Friday, April 15, 2011

Vajzat denoncojnë babanë-tutor

Shfrytëzonte të bijat e mitura si prostituta duke i detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale me shtetas të ndryshëm përkundrejt pagesës.
Burimet zyrtare të policisë së Korçës bënë të ditur se u arrestua 52-vjeçari P.M., banor i qytetit të Korçës, ndërkohë që u vendos masa e arrestit "burg pa afat" për 62-vjeçarin Andrea Nameti dhe për Skënder Korollarin, 35 vjeç.


Gjithashtu u vendos masa e sigurisë "arrest shtëpie" për shtetasin Nevrus Kollani, 79 vjeç. Të tre këta shtetas, sipas policisë akuzohen se për "kryerje të marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale me të mitur".


Burimet zyrtare të policisë njoftuan se hetimet për ngjarjen nisën tre muaj më pare, kohë në të cilën mësohet se është bërë denoncimi edhe nga vajzat e mitura. 52-vjeçari P.M, banor i qytetit të Korçës, i ndarë nga bashkëshortja shfrytëzonte të bijat e mitura për qëllime prostitucioni.

Policia deklaron se vajzat janë shfrytëzuar në vitet 2004, 2005 dhe 2006, periudhë në të cilën ato ishin në moshën rreth 8 dhe 10 vjeçe. Për të bijat, babai gjente klientë, për dy prej të cilëve gjykata ka dhënë masën e sigurisë "arrest në burg". Të dhënat zyrtare tregojnë se 62-vjeçari Andrea Nameti, banor i fshatit Mborje të Korçës, ishte dënuar edhe më parë për pedofili. E njëjta masë është dhënë edhe për 35-vjeçarin Skënder Korollari, banor i po këtij fshati.


Nga ana tjetër u vendos ndalimi edhe i një 79-vjeçari, për të cilin u vendos masa "arrest shtëpie". Të tre këta persona akuzohen se kryenin marrëdhënie me të miturat kundrejt pagesës që i bënin babait të vajzave. Mësohet se një gjë e tillë ka ndodhur në mënyrë sistematike përgjatë viteve 2004, 2005 dhe 2006.


"Hetimet për zbardhjen e këtij krimi nisën rreth 3 muaj më parë, ku në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të hetimit dhe veprimeve të tjera proceduriale, kanë bërë të mundur dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve. Materialet e përpiluara për këtë rast i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme", thuhet në deklaratën për shtyp të policisë.


Ndërkohë dy vajzat janë marrë nga policia dhe po i nënshtrohen pyetjeve në praninë e psikologut. Ato janë strehuar në një klinikë private. Nga ana e policisë po kërkohet për të tjerë persona që kanë kryer marrëdhënie seksuale me dy vajzat e mitura.


Nëna e të miturave: Vajzat mashtrojnë
E pyetur lidhur me ngjarjen, nëna e dy vajzave të mitura thotë se denoncimi që ato kanë bërë në polici për ish-bashkëshortin nuk është i vërtetë. "Burri im nuk është i përfshirë në një gjë të tillë", deklaron ajo. Madje nëna akuzon të bijat duke u shprehur se ato shkonin vetë tek 79-vjeçari, i cili u jepte para për të blerë çokollata.

No comments: