“Fronti popullor i Kosovës për mbrojtjen dhe kultivimin e veprimtarisë revolucionare të shokut Enver Hoxha”, me rastin e 26-vjetorit të vdekjes së liderit komunist, Enver Hoxha, ka mbajtur në Ferizaj një marsh përkujtimor.
Kryetari i këtij formacioni, Remzi Hasani, me këtë rast ka shkëputur momente nga biografia e Enver Hoxhës, duke thënë se ai përfaqëson një figurë shumëdimensionale që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë më të re të Shqipërisë.
Ai ka thënë se nën përkujdesjen dhe dorën e fuqishme të Enverit, Shqipëria arriti të ngrihej në një kala të re tërësisht moderne, duke përballuar dhe shpartalluar çdo ndërhyrje dhe komplot nga bota e jashtme.
“I goditi pa mëshirë të gjitha agjenturat dhe qendrat e spiunimit ndërkombëtar, të cilat moto të veprimit kishin përmbysjen e pushtetit popullor, ri-copëtimin dhe aneksimin e vendit tonë, por që u shpartalluan” theksoi Hasani.
Në këtë tubim të përmotshëm u tha se gjurmët e enverizmit ndër shqiptarët edhe sot duken kudo.
“Ai foli qartë dhe fuqishëm gjatë luftës në Kosovë, sepse armët e tija të deponuara në nëntokën shqiptare e të dedikuara për vëllezërit kosovarë, e goditen për vdekje makinerinë ushtarake të Millosheviqit. Enveri foli fuqishëm edhe në Gërdec, duke porositur, mos luani me armë që i ndërtuan për mbrojtjen e Shqipërisë, sepse do të digjeni në to. Zëri i Enverit u dëgjua edhe në kohën e vërshimeve”, ka thënë Hasani.
Ndërkohë, ky tubim solli edhe fakte se periudha e enverizmit asnjëherë nuk ka punuar në dëm të Kosovës dhe popullit shqiptar.
“Faktet historike dëshmojnë se Enver Hoxha nuk e nënshkroi Helsinkin, duke u përballur me presion dhe rreziqe ndërkombëtare, vetëm e vetëm për të mos e legjitimuar copëtimin e Shqipërisë edhe nga vetë shqiptarët”, ka theksuar kryetari i frontit, Remzi Hasani.
Këtë marsh përkujtimor e ka përshëndetur edhe përfaqësuesi i këtij fronti nga Prishtina, Zenel Hasani, ndërsa për të pranishmit nuk munguar poezitë dhe këngët për Enver Hoxhën.
Gjatë muajve tetor dhe prill, Ferizaj, bëhet qendra e përkujtimit të kësaj figure historike, duke mbledhur shumë simpatizantë jo vetëm nga Ferizaj. U bë e ditur se ky formacion politik, me qëllim të fuqizimit, shumë shpejt do të bëhet edhe me degët e saja në Prishtinë, Shtime dhe Mitrovicë, për t’u shtrirë në qendrat tjera të Kosovës.
1 comment:
Enver Hoxha gjithmone ne zemrat tona!!!
Post a Comment