Tuesday, April 12, 2011

Ne, të vrarët

Lajmet për shqiptarët ndodh shumë rrallë të jenë të gëzueshme, për të mos thënë nuk ndodh kurrë.

Mesditën e djeshme një lajm më i hidhur se mitingu i Berishës në Librazhd apo takimi i Ramës në njësinë numër dhjetë të kryeqytetit, tronditi mbarë opinionin publik. I biri i një të vrari drejtpërdrejtë nga dora e qeverisë shqiptare, i dha fund jetës në kushtet e një depresioni të thellë që unë do e cilësoja si dëshpërim dhe zhgënjim nga e tërë shoqëria.

Djali i Faik Myrtajt nuk është as i pari dhe as i fundit që i jep fund jetës në Shqipëri, por ajo çka e bën më të kobshëm këtë lajm është fakti se ai me paramendim të plotë i dha fund jetës së tij në moshën 22-vjeçare, jo për bukën e gojës siç bëjnë shumë e shumë të tjerë gjatë një viti. Bardhoshi shkrehu pistoletën në kokën e tij duke gjetur vdekjen e menjëhershme sepse ai nuk e takoi të atin për së gjalli pas protestës së 21 janarit.


Unë kam bindjen e plotë se Bardhoshi sikurse dhe ne të tjerët, ka pësuar zhgënjimin më të rëndë që mund të përjetojë një popull në demokraci; atë të gjetjes së fajtorit e mos dënimit të tij. Tronditja e madhe që pësoi mbarë shoqëria shqiptare pas vrasjeve në mes të bulevardit i solli dëshpërim dhe pasiguri mbarë opinionit publik.

E si mund ta priste ndryshe nga ne të tjerët djali i Faikut vrasjen e të atit?
Unë me cilësinë e qytetarit të ndershëm, korrekt me këtë qeveri dhe ligjet e saj, bëj fajtor drejtpërdrejte Ministrinë e Punëve të Brendshme për plumbin 8 milimetra në kokën e Bardhosh Myrtajt, po aq sa e bëj fajtore edhe për ato plumba të automatikëve mbi trupat e dhjetëra qytetarëve më 21 janar.


Vrasja e Bardhoshit është po aq e kobshme dhe për faktin se ai nuk kishte ngurruar të shkruante dy orë para se t'i jepte fund jetës, një mesazh në rrjetin social "Facebook' ku shprehej se "nëse ke zgjedhur rrugën tënde, atëherë zgjidh më të mirën sepse unë fitova llahtarinë".


Askush nuk mund ta fajësojë Bardhoshin për vetëvrasjen, kur ai me sytë ë tij pa gardistë që zgërdhiheshin në sallën e gjyqit dhe kur kuptoi se as thirrja e mbarë opozitës dhe as ato të familjarëve nuk e ndërgjegjësonin drejtësinë shqiptare.


Fajtore e pashembullt në këtë vetëvrasje është Ministria e Brendshme dhe mbarë qeveria shqiptare, jo vetëm se i vrau të atin në mes të Bulevardit Dëshmorët e Kombit, por dhe për një fakt tjetër. Bardhosh Myrtaj vetëm 22 vjeç kishte një pistoletë, armë luftarake kjo që nuk i takon atij ta mbajë dhe e dalë nga depot e ushtrisë apo policisë shqiptare.

Vdekja e Bardhoshit duhet konsideruar gjithashtu si vrasje e drejtpërdrejtë sepse vetë logjika e kryeministrit të vendit dhe larove që rrinë pranë tij, e cilësojnë si të tillë. Të gjithë jemi dëshmitarë të debatit për vrasjen e ish kryeministrit Mehmet Shehu rreth 30 vjet më parë dhe që vazhdon ende të diskutohet.


Versioni zyrtar i Sali Berishës dhe palaçove rreth tij ndryshe nga ai i grupit hetimor është se Mehmetin me të vërtetë s'e kanë vrarë, por fjalët e rënda të Enver Hoxhës në mbledhje e bënë që të vriste veten dhe ky i fundit është indirekt vrasës. E pra, përse fjalët e Enver Hoxhës paskan ndikuar më shumë tek Mehmet Shehu se sa fjalët e Sali Berishës tek Bardhoshi apo plumbat mbi të atin?


Si ta kuptojmë neve këtë kur kryeministri i vendit, nënën e Bardhoshit dhe e të gjithëve ne i ka cilësuar si lavire, ndërsa baballarët dhe vëllezërit si të droguar. Unë gjej vetëm një përgjegjës tek vrasja e Bardhosh Myrtajt. Ajo është qeveria shqiptare dhe organet e policisë që pikërisht në fushata elektorale bëhen më agresive se kurrë duke provokuar dhe dhunuar këdo, në çfarëdolloj rrethane dhe pa iu dridhur qerpiku fare duke i vënë vetes vulën e zezë dhe kjo ndodh sa herë që qeveria shqiptare drejtohet nga ky njeri që kemi sot mbi krye.


Policia e Shtetit si kurrë më parë për vrasjen e Bardhoshit nuk dha arsyen dhe shkaqet sepse nuk ka fytyrë ta pohojë këtë. Kam bindjen e plotë se janë gati të bëjnë çdo gjë për ta nxjerrë vetëvrasjen e tij si pasojë e një borxhi të madh që nuk e shlyente dot, që dhe në se e ka pasur, tregon mjerimin e kësaj shoqërie që s'bëri kurrë përpara. Vrasja e Bardhosh Myrtajt nga fshati Kreshpan i Fierit, nuk është e para.

Një vit pas shpërthimit në Gërdec ku po kjo qeveri me këto surretër si ministra vrau 26 vetë, një baba i dha fund jetës.
Ai ishte Kujtim Osmani, i cili kishte humbur nga flakët e Fatmir Mediut, të bijën e tij Resmie Osmanin, vetëm 18 vjeç. Kujtimi si dhe Bardhoshi nuk mundën kurrë të merrnin përgjigje dhe të shihnin fajtorët para drejtësisë sepse vrasësit e familjarëve të tyre nuk ishin një person i vetëm, por një qeveri e tërë.


Deri atëherë sa guximi dhe drejtësia të na rikthehen dhe vrasëse apo avokate e krimit të jetë vetë qeveria, duhet të kuptojmë se kemi rënë në gjak me qeverinë.  

Ndryshe nuk kanë si shpjegohen makinat e blinduara qindra milionëshe dhe rrethimet e rrugicave të ministrave me kompani të tëra ushtarësh. Plumbi që depërtoi në kokën e 22-vjeçarit Bardhosh Myrtaj duhej të ishte ngulur diku tjetër. Në atë vend që e kemi të gjithë në mend, por nuk na e mban ta themi se i trembemi fatit të Kosta Trebickës.
Ardit Rada, Shekulli

No comments: