Friday, November 30, 2012

Kush janë muslimanët e vërtetë?

Si e festojnë Hashuren muslimanët indianë, irakenë, sirianë, afganë, turqë, libianë etj dhe si e festojnë Hashuren muslimanët shqiptarë?
http://www.jafariyanews.com/2k5_news/feb/20ashur.htm

Dyshemeja e xhamisë është e mbushur me gjak, ndërkohë që myslimanët shitë në Indi godasin veten e tyre gjatë një procesioni të shenjtë.

Myslimanët në mbarë botën kujtuan Ditën e Hashures. Disa prej tyre madje zgjedhin që të derdhin gjakun e tyre për të kujtuar martirizimin e Imam Hyseinit, nipit të profetit Muhamed.

Ai u vra nga rivalët politikë së bashku me 72 shokë të tij në betejën e Qerbelasë, ndërkohë që trupat e të vdekurve u gjymtuan.

Hashurja kremtohet në ditën e dhjetë të muajit Muharrem.

Burimi: http://www.gazetatema.net/web/2012/11/26/rite-gjakatare-ne-nje-ceremoni-fetare-foto/

Aqif Pashë Elbasani, i pari që ngriti flamurin e Pavarësisë


Në vitin jubile kujtohet patrioti i shquar shqiptar.
Ishte një nga patriotët më të njohur elbasanas, njeri i besuar i Ismail Qemalit.

“Emëri juaj i shkëlqyer si patriot…”
Me këto fjalë Ismail Qemali, në vitin 1912, i drejtohej Aqif Pashë Elbasanit, pasi mësoi se ai bashkë me patriotë të tjerë elbasanas ngriti flamurin e Shpalljes së Pavarësisë në Elbasan. Flamuri u ngrit në Elbasan më 25 nëntor 1912. Ai u pasua me ngritjen e flamujve të tjerë në Korçë, Durrës, Tiranë… dhe 28 më Nëntor në Vlorë.
Ismail Qemali vazhdon: “Në këtë kohë transformimi, historia do të dijë të dallojë patriotin nga tradhtari dhe do t’i caktojë secilit vendin e tij… Se ç’vend do të kem unë në histori, këtë nuk e di… sa për ju, emri juaj i shkëlqyer si patriot do të mbetet i shkruar në faqet e ndritura të historisë sonë…”
A thua këto fjalë të Ismail Qemalit nxitën vetëdijen patriotike të familjeve elbasanase të përjetësojnë figurën e Aqif Pashë Elbasanit, në një shtatore në qendër të Elbasanit, në vitet e demokracisë dhe nipin e Pashës, Serxhio Vili Mazreku, avokat, të shkojë më tej. I preokupuar, bashkë me  shkrimtarin Bahri Myftari, duke vlerësuar kontributin e Aqif Pashë Elbasanit në shpalljen e pavarësisë kombëtare, hartuan një plan konkret veprimtarie, të cilin ia paraqitën kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, z. Qazim Sejdini. Reagimi i tij ishte pozitiv… Sejdini në zyrën e tij mban dhe ruan flamurin e ngritur në Elbasan më 25 nëntor 1912, e qëndisur nga gruaja e lagjes Kala, Marije Buda. Avokati Serxhio Mazreku, në emër të familjes së tij premtoi dhe për një sponsorizim financiar të konsiderueshëm.
Një iniciativë e shkëlqyer që duhet ndjekur edhe nga familje të tjera të mëdha shqiptare.
Kush ishte Aqif Pashë Elbasani
Aqif Pashë Elbasani lindi në Elbasan më 20 mars të vitit 1860 në familjen e Biçakçinjve. Biçakçinjtë takohen për herë të parë në dokumentet arkivore në fillimet e shek XV. Ishte një nga familjet më të mëdha çifligare në trevën e Elbasanit dhe të tërë Shqipërisë. Shumë pinjollë të derës së Biçakçinjve gjatë zotërimit të Perandorisë Osmane kanë mbajtur tituj dhe ofiqe të larta si: Sinan Pashë Biçaku, gjeneral i perandorisë, Sinan bej Biçaku, kryekomandant, Seit Pasha, mësues i oborrit, Selim Beu, guvernator në Egjipt, Ibrahim Biçaku, vezir, Dervish bej Biçaku, sundimtar i Elbasanit, Mahmut Pasha, prefekt i Elbasanit, babai i Aqif Pashës, e shumë të tjerë…
Dera e Biçakçinjve mbahej për fëmijë të ditur dhe të shkolluar. Aqif Pasha, pasi mbaroi arsimin fillor dhe të mesëm në vendlindje, studimet e larta i kreu në Stamboll. Atje ai u lidh që në fillim me qarqet patriotike shqiptare.
Pas fitores së Revolucionit Xhonturk u bë kryetar i klubit atdhetar të shqiptarëve “Bashkimi”. Merr pjesë në Kongresin e Dibrës, në korrik 1909 dhe më vonë në Kongresin Arsimor të Elbasanit, shtator 1909. Së bashku me bashkëpatriotë të tjerë elbasanas kontribuuan në hapjen e Shkollës Normale, në dhjetor të vitit 1909. Aqif Pashë Elbasani u bë kontribuuesi kryesor në organizimin e kryengritjes së përgjithshme për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke u vënë pa asnjë hezitim në krah të Ismail Qemalit. Ai miratoi që në fillim, pa asnjë mëdyshje, në unitet të plotë, planin për organizmin e Shpalljes së Pavarësisë dhe atë të organizimit të shtetit të ri shqiptar.
Më 25 nëntor, Aqif Pashë Elbasani, bashkë me patriotët Lef Nosi, Qemal Karaosmani, E. Jorgaqi, F. Papajani e të tjerë, ngriti flamurin në qytetin e Elbasanit, duke shpallur pavarësinë dhe duke i treguar pushtuesve serbë “se kishin shkelur në viset e Shqipërisë së pavarur”.
Aqif Pashë Elbasani është bërë i njohur si besnik i qeverisë së Vlorës dhe i Ismail Qemalit veçanërisht. Ai kreu shumë detyra në këtë qeveri, duke dëshmuar përkushtim atdhetar, por më së shumti kontribuoi në ngritjen e institucioneve të Drejtësisë në Shqipëri, të cilat nuk mbështeteshin në kurrfarë baze shkencore. Ai e përjetoi me dhimbje ndarjen e trojeve shqiptare dhe nuk u kursye për t’iu kundërvënë armiqve të kohës. Veçanërisht në Elbasan, në vitin 1913, udhëhoqi protestat kundër copëtimit të trojeve etnike. Mbështeti Princ Vidin dhe së bashku me Luigj Gurakuqin, Pecin, Hil Mosin… krijuan Komitetin Kombëtar për t’i shërbyer çështjes kombëtare, me platformë të qartë dhe të mirorganizuar.
Nuk pranoi të merrte pjesë në Kongresin e Durrësit.
Aqif Pashë Elbasani mori pjesë dhe ishte organizator i Kongresit të Lushnjës më 1920 dhe për merita të padiskutueshme, u zgjodh njëzëri kryetar i tij.
Është autor i telegramit të famshëm dërguar Fan Nolit, në 1920, ku e ftonte atë dhe të gjithë patriotët e tjerë shqiptarë në Amerikë, të mendonin, bashkëpunonin dhe të vepronin për një Shqipëri të bashkuar.
Në vitin 1922, Aqif Pasha largohet nga Shqipëria për në Austri për shkaqe aspak personale, por si emigrant politik, duke krijuar partinë kombëtare me program kryekëput liberalo-demokrat. Në vitin 1923, grupi i Fan Nolit e propozoi deputet në Asamblenë Kombëtare për Korçën, ku edhe fitoi. Ai kthehet në atdhe në vitin 1924, merr pjesë në disa mbledhje të Asamblesë Kombëtare, punon për bashkimin e elementëve liberalë-demokratë dhe më vonë, për arsye shëndetësore, tërhiqet nga jeta politike.
Aqif Pashë Elbasani vdes në Elbasanin e tij që e deshi aq shumë, më 20 shkurt të vitit 1926 dhe përcillet në banesën e fundit me shumë nderime. Ai kujtohet si një atdhetar i madh, politikan i ndershëm dhe me vizion krejtësisht evropian. Burrë shteti, i cili u vlerësua sa qe gjallë, por edhe më pas.
Relike të atij 25 nëntori 1912
Është karakteristikë e qytetarëve elbasanas ruajtja e shumë objekteve, sendeve e orendive të vjetra, relikeve historike, këngëve të vjetra patriotike, si dhe kostumeve popullore shqiptarçe, armëve prej sermi etj.
Një prej gjurmuesve dhe mbledhësve të këtyre relikeve është edhe eruditi Vangjel Kapedani. Në shtëpinë e tij, por veçanërisht në dyqanin e tij, gjen relike me vlerë historike. Ai është gjurmuesi dhe zbuluesi i flamurit kuq e zi, me fije ari, i qëndisur nga gruaja e lagjes “Kala”, nga fisi Buda, Marije Buda. Ky flamur, që ruhet në zyrën e kryetarit të Bashkisë, është ngritur më 25 nëntor 1912 nga Aqif Pashë Elbasani në sheshin midis Bashkisë dhe Prefekturës së Elbasanit. Gjithashtu Vangjel Kapedani ruan borinë që ka shoqëruar ngritjen e flamurit në Elbasan, tingujt e së cilës kanë thirrur në shesh qindra e mijëra qytetarë elbasanas. Boria është e vitit 1884 dhe është prodhuar në Mantova të Italisë. Këtyre relikeve u shtohet edhe një pentagram muzikor i vitit 1916, titulluar “Marsh muzikor për Aqif Pashën” i shkruar nga dirigjenti i Bandës Muzikore Perandorake të Austrisë, Anton Cimfl. Këtë marsh, dirigjenti austriak e ka luajtur edhe në shtëpinë e Aqif Pashës, duke treguar, veç vlerave muzikore, edhe respektin për këtë njeri të shquar të kombit shqiptar.
Me këtë marsh muzikor, banda muzikore e Elbasanit “Afërdita”, do të hapë festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, drejtuar nga dirigjenti pasionant Emin Palluqi.
Me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, familja Mazreku propozon një dhomë muzeale për Aqif Pashën, në shtëpinë e tij të lindjes, një dokumentar artistik me metrazh të shkurtër, një ekspozitë fotografike, biseda dhe një sesion shkencor në Universitetin e Elbasanit etj. Një vend të veçantë do të zërë edhe konkursi letrar i shoqatës “K. Kristoforidhi”. Mjafton vetëm pak vullnet i mirë për t’i realizuar të gjitha. Elbasani e ndien si obligim të nderojë një nga njerëzit e tij më të çmuar, atdhetarin Aqif Pashë Elbasani.
Thanas Meksi - Panorama

Shqipëria në Integrimin Europian

Eshtë kaq tragji-komike të dëgjojmë e lexojmë çdo ditë sesi politikanët shqiptarë zotohen e akuzojnë, denoncojnë e premtojnë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, se duhet ndaluar korrupsioni, duhet luftuar krimi i organizuar si dhe duhen forcuar Institucionet e Pavarura, pasi pikërisht këto, janë 3 kërkesat bazë të Bashkimit Europian për Integrimin e Shqipërisë
.

Vras mendjen, vallë çdo ndryshonte nga gjendja e sotme nëse BE-ja nuk do të na i kërkonte këto kushte?

Kaq shumë po na e shesin këtë Integrimin Europian si një arritje, si fundin e kalvarit të padrejtësive, si fundin e mjerimit ekonomik, duke harruar se në parim Shqipëria fillimisht duhet të bëhet një shtet i zot, për veten e saj.

Kush tjetër veç politikanëve shqiptarë e mbjell më së shumti korrupsionin?
Kush tjetër veç politikanëve shqiptarë e ushqen dhe përkrah krimin e organizuar?
Kush tjetër veç politikanëve shqiptarë sulmon
(madje edhe publikisht) Institucionet e Pavarura ?

Të dashur bashkëqytetarë shqiptarë; politikanët shqiptarë nuk kanë patur ndonjëherë viza për të lëvizur jashtë shtetit. Madje aq para sa harxhohen për udhëtimet e dietat e tyre jashtë Shqipërie do të mjaftonin që të gjithë qytetarëve shqiptarë pasaportat e reja biometrike t'iu jepeshin falas. Në fakt pasaportat tona biometrike jo vetëm që u shitën më shtrenjtë se kudo, por madje shteti shqiptar nuk rimbursoi asnjë qytetar që pasaportën e vjetër e kishte brenda afatit të saj 10-vjeçar.
E megjithatë, ti rikthehemi edhe njëherë temës, politikanëve tanë. Politikanët tanë kanë hyrë prej dekadash në Europë, ndryshe nga ne qytetarët shqiptarë. Ata fëmijët e tyre i dërgojnë për studime jashtë shtetit, të njohurit e tyre i kurojnë jashtë shtetit. Ajo që i lidh me Shqipërinë është vetëm mundësia për ta rrjepur sa më shumë atë.
Nëse politikanët shqiptarë do ta donin realisht integrimin e Shqipërisë dhe fundin e diskriminimit të qytetarëve shqiptarë, nuk do të zhvillonin vetëm zgjedhje të kontestueshme.
Dhe mqs jemi këtu tek zgjedhjet, a e dini që ka mbi 2 dekada që në Shqipëri pakica, pra më pak se 50% e qytetarëve shqiptarë të cilët marrin pjesë në votime, zgjedhin Qeverinë e 3 milion shqiptarëve në Shqipëri dhe politikat e afro 5 milion shqiptarëve të tjerë mbetur jashtë kufinjve të cunguar shqiptarë.

Ka ardhur koha për ndëshkim qytetar. Indiferenca ndaj kësaj klase politike është pikërisht oksigjeni i saj.
Qytetarët shqiptarë e meritojnë të jenë pjesë e Europës, pasi qytetarë të saj kanë qenë gjithmonë, njëkohësisht duke shërbyer me nder në rangjet më të larta të qytetërimeve të njëpasnjëshme.

Veçse sot ia kemi lënë në dorë fshesën, llumit, armikut të saj.

Shkroi: Stop Injorancës !

Mos kini frikë, zotëri…


Pas shpalljes së Pavarsisë, më 1912, një gazetar anglez e pyeti Heroin e Popullit Ismail Qemali:

- Si do t'i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme me ortodoksët e Jugut?


Dhe Ismail Qemali ia priti:

- Mos kini frikë, zotëri. Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh, përmes kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh përpara se t'i sillnin të huajt këto besime!


Materiale nga arkiva në prag të 100 vjetorit të pavarësisë
Burimi i informacionit

Gjeni nuse shqiptare, dasmën e keni të paguar


Kryetari i Komunës së Novacit të Manastirit, Lazar Kotevski është i vetmi që po zbaton apelin e kryeministrit Nikolla Gruveski që gratë maqedonase të lindin më shumë fëmijë me qëllim të rritjes së natalitetit. Me para nga buxheti i Komunës, kryetari Kotevski inkurajon beqarët e kësaj komune të martohet sa ma shpejtë.

Megjithatë, apeli i tij siç kanë raportuar mediat lokale në Manastir, ka një porosi më të thellë: vajzat të jenë nga Shqipëria dhe jo nga Maqedonia! Me qëllim që ta rrisë numrin e fëmijëve, Kotevski madje me financa të komunës i dërgon beqarët drejt Shqipërisë që të gjejnë nuse.

Përveç që komuna u mbulon të gjitha shpenzimet e martesës, gjithashtu në grupe organizon takimin e nuseve të reja të sapo martuara nga Shqipëria në Maqedoni, duke u shtruar drekë solemne dhe vizita falas të muzeve dhe lokacionin arkeologjik Heraklea në afërsi të Manastirit, njofton Koha.

"Nëse arrijnë të gjejnë nuse në Shqipëri, atëherë komuna jo vetëm që harxhimet e rrugës, por do t’i mbulojë edhe harxhimet e kurorëzimit, harxhimet e priftit për ceremoninë kishtare dhe në fund - harxhimet e dasmës", thotë kreu i Komunës së Novacit, Lazar Kotevski.

Ai ka treguar se martesa e beqarëve maqedonase me vajza nga Shqipëria është edhe Strategjia e Komunës së Novacit, e cila siç ka thënë Kotevski, dukshëm do të ndikojë në rritjen e natalitetit në këtë komunë, e cila ka 44 vendbanime me 3500 banore, ndërsa brenda një viti lindin jo më shumë se 30 fëmijë.

"Kemi të përgatitur një listë me 100 beqarë. Vajza kemi shumë pak për shkak se një numër i madh familjeve, në mënyrë masovike po shpërngulen dhe vendosen nëpër qytete. Numri i beqarëve do të ishte shumë më i madh, por falë Shqipërisë, vetëm këtë vit kemi 30 martesa të beqarëve tanë me nuse shqiptare", thotë krenar Kotevski.

"Ashtu siç këtu ka beqarë, tek ne ka shumë vajza të pamartuara, sepse meshkujt tanë nga fshatrat ikin për punë në Itali. Në vendbanimet e varfra rurale nuk është i vogël numri i femrave të pamartuara që kanë kaluar moshën 35-vjeç. Me të vërtetë jemi larg nga vendlindja, megjithatë kemi familje dhe fëmijë tanë", thotë Shpresa Mitrevska nga fshati Aglarcë, e cila vendlindje ka një fshat malor të Shkodrës.

Nga këto martesa të përziera, në Komunën e Novacit është rritur edhe numri i fëmijëve të lindur, prandaj siç ka informuar Kotevski, Novaci me ndihmën e Ministrisë së Arsimit ka filluar me vendosjen e shkollave montazh nëpër shumë fshatra të kësaj komune.

Adelina Ismaili këndon për LSI-në

Zbulohet kënga E Adelina Ismailit që do të përfaqësojë LSI-në gjatë fushatës për Zgjedhjet Parlamentare të 2013-ës

Duke u nisur prej incidentit të paprecedent të Zgjedhjeve të shkuara, kur LSI-ja bëri gjithë fushatën e saj duke kritikuar e hedhur vrer ndaj Kryeministrit e Qeverisë Berisha dhe në fund u kthye vetë në Patericën e saj, kësaj here për të shmangur keqkuptimet dhe për të zgjedhur në çastin e fundit kualicionin fitues, do të përfaqësohen me këngën e Adelina Ismailit.

http://www.lsi.al/index.php?lang=AL
Bashkohuni me ne: "Kemi mbrojtur qindra mijëra vende pune," (Për militantët tanë)

 Dëgjoni këtu këngën e fushatës së LSI-së

Berisha: "Ëndrra e bashkimit etnik të shqiptarëve, në Europë"


Berisha në Ceremoninë 50-vjetorit të krijimit të gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë, pasi ka thurur lavdet përkatëse mbi arritjet e qeverisë së tij dhe pasi ka shtuar premtimet e reja elektorale, i ka kapur syri hartat e Shqipërisë etnike, vendosur prej nxënësve në koridoret e shkollës.


Aty ai ka shtuar se ëndrrra e bashkimit kombëtar të shqiptarëve duhet të realizohet në Europë. Të njëjtën pikëpamje ka shfaqur edhe Kryetari i Opozitës Edi Rama në takimin e tij përballë Albin Kurtit në Kosovë
Të thuash se Bashkimi etnik i shqiptarëve do të bëhet kur të bëhemi të gjithë pjesë e Bashkimit Europian, do ishte njësoj si të thuash që bashkimi i copave të gotës së thyer shqiptare do të bëhet kur ti hedhim (të fundit) të gjitha, atje tek koshi i plehrave, aty ka ka lloj e lloj gotash të tjera, të thyera apo të pathyera, të mëdha apo të vogla, origjinale apo prej kauçuku, gota, apo shishe...

Shkroi: Stop Injorancës !

STOP INJORANCES !

Thuaji "Jo" injorancës !

Ai ishte Zogu mbret?


Mik i dashur,Bertolt Brecht shkruante: Gjithë pushteti buron nga populli – por ku shkon ai?” dreqi ta hajë. Tek ne pushteti shkon nga edhe ka ardhur. Herë në Beograd, herë në Athinë, herë në Romë, së fundi edhe në Ankara. Krejt varet se cila qendër na e gozhdon në karrige një politikan. Ndonjëherë edhe dy qendra së bashku. Ju reaguat pas mendimit tim, ku shkrova te një mike në “fb” vetëm këtë fjali: “Zogu nuk është mbret. Më kundërshtuat me email, privatisht, prandaj edhe nuk po përmend emrin Tuaj, por nga respekti për titullin, që kishit shënuar në fund, jo edhe pa arsye, po ju përgjigjem publikisht. Jo nga perspektiva e një historiani, por e një njeriu të rëndomtë, që përpiqet ta kultivojë një shqisë dhe ndjenjë drejtësie, duke u bazuar vetëm në veprat penale të politikanëve, vepra që duhet t’ i dijë çdo njeri i zakonshëm, madje edhe një doktor i shkencave.


Ta zëmë se Ibrahim Rugova është akoma president i Kosovës dhe ta zëmë se ime motër, pas këmbënguljes time, martohet me Rrahman Morinën, bashkëpunëtorin e madh të Millosheviçit. (Shembujt e sotëm më shërbejnë për ta bërë të qartë peshën e çështjes, ecurinë dhe gjykimin tonë aberrativ ndaj personaliteteve negative historike si dhe rehabilitimin e tyre pa u pas penduar, rrjedhimisht pasojat në shoqëri deri më sot...)


Nejse, të vazhdojmë: Millosheviçi më ndihmon me para dhe unë grumbulloj rreth meje shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Serbia na armatosë mirë dhe unë zotohem se nuk do të interesohem për shqiptarët atje, se do të vrasë patriotët e intelektual shqiptarë, si për shembull: Adem Jasharin, Thaçin, Adem Demaçin etj. Përveç kësaj, zotohem me shkrim se do ta pranojë pushtetin serb dhe do të punojë për integrimin e Kosovës në Serbi. Me cuba shqiptarë apo mercenarë serb e rus, unë futem në Kosovë dhe rrëzoj Qeverinë demokratike të Rugovës.
Meqenëse unë futem me ndihmën e Millosheviçit, unë meritoj ekzekutim apo burg të përjetshëm për tradhti të madhe ndaj atdheut dhe për puç. Kapërcimi ilegal i kufirit me një bandë cubash të armatosur, mund të jenë akuza shtesë.
Në një vend normal, të shëndoshë nga ana mendore mendoj, këtu do të përfundonte karriera ime politike, por, meqenëse populli im nuk bënë dallime semantike në mes patriotizmit dhe tradhtisë, unë përpunoj, zhvilloj dhe rris ambiciet e mia dhe zhvilloj lakminë për pushtet të përjetshëm. Nga frika se një ditë më rrëzojnë kosovarët e mi, unë me ata cuba dhe shërbëtorë të Millosheviçit që u futa brenda, organizoj edhe shpalljen time mbret dhe kështu i siguroj vetes të drejtën absolute dhe serike të pushtetit: domethënë edhe kalimin e kësaj prone private në duar e pinjollëve të mi. Unë falënderoj Millosheviçin për ndihmën dhe katapultimin tim në fron mbretëror dhe i fal Mitrovicën me rrethinë Serbisë. Ky është çmimi i parë i fronit, pa llogaritur edhe të vrarët për ta marrë pushtetin...
Këtu konsumohet akti i tradhtisë së lart i sanksionuar në çdo kushtetutë të shteteve tokësore dhe cenohet sovraniteti i vendit për përfitim vetjake, si pasojë e lakmisë sime të sëmurë. Në një vend normal, të shëndoshë nga ana mendore mendoj, nëse jo pas puçit, këtu do të përfundonte karriera ime politike: Cenimi i sovranitetit të vendit!
Edhe spiunit serb Rrahman Morina, i jap një post ministri. Pasi të shpallem mbret i Kosovës, unë betohem se do ta mbrojë atdheun dhe do të punojë për të mirën e tij. Natyrisht për ta arsyetuar veprën time, puçin dhe blerjen e pushtetit me troje shqiptare, unë përpiqem të bëjë edhe diçka për popullin, që i hipa në qafë me armë dhe me ndihmën e Serbisë. Unë di se nuk rrihet në pushtet duke qenë kundër popullit, por vetëm duke vrarë e dëbuar nga vendi ata shqiptarë, që i sulen fronit dhe që mund të organizojnë popullin. Natyrisht se krijoj edhe një administratë sepse përndryshe bota nuk do të më konsideronte Mbret i Shqiptarëve, por Cub. Po, pse i shqiptarëve? I shqiptarëve sepse me ndihmën e atyre, që nuk i kam nën pushtetin tim, u bëra mbret!
Shtetin tim do ta pranojë fqinjët, mirëpo jo të Nolit. Noli nuk i konvenon Ballkanit, unë po! Noli ishte tepër i madh për Ballkanin e vogël. Shumë i mençur për Ballkanin primitiv. Ortodoks me besim, por vendet fqinje ortodokse nuk do ta pranojnë shtetin e tij, por do ta pranojnë timin, sepse vija nga një familje bejlerësh...
Çdokush që synon rrëzimin tim, është tradhtar i kombit, puçist dhe kundër shtetit tonë, i them popullit. Merre me mend zoti doktor i shkencave, edhe pse unë kam falur troje, e them këtë! Unë tradhtari, patriotët e vërtet i quaj tradhtarë! Në fakt, ata që dëshirojnë rrëzimin tim, janë vetëm kundërshtarë të mi, patriot e idealist, por unë për ta siguruar pronësinë e shtetit, e trishtoj atë se kundërshtarët e mi janë tradhtarë, pa marrë parasysh kush janë: Adem Jashari, Rugova, Thaçi apo Demaçi. Konceptit të lakmisë sime të sëmurë i shkojnë për shtat ngatërrimi semantik i patriotizmit dhe tradhtisë, sa të shkrihen deri në mosdallim në mes vete. Këtu arrijmë tek mendimi i shkrimtarit austriak Karl Kraus i cili thotë:“ Disa gjëra janë aq të rrejshme, sa edhe e kundërta e tyre nuk është e vërtetë!” Ngatërrimi është i përkryer dhe ja pse tek ne e kundërta e rrenës është përsëri rrenë. Dhe, e kundërta e tradhtisë është tradhti, e jo patriotizëm, si kudo në botë!


Megjithëkëtë, të vazhdojmë me veprat e mia penale. Sapo të sulmojë ushtari i parë i huaj atdheun tim shumë të dashur, unë arratisem për ta shpëtuar familjen time, duke lënë popullin në luftë pa udhëheqës dhe pa mbrojtje. Në një vend normal me mendje të shëndoshë mendoj, edhe këtu do të kishte përfunduar karriera ime politike dhe do t’ isha dënuar për shkak dezertimit: me ekzekutim apo burg të përjetshëm. Unë jo vetëm që dezertoj para se të marrin vesh ushtarët e mi sulmin, por duke konsideruar veten mbret, më duhen edhe shumë lekë për ta mbajtur oborrin tim gjallë dhe çka bëj unë? Unë vjedh floririn e atdheut, që më mbajti si mbret dhe ia mbath, ku sytë, edhe këmbët. Këtu konsumohet akti i vjedhjes kriminale duke zbrazur arkën e shtetit. Edhe pse mbret i vendit, i betuar, unë do ta shikoj luftën në televizor me plane të reja për ta rrëzuar qeverinë sapo të çlirohet vendi. Fqinjët mirëpo, nuk do të tregojnë interes të më sjellin përsëri në fron, sepse mua më pason një tjetër, që u konvenonte atyre dhe me ndihmën e tyre u ngrit dhe u gozhdua në karrige si diktator.


Këtu doktor i dashur thjeshtësova historinë gati deri në banalizim, me shembuj aktual për të kuptuar nocionin tradhti edhe doktorët si Ju. Tradhtia është tradhti dhe nuk mund ta zhbëjnë veprat e mira aty këtu. Sepse unë para se të bëhem mbret, isha vrasës, puçist, vasal i huaj dhe derisa posedoj titullin mbret, bëhem edhe dezertor edhe hajdut.
Sikur ne të ishim një vend normal, me aftësi gjykuese të shëndosha, atëherë nga pasardhësit e mi të pafajshëm, do të kërkohej së paku floriri i vjedhur. Nëse Tirana nderon me një rrugë Ahmet Zogun, është për t’ u tmerruar pse nuk nderohet edhe spiuni i Serbisë Ceno Kryeziu( Cërnoglaviç) dhe Nikola Pashiçi me një bulevard, që na prodhoi një mbret! Edhe Esat Pashë Toptani duhet nderuar nga familja e së cilit vinte nëna e mbretit Zog. Edhe ai kishte ndërmend t’ i falë Serbisë veriun, kurse jugun Greqisë. Zotimi ndaj mbretërisë së Karagjogjerviqëve, puç me një bandë tradhtarësh, vrasje e patriotëve shqiptarë, dezertimi, vjedhja e arkës së shtetit, nuk janë çështje botëkuptimi dhe pikëvështrimi, por fakte që i ka prodhuar “mbreti”, që Ju adhuroni. Veprat kriminale, nuk mund t’ i zhbëj askush, sepse ai i ka prodhuar vet. Me vetëdije dhe me pasion të sëmurë ndaj pushtetit dhe karrierës. Pajtimi me ato vepra, është krim. Injorimi i atyre veprave kriminale, është pajtim me tradhtinë dhe ngatërrim i normave morale.


Nderimi i Zogut me një rrugë, flet edhe për Qeverinë e sotme shqiptare. Nuk mund të nderohet Noli, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Hasan Prishtina, e Ahmet Zogu, sepse këta nuk mund të futen në një kallëp. Ose të parët janë patriot, ose i dyti. Ose të parët janë tradhtarë, ose i dyti. Së bashku nuk shkojnë. Në asnjë shtet të botës nuk mund të gjenden rrugë, ku bartin emra të tradhtarëve. Propozimi për këtë emërtim, aprovimi i tij nga administrata e qytetit, flet për gjendjen tonë psikike. Flet për ata që sundojnë sot vendin. Për ata që sundojnë, sepse këta nuk qeverisin, por manipulojnë dhe dominojnë. Jo vetëm kjo, por dëshmon edhe për ata që shëtisin nëpër këtë rrugë dhe lexojnë për ditë emrin e atij, që kërkoi azil politik në Jugosllavi dhe me kunatin e vet Ceno Kryeziun, sulmoi atdheun.
Një vend që nderon një personalitet të tillë negativ, nuk mund të jetë normal, as natën e as ditën, as kur është duke fjetur, as kur është i zgjuar. Ai popull është në vegjetim e sipër. Aty ku nderohen njëlloj si patrioti, po ashtu edhe tradhtari, është e pamoralshme të flitet për norma morale. Apo për etikë në politikë.

Ministri i Mbrojtjes në Gjermani dha dorëheqje për plagjiaturë në doktoratën e tij. Politikani duhet të jetë i padamkosur, thjesht i padamkosur dhe shembull i së mirës, i moralit dhe qëndrimit korrekt, jo shembull i maskarait, i hajnit, i tradhtarit dhe i vrasësit. Karl-Theodor zu Guttenberg u dënua me një gjobë prej 20.000 €, që duhet t’ ia falë një organizate që lufton kancerin tek fëmijët, edhe atë për 23 pasazhe të vjedhur, ku kishte cenuar të drejtën e autorit. Çfarë dënimi ka paguar Zogu për puçin, vrasjen e qindra vetave, cenimin e integritetit të vendit, dezertimin, vjedhjen e arkës dhe bashkëpunimin me vendin që kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare?


Politikani që ka një episod negativ në jetën e vet, ku shquhet tradhtia, vrasja, vjedhja, nuk mund të jetë shëmbëlltyrë për kombin. Kur një politikan vret vetëm një njeri padrejtësisht, ai është vrasës, kriminel, edhe nëse nesër bëhet doktor i shkencave. Një njeri është tradhtar, edhe nëse fal një metër të atdheut pa pajtimin e popullit, edhe nëse nesër bëhet kryetar apo kryeministër. Një njeri është dezertor, edhe nëse është mbret. Historia as nuk guxon t’ i harrojë veprat negative, as t’ i zbukurojë ato, sepse kjo neglizhencë, prodhon tradhtarë të rinj në pushtet. Siç kemi edhe sot...
Këto ishin arsyet e mia mik i dashur dhe më habit edhe një: Pse adhurojmë personalitete që dëmtojnë Shqipërinë? Është në pyetje injoranca jonë e madhe, oportunizmi, paaftësia e ndarjes së patriotit nga tradhtari apo patriotizmi folklorik apo parapëlqejmë despotizmin rural? Apo pse ne gjykojmë kështu: Gjarpri që nuk më pickon mua, jetoftë 100 vjet!” Unë mendoj se kjo e fundit vlen për ne, por edhe për një arsye: neve na pëlqejnë krenaritë boshe dhe të rrejshme. Neve na pëlqen ta gënjejmë veten, injorojmë aq shumë vepra penale, sepse na eksiton iluzioni se duke pasur mbret, bëhemi disi anglez, prandaj aleluja për atë gjarpër. Ai nuk na ka helmuar neve, por të tjerët...


Faktet e numëruara, nuk janë gjykim komunist i historisë, por tradhtia është tradhti, edhe në feudalizëm, edhe në monarki, edhe në komunizëm, edhe në demokraci dhe edhe aty ku jetohet akoma në struktura fisnore dhe ku nuk ekziston një ngrehinë qeverisëse si shteti. Kur Gjermania fashiste sulmoi monarkitë tjera në Europë, asnjë monark nuk dezertoi. Arsyetimin e tij se nuk kishte armatim për rezistencë, e rrëzoi pasuesi i tij, diktatori Enver Hoxha.
Nëse nxënësit tanë mësojnë në shkollë se Zogu ishte i mirë, e jo siç e meriton në bazë të veprave të veta, atëherë ne nuk kemi historian, por njerëz që shkruajnë përralla, ku edhe tradhtari glorifikohet. Me libra të tillë, edhe në 100 vitet e ardhshme do të prodhojmë vetëm tradhtarë në krye të qeverive, sepse ne nuk jemi në gjendje të dallojmë me mes tradhtisë dhe patriotizmi, ne mes ditës dhe natës, moralit dhe pamoralit, Shtëpisë Publike dhe Qeverisë. Ja pse politikanët tanë i ngjajnë shumë plehut. Mund të ketë dobi anësore, por askush nuk duhet ta durojë në shtëpi. Ali Podrimja në poezinë e tij “Ti dhe dielli” thotë: “Me Plehun mos u pajto: nxirre në gjysmë të natës, në pikë të vapës..!” Ne mirëpo kemi një shprehi të keqe. Ne i mbyllim hundët dhe shtiremi se nuk po e shohim dhe bashkëjetojmë me të.


Summa summarum: Kush ishte Ahmet Zogu? Ai ishte karrieristë i paskrupullt, tradhtar, dezertor, vrasës, hajn, copëtues i vendit dhe punoi vetëm për veten. Vendimi i gjykatës jo në emër të popullit, sepse populli nuk brengoset shumë për këtë, por në emër të drejtësisë: pesë herë burg i përjetshëm! Po e vërteta? Ai shpërblehet. Në Tiranë ka një rrugë që quhet “Rruga e Ahmet Zogut!”
Ky vështrim u nisë me Bertolt Brecht dhe ta mbyllim me gjykimin e tij: “ Kush nuk e di të vërtetën, është njeri torollak. Mirëpo, kush e di këtë, por e quan gënjeshtër, ai është kriminel!” Qëndrimi jonë injorues dhe përkëdhelës ndaj plehut, ka ndihmuar në prodhimin e diktatorit, pastaj edhe të despotit... Burimi: Lis Bukuroca http://letersi-perkthime-artikuj.blogspot.com/2011/11/ai-ishte-zogu-mbret-gazeta-shekulli.html?spref=fb

Sadopak për t’u dashur... (Pjesë nga një poemë e gjatë...)


... Lajmëtarët janë mbledhur në një kënd
Ata janë netë të pagjuma
Me petka mendimesh të vjetra
E udhët e shpëtimit
Janë një zhveshje lakmitare
Për te fituar liri të përveçme
E për të mos u kthyer në ngrehinat e ftohta
Që kohë pas kohe
Po i bëjnë qelat e grrucjes edhe më të lëmuara

Lajmësat në  një kënd rrinë
E mbledhin lajmësa të tjerë
E të tjerë
E të tjerë,
E duart i kanë bosh
Se lajmi nuk bëhet dashuri
Që t’i shpëtojë
Ose dhe dashuria
Nuk bëhet lajm
Që t’i plasë muret.

Ani çka…
Do vijë e do fryjë një erë e çmendur
E do pështjellë gjithsej prej zgripit të qenies
E ka për t’u dëgjuar
Veç ulërima e thatë dhe e gjatë
E gruas që e zbraz shpirtin
Me shpinë në mur
E duar në faqe.

Lutu sa të duash
në stol të përjashtimores,
rrëfeji me mërmërimë
dëshirat e tua të athëta
të bëra thana mendimesh në ngjërimin tim
të kuqe, të kuqe përndezëse
rrokull vetes…

E ka frymuar kush këtë mëngjes?
Pse vallë e rijetoj çdo të diel
Si të qe një gjallesë duarlidhur
E me sy lutës për t’u hedhur tejanë pragut…

Kujdes derën
Ajo është çelë sapak
Që të mbërrish më tej
në një deriçkë të vërtetash
ku thellësia e ninëzës
ka një lakuriqësi ndjenje në fund
e veç buza jote mund ta lexojë
si një shqisë e pangjashme
që udhëtuar më ka
nëpër shpirt…
e ndër duar më ka lënë
sapak relativitetin
e kohës e të botës
po mshelur ma mban
gjithsej tjetër,
Pse m’i mban mshelur?
Dorështrënguari im
Me rrathë uji
Në fytyrën e shkruar
me vështrime të kithta dëshirimi të bjerrë
në çka unë mund të jem
Bëhem, jam…

Fjalët, fjalët na kanë vrarë
Ka shekuj që hidhen mbi ne
Mbi mua e ty
si një ushtri heshtarësh
me mburojë letre…
Fjalët na kanë ndërsyer
ndaj njëri-tjetrit
të varfrat fjalë
të këqijat mercenare
që nuk dinë të mbrojnë
bukuritë tona të amshuara me shpirtlëkundje
prelud të një tërmeti qeniebërës…

Fshihi, fshihi…
Mbaji, mbaji  drynat e qiellit tënd të mshelë
E mos m’u kënaq duke më kundruar teksa vërtitem
Të dal,
Të rrëmbej veten tënde…

Qenie lodërtare
Që më zhbiron me sytë e tu lojcakë
Unë kam dritaret e mia që
S’i mbyll dot kush
E kam krahë përfytyrimi
Që mbërrijnë
Edhe vetë renë
kur i kalon bri kullës tënde me frëngji gjahtarësh
e nënqeshje çarku në prag…

Të krahasueshëm ose jo
I shkërmoqim mendimet njëri-tjetrit
Si misër për urinë e ndjenjave
E ca i ruajmë si gurë të fituar shahu
Sadopak për t’u përballë,
Sadopak për t’u dashur...  

Erina Pavle Çoku