Friday, April 8, 2011

Sahit Prizreni, nënkampioni i parë shqiptar i Evropës!

Mundja shqiptare ka arritur sot kulmin e saj në arenën ndërkombëtare, pasi Sahit Prizreni është shpallur nënkampion i Evropës, duke u bërë shqiptari i parë që arrin një të tillë. Në finalen e zhvilluar të martën në mbrëmje, shqiptari është mundur nga rusi Opan Sat, duke u detyruar të kënaqet me vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë në peshën 60 kg të stilit të lirë.

Në rrugëtimin e tij drejt finales, Prizreni ka mposhtur lehtësisht në turin e 16-shes italianin Vinçenco Rizoto, të cilit nuk i ka lejuar t’i marrë asnjë pikë dhe duke siguruar vendin në çerekfinale përballë gjermanit Marsel Evald. Beteja me mundësin gjerman ka qenë më e vështirë, por gjithsesi përvoja dhe shkathtësia i kanë dhënë Prizrenit fitoren dhe bashkë me të edhe vendin në gjysmëfinale dhe shansin për finalen e madhe.

Dueli i gjysmëfinales i ka vënë përballë mundësit shqiptar një rival të vështirë, si ukrainasi Vasil Fedorishin dhe ndeshja ka qenë tërësisht e barabartë, por Prizreni ka triumfuar në fund me pikë teknike, në shifrat 3-1. Kjo fitore i ka garantuar mundësit shqiptar të paktën një medalje të argjendtë dhe titullin e nënkampionit të Evropës.

Në finale, shqiptari ka patur përballë mundësin rus, Opan Sat, i cili ka qenë më superior, duke triumfuar si në 3 pjesët e ndeshjes, ashtu edhe pikë teknike. Megjithatë, Sahit Prizreni ka mbajtur vendin e dytë në podium dhe bashkë me të edhe medaljen e argjendtë, duke shkruar emrin e tij në histori si nënkampioni i parë kontinental i Shqipërisë në sportin e mundjes.


AlbanianSport.net

No comments: