Thursday, July 12, 2012

Një përgjigje për Pirro Dhimën

Pirro ta duash Greqinë, por ne s‘të kemi asnjë borxh, përkundrazi. Në Shqipëri qave e qeshe për herë të parë, u rrite u bëre i famshëm. Mos i hiq vetes pjesën më të bukur të fëmijërisë dhe rinisë. Mos harro! Shqipëria të lau me flori, nuk ishin pak 15 medaljet e arta si peshëngritës, të bëri Mjeshtër Europe.
Ndjehem i detyruar t’i përgjigjem Pirro Dhimës, ndoshta për një arsye të thjeshtë njohjeje, si mjek sportiv, ku ai kaloi disa herë për tu vizituar dhe analizuar si sportist. Prej teje Pirro ruaj kujtime të mira. Ti ishe peshëngritës i madh i Shqipërisë. Kur kohët ndryshuan dhe ti u përpoqe për një jetë më të mirë, u shndërrove si ajo bima që transportohet në kubikë. Pra ishe formuar këtu, në vendlindje. Mos harro se ke marrë 15 medalje ari për Shqipërinë, disa prej të cilave atje në Greqi. Ke zënë vendin e katërt në Europë për të rritur dhe u bëre Mjeshtër i Europës, për peshëngritjen shqiptare.
Në Litohoro (Piereias) 25 km. nga Katerini, në këmbët e malit Olimp u njohe edhe me shoqen e jetës, Anastasinë. Lindët 4 fëmijë, vajzën tani 17 vjeçe, djalin 14, vajzën 12 dhe të voglin e pleqërisë 3 vjeç. Në këtë drejtim je treguar shqiptar i vërtetë.
Ty Pirro nuk të ngatërron asnjë këtu tek ne me minoritarin, sepse ti je himarjot i lindur në Tiranë dhe po të gërmosh historinë, do të gjesh në Himarë emrat e veriut të Shqipërisë, të njëjtat zakone këngë dhe valle. Himarjotët para se të mësonin greqisht dinin shumë mirë latinisht dhe italisht të paktën kështu thotë historia.
Në një shkollë “Lykeio” Litohoro, mundet nga viti 1997, kur ishe kthyer një peshëngritës i famshëm i Greqisë, “si nga fshati i gruas” u përpoqe të nxish çdo realitet tonin.
- “Unë Pirro Dimas nuk kisha të haja në Shqipëri se isha grek” . Kështu pate thënë në atë shkollë, fjalët pezmatuan jo vetëm shqiptarët, arvanitasit por edhe grekët vetë. Unë që njoh mirë mensën e “KS 17 Nëntori”, e di se sa mirë ju kanë mbajtur me ushqime, megjithëse vendi ishte në krizë. Sepse vendet Pirro kalojnë kriza siç po kalon dhe Greqia tani. Ganimetin, “Momën kuzhinjeren” shpirtmirë ti nuk e harrove, i solle një “dhoro” të vogël, të cilën ajo e tregonte me lot në sy, duke kujtuar me shumë mall Pirron e saj, çamarokun.
- Unë Pirro Dimas nuk më jepnin shkollë se isha grek.
Jo mor Pirro, në kohën që kam përfunduar “Fakultetin e Mjekësisë” ka patur disa djem të mrekullueshëm të minoritetit që janë bërë mjek të zotë. Ti personalisht nuk je shquar në mësime, megjithëse po ta them siç e kam thënë kudo, se gabuan me ty, duke mos të pranuar në ILKF “Vojo Kushi”. Ti mund të zemërohesh me disa shqiptarë, por kjo nuk të lejon të zemërohesh me të gjithë Shqipërinë.
Në stacionin televiziv “Mega”, në vitin 1992, të panë shumë shqiptarë, të cilët kuptuan se truku grek kërkonte që trajnerin tënd, Zef Kovaci ta bënte trajner italian. Në vend të vëllait tënd për të përkthyer, kishte ardhur një grek që dinte italisht për ta përforcuar gënjeshtrën. Kaq inat na paskan, sa dhe emrin e Shqipërisë nuk duan ta dëgjojnë? Çudi!!! S`dimë tu kemi bërë ndonjë të keqe kujt.
Pirro ti ke emrin e madh të Pirro Burrit, Pirros tonë të Epirit, Shqiptarit të madh, por ti gabon kur kërkon të bësh histori, sepse ti, kur flet për Epirin flet për atë politik ndërsa në të vërtetë duhet folur për Epirin gjeografik. Edhe Skënderbeu ynë është quajtur Princi i Epirotëve. Shko e shikoje në Vjenë, armaturën e Heroit tonë Kombëtar. Nëse Greqisë ti i kujton Vorio Epirin, që kërkojnë disa qarqe greke ta sjellin në vëmendje, e ke gabim. Po të kujtoj se në kohën e Perikliut të madh, Greqia ka qenë më pak se 1/3 e asaj të sotmes. Ne, fqinjëve tanë grek mund t’i kujtojmë Revolucionin për Pavarësinë dhe filantropët e mëdhenj shqiptarë, Çamërinë tonë, popullin e saj të shumëvuajtur dhe heroik, marrëveshjen e Fanarit, mallkimet e gjuhës shqipe, çkishërimet, helmimet e misionarëve të gjuhës shqipe dhe të kishës sonë etj. Këtë duhet ta dëgjojnë të gjithë, se kështu shtypet e keqja dhe ruhet fqinjësia e mirë që dëshirojmë. Historia e Greqisë është e bukur, por më e shumta është mitike ndërsa ne shqiptarët kemi histori me të vërtetë heroike. 
Mos të harrojmë Vangjel Zhapën rilindasin e “Lojërave Olimpike”, që grekët e tu e duan shumë, por harrojnë që ai është shqiptari që ka ndërtuar kisha, manastire, xhami e tyrbe. Pa më thuaj Pirro a ka ndonjë grek që bën xhami? Nga ana tjetër çe shtyu këtë njeri të rilindë Lojërat Olimpike? A mos ish thirrja e të parëve tanë ilirë? T’ja lëmë këtë historisë se ka shumë për të thënë për ne shqiptarët.Kur erdha në Greqi në vitin 1992 me Ylli Shehun për një ndërhyrje kirurgjikale në gju, ti na prite si miq. Më shumë anoje nga ne, se nga grekët të paktën këtë përshtypje më krijove. Kishe vuajtur, na the, në atë shtëpi bodrumi, ku tubat e ujërave të zeza i kishe gati mbi kokë dhe që shkarkoheshin me zhurmë kohë pa kohë. Na fole për punën e rëndë në ndërtim dhe llaçin që gatuaje me shumë mundime. Për të gjitha këto sakrifica dhe atë vendosmëri të palëkundur për të arritur diçka në sport, u krenova me ty, të admirova.
Por për tu habitur, me kalimin e kohës ti njeri kaq i mirë dhe i famshëm, u bëre i çuditshëm dhe i pakuptueshëm. Mendon se duhet të bësh politikë të tillë, që të jesh deputet i mirë për Greqinë? Por ti s’ke qenë kurrë politikan dhe propozimin për deputet duhet ta kuptosh mirë. Në këto momente krize, politikanët grek janë thuajse të urryer nga populli i tyre. Elektorati thotë më mirë Pirron, që megjithëse nuk njeh politikën, do të jetë i drejtë dhe i mirë me ne, Pirron peshëngritësin e shekullit, Pirron që e kujton Londra me një stacion të metros, nga ku do të hyhet në sallën e peshëngritjes, në Olimpiadën, Londër 2012. Edhe Greqia duhet të të bëj monument dhe e meriton, se në fund të fundit nga monumentet e lavdishëm është bërë dhe vetë ajo. Prit Pirro, prit i qetë dhe mos na “vringëlli armët”. A nuk e kupton se të ka ardhur koha e dilemës më të ligë në jetën tënde? Pjesa më e “keqe” e Greqisë, nuk të duan për të ngritur pesha sepse e dinë që ti nuk mundesh dot tani, por të duan që të jesh i besuar në melodinë Vorio-Epiriote sepse ka shumë grekër që nuk e besojnë më këtë propagandë të dalë - boje. Prandaj kur kërkon të flasësh duke u kthyer nga ne, është mirë tu drejtohesh atyre. Ne e dimë se çfarë është Vorio Epiri. Kjo daulle e çarë, e riparuar shumë herë vazhdon të bjerë duke lodhur më kot daullexhinjtë.
Pirro desha të kujtoj se dhe në ato kohë kur nuk kishim shtet dhe Greqia mund të na uzurponte lehtë, ne shqiptarët e kishin nga një pushkë në shtëpi. Kur duhet shqiptari nuk e turpëron veten për trimëri.
Pra të paktit grekë të duan për të turpëruar. Nuk ka as një shpjegim tjetër, duhet t’i kthesh me turp ato që ke marrë me djersë.
Tani meqë ke kohë që je larguar nga Shqipëria po të shkruaj një vjershë të Petro Nini Luarasit, të freskohesh pak, të bësh politika më të mira dhe me minoritarin, të kuptosh më mirë se kush jemi, kemi qenë e do të mbetemi ne shqiptarët.

                                                                                                                                                          Thonë s‘ditka Krishti shqipDhe shqip - fjale s‘pret prej nesh,
Vetëm në gjuhë greqisht
Të dëgjon e të mban vesh.

Po dhe Krishti ndë na thëntë
Se- “Jam grek, jakni pas meje”,
Do t‘I themi: - Pa mblidh mëntë,
Se Shqiptari s‘vjen pas teje!

Gjuhënë e kemi tënë
Të vjetërë dhe të vlyer
Nga perëndia ish thënë
Që ta ruajm të çkëlqyer.

Ironia e Petro Nini Luarasit në poezinë “Kundër mallkimit të gjuhës shqipe

Nga Prof. Dr. Lluka Heqimi

BERAT - Pas 35 vitesh hiqet emri i diktatorit.



Për rreth 35 vite, beratasit dhe kushdo që hynte në qytet dallonte në malin e Shpiragut parullën me emrin ENVER.

Germat e mëdha dukeshin me kilometra larg, falë punës disavjeçare për të realizuar një vepër që u gdhend në shkëmb. Por, prej 1 jave emri i diktatorit nuk është më. Një grup të rinjsh janë ngjitur në lartësitë e Shpiragut për t’i thënë “Kurrë” atij sistemi.

Ata kanë nisur punën për të zëvendësuar emrin e Enver Hoxhës me fjalën anglisht NEVER.

Dhis iz a mirakëll of fridëm (S.B)

Luka 23:24

Jezusi: "AT fali, ata nuk dijnë se ç'bëjnë. (Luka 23:24)
Ati: "Pse çfarë jam unë, Prift apo Hoxhë?!!!

Ajo që e bën më interesante dialog-monologun, është se Jezusi që i kërkon mëshirë Atit për mëkatin e njerëzve, është edhe vetë Ati...

Shkroi: Stop Injorancës !

Media serbe “Kurir”: Hashim Thaçi ka gjak serb

Mediat serbe pretendojnë se kryeministrin aktual i Kosovës, Hashim Thaçi ka gjak serb.

Beogradasja “Kurir” shkruan se stërgjyshi i Hashim Thaçit ishte një prift ortodoks serb, që në fillim të shekullit XX u konvertua në musliman dhe e ndryshoi emrin në Jusuf.

“Kurir” ju referohet disa dorëshkrimeve ‘origjinale’ të cilat gjenden në arkivat e kryeqytetit turk, Ankara.

Lajmi është publikuar në numrin e ditës të sotme të gazetës serbe, e cila shpërndahet në Serbi dhe Mal të Zi, ku është lënë madje një vend në kopertinën e gazetës, për këtë lajm.

Për më tepër ato kanë bërë një fotomontazh ku kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është i veshur me rroba ‘çetniku’ serb. Lajme Shqip

Interesante që kësaj medieje serbe i paska shpëtuar që vjehrra e kryeministrit aktual shqiptar quhet Milica Bulatović si dhe gruaja e tij Sllobodanka, e përkthyer shqip, Lirie. http://en.wikipedia.org/wiki/Sali_Berisha
E megjithatë, për hir të së vërtetës, janë pikërisht serbët ata të cilët kanë shtuar numrin e tyre të popullsisë duke asimiluar përmes indoktrinimit fetar, popullsi shqiptare të besimit ortodoks.

Vetë e ashtëquajtura "Nëna e Serbisë", Shën-Angjelina, http://en.wikipedia.org/wiki/Saint_Angelina_of_Serbia ka qenë vajza e Gjorg Golemit (Gjergj Arianiti) si dhe motra e Donikës, gruas së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Stop Injorancës

Epitaf për veten

"Do të të hedh si dele mes ujqërve"
më pëshpëriti ëmbël dikush
teksa bëja gjumin e zhagitur nëntëmujor
në liqenin lotur me ëndrra heshtjeje.



Endrra që s'njohën kurrë fatin e tyre; fatin e pamjaftë.
Duke i tjerrë dritën hënës u rrita,
me fjalën e Tij ujdhëse me vete
pashë, takova dhe gjeta vetëm:
kaproj fluturues, hije të përgjakura shelgjesh,
bjerakohës të pashpresë; shpresë të tredhur qysh në embrion,
nimfa mbarsur me kollë pershkatarësh,
mjellma pa kokë, Diellin me thikë në dorë,
psikologë që masturbonin ndërgjegjet njerëzore,
xhakondat kërthizëdala me pirsing,
metropolin e kopshtit zoologjik apo.., ndjesë,

kopshtin zoologjik të metropolit,
murgesha kryeadministratore bordellosh,

dashuri  coftinë si korridore spitalesh,
Njeriun me shenjë, Njeriu në Hënë, Njeriun që qesh,
Tik-Takun e Babilonisë,  vejushën e Kaukazit,
cicëvyshkurat kurtizane me fytyra meduzash,
inçestet e pafundme politike,  rrugën 'MOS KALO SOT!',
Niçen si kryetar sindikate, Uajlldin në burgun e Peqinit,
patkoj fildishi në pajën e nuses shterpë,
vogëlushin që ndjek sonambul ëndrrën e tij blu,
siçilianen e verbër duke mbledhur portokaj,
Olimpin plot me agjentë burse e sekserë,
bulkthin dehur nga zezonat e natës,
njerkën buzëpërvjelur kur bërtet: 'vëri llozin derës tutkun'
mitingje, skamje, silikon me shumicë,
gjithçka dhe asgjë, gjithçka për asgje,  por vetëm ujqër jo...

Ah Zot, të lutem më thuaj, ç'faj kam unë që s'm'u zbardh lëkura rrugës?!

Arti Lushi

Kulti i errët që prishi martesën e Tom Cruise

Sapo u bë publik lajmi për divorcin mes Tom Cruise dhe Katie Holmes, shumëkush kishte në mendje vetëm një fjalë: scientology, kulti tek i cili beson aktori i njohur. Madje thuhet se Cruise është një nga drejtuesit e lartë. Në media thuhet se ishte pikërisht ky kult që i shkatërroi martesën Holmes. Frika se vajza e tyre bukuroshe, Suri, do të dërgohej në një urdhër të lartë të këtij kulti, të njohur me emrin Sea organisation, ose thjesht Sea Org, bëri që çifti të ndahet. Holmes nuk pranoi kurrsesi që vajza gjashtëvjeçare të shkonte në Sea Org.

Por çfarë është Sea Org?

Këtu janë zyrat qendrore të Scientology, një vend ku anëtarët zotohen për besnikëri për 1 miliard vite.

E gjithë Sea Org drejtohet si një klikë ushtarake. Gjendet në një zonë të izoluar, në një kodër, që monitorohet nga një bunker me rrjeta stil- snajperësh. Të hysh aty brenda është mision i pamundur, pasi mbrojtja është si e një baze bërthamore.

Anëtarët që shkojnë aty nuk lejohet të kenë fëmijë, paguhen vetëm 50 dollarë në javë dhe mund të dënohen edhe për gjërat më të thjeshta si për shembull nëse sheh dikë shtrembër në sy. Kush dënohet, hidhet në atë që njihet me emrin Vrima.

FBI pati hetuar pasi një prej anëtarëve ishte ankuar se e kishin lënë 18 orë pa ushqim si dënim.

Holmes thuhet se është alarmuar kur ka mësuar se vajza e saj do të shkojë aty brenda në një shkollë, që është financuar pjesërisht edhe nga Will Smith. Ky i fundit megjithatë thotë se nuk e beson se aty merren mësime fetare.

Brenda në këtë urdhër të errët jetojnë 6 mijë njerëz. Vitet e fundit është folur shumë për trajtimin skllavëror aty brenda. Ata që arratisen, vendosen nën një vëzhgim special dhe detyrohen të rikthehen përmes presionit emocional dhe forcës fizike.
Ndëshkimet janë ekzemplare.
Disa njerëzve u mohohet që të flasin, të tjerë detyrohen të vishen me të zeza, u mohohet gjumi ose ushqimi, etj.
Edhe pse mediat kanë shkruar shumë dhe kanë bërë shumë investigime, zëdhënësit e Scientology kanë deklaruar se gjithçka është një trillim.
Sea Org daton që në vitin 1966 kur themeluesi i Scientology, L.Ron Hubbard u kërkoi pasuesve të tij që të shkojnë aty për të kërkuar nivelin më të lartë të ndërgjegjes shpirtërore. (Tema)
http://www.gazetatema.net/web/2012/07/03/kulti-i-erret-qe-prishi-martesen-e-tom-cruise-foto/

Disa sekte kanë gjithnjë në qendër të vëmendjes gjatë 20 vjeçarit

Më 18 nëntor 1978, në një zonë të banuar të xhunglës Guyanze, prifti Jim Jones urdhëroi 913 pjesëtarët e kultit të tij religjioz që të vrisin veten duke pirë helm dhe kështu bënë.
1978 - 1998. Vetëvrasje masive, sakrifikim fëmijësh, apo ngjarje të tjera të kësaj natyre jo rrallë kanë tronditur mbarë opinionin publik.

E para e këtij lloji që u bë publike ishte më 18 nëntor të 1978: 914 anëtare të Tempullit të Popullit (People's Temple), nga të cilët 260 fëmijë, u vetëvranë duke pirë një helm të fuqishëm në tempullin e Jonestown në Guyana;

19 shtator 1985: 60 anëtare të Datu Mangayanon u vetëflijuan në Mindanao, Filipine;

1 shtator të 1986: 7 anëtare të Kishës së miqve dhe vërtetësisë vranë veten në Uokajama të Japonisë;

28 gusht 1987: 32 anëtare të Park Soon Ja vranë veten në Seoul, Koreja Jugut;

1993 : 72 anëtare të një sekti në Uako të Texasit dogjën veten pasi policia i kishte zbuluar. Megjithëse në raportin e policisë thuhej se ata e ndezën vetë zjarrin disa burime të jashtme bëjnë të ditur se forcat e rendit gjate aksionit të tyre kanë përdorur eksploziv ;

4 tetor 1994 në Zvicër 53 anëtarë nga të cilët 16 fëmijë te Urdhrit të Tempullit diellor (l'Ordrë dy Tompl soler) u vranë midis tyre.

1995 - udhëheqësi shpirtëror i Shëvalje dy Lotys d'or, Gilbert Bourdin, u akuzua për «ushtrim dhune dhe abuzim seksual» ndaj një anëtare të sektit.

20 mars 1995 : disa anëtarë të Aum Shinrikyo kryen një atentat me gaz në një metro të Tokios duke shkaktuar 12 të vdekur dhe 5000 mijë të plagosur;

23 dhjetor 1995: 16 anëtare të Urdhrit të Tempullit diellor (l'Ordrë dy Tompl soler) midis të cilëve 3 fëmije u veterane në Verkor të Francës. Edhe sot ka akoma dyshime nëse ishte vetëvrasje apo vrasje nga policia.

24 mars 1997: 5 anëtare të Urdhrit të Tempullit diellor (l'Ordrë dy Tompl soler) u gjetën të vrarë në Kébek.

Qeverinë Amerikane e ka zënë halli keq me qytetarët e saj.

Pasi Qeveria Amerikane u detyrua të nxjerrë një njoftim publik që fantazmat nuk ekzistojnë, shiko këtu --> http://www.facebook.com/220909724602709/posts/472691869425338
një tjetër ku gjithashtu eleminonte mundësinë e ekzistencës së kanibalëve, shiko këtu --> http://www.facebook.com/220909724602709/posts/469338769759802 kësaj rradhe është detyruar që nëpërmjet Agjencisë së saj Shkencore të nxjerrë njoftim për publikun se: "Sirenat nuk ekzistojnë".
http://oceanservice.noaa.gov/facts/mermaids.html

Shqetësimet e qytetarëve amerikanë, kanë nisur fill pasi ata kanë ndjekur një dokumentar thriller të realizuar prej kanalit "Discovery Channel". shiko këtu --> http://press.discovery.com/ekits/monster-week-mermaids/press-release.html

Do të ishte më shkurt dhe bukur nëse Amerika nuk do shtynte më tej indoktrinimin masiv të popullsisë së saj tashmë të mbytur në supersticione, të betuar mbi Bibël, sesa të presë reagimin e saj të rradhës, "Babagjyshi i Vitit të Ri, nuk ekziston". (S.I)
shiko këtu --> http://deathreferencedesk.org/2010/12/25/rip-santa-claus-dont-tell-the-kids/

Amerikanët i ftojmë të lexojnë veçanërisht këtu: https://www.facebook.com/photo.php?fbid=314731505220530&set=a.222036807823334.75632.220909724602709&type=3

Burimi i lajmit: http://www.bbc.co.uk/news/world-us-canada-18692830

Përgatiti: Stop Injorancës

Bukuroshja dhe soli

Një bukuroshe kishte bërë tatuazh pas qafës, një çelës soli.
Më bëri vërtetë përshtypje të mirë dhe e pyeta se cilës vegël muzikore dinte t'i binte.
Ajo, u mendua paksa, pastaj me një të njomur të lehtë të cepit të buzës së saj me gjuhë, m'a ktheu: "Mikrofonit".


Shkroi: Stop Injorancës

Paraja nuk është gjeneza e të këqijave, por gjeneratori i tyre.

Eshtë interesante sesi në kaq vite bashkëjetesë me paratë, nuk krijoj dot një lidhje shpirtërore me ato. Madje edhe paratë që momentalisht më gjenden sot në portofol, nuk i ndjej si pronën time, nuk i ndjej si të miat dhe nuk më imponojnë kurrfarë respekti ndaj tyre.
E vetmja arsye pse më bie ndërmend të diskutoj rreth parave, është se ato janë të famshme.
Thuhet se me paratë mundet të blesh gjithçka, por edhe një pistoletë në dorë, nuk blen më pak.
Dikush padyshim do të thoshte se të kërcënosh me armë dikë, të bëjë diçka jashtë vullnetit të tij, është kriminale.
Jam dakord, por më thoni se sa herë na ndodh që të jenë pikërisht paratë, ato të cilat na detyrojnë të dalim jashtë parimeve tona, jashtë natyrës tonë, jashtë qëllimeve e bindjeve tona?
A nuk përbën dhe kjo shkelje e vullnetit një krim, ndaj individit fillimisht dhe vetë shoqërisë rrjedhimisht?

Përse i duhen paratë shoqërisë njerëzore? Për të punuar?
Shoqëria jonë kanë punuar edhe kur nuk kishte para.

A ka shtrembërim më mizor mbi konceptin e punës, sesa të punosh për para?
P.sh, një mjek të shërojë një të sëmurë, jo sepse kjo është detyra e tij, por sepse i duhet rroga në fund të muajit. Apo, një polic të kap një keqbërës, jo sepse ai ka shkelur ligjin, por sepse i duhet rroga. Një politikan të drejtoj një shtet, jo sepse e do vendin e tij dhe mendon se mund të bëjë më të mirën për të, por sepse i duhet rroga...

Po nëse këtyre njerëzve që punojnë t'iu japin më tepër para se rroga e tyre, a legjitimohet fakti për të devijuar nga puna e qëllimi i saj?

Ka ardhur koha që njeriu të krijojë (apo rikthehet) në një sistem, ku paratë nuk qëndrojnë në krye të hiearkisë, mbi vlerat e ndjenjat njerëzore.

Shkroi: Stop Injorancës

http://stopinjorances.blogspot.com/2010/09/na-kane-mposhtur.html

Wednesday, June 27, 2012

F A L E M I N D E R I T !!!

Kur erdhe ti në botë
fitova një botë të dytë,
kur më shtrëngove gishtin
u ktheva robi yt.


Kur tënden të qarë
dëgjoi ky babi yt,
zemrën ndjeu fort,
plot i mbushi sytë.

E kur të shoh tek fle
mrekullohem, më fal,
kur ti bindesh e ha
zemrën ma bën mal.

Kur ti i qesh botës
ajo, hmm kaq e dlirë,
kur ti më përqafon,
unë, njeriu më i mirë.

Kur me kica kafshon
jam preha më e lehtë,
kur "ba-ba" belbëzon
ndjehem mbret, mbi retë.

Kur ngrite e hodhe
hapin tënd të parë,
pranova se bota
hyri në rrugë të mbarë.

Kur mbërrij në punë
gjithmonë me vonesë,
se sa dal nga shtëpia
ti qan me dënesë.

Kur s'të kushtoj vëmendje
më tërheq prej mënge,
e kur luaj me ty
më çjerr nëpër sy.

Më imiton nga pas
sa herë kur të flas,
më sheh e habitur
nervoz kur bërtas.

Kur të puth mamanë
ti vjen e na ndan,
kur të lëmë pak vetëm
ty vendi s'të mban.

Kur hyre mes nesh
na more prej vëmendjes e përkushtimit,
por të jesh e sigurt se TI
je barka jonë e shpëtimit.

Shkroi: Stop Injorancës