Wednesday, April 27, 2011

Blasfemi

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s'iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.
Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme...
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke...
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme...
0 pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
0, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!
Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.


Millosh Gjergj Nikolla
Millosh Gjergj Nikolla poet dhe prozator i njohur si Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër.Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën. Migjeni futi në letërsinë tonë një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Mbetet, përfaqësuesi absolut i realizmit kritik në letërsinë shqipe.Vlen për tu përmendur prania e tij si përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922. Ndërroi jetë më 26 Gusht 1938 në Torino të Italisë.

No comments: