditshme, çdo grua arbëreshe mbante mbi shpinë një xhubot (jelek) të hapur, me mëngë, vetëm në ngjyrë të zezë. Kjo nuk mund të ndërrohej kurrë. Vetëm në ditën e dasmës dhe në ndonjë festë shumë të veçantë bëhej përjashtim dhe lejoheshin ngjyrat e ndezura. Në të kundërt, zi dhe vetëm zi. "Ishte shenjë zie për vdekjen e Skënderbeut", thotë muzeologu dhe bibliotekari Franco Franco Antonio Miracco.

Dhe shumica e kostumeve mbartin ngjyrat kuq e zi, edhe të gjelbrën, simbolikë të Alpeve të Shqipërisë, apo blunë, simbol të Detit Jon. Veshjet që mbanin zinë janë tërësisht të zeza, ato të gjysmë-zisë të zeza dhe kafe, ndërsa të dasmës shkëlqejnë në ar, tantella të bardha dhe ngjyra të çelura. Tek 'sutana razi', siç e quajnë fund mbi fundin e dukshëm të një veshjeje popullore dasme, duke prekur të ashtuquajturat 'pala korenti' që dikur bëheshin me avull, gjen edhe shqiponja të qëndisura në ar. Edhe në ditën e dasmës.

Por brezi i qëndisur në ar në fund të kostumeve, te mëngët, apo te jelekët e të nusërisë të ngopur në ar, nuk bëhen më sot as në ndonjë telajo të rrallë që ka mbetur nëpër shtëpitë arbëreshe. Edhe për faktin se të gjitha këto kushtojnë. "Por edhe më parë nuk mund t'i bënte dhe vishte çdo grua arbëreshe lukse të tilla. Vetëm të pasurat. Të tjerat përdornin kostumet popullore për përditë", thotë Franco.

Dhe me veshje tradicionale arbërore kanë qenë përherë gratë dhe vetëm gratë. "Burrat arbëreshë çuditërisht kurrë nuk u veshën me kostume popullore", thotë Franco, pa ditur ta shpjegojë këtë.


Edhe në muzeumet që iu janë kushtuar petkave shekullore arbëreshe, has një maniekin të vetëm burrë, por edhe ky jo imazh arbëresh, por një kostum tradicional nga Veriu i Shqipërisë, i vënë thjesht ashtu si shoqërues në morinë e veshjeve femërore.

Ndërsa këto të fundit shpërthejnë në forma, ngjyra, materiale vezulluese, por dhe funksione të përcaktuara saktë.
Aty janë përzier shumë tipologji duke nisur që nga jeta e përditshme, gjysmë festa dhe dalje për vizita të zakonshme e deri tek rastet tepër të veçanta si ditëlindjet, dasmat, vdekjet etj. Pamje edhe të njohura, por gjithmonë ka dhe të panjohura apo nevojë për t'i rinjohur.

Kostumi Gala
Sot vishen vetëm nga ndonjë grua shumë e vjetër në moshë , por në të shkuarën ishte veshja e çdo vajze në çastet më të rëndësishme të jetës së saj. Veshja gala përdorej ditën e dasmës apo në ngjarjet më të shënuara familjare apo festat e vitit. Lesh dhe pambuk për fshatarët dhe mëndafsh dhe lino tantella dhe fije ari për një sërë më të lartë, i veshur sidomos në ditën e dasmës.


Nga vitet '700 e më pas, kushtet e ndryshme ekonomike dhe sociale iu lejonin Arbëreshëve të Italisë t'i pasuronin kostumet në bazë të pasurisë së atij që e kërkonte, duke përmirësuar cilësinë dhe shtuar zbukurimet. Me copëra më të shtrenjta, të lara në ar, kadife, që vinin sidomos nga Napoli, qendra kulturore për gjithë komunitetet arbëreshe.
Ditën e dasmës nusja vishej me kostum të gjatë të bardhë ose prej liri, këmisha ishte me jakë të zbukuruar me dantellë të punuar me grep ose tyl.

Këmisha ishte bust i shkurtër, e hapur përpara me pëlhurë qëndisur në ar dhe në të njëjtën ngjyrë edhe nënfundi. Edhe jeleku te supet po i zbukuruar me ar. Veçanërisht i bukur dhe i punuar me pala nëpërmjet teknikës së avullit ishte fundi i gjatë përsipër nënfundit.

 (Xhipuni)

Në mëndafsh apo edhe në lino të trashë. Rreth belit, nuses i vihej një rrip i hollë me argjend ose ar i mbyllur në formë drejtkëndëshi, i vendosur në bark dhe i qëndisur me të njëjtën lloj stolish të dasmës. Këto dy elemente janë simbol dallues i një gruaje të martuar.

Flokët me dy gërsheta të vegjël mbaheshin të lidhur nga pas si një kulaç i vetëm në të cilën ishte vendosur kurora e martesës.

Kostumi plotësohej nga velloja në ngjyrë të artë, qëndisur me fije ari, e cila mbulonte fytyrën dhe binte deri tek shpatullat, nga çorapet e pambukut dhe këpucët në të njëjtin material si edhe fundi. Me motive të njëjta përdoreshin edhe bizhutërite e arta.

Kostumet e gjysmë-festave
Kostumet e gjysmë-festave, që visheshin nga nusja për të shkuar në kishë të dielave pas dasmave, për vizita kortezie apo raste festash, përfshinte këmishën e gjatë prej linoje apo pambuku të bardhë me qafë të zbukuruar nga varëset, fundin me pala zbukuruar në fund me brez ari apo nëse bëhej fjalë për raste jo shumë të rëndësishme brezi në fund qepej me copë në ngjyrë të gjelbër.


Busti mbështillej me copë të zezë apo kadife, stolisur te supet dhe kyçet e duarve nga shirita të gjerë, qëndisur në ar, me gurë të çmuar dhe me motive floreale. Plotësohej edhe me një pjesë cope prej mëndafshi blu, qëndisur me fije ari, një shami mëndafshi të verdhë ose portokalli dhe në fund një shall të gjelbër ose ngjyrë kafe e leshi, zbukuruar te cepat.

Kostumi i përditshëm
Në të rrallë e gjen edhe sot mes plakave të moçme arbëreshe. Në dukje i thjeshtë, pa ekzagjerime stonuese me përditshmërinë. Prej pambuku, mëndafshi, kadife, i gjatë, me tonalitete të së bardhës, me këmishë prej liri, vishet me një lloj jeleku prej pambuku në ngjyra të ndryshme me funksion mbështetjen e gjirit. Jeleku mund të jetë gjithashtu mëndafsh, lesh apo kadife e zezë dhe i qëndisur me fije mëndafshi të zi.

Gjithmonë në ngjyrë të zezë për të mbajtur zinë e Skënderbeut.
 Mbifundi zakonisht edhe në ngjyrë kuq e zi si flamuri shqiptar dhe me pak të gjelbër si Alpet e Shqipërisë apo blu si deti Jon. Koka është e mbuluar me një shami pambuku ose leshi e lidhur pas kokës. Barku me një platformë pambuku.

MAGDALENA ALLA

Media greke: Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, i pashmangshëm.

E përditshmja më e madhe greke “Kathimerini” shkruan se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, është i pashmangshëm. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën bëhet i pashmangshëm nëse Beogradi zyrtar nuk do të ndryshojë kurs. Kështu paralajmëron Adem Demaçi, një ndër emrat kryesorë të lëvizjeve për të drejtat e njeriut në Kosovë, raporton e përditshmja greke “Kathimerini”.


Derisa Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj përballë Kosovës duke mos e pranuar atë si shtet më vete, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të mund të bëhet realitet shumë më lehtë.“Në këtë situatë që Serbia nuk e pranon Kosovën si shtet, shqiptarët e Kosovës mund të bashkohen lehtësisht me Shqipërinë. Ne nuk mund ta përjashtojmë këtë mundësi, nëse Serbia do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim të njohur ndaj Prishtinës zyrtare.

Nderkohe pohon faktin se “përkundrejt qëndrimeve të Serbisë, “shqiptarët po tregojnë se janë të organizuar dhe një bashkim kombëtar do të mund të shndërrohej në realitet”. Kathimerini i ka bërë jehonë deklaratave të z.Demaçi, bërë në Shkup në një manifestim të organizuar me rastin e 30 vjetorit të protestave të studentore në Prishtinë. “Kathimerini” citon edhe se dialogu mes Kosovës e Serbisë, nuk ishte një dëshirë e shqiptarëve por një imponim nga Bashkimi Evropian.“Ne nuk kemi asnjë dëshirë dhe asnjë përfitim nga këto bisedime, sepse ato janë imponuar dhe aranxhuar nga BE- dhe OKB. Europianët, i bëjnë lëshime Serbisë sepse janë të interesuar ta tërheqin në BE ngaqë Serbia është një faktor më i rëndësishëm se Kosova”, – ka deklaruar Adem Demaçi.
Ndërsa duke u ndalur në tensionet ndëretnike në Maqedoni (FYROM ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), ato nxiten nga struktura serbe të instaluara në institucionet e Shkupit, të interesuara të ruajnë armiqësinë me shqiptarët.

“Shoqëria jonë është ende injorante për seksin”

Intervista
Seksologu gjerman, Volkmar Sigusch ka qenë një nga mendimtarët më të mëdhenj të periudhës së revolucionit seksual të viteve ’60. Në një intervistë ai diskuton për trashëgiminë që ka lënë me veprën e tij, për përfitimet që sipas tij ka pornografia online dhe për martesat e hapura, që në disa raste mund të jenë një opsion i mirë për një çift.
Profesor, ju keni drejtuar Institutin për Shkencën Seksuale në Frankfurt për 33 vjet rresht, ndërsa keni punuar edhe si terapist. A thonë gjithmonë njerëzit të vërtetën në lidhje me çështjet e tyre seksuale?
Kur vjen puna tek seksualiteti, njerëzit parapëlqejnë që të thonë gënjeshtra. Vetëm në rastin e parave e tejkalojnë veten, duke thënë edhe më shumë gënjeshtra.
Ju konsideroheni si një nga teoricienët më të famshëm të atij që quhet revolucioni seksual i viteve ’60. Sa arriti që të ndryshojë jeta jonë seksuale në atë kohë?
Unë gjithmonë do të konsiderohem si teoricien, por në atë kohë kam qenë vetëm një “udhëtar” me diplomë në xhep. Revolucioni seksual prodhoi një konvulsion kulturor, që ishte i pakrahasueshëm në të gjithë shekullin e kaluar. Seksi femëror historikisht ka qenë i seksualizuar dhe në atë kohë për herë të parë u kërkua arritja e orgazmës. Ndërkohë, edhe të ashtuquajturit “të devijuar” seksualisht, pra homoseksualët, arritën një lloj emancipimi të pjesshëm.

Dashuria e lirë prodhon njerëz të lirë dhe një shoqëri të lirë. Kjo ishte ideja, në fund të fundit. Por në fakt, nuk funksionoi...
Në atë kohë besohej shumë ideja se nëse gjërat do të dilnin në dritën e diellit, pra nëse për tabutë seksuale do të flitej lirisht, bota do të shembej. Por, në të vërtetë u ndërtua një kult i seksit dhe ato gjëra që burojnë nga sfera seksuale si lumturia, zbavitja dhe fundi i kapitalizmit, u nënvleftësuan shumë. Glorifikimi që kaloi çdo masë ishte me të vërtetë i padurueshëm.
Po a ishit ju shkencëtarët e seksit ata që luftuat kundër të ashtuquajturës “mbyllje” e viteve ’50 dhe ’60?
Kjo është e vërtetë. Por, unë mendoj se revolucioni i viteve ’60 ishte kryesisht një lëvizje e të rinjve. Unë ndieja se të ashtuquajturat “marrëdhënie të lira” ishin mbivlerësuar.
Si e shpjegoni faktin se pavarësisht ndryshimeve radikale, shumë njerëz ende besojnë në idenë e një marrëdhënieje monogame dhe solide?
Sepse, kjo ide e familjes përputhet më shumë me origjinën tonë shpirtërore. Babai, mamaja, familja e vogël, kjo është mënyra se si i kemi zhvilluar shpirtrat tanë, mënyra se si jemi ndërtuar dhe rritur dhe mënyra që në fund të fundit na bën që të ndihemi më të sigurt, të mbrojtur dhe të dashur.
E megjithatë, të gjitha marrëdhëniet kanë shumë probleme...
Dëshira seksuale bie pas 4 ose 7 vitesh bashkëjetese në një çift. Kjo është diçka e provuar.
Shkrimtari gjerman, Gottfried Benn ka shkruar dikur se, martesa është një institucion që e rrënon dëshirën seksuale.
Ka shumë opsione për një martesë. Nëse çifti ka qenë bashkë për disa kohë dhe ka njëfarë përvoje jete dhe liberalizëm, mund të bëhet fjalë për një marrëdhënie në të cilën njëri nga partnerët përfshihet në ndonjë marrëdhënie rastësore, që më pas falet. Kjo gjë ndodh mesatarisht një herë në 13 vjet, por është e sigurt që ndodh.
Kaq rrallë? Ndoshta në këtë rast mund të ketë mospërputhje mes studimeve shkencore dhe realitetit?
Sipas studimeve, 95% e marrëdhënieve seksuale janë marrëdhënie të atyre që ndërkohë e kanë një lidhje stabël. Ky është një numër shumë impresiv. Megjithatë, mungesa e dëshirës seksuale sigurisht ka një shkak. Në një çift inteligjent duhet që të krijohet mundësia  që gruaja ose burri të kërkojë kënaqësi edhe jashtë marrëdhënies që ata kanë, por kjo duke e marrë gjithmonë në konsideratë partnerin që kanë në krah. Pra, kjo do të thotë të veprosh hapur, por edhe në mënyrë diskrete njëherazi. Ndoshta çiftet që janë martuar kur kanë qenë 25 vjeç dhe tani janë 45 mund ta konsiderojnë këtë opsion. E nëse çifti është ende bashkë edhe pse kësaj aventure, pra ata e gjejnë sërish rrugën tek njëri-tjetri, mund të them se ata do të jenë bashkë përgjithmonë. Përkatësia tek njëri-tjetri është një dhuratë e bukur.
A mendoni se ideja e një “martese të hapur” ka dështuar për shkak se është shumë e vështirë që çiftet të përballen me pasojat?
Po, e përshkruar shumë korrekt. Problemi social është se te ne nuk ekzistojnë modele alternative. Mendoni për shembull për kushtet e Japonisë apo Indisë, flas për kulturën dhe mënyrën e kultivimit të erotikës në këto vende. Ata nuk janë aq “lepuj” sikundër jemi ne.
Mendoni se shoqëria jonë, edhe pse ka 40 vjet që flet për seksin,  nuk ka ndryshuar asgjë?
Unë do të thosha se ne jemi ende shumë injorantë kur vjen puna tek seksi. Ne flasim për të në mënyrë jo korrekte, shumë sipërfaqësore. Dhe çka është më e keqja, kur flet kaq shumë për një gjë rrezikon që t’ia shkatërrosh misterin.
Pra, nga njëra anë çiftet nuk flasin mjaftueshëm dhe nuk dinë shumë për dëshirat e tyre seksuale, dhe nga ana tjetër ata flasin shumë?
Është e rëndësishme për një çift që të flasë për preferencat e tij seksuale. Nga ana tjetër, aura e misterit duhet që të ruhet.
Çfarë kuptoni saktësisht me “aura e misterit”?
Një sekret i vogël mes çiftit. Një fetish që partnerët mund të kenë për njëri–tjetrin, apo një skenar i veçantë seksual. Më kujtohet një paciente femër e cila ishte veçanërisht e nxitur seksualisht nga shpatullat e të shoqit. Këtë lloj sekreti ajo duhet që ta mbajë për vete. E kam fjalën tek një përqendrim shpirtëror në pavetëdije. Fantazitë duhet që të mos jenë “të moralshme”. “Pastërtia”, skrupulli dhe racionaliteti janë një helm për seksualitetin.
Si do të konsideronit ju sajtet pornografike që shihen nga miliona vetë. E kanë ndryshuar seksualitetin?
Këto janë pjesë e një neo-revolucioni seksual që nisi në fund të viteve ’70 dhe vazhdon edhe sot. Një tipar kyç i këtij revolucioni është publikimi në shkallë të gjerë dhe komercializmi i detajeve, që dikur ishin sekrete. Ajo çka ndodh në një rast të tillë është shkatërrimi i dëshirës së pastër seksuale, dhe kjo ka vlerë më të madhe se çdo lloj ndalimi për seksin. Pra, luan rolin e kundërt.
A mundet këto sajte pornografike të ndihmojnë në reduktimin e fajit seksual?
Vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Por, për njerëzit që janë të dëshpëruar dhe që janë në kërkim seksualitetit në internet, ofron një çlirim të jashtëzakonshëm. Në të shkuarën, çdo pervers besonte se ai ishte i vetmi në këtë botë që kishte dëshira të tepruara seksuale. Sot ai mund të gjejë edhe të tjerë si vetja, dhe kjo përmes internetit. Nga ana tjetër, seksualiteti i internetit tregon se ne po bëhemi gjithnjë e më tepër të “vetëmjaftueshëm”. Po flas për seksin me veten.
Si ndikon tek adoleshentët dhe zhvillimi i tyre fakti që para se ata të konsumojnë seksin në natyrë, e konsumojnë në internet?
Ndërkohë që për të rriturit interneti mund të shërbejë si çlirues stresi, për sa kohë që ata nuk krijojnë varësi nga seksi, kjo nuk vlen për adoleshentët. Pjesa më e madhe e imazheve pornografike janë të neveritshme. Përveç kësaj, shkatërrojnë të gjitha sekretet që në fakt janë në qendër të përvojës seksuale dhe dashurisë. Por, shumë të rinj duket se kanë filluar të sillen me inteligjencë. Ata i shohin gjërat në internet herë pas here dhe pastaj mërziten dhe i lënë. Sigurisht, kjo nuk vlen për ata adoleshentë që rriten me ndonjë baba pijanec që në darkë sheh porno në TV.
Si do të jetë seksualiteti në të ardhmen?
Mendoj se do të ketë forma të tjera lidhjeje, përveç martesës sonë tradicionale. Njëra prej tyre është shfaqur prej kohësh në horizont: poliamoria, ose pasja e disa partnerëve intimë. Me fjalë të tjera, ti je i martuar me një grua e cila nuk ka kundërshtim që juve të dyve t’u bashkohet edhe një grua tjetër. Më pas është gruaja që sjell të dashurin e saj. Befas ftillohesh e thua: o Zot i madh. Qenka e vërtetë që mund të duash më shumë se një person. Sipas mbështetësve të kësaj teorie, një njeri mund të dojë disa persona njëherazi.
Po a nuk është një gjë e tillë shumë e lodhshme?
Këtë opsion nuk je i detyruar që ta zgjedhësh. Është vetëm një nga mundësitë. Ne do të përjetojmë një spektër më të gjerë të jetës seksuale. Ndërkohë, kam respektin më të madh për njerëzit që janë aseksualë. Në fakt, nuk e besoja fillimisht që ekzistonin, por është e vërtetë që ekzistojnë dhe numri i tyre sa vjen e po shtohet.
Aseksualiteti bie në kontradiktë me premtimin modern të lumturisë, që i jep një kredit të madh seksit në atë që mund të quhet një jetë e suksesshme?
Ky premtim lumturie mund të jetë edhe një barrë fatale, ndaj seksualiteti po refuzohet gjithnjë e më shumë dhe njerëzit mundohen që të gjejnë forma të tjera eksitimi. Ka shumë të rinj që e pëlqejnë aventurën, por jo atë seksuale.
Cila mendoni se është tabuja më e madhe e seksualitetit sot?
Sigurisht që është seksualiteti i fëmijëve, përfshi gjithçka që shkon me të si pedofilia, pedoseksualiteti.
A mund të trajtohen me terapi këto forma seksualiteti?
Është shumë e rëndësishme që këtyre njerëzve t’u ofrohet një terapi.
Si do ta përcaktonit seksin e mirë?
Në këtë pikë unë bie në një mendje me Woody Alen: seksi i mirë mund të jetë gjithçka, përfshi edhe gjërat e pista.


G. Shqip