Friday, April 8, 2011

Shqiptarët blejnë shtetësinë serbe

Dymbëdhjetë vjet pas hyrjes së NATO-s dhe largimit të forcave serbe, dhe tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, shqiptarët e Kosovës kërkojnë shtetësinë serbe.
Të detyruar nga skamja, mungesa e perspektivës, rritja e vazhdueshme e varfërisë…, dhe si pasojë e izolimit për shkak të mosliberalizimit të vizave, shumë qytetarë të Kosovës iu drejtohen institucioneve të Serbisë për të marrë pasaportën biometrike, me të cilën mund të udhëtojnë pa viza. Por, jo lehtë ata arrijnë të pajisen me dokumentet serbe, për të cilat edhe paguajnë mijëra euro.

Procesi i marrjes së këtyre dokumenteve zë fill në Kosovë, ku ndërmjetësues të shumtë kosovarë, të lidhur me serbë, mundësojnë një gjë të tillë. Ata në emër të qytetarëve të Kosovës shkojnë fillimisht në zyrat përkatëse që gjenden në Serbi për çdo qytet kosovar. Për Gjakovën drejtohen në Jagodinë, ku akoma edhe sot aty gjendet zyra me mbishkrimin “Sup Gjakovica”, për Pejën në Kragujevc, për Prishtinën në Nish, për Prizrenin në Krushevac, e kështu me radhë.
Në këto zyra ndërmjetësuesit, të paguar nga kosovarët, i nxjerrin certifikatën e lindjes dhe nënshtetësinë serbe personit që i ka paguar dhe ka kërkuar të pajiset me pasaportë biometrike. Me këto dokumente, ndërmjetësuesi vjen në Kosovë, ia dorëzon shtetasit kosovar, i cili me këto kalon kufirin serb dhe shkon personalisht i dorëzon në institucionet serbe për të marrë pasaportën. Mirëpo, këta persona për të realizuar këtë, duhet të plotësojnë dhe një kusht. Ata duhet të çlajmërohen si banorë kosovarë, në zyrat që gjenden për qytetet e Kosovës në Serbi dhe të paraqiten si banues në ndonjë qytet serb, duke marrë kështu statusin e ri të banorit serb. Kosovarët po ashtu paguajnë adresë në Serbi, pasi që me adresë të Kosovës në pasaportë biometrike nuk mund të udhëtojnë pa viza.

Rruga prej statusit kosovar tek ai serb deri në 7000 euro
Ndërmjetësuesit që ndihmojnë kalimin nga statusi banor i ndonjë qyteti të Kosovës tek ai banor i ndonjë qyteti serb, tregojnë se kjo bëhet duke ia paguar deri në 7000 euro një banori serb që ta regjistrojë në shtëpinë e tij. Ndërmjetësuesi K. L., nga Prishtina, i cili u ndihmon kosovarëve të nxjerrin pasaporta serbe biometrike, rrëfen për procedurat që duhet kaluar dhe për shpenzimet.
“Serbia si kosovar të jep pasaportë serbe dhe biometrike, pasi që akoma të konsideron shtetas të tij, por, nëse adresa jote është në Kosovë, atëherë në pasaportë të shënohet “Kordinaciona Uprava”, që në shqip do të thotë Administratë koordinuese. Dhe, nëse të shkruan kështu, atëherë nuk mund të udhëtosh pa vizë. Prandaj, shqiptarët ia kanë mësyrë të gjejnë adresë serbe”, thotë ky ndërmjetësues.
Ai konfirmon se prej 2 mijë deri në 7 mijë euro shqiptarët nga Kosova paguajnë banorët e Serbisë, që këta të fundit t’iu japin atyre në shfrytëzim adresën e shtëpisë, shkaku i nxjerrjes së pasaportave biometrike serbe. Pagesa, sipas tij, bëhet varësisht prej vendit. Në qytetet serbe si në Jagodinë, Kragujevc, Preshevë ai thotë se sillet prej 2 mijë deri në 5 mijë euro.
Ndërsa për adresë në Beograd, kosovarët, K.L. thotë për “Zëri” se paguajnë deri në 7 mijë euro. Por, të gjithë ndërmjetësuesit e kontaktuar nga “Zëri” që nuk kanë pranuar të deklarojnë identitetin tregojnë se kjo është njëra prej procedurave kryesore dhe që paguhet më së shumti. Ndërkohë, që fillimisht duhet kaluar në tjera procedura, për të cilat të shkojnë me qindra euro, siç është nxjerrja e certifikatës dhe nënshtetësisë serbe.
“Mjafton të kesh një dokument të vjetër me foto të Serbisë, ose edhe të UNMIK-ut, dhe me anë të tyre janë personat në Kosovë që paguhen për të të nxjerrë certifikatën dhe nënshtetësinë serbe në vendet përkatëse, me të cilat pastaj aplikon për dokumente”, thonë ata.
Për nxjerrjen e këtyre dokumenteve paguhet deri në 300 euro. “Pra, janë vendet përkatëse. Për qytetarët e Gjakovës këto dokumente i nxjerrim në Jagodinë, për qytetarët e Pejës në Kragujevc, për të Prishtinës në Nish e kështu me radhë”, thotë njëri nga ndërmjetësuesit nga Peja. Ndërkohë, procedura që ka ndryshuar së fundi është se këto dokumente mund t’i nxjerrësh nëpër këto qytete edhe nëpërmjet dikujt që e paguan, por jo edhe pasaportën. “Pasaporta nxirrët vetëm në Beograd, ku duhet të jetë prezent aplikuesi. Të gjithë ata që i thonë dikujt se mund t’ia nxjerrin pasaportën pa qenë vetë prezent, gënjejnë dhe ajo pasaportë është vetëm fals”, thotë ai.

Deri 10 shqiptarë regjistrohen në një shtëpi serbe
N.R., banore e kahershme në Beograd, por me prejardhje shqiptare, ka të regjistruar në banesën e saj në Serbi mbi 10 kosovarë. “I kam rreth 10 persona që realisht nuk jetojnë tek unë, mirëpo janë të regjistruar si banues të rregullt, shkaku i adresës, që të njëjtit të marrin pasaportat biometrike në Serbi”, bën të ditur N. R. për “Zëri”.
Kështu, këta persona figurojnë si shtetas serbë, të cilët duhet paguar edhe tatimet edhe çdo gjë me rregull, madje thirren edhe për të votuar. N. R. përveçse ka pasur dëshirë t’iu ndihmojë bashkatdhetarëve të saj, ajo edhe ka përfituar nga kjo gjë.
Kosovarët që janë regjistruar në banesën e saj i kanë paguar N. R.-së deri në 7 mijë euro për preson. “Po, më kanë paguar pasi që edhe unë mjaft po rrezikoj, sepse nëse vijnë më kontrollojnë dhe zbulohem mund të dënohem”.
Për gjithë këtë shteti i Kosovës nuk ka informacion. Qeveria vazhdon të premtojë pasaportat biometrike për sivjet, e bashkë me to edhe liberalizimin e vizave për 2012-në. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka pranuar për “Zërin”se qeveria nuk ka informacione se qytetarët e Kosovës regjistrohen si shtetas të Serbisë dhe marrin pasaporta të tilla, pasi sipas tij, kjo është rrugë ilegale dhe e fshehtë, prandaj nuk posedohen informata nga shteti.
Ndryshe, Rexhepi këtë formë të marrjes së pasaportave e ka quajtur edhe kriminale. Ai ka thënë se ka informata se në një lloj qendre koordinuese në Graçanicë, shtetas të Kosovës kanë marrë pasaporta biometrike, por të cilat, sipas tij, nuk kanë validitetin për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen.

Rexhepi ka theksuar se këtyre qytetarëve vetëm sa iu janë marrë paratë dhe ato pasaporta nuk mund t’i përdorin tani. Ai ka premtuar se brenda këtij viti qytetarët e Kosovës do të pajisen me pasaporta biometrike, ndërsa ka bërë të ditur se në vitin 2012 do të ndodhë edhe liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës.

KMDLNJ akuzon qeverinë dhe ndërkombëtarët
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka theksuar se faji për këtë rrugë që detyrohen të ndjekin shqiptarët e Kosovës për të udhëtuar në Evropë, është së pari i ndërkombëtarëve, të cilët sipas tij, na kanë përjashtuar nga procesi i liberalizimit të vizave.
“Tani kosovarët detyrohen për shumë arsye si shëndetësore, për biznese të marrin pasaporta serbe që të udhëtojnë pa viza. Po të kishim një vetëdije kombëtare nuk do të merrnim pasaporta serbe, por në anën tjetër edhe nuk duhet akuzuar shumë qytetarët, sepse janë të bllokuar”.
Shala tha se në një anë Qeveria e Kosovës nuk po lodhet, sepse për vete ata marrin viza dhe nuk kanë problem, e në anën tjetër thekson se as ndërkombëtarët që kanë bllokuar qytetarët, dhe në njëfarë mënyrë vetë po i drejtojnë kah Serbia.
“Ndërkombëtarët e dinë dhe e kanë ditur që edhe në Kosovë ka zyrë serbe që kanë lëshuar pasaporta biometrike serbe dhe nuk i kanë penguar. Ndërkombëtarët e dinë që ne duke shkuar të marrim pasaporta serbe e pranojmë Serbinë si shtet, dhe kjo po iu konvenon ndërkombëtarëve”, ka thënë Shala.
Në të kundërtën, sipas tij, Kosova do të mund të bënte një zgjidhje për qytetarët e saj, duke u marrë vesh me Shqipërinë që ky vend të lëshojë pasaporta të tilla edhe për kosovarët.

Zëri

No comments: