Friday, April 8, 2011

PS: Të hetohet financimi i spoteve të lëvizjes “Zgjohu” kundër opozitës

Partia Socialiste ka kërkuar nga ana e prokurorisë që të hetohet se nga financohet lëvizja “Zgjohu”, e cila prej muajsh është duke bërë spote kundër opozitës. Deputetja e kësaj partie, Ermonela Felaj, tha se opozita dyshon që këto spote financohen nga fondi për shoqërinë civile që qeveria vë në dispozicion.

“Saliu dhe Luli kanë vendosur të përdorin gjithë arsenalin e baltës për të sulmuar opozitën, duke vënë në funksion organizata fantazmë të cilat flasin kundër opozitës. Kohët e fundit janë parë spote nga organizata “Zgjohu” e cila është një organizatë fantazëm. Këto spote kanë një kosto financiare që arrin në qindra mijëra euro. Këto para në rastin më të mirë dyshohet se vijnë nga fondi për mbështetjen e shoqërisë civile, duke bërë që të shpërdorohen fondet e shtetit. Është faji i Saliut për këtë korrupsion. Në rastin më të keq financimet marramendëse dyshohet se vijnë nga paratë e pista të korrupsionit Berisha”, theksoi Felaj.
“PS i bënë thirrje Prokurorisë që të fillojë hetimet për burimin e parave me të cilat lëvizja ‘Zgjohu’ ndërmerr fushatat e saj kundër opozitës. KQZ dhe KKRT duhet të marrë masa për ndalimin e këtyre spoteve. Injorimi që këto dy institucione po i bëjnë spoteve, është prova më e qartë se pas kësaj fushate qendron Saliu dhe Luli i Saliut”, tha deputetja e PS-së.
Drejtuesi i lëvizjes “Zgjohu” është Altin Goxhaj, që njëkohësisht drejton edhe Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Kjo lëvizje, në mënyrë të paprecedentë është duke krijuar spote televizive kundër opozitës prej muajsh.

Tema

No comments: