Urrej të majtën e deklaratave për shtyp, e deklaratave-dëshmi të aftësive recituese, profesionalisht të trajnuar të deputetit apo aspirantit të rradhës, që nuk e trembin fare të djathtën abuzive në pushtet. Urrej të majtën që përzgjedh fjalët për të qenë në rregull me çdo raport pa ngjyrë ndërkombëtarësh të ushqyer mirë. Urrej të majtën që mendon në anglisht përballë problemeve që dalin përpara përditë si barrikada njerëzore. Urrej elegancën e tyre, sjelljen politikisht korrekte, kohën e harxhuar me bon ton.
Urrej të majtën që garon me të djathtën për të fituar biznesmenët, në një vend ku biznesmenët po bëjnë ligjin, duke e destinuar në letër me vlerë të ndonjë kohe ende të paardhur.
Urrej marrëveshjet e të majtës që kultivojnë impotencën. Urrej kohën që shpërdoron në rolin e viktimës përballë vëzhguesve të huaj, duke i vënë një kryq sipër forcës së madhe që ka brenda vetes.
Urrej të majtën që e ka lënë Shqipërinë pa asnjë peshë politike, të populluar nga individë që reagojnë si në mpirje kolektive. “U vetëvra djali i protestuesit të vrarë në 21 janar”. “Po po, e lexova tek Ballkanëeb”. “Berisha gënjeu për dëmshpërblimet e Gërdecit”. “Po po, e pashë tek TCh”. “Presidenti qenkësh puçist”. “Po po, e di”. “Meta po vidhte bashkë me Priftin”. “Po po, e pashë”.
Individë indiferentë që ekzistencën e tyre e përjetojnë përmes dëshmive mediatike. Indiferencë që në të vërtetë ulërin, se e majta në Shqipëri po hesht. Se e majta e deklaratave për shtyp nuk është dhe nuk flet për njerëzit. Se 80% e deklaratave thashethemnajë, nuk mund të mjaftojnë për të përfaqësuar popullin e majtë të shtetit më të varfër në Europë, shtetin më pak të përgatitur për të nesërmen, por që prej 20 vjetësh përjeton dejavu-në e një të sotmeje të errët e të pa shpresë. Shtetin që nuk lexon më. Shtetin që prodhon ekskluzivisht ekonomiksa dhe juridiksa më stampën e analfabetit.
Urrej të majtën që përkujdeset për të dalë bukur në foto plazhi, pavarësisht se muskujt glutealë ende nuk përbëjnë vlerë prioritare në Bathore, Patos, apo te 21-shi.
Urrej të majtën që nuk di të jetë opozitë, të majtën e tërhequr në pritje, me qetësinë e kujt ka luksin të presë. Urrej të majtën e 10 deputetëve më të pasur në Parlament, të PS-istëve me kohë shtesë. “Çfarë të bëjmë Ando, duhen lekë për të mbajtur Partinë” është refreni shkrefës për kë akoma beson se diçka do të ndryshojë, ndërkohë që biznesmenët luajnë me intuitë për të zgjedhur kahet. Sepse biznesmenët kanë gjithmonë kohë.
Urrej të majtën që për t’u zgjedhur, ka zgjedhur t’u bashkangjitet zgjidhjeve të djathta në një sfond qesharak që çdo ditë rrokulliset në kufijtë e tragjikes.
Urrej të majtën që ushqen besimin se ende ka garë mendimi mes dy partive.
Urrej të majtën që ka relativizuar fjalën aq sa asgjë që thuhet nuk ka më peshë. Urrej të majtën që kurrë nuk i qëndroi fjalës së dhënë. Të majtën që u përqëndrua për të arritur një imazh sa më qesharak të vetes. Të majtën që doli nga greva e urisë sepse ashtu iu tek Brukselit. Që në darkën me mëlçi pate hodhi në erë 20 ditët pa ushqim. Të majtën që 22 janar doli për të tradhëtuar atë për të cilën luftoi në 21 janar. Të majtën që braktisi viktimat në maskaradën e kriminelëve të djathtë. Të asaj të djathte që sot po del me program në dorë. Të djathtës që ndërkohë që vjedh në ditën me diell, premton të heqë 60 nga 85 taksa vendore.
Urrej të majtën që ende ngulmon t’i ngjajë të djathtës në logorencë, të majtën që na destinon në çoroditje, pa forcën e fjalës, që na mbyll në vetvete si autistë të pashpresë.
Të majtën që nuk më jep arsye për ta votuar dhe që më bën të dua të jem patetik.
- Andi Kananaj
1 comment:
pershendetje i dashur andi!
lexoj, trishtohem..por dhe ndihem njekohesisht i gjalle qe mundem te ndaj me ju te njejtin kendveshtrim, te njejtin pasion per te pranuar dhe gerthitur per ate c'ka shume kush e njeh si "liri' por kurre nuk do te paguaje" per ta fituar
me respekt
ervin panidha
Post a Comment