Sot puna ndryshoi. Kemi sot një Shqipëri më vete, nënë të të gjithë bijve të saj edhe njerkë t’asnjërit. Ajo do t’i presë me krahë të hapura djemtë e saj që kthehen në shtëpi nga shkolla, - po duhet dhe këta diç t’i shpien nënës nga kurbeti.
Nuk është mjaft, nuk është gjë prej gjëje. O studentë në i shpufshi Shqipërisë një dipllomë vetmë, duhet t’i shpini edhe një mendim. Dhe ay mendim duhet të jetë aq’ i fuqishmë sa t’i shërojë trupin nga çdo sëmundje dhe t’i japë Zonjës së brengosur shëndetin dhe forcën për të qeverisur shtëpinë si nikoqire.
Mendimi që duhet të shpini, i vjetër në botë po i ri në vënt tonë, është mendimi i KANUNIT si të vetëmit rregullonjës të jetës sociale paskëtaj, në kundërshtim me VIOLENCEN, që ka mbretëruar gjer tani.
Ky mendim i ri, që të mos mbetet një fjalë n’erë po të punojë në gjak me forcën e një bari shpëtimtar, duhet jo vetëm të aplikohet si një formalitet zyre dhe gjyqi, po të hyjë në shpirt të ç’do njeriu si një gjë e shëntëruar, mprojtëse e paanëshme dhe e drejtë e Shoqërisë. Në një fjalë duhet të bëhet feja, ideali i Shqipërisë moderne. Dhe në paçi ju vetë, o studentë, një besim të patundur në këtë ideal, në këtë fe, ahere vetëm do të mundtni të bëheni apostujt e mendimit të ri.
Shtator 1921, Revista Studenti, Boston, SHBA
No comments:
Post a Comment