Friday, April 8, 2011

ZOTI FYLE!

I nderuar z. Fyle! Mirëserdhët në vendin e shqiponjave për të disatën herë, ndoshta dhe jashtë parashikimit tuaj! Natyrisht që e dimë se nuk keni ardhur për ne, po për krerët tanë: janë ata që kanë shkaktuar telashe, si juve, si neve. Ju keni ardhur për të pajtuar palët, duke menduar se nuk ekziston një palë e tretë jashtë dy poleve kryesore të politikës. Po jashtë dy palëve ekziston qytetari shqiptar që kërkon të jetojë në paqe e begati, po që nuk e ka këtë mundësi pikërisht prej atyre që ju keni ardhur të pajtoni.


Me këtë, nuk duam të themi aspak se Ju u krihni bishtin atyre, se Ju duke folur vetëm me ta i bëni të besojnë se vetëm ata janë Zeusë dhe s’ka të tjerë të mençur përveç Odisesë. Jo, ne nuk mendojmë se Ju jeni kaq naiv, ne nuk mendojmë se Ju keni ardhur të merrni ndonjë dorë lekësh sikundër kolegët tuaj europianë që besojnë se mund të nxirret dhjamë nga pleshti, dhe çfarë dhjami.


Gjithashtu, ne nuk besojmë se Ju keni ardhur për të firmosur detajet e fundit të ndonjë projekti privat që vetëm në mendjet e mëdha mund të lindë, apo të detyrojë vendin tonë të vazhdojë të jetë haleja e Europës, duke e kthyer në vendin ku pastrohen të gjitha papastërtitë e papastrueshme.

Jo, ne besojmë dhe duam të besojmë se Ju keni ardhur të kërkoni pak paqe nga kokat e nxehta, ca pak standarde demokratike, e jo për të justifikuar rrogën e ca pak zyrtarëve europianë. Dhe meqenëse udhëheqësit tanë në vend të rusishtes së djeshme kuptojnë vetëm anglishten e sotme, dhe aspak shqip, a është e mundur t’u përcillni atyre disa kumte qytetarie, se ne jemi të pamundur ta bëjmë, dhe për këtë nuk ju bëjmë juve fajtorë.


Së pari, do të donim që në këto zgjedhje të flitej për hallet tona, dhe jo për hallet e politikës.

Së dyti, do të donim që në këto zgjedhje, rezultatet të përcaktohen nga vullnetet e qytetarëve, e jo nga vullnetet e pasunarëve.

Së treti, do të donim t’u thoni prijësve tanë se komuniteti evropian ka një standard të pranuar që e çmon rolin e gruas në një shoqëri, ndërsa këta tanët nuk e kanë këtë standard dhe se në këto zgjedhje legalizohet përfundimisht përjashtimi i gruas nga vendimmarrja, ose qenia e saj si qytetarë e dorës së dytë.

Së katërti, e kemi imperative t’u thuhet këtyre agallarëve tanë, që të mos përdorin fëmijët në fushatë, ose në rast se i përdorin, se këta tanët kanë si Bibël e Kuran vetëm mendjen e tyre, të paktën të mos përdorin një fjalor urrejtjeje.

Së pesti, të shikohet nëse mund të ketë transparencë të fondeve që do të përdoren në fushatë, që ta dimë se me sa nga lekët tona po paguhemi neve vetë, që këta të vazhdojnë të na rrjepin.

Së gjashti, a mund të monitorohet jo vetëm dita e zgjedhjeve, por gjithë procesi zgjedhor, sepse marifeti nuk luhet më te kutia, po qysh te shtëpia.

Së shtati, a mund të ndikoni që ajo pjesë e sistemit të drejtësisë që do të përfshihet në zgjedhje të garantohet se nuk do të ketë cenim të pavarësisë në gjykimin e kundërshtive zgjedhore, përpara certifikimit përfundimtar.

Së teti, a mund t’u thoni zyrtarëve tuaj që do të monitorojnë procesin që kur të shkruajnë raportin përfundimtar, ta përdorin shumë shpesh fjalorin dhe fjalët të jenë vetëm në kuptimin e parë, dhe jo me shumë kuptime. Ju nuk e keni idenë për aftësinë interpretuese dhe mirëkeqkuptuese të ustallarëve tanë.

Së nënti, ju mund t’i kërkoni Presidentit të Republikës që të ushtrojë autoritetin e tij publik në mbrojtje të qytetarisë dhe të jetë ai që të kërkojë miratimin e zbatimin e një Kodi Etik, siç ka qenë traditë ndër vite, kur të paktën e kemi pasur kodin, edhe pse nuk e kemi zbatuar.

Së dhjeti, do të ishte e udhës që presioni mediatik mbi qytetarin të zbutej, sepse media është tërbuar njëlloj si politika, duke u vërsulur kundër qytetarit me një bombardim propagandistik të denjë për diktaturat.

I nderuar z. Fyle, këto janë pikat tona; ka dhe pika të tjera, po mendojmë se kaq dalin e teprojnë nëse vihen në udhën e zgjidhjes. Pasi të keni diskutuar pikat tuaja, vëreni dorën në zemër të përmendni, qoftë dhe në formë shakaje këto tonat. Vetëm kështu ju do t’i jepnit krahë qytetarisë dhe do ta përmbushnit më shpejt misionin tuaj. Vetëm kështu ju do ta shfrynit këtë balonë të pompuar në të cilën është kthyer politika shqiptare, duke e shpërndarë barrën e demokracisë në më shumë shpatulla. Nëse ju do të ngurroni të flisni në emrin tonë me udhëheqësit tanë, ne do të kërkojmë ndihmën e shpirtrave të lirë të Europës, të mediave të lira, të institucioneve joqeveritare, e të shumëkujt që fjalën demokraci e merr seriozisht.
                                                                                                                                                                               Erion Kristo

No comments: