Një përgjigje që nuk do të desha kurrë ta shkruaja
Në jetë ka shumë pak raste kur ti ndjehesh i mbërthyer nga emocione të kundërta, nga trishtimi i thellë dhe optimizmi gjithashtu, nga pakënaqësia e madhe dhe nga ndjenja e pasigurt e entuziazmit. Kështu jam ndier pas letrës që Ambasada e ShBA-ve në Tiranë, i drejtoi z. Koço Kokëdhima, themelues i gazetës «Shekulli», me anë të së cilës e njoftonte se ndërpriste të gjitha marrëdhëniet me gazetën më të madhe në Shqipëri.
Shkak për këtë kishte shërbyer një opinioni i imi me titull «Intelektualët dhe një ambasador i vogël i një vendi të madh», botuar më 9.04.2011. http://www.shekulli.com.al/2011/04/17/ambasada-amerikane-nderpret-marredheniet-me-gazeten-shekulli.html
Në radhë të parë, dua të falënderoj z. A. Thano, kryeredaktorin e gazetës "Shekulli", i cili, në emër të gazetës, në përgjigjen që i jepte Letrës së Ambasadës së SHBA-ve, u shfaq si mbrojtës i lirisë së shtypit dhe fjalës së lirë.
Ndërsa unë i kërkoj ndjesë qoftë botuesit të "Shekulli"-t, qoftë stafit të saj për andrallën e radhës që ju shkaktova duke u bërë shkas i një konflikti të ri që kjo gazetë do të duhet të shtojë në listën e gjatë të konflikteve që ajo ka me shumë anë të pushteteve në Shqipërinë tonë, e cila vuan shumë e shumë plagë që vijnë nga dhunimi i fjalës së lirë, i iniciativës së lirë, që vijnë, më në fund, nga instalimi në këtë vend i një qeverie që mbron interesat e ngushta dhe klienteliste të një grupi të caktuar dhe që dhunon e deri edhe vret kundërshtarët e regjimit.
Në letrën e Ambasadës Amerikane thuhet hapur se «Ambasada e ka marrë këtë vendim në përgjigje të një opinioni nga Ilir Yzeiri, botuar në gazetën tuaj më datën 9 prill, me titull «Intelektualët dhe Ambasadori i vogël i një vendi të madh». Më pas, në letër thuhet se «Ambasada nuk kundërshton në asnjë mënyrë faktin që z. Yzeiri nuk është në një mendje me disa prej pikëpamjeve të Ambasadorit Arvizu, apo politikën e SHBA-ve» dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo, më pas, letra vijon kështu: «Megjithatë, artikulli i z. Yzeiri shkoi shumë përtej gazetarisë profesionale dhe opinioneve. Përkundrazi, kapërceu kufirin dhe u shndërrua në një sulm personal të papërshtatshëm dhe ad-hominem ndaj Ambasadorit Arvizu dhe Shteteve të Bashkuara.Përgojimet e lidhura me racën dhe etninë veçanërisht ishin të pavend për një gazetë që pretendon të përfaqësojë opinionin kryesor».
Jo e dashur zonja Leëis! Jo! Këto fjalë kthejini mbrapsht dhe më lejoni t'ju përsëris, e nderuar zonjë, se, në rrethana të tjera, unë do t'i drejtohesha Gjykatës dhe do të kërkoja dëmshpërblim nga ana juaj për deformim të qëllimshëm ose jo, që ju u bëni fjalëve të mia dhe tekstit tim. Në fakt, një gjë të tillë po e bëj së bashku me mikun tim gazetarin e "NEË YORK TIMES", Dan Bilefsky, me të cilin po përkthej në anglisht këtë shkrim dhe një kopje do t'ia çoj gazetës "NYT" dhe një tjetër Departamentit të Shtetit dhe do të pres prej tyre të më shpjegojnë se në ç'vend unë kam sulmuar në mënyrë të papërshtatshme SHBA-në dhe Ambasadorin Arvizu. Jo, e nderuar zonjë! Unë e mirëkuptoj faktin që ju nuk dini shqip ose edhe në qoftë se dini nuk e kuptoni mirë tekstin në shqip. Më lejoni t'ju shpjegoj se çfarë kam shkruar unë. Unë jam frymëzuar nga figura e Barak Obamës, Presidentit Tuaj të nderuar, i cili para ardhjes në pushtet, pranoi se politika e SHBA-ve në Irak ishte një dështim, këtë them edhe unë, se edhe në Afganistan kjo politikë po dështon, këtë them edhe unë, se kriza e rëndë e dështimit dhe falimentimit të Bankave në SHBA e kanë vënë në vështirësi politikën amerikane dhe ekonominë e saj.
Më thoni ju lutem, e nderuara Zonjë, çfarë sulmi ka këtu ndaj SHBA-ve? Me ç'të drejtë ju më akuzoni për gjëra që jo vetëm nuk i kam thënë, por as nuk i kam shkuar ndër mend? Po ju vë në dijeni se unë jam pjesëmarrës i «Blogue Planàtaire, TV5 Monde». Aty, me rastin e zgjedhjes së Presidentit Obama, unë kam botuar disa komente, së bashku me 25 shkrimtarë e gazetarë nga të katër cepat e planetit. Në ato komente, unë e kam mbrojtur, e kam himnizuar dhe e kam mirëpritur zgjedhjen e presidentit Obama më shumë se edhe ndonjë amerikan.
Me këtë vetëdije kam shkruar edhe për vështirësitë që ka sot politika e jashtme amerikane, vështirësi që i pranon edhe vetë Presidenti Obama. Po ju, zonjë, me ç'të drejtë më akuzoni dhe mendimet e mia të lira dhe opinionin tim të lirë për politikën e jashtme të SHBA-ve e quani sulm personal mbi SHBA-të?! Më falni zonja Leëis, dua t'ju pyes, këtej e tutje, a kam të drejtë të shpreh ndonjë qortim për politikën e jashtme të SHBA-ve? Nëse ju mendoni se shqiptarët nuk kanë të drejtë të shprehin apo të konstatojnë dobësitë që po shfaq Amerika, gaboheni.
Kjo më duket mua nuk është demokraci. Kjo, ne shqiptarëve, na kujton një periudhë të largët, atëherë kur fjalët dhe tekstet deformoheshin dhe artikullshkruesi edhe mund të përfundonte në burg. Nuk besoj, e nderuar zonjë, se ju mund të dëshironit edhe për mua një gjë të tillë.
Dhe tani le të vijmë tek akuza tjetër që më bëni mua. Ju shkruani: «Përgojimet e lidhura me racën dhe etninë veçanërisht ishin pa të vend për një gazetë e cila pretendon të përfaqësojë opinionin kryesor». Po jua përsërit edhe njëherë, e nderuar zonjë, se për një akuzë të tillë, në rrethana të tjera, unë do t'i drejtohesha Gjykatës dhe do të kërkoja prej saj që të zbardhte këtë akuzë. Por, edhe në këtë rast, ashtu si edhe për akuzën tjetër që më bëni, ju lutem kthejini mbrapsht se nuk më përkasin mua dhe nuk janë thënë dhe as menduar nga unë. Unë e di që gjithë kjo ka ardhur për shkak se unë, një sjellje të ambasadorit Arvizu, e kam quajtur «kinezëri».
Nuk e di se si e kanë përkthyer këtë fjalë ndihmësit tuaj shqiptarë, por më lejoni t'ju them se kjo fjalë nuk ka asnjë ngarkesë ofensive, ajo është një shenjë që karakterizon një mënyrë të sjelli dhe ka hyrë në gjuhën shqipe nga koha e marrëdhënieve tona me kinezët. Ju duhet ta dini, e nderuar zonjë, se ne kemi qenë për 20 vjet të lidhur me Kinën komuniste dhe, nën shembullin e Kinës, u bart edhe këtu te ne Revolucioni famëkeq Kulturor dhe u nxit ndërtimi i njeriut të ri. Këtu te ne botoheshin si libra xhepi, citatet e Kryetarit Mao që ishin tekste propagandistike pa asnjë vlerë dhe shpeshherë qesharake. Ato thoshin p.sh., se «njeriu duhet ta dojë partinë», «partia mbi të gjitha», apo lloj-lloj citatesh që shpeshherë shkaktonin të qeshura. Kulmin p.sh., e pati arritur një kinezëri që ishte një amalgamë e Konfucit dhe e thënieve të Maos që thoshte: «Koha më e mirë për të larë enët është pas buke».
Brezi im është rritur, si me anën dramatike të kinezërive, si edhe me anën komike të tyre. Kështu që në ligjërimin shqiptar fjala «kinezëri» ka hyrë si një shenjë që shënjon një sjellje populiste, propagandistike dhe pa asnjë vlerë si lajm, apo si ngjarje. Mua m'u duk se historia që tregoi ambasadori me atë gruan që i përkëdheli fëmijën, pra përpjekja e tij për t'u shfaqur popullor ishte e shtrënguar dhe ngjante me kinezëritë e kohës së Mao Ce Dunit. Unë do të prisja që për këtë përdorim të kishte reaguar Ambasada e Republikës së Kinës, por jo ajo e SHBA-ve. Megjithatë, në qoftë se ju këtë interpretim timin e kini përjetuar si tepër ofensiv, unë e tërheq dhe në asnjë rast tjetër nuk do ta përdor më.
E nderuar zonjë ! Në shkencat e komunikimit thuhet se ne njerëzit e jetojmë jetën duke luajtur secili nga një rol, se jeta i ngjan një teatri dhe se ne jemi personazhe. Ka edhe një përcaktim tjetër më të zymtë akoma. Vdekja ekziston, ajo është reale, jeta jo, jeta është një shfaqje, është një imazh, jo thjesht pse jeta është më e shkurtër dhe vdekja e përjetshme.
Ne vijmë të gjithë në këtë jetë dhe largohemi duke lënë pas nesh personazhin apo rolin që kemi luajtur.
Në këtë kuptim edhe Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë ka ardhur që të luajë këtë rol. Dhe unë, e nderuar zonjë, kam të drejtë që të gjykoj rolin e këtij personazhi. Unë analizova dhe komentova personazhin Arvizu në rolin e Ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë. Këtë e bëra në emër të shumë personazheve që luaj unë.
Në fillim këtë e bëra si profesor në katër Universitete, "A. Xhuvani", "M. Barleti", "Filozofi-Shkenca Politike" Tiranë dhe "La Sapienca - Gjuhët e Huaja", si gazetar, konkretisht si redaktor i programit "HAPUR" dhe si bashkëpunëtor i "TV5 Monde". Në emër të të gjithë këtyre personazheve që unë luaj, i dhashë të drejtën vetes të interpretoj rolin që luan në Shqipëri Ambasadori i SHBA-ve.
Ju vë në dijeni, e nderuar zonjë, se letrën tuaj e kam dërguar në të gjitha institucionet mediatike dhe universitare, brenda e jashtë vendit, në të cilat unë bëj pjesë.
Nga Ilir Yzeiri:Doktor i Shkencave Filologjike-Shekulli

No comments:
Post a Comment